Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Ndjesitë – Emocionet

Cilat janë veçoritë e dedikimit të vetvetes tek një besimtar?

Estimated reading: 10 minutes 189 views

Zhvillimi i shpirtit të dedikimit është i lidhur në mënyrë parësore me besimin e plotë në fenë që përfaqëson. Është e pamundur që të ndjellësh një shpirt dedikimi tek njerëzit, nëse ata nuk kanë besim. Dhe kohëzgjatja e zhvillimit të një besimi të këtillë mund të ndryshojë sipas aftësive dhe talentit. Ndërsa për disa njerëz mund të mjaftojnë rehabilitime të shkurtra; për shembull, disa njerëz e kuptojnë dhe e shohin atë që kanë për të kuptuar dhe parë në dyzet orë, disa të tjerë mund t’i kuptojnë për dyzet ditë, muaj, apo dyzet vjet. Madje edhe disa njerëz të lartë si Xhunejd Bagdadi, që janë shpirtra shumë të hapura ndaj kuptimeve të thella, janë shprehur vetë se disa gjëra i kanë kuptuar vetëm pas të gjashtëdhjetave. Patjetër që nuk është aspak e drejtë që ta kuptojmë këtë fjalë të Xhunejd Bagdadit sikur ai nuk ka kuptuar asgjë deri në atë moshë, e një kuptim i tillë zaten është një paturpësi e bërë hapur karshi tij. Atëherë, si duhet ta kuptojmë këtë fjalë të tijën? Ai njeri i lartë e kishte ngulur vështrimin vetëm kah njeriu i përsosur, e nuk shihte asgjë tjetër. E me sa duket, për të ndjerë disa flladitje të atij horizonti, duhej të kalonte njëfarë kohe. Ndoshta, ai, me këtë, donte të theksonte ndryshueshmërinë e aftësive te njerëzit. Me një fjalë, çfarëdo qoftë synimi dhe qëllimi, ne duhet të tregojmë kujdes ndërsa flasim për njerëzit e lartë, duke u ruajtur prej mendimeve negative dhe duhet të kërkojmë mbrojtje tek Allahu prej thënies së ndonjë fjale të pahijshme. Përkundrazi, mund të bëjmë ndonjë gafë që do të prekte edhe sedrën e Allahut (xh.xh.).

Mirësia më e madhe që mund t’u jepet brezave të sotëm

Nëse do t’i ktheheshim çështjes sonë parësore, në ditët tona, është bërë akoma edhe më e vështirë për të përndezur ndjenjën dhe mendimin e dedikimit ndër zemra. Në këtë kohë kur çerdhja familjare nuk shpreh ndonjë gjë në emër të thellësive metafizike, kur rruga vepron veç në kahun e kundërt, kur në çerdhet e dijes nuk prezantohet kjo ndjenjë dhe ky mendim, dhe kur në faltore nuk fryhet ky shpirt ndër zemra, e kur nuk gjenden institucione që të drejtojnë kah horizonti i zemrës dhe shpirtit, të ndjellësh shpirtin e dedikimit ndër zemra, është e lidhur me disa përpjekje të forta. Sepse, t’i ndash njerëzit prej ndikimit të trupores, të cilës ata i janë bërë robër, e prej andej t’i drejtosh kah gradët e jetës së zemrës dhe shpirtit, për të pasur si synim të vetëm pëlqimin e Allahut (xh.xh.), duke i bërë që të përmendin vetëm fjalinë “O Zot, unë dua prej teje shëndet, mirësi dhe kënaqësinë Tënde!” gjatë gjithë ditës, kërkon një përpjekje shumë të madhe. Njeriu, për nga natyra e tij, është shumë i dhënë pas botës dhe bukurive të saj. Sidomos në ditët tona, kur ato janë vendosur në qendër të çdo gjëje, mund të thuhet se njerëzit janë të përgatitur për çështjet e kësaj bote në mënyrën më të përsosur. Kësisoj, për mendimin tim, mirësia më e madhe që do t’u bëhej këtyre brezave, do të ishte ndjellja e dëshirës dhe emocionit për të jetuar.

Në fakt, një emocion dhe dëshirë e tillë është një prej shtyllave më të rëndësishme të shpirtit islam. Ashtu siç ajo do ta tregojë veten si përkushtim dhe devotshmëri në të, kur pasqyrohet në namaz, dhe në çështjen e përhapjes së emrit të Allahut, ajo do ta shfaqë veten me anë të shpirtit të dedikimit, duke nxitur vazhdimisht vetëm ngarendjen në këtë rrugë. Ju shpjegojuni ç’të doni në lidhje me shpirtin e Islamit të gjitha zemrave që jetojnë të mangëta prej kësaj dëshire dhe emocioni, por do të jetë e vështirë që të vëreni tek ta shenja të sakrificës dhe qashtërsisë shpirtërore.

Mungesa e emocionit do të thotë vdekje e zemrës

Me pak fjalë, tek njeriu duhet të gjendet një emocion që ai ta marrë e ta përplasë veten gjithandej prej shqetësimit. Asisoj, që kur të gjendet përballë ndonjë zemre që nuk beson, të thotë “Pse nuk besojnë këta njerëz?”, e sakaq të fillojnë e t’i zukasin tëmthat, zemra t’i duket sikur po i ndalet e koka t’i duket sikur nga çasti në çast do t’i ndahet në mes. Vetëm nëse te njeriu ka një emocion të tillë çmenduror, ju duhet t’i thoni: “Iu bëfsha kurban emocionit tënd. Të të marr e të të mbaj mbi krye.”, dhe duke i thënë këto fjalë, ju e rinovoni emocionin e tij me mendjen dhe logjikën islame. Me fjalë të tjera, ju keni mundësinë për ta drejtuar për mirë emocionin e tij, i cili mund edhe ta shpjerë edhe në tërbim. Pra, mund ta ndihmoni që ai ta përdorë këtë emocion, me durim dhe vazhdimësi, në rrugën e së drejtës. E me sa duket, ajo që duhet bërë fillimisht, është ndjellja e një emocioni të tillë ndër zemra. Sepse atje ku nuk gjendet emocioni, është e pamundur që të bëhet ndonjë punë kushedi se çfarë vetëm me një arsye të thatë dhe me një logjikë të qëndrueshme. Fillimisht, njerëzit duhet ta besojnë tërë emocion e t’i dalin zot një synimi imagjinar, e megjithë vështirësitë dhe pengesat që mund të hasin, të dinë si të rrinë të qëndrueshëm dhe të palëkundur në pozicionin që u duhet të qëndrojnë, e atje ku është për të rendur të rendin porsi kuajt e egër, derisa të plasin.

Si në çdo cilësi të mirë, edhe këtu, shembulli më i mirë për ne gjendet tek Profeti ynë i Dashur (s.a.s.). Shihni pak se ç’thotë Allahu në Librin e Tij të lartë në lidhje me këtë cilësi të Tijën. “Për pak do të shkatërrosh veten, duke rendur pas tyre, pse nuk besojnë Kuranin.” (Kehf, 18/6). Në një vend tjetër, thuhen këto fjalë: “O i Dërguari Im! Për pak do të vrasësh veten, pse ata nuk besojnë.” (Shuara, 26/3). Të dyja këto ajete tregojnë se ç’shpirt islam mbartte Profeti i Islamit. Allahu (xh.xh.) e paraqet kësisoj emocionin e Tij: “Ti nuk mund të udhëzosh kë të dëshirosh. Vetëm Allahu, udhëzon kë të dojë.” (Kasas, 28/56). E me këtë, Ai ia rinovon Atij emocionin. Saora, nëse te një person gjendet një emocion i tillë islam, ne e rinovojmë atë me fjalët e Kuranit. Ne mund t’ia tregojmë atij se çfarë do të thotë të veprosh i plotë, se ç’duhet të çojë e ç’duhet të sjellë, dhe sipas koniunkturës apo sipas ndjenjave të bashkëbiseduesit si duhet të veprojë. Por nëse nuk ka ende ndonjë emocion, çfarë do të rinovoni ju?

Për të pasur një jetë të qëndrueshme dhe të vendosur duhet që fillimisht të kesh një gjendje shpirtërore të mbushur plot e përplot me emocione. Mirëpo, arsyeja dhe logjika nuk duhet të sakrifikohen assesi për ndjenjat dhe emocionet. Sepse, pikërisht pas kësaj pike mund të lindin teprimet dhe çekuilibrimet. Kështu që, ndërsa nga njëra anë zemrat vlojnë prej emocionit, nga ana tjetër arsyeja dhe gjykimi duhet të jenë përherë pararojë e emocioneve, në mënyrë që t’i kanalizojnë këto emocione në kahe të drejta.

Arsyeja dhe emocionet duhet të jenë mbështetëse të njëra-tjetrës

Sidomos, nëse ne kemi për të sendërtuar ndonjë synim të lartë imagjinar, bllokimi i rrugëve diku nuk duhet të na nxjerrë neve prej rrugës në të cilën gjendemi. Ne, si zemra besimtare, nëse ndodh që shtegu të bllokohet diku, duhet të kërkojmë menjëherë shtigje të reja, e asisoj vetëm vazhdojmë drejt përparimit. E nëse ndodh që edhe kjo të bllokohet, atëherë sërish kërkojmë tjetrën. Edhe nëse të gjitha rrugëve të mos ia shohim dot fundin, ne duhet të themi: “Edhe po nuk e realizuam dot ne, atëherë e realizojnë ata që do të vijnë pas nesh, e prapë po nuk e bënë dot as ata, atëherë medoemos që e bëjnë ata që do të vijnë mandej.”, duke mos humbur shpresë për asnjë çast të jetës sonë. Po të jetë nevoja, edhe yjet i zbresim poshtë prej qiellit, e me botëkuptimin se do t’i zbresim për të ngritur një sistem me to, dhe duke e ditur se mungesa e një përpjekjeje të madhe do të thotë vdekje për ne, përpiqemi që ta mbajmë përherë për sipër nivelin e orvatjeve. Por njëkohësisht, tregojmë një kujdes të veçantë që çdo hap ta hedhim nën dritën e arsyes, pasi një besimtar nuk mund/duhet të shpërfaqë assesi kundërthënie mes arsyes me emocioneve, pasi ato janë ushqyese të njëra-tjetrës. Deri më sot, sa e sa njerëz, vetëm sepse kanë vepruar të verbuar prej emocioneve, megjithëse në rrugën e së drejtës, u kanë shkaktuar shumë dëme Islamit. Ndërsa disa të tjerë, kanë menduar se do të mund t’u shpjegonin ndonjë gjë njerëzve vetëm me atë arsyen e thatë, llafazanërinë, demagogjinë dhe dialektikën e tyre, mirëpo nuk kanë arritur të ndërtojnë dot asgjë të qëndrueshme, që të jetë frymëmarrëse për një kohë të gjatë, e saora kanë ngelur të plandosur përdhe prej lodhjes.

Kësodore, përkrah një emocioni të plotë, ne kemi nevojë edhe për ligje dhe rregulla të testuara nën dritën e gjykimit kuranor. Sepse të gjitha fjalët dhe veprimet tona duhet të jenë të kontrolluara nëse janë të drejta në bazë të Kuranit dhe Sunetit. Sepse, derisa Profeti ynë i Dashur na ka këshilluar: “Ajo që ju duhet juve është të ndiqni Sunetin tim dhe jetën e katër kalifëve. Kapuni fort dhe shtrëngojeni me dhëmbë këtë litar.” (Ebu Davud, Sunet, 6), përkrah Kuranit dhe Sunetit, edhe botëkuptimi dhe sjelljet e katër kalifëve është shumë e rëndësishme që ne t’i krahasojmë sjelljet dhe veprimet tona me jetët e tyre. Sepse ashtu siç jemi të lidhur, dhe besojmë në vërtetësinë e synimeve dhe qëllimeve tona, edhe rruga në të cilën ne ecim duhet të zgjojë siguri dhe besim tek të tjerët. Dhe kjo mund të realizohet vetëm duke ndjekur edhe jetën e sahabëve fisnikë, krahas rrugës së Kuranit dhe Sunetit.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cilat janë veçoritë e dedikimit të vetvetes tek një besimtar?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA