A është pengesë shërbimi në rrugën e Allahut për ruajtjen e lidhjeve me të afërmit?
Herë-herë, njeriut mund t’ia behin në mendje disa mendime djallëzore të llojit “sidoqoftë, sherbimi im te njerëzit duke ngarendur pas një misioni të lartë si ai i përhapjes së fjalës së Zotit mjafton. Përpara detyrash si kjo, kaq të rëndësishme, gjërat si të drejtat e prindërve ose të të afërmve mund të lihen pa bërë”. Kësisoj, njeriu mund të shndërrohet në një qenie shpërfillëse për sa u përket të drejtave të të afërmve dhe farefisnisë. Por, mendime të tilla është e pamundur që t’i shpjegosh dot me logjikën kuranore. Askush nuk mund ta nëpërkëmbë, apo ta hedhë tej, një çështje, të cilën Kurani dhe Suneti e trajtojnë me këmbëngulje duke i nxitur njerëzit pa pra kah tyre. Nëse Allahu (xh.xh.) e ka urdhëruar ruajtjen e këtyre të drejtave në Librin e Madhërishëm të Tij, atëherë kjo është një përgjegjësi shumë e rëndësishme për një besimtar. Askush nuk e gëzon të drejtën për t’i ndryshuar këto urdhëresa. Andaj, detyra e besimtarit është që t’i vizitojë ata, t’u puthë duart sipas pozitës së tyre, t’u kërkojë atyre lutjet e tyre dhe nëse kanë ndonjë nevojë, të përpiqet që t’ua përmbushë.
Eshtë fare e mirë e mundur, që nga njëra të kryhen pa ndërprerë sherbimi, kryerja e të cilave është e domosdoshme, e nga ana tjetër të ruhen e të tregohet përkujdesje për të drejtat e prindërve dhe të afërmve. Asnjëra syresh nuk duhet të jetë pengesë për tjetrën. Nga njëra anë duhet t’i shërbejmë fesë së madhe të Islamit për të fituar pëlqimin e kënaqësinë e Zotit, e nga ana tjetër, po për të fituar kënaqësinë e Tij, të mos e lëmë pas dore arritjen e pëlqimit të nënës dhe babait, të gjysheve dhe gjyshërve, të hallave dhe të tezeve, të dajave dhe të xhaxhallarëve.
Madje, ruajtja e fortë e lidhjeve me të afërmit mund të jetë edhe një arsye për t’i zbrazur edhe në zemrat e tyre frymëzimet e zemrave tona. Duke i ruajtur të forta marrëdhëniet tona me familjet dhe të afërmit tanë, duke kaluar kohë me ta, ne mund të bëjmë të mundur që të njihen edhe ata me bukuritë që ne njohim. Kështu, – me lejen dhe ndihmesën e Allahut – kjo do t’i bëjë edhe më të begata vizitat tona, e mund të kthehemi në kallinj që japin secili shtatëqind kokrra. Edhe nëse jo me fjalë, ne mund t’u shprehim atyre diçka me sjelljet dhe reagimet tona, duke u shndërruar në modele për ta. Ka diçka që e kemi thënë gjithësaherë, nuk ka asnjë çështje që nuk zgjidhet përmes përfaqësimit dhe gjendjes.
Veçanërisht në ditët e sotme, me zhvillimin e mjeteve të komunikimit, t’i pyesësh kushërinjtë dhe të afërmit se si janë, nëse kanë qenë mirë, e t’ua fitosh atyre zemrën, është bërë shumë e thjeshtë. Edhe pse mund të jemi larg prej tyre dhe e kemi të pamundur që t’u shkojmë vazhdimisht për vizitë, përmes mjetesh si interneti, telefoni, ne mund ta kryejmë fare mirë detyrën tonë të ruajtjes së lidhjeve me të afërmit. Mund të komunikojmë me ta me zë ose me pamje, mund t’u përçojmë atyre dashurinë dhe afrimitetin, të informohemi në lidhje me gjendjen e tyre dhe të përpiqemi që t’ua gëzojmë disi zemrat.