Si duhet bërë shitblerja si një musliman? Tregtia në Islam
Profeti ynë paqja qoftë mbi të! është gjendur brenda jetës tregtare që në fëmijëri. Ai ka shkuar në vende si Siria dhe Jemeni kur ka qenë i vogël bashkë me karvanët e xhaxhallarëve të tij dhe ka qenë në qendër të jetës tregtare. Siç kishte ndodhur edhe në fusha të tjera, edhe në tregti, Ai ishte pranuar si një njeri “i besueshëm dhe i respektuar” dhe u kishte frymëzuar siguri njerëzve përreth.
Edhe para se të martohej me Hatixhen kishte drejtuar karvanët e kësaj gruaje të pasur dhe të ve dhe kishte marrë pjesë në aktivitete të ndryshme tregtare. Profeti i fundit, krenaria e njerëzimit, ishte person i njohur dhe i shquar në tregti.
Si një njeri që e kishte kuptuar domosdoshmërinë e jetës tregtare që në fëmijëri, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të!, pas hixhretit, kishte menduar një projekt për vendosjen dhe themelimin e një tregu të myslimanëve në Medinë dhe e kishte realizuar atë. Në këtë mënyrë ishte thyer dhe autoriteti i hebrenjëve që mbizotëronte jetën tregtare të Medinës kohë më parë. Përveç kësaj, besimtarët mësuan të qëndrojnë mbi këmbët e tyre.
Ata të cilët përshkruajnë moralin tregtar të Profetit, shpreheshin kështu: “Ashtu siç ai vetë nuk cenonte të drejtën e tjetrit, ashtu nuk lejonte t’i cenohej edhe e drejta e tij.”
“NUK ËSHTË PREJ NESH AI QË MASHTRON”
Ebu Hurejre (r.a.) transmeton: “Një ditë, kur Profeti paqja qoftë mbi të! kishte dalë në treg, iu afrua një shitësi dhe futi dorën brenda mallit që shiste, pastaj e nxori. Gishtat i ishin lagur pak. “Ç’është kjo?”, iu drejtua shitësit. “Është lagur nga shiu”, ia ktheu shitësi. Atëherë Profeti i tha: “A nuk munde ta nxjerrësh përsipër pjesën e lagur që ta shihnin të gjithë? Nuk është prej nesh ai i cili mashtron.” Me anë të këtyre fjalëve, ai kishte vendosur një princip shumë të rëndësishëm në jetën tregtare dhe e kishte praktikuar vetë i pari.
Në fakt, klienti duhet të dijë gjithçka rreth mallit, sido që të jetë dhe pastaj duhet të marrë vendimin e tij. Të mashtrosh njerëzit me dredhi të ndryshme është në kundërshtim me moralin e Muhamedit dhe ata që veprojnë ashtu, veprojnë kundër Profetit tonë. Profeti ynë paqja qoftë mbi të! i ka përforcuar këto fjalë me një hadith tjetër ku thotë: “Një tregtar mysliman e ka të ndaluar t’i shesë me vetëdije një klienti një mall me defekt.”
KËSHILLONTE NË LEHTËSIMIN E SHITBLERJES
Sipas transmetimit të Xhabirit (r.a.), Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ka thënë: ”Zoti e shtoftë mëshirën e Tij për njerëzit që lehtësojnë dhe janë bujarë në shitje, blerje dhe në shlyerjen e borxhit.” Ndërsa sipas transmetimit të Tirmidhiut: “Zoti e ka mëshiruar një njeri që jetoi para jush. Sepse ky njeri lehtësonte në shitje, lehtësonte në blerje dhe kur dëshironte të merrte diçka, tregohej i sjellshëm dhe lehtësonte.”
Ebu Hurejre (r.a.) thotë se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Zoti e do tolerancën në shitje, tolerancën në blerje dhe tolerancën në pagesë.”
KËSHILLA E PROFETIT PËR ATA QË PUNËSOJNË NJERËZ
Zotëria i gjithësisë, urdhëron ekuilibrimin e sjelljeve ndaj njerëzve që punojnë afër tyre. Nga Suvejd bin Mukarrin el Muzeni transmetohet një episod: “Ne ishim shtatë vëllezër. Nuk kishim asnjë ndihmës, vetëm një robëreshë. Njëri nga vëllezërit e mi një ditë i kishte rënë me shuplakë asaj. Pas kësaj, i Dërguari i Zotit, na urdhëroi ta lironim robëreshën.”
Madje rreth virtytit të lirimit të robërve, transmetohet: “Nëse një mysliman liron një rob mysliman, atëherë ai bëhet shkak për shpëtimin e tij nga zjarri. Çdo organ i robit shpëton një organ të trupit të tij nga zjarri. Nëse një mysliman liron një robëreshë myslimane, atëherë ajo bëhet shkak për shpëtimin e tij nga zjarri. Çdo organ i saj shpëton një organ të tij nga zjarri. Nëse një grua liron një robëreshë myslimane, atëherë ajo bëhet shkak për shpëtimin e saj nga zjarri. Çdo pjesë e trupit të robëreshës shpëton një organ të trupit të saj.”
اَللّٰهُ أَعْلَم
Allahu e di më së miri
Marre nga:http://islami.al/jeta-tregtare-nga-kendveshtrimi-i-profetit/