Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Cfarë Paramendime e Paragjykime lejohet të ketë muslimani për të tjerët? Husnu Dhann / Su-i dhann

Estimated reading: 4 minutes 125 views

Fjala arabe “dhann” ka kuptimin e paramendimit, të paragjykimit, të vlerësimit të diçkaje sipas probabilitetit, të dyshimit, të ngurrimit. Paramendimi për mirë (husnu dhann) është të vepruarit duke hamendësuar e paramenduar për mirë për çështjet në shqyrtim. E kundërta e kësaj është paragjykimi (su-i dhann).

Zoti ynë, në Kuran, në një ajet ku radhit njëri pas tjetrit disa parime morale, na urdhëron që t’i shmangim paragjykimet, duke u shprehur se një pjesë e tyre janë mëkat: “O ju që besuat! Asnjë bashkësi prej jush të mos përqeshë një tjetër bashkësi, sepse mund të ndodhë që të përqeshurit të jenë më të mirë se përqeshësit e tyre. Edhe gratë të mos i përqeshin gratë e tjera. Ndoshta të përqeshurat mund të jenë më të mira se përqeshëset e tyre. Mos e nxini njëri-tjetrin, mos i ngjisni njëri-tjetrit epitete të këqija. Sa keq është kur, pasi kanë besuar, njerëzve t’u dalë emri për keq e të njollosen ligësisht! Kush nuk pendohet, është prej të tillë mizorësh. O besimtarë! Largojuni sa më shumë paragjykimit, sepse një pjesë e paragjykimit është mëkat. Mos hulumtoni gabimet e njëri-tjetrit dhe mos e përflisni njëri-tjetrin!” (Huxhurat, 11-12) “Mos u lësho pas diçkaje që nuk e di, sepse veshi, syri, zemra, të gjitha do të japin llogari për të!” (Isra, 36)

Paragjykimi që nuk gjen mbështetje te realiteti është një lloj shpifjeje dhe njollosjeje për tjetrin, ndaj edhe ka të bëjë me cenimin e së drejtës, apo të hakut të robit. Për të mos rënë në një situatë të tillë, duhet shmangur gjykimi përmes hamendjesh. Në rastet dhe vendet, në të cilat nuk kemi argumente dhe njohuri të sakta, është detyra jonë që çështjen ta vlerësojmë paraprakisht për mirë dhe jo për keq.

Profeti ynë i dashur (paqja qoftë mbi të!), duke thënë “paramendimi i mirë është bukuria e ibadetit”[1], na tërheq vëmendjen në këtë pikë. Në shpifjen që iu bë nënës sonë, Hz. Aishes, Allahu i lartësuar paralajmëron në këtë mënyrë: “Ju, o besimtarë, kur sapo i dëgjuat këto thashetheme, a nuk do të ishte më mirë që, si besimtarë e besimtare, të ushqenit mendim të mirë për njëri-tjetrin e të thoshit: ‘Kurrsesi! Kjo s’është tjetër gjë veçse një shpifje e qartë!’?” (Nur, 12)

Në një tjetër hadith, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë kështu: “Allahu e ka bërë haram paragjykimin mbi gjakun, dëlirësinë dhe nderin e myslimanit.”[2]

Paramendimi i mirë për njerëzit duhet të kthehet në një çështje thelbësore dhe të pëlqehet si një disiplinë, sepse, si pasojë e ashpërsisë sonë, mund të mos jemi në gjendje të ushqejmë mendim të mirë për gjithsecilin. Mirëpo si në shumicën e çështjeve që i përkasin Islamit, veprimi i vazhdueshëm me një mënyrë të tillë të menduari mund ta kthejë atë në pjesë të karakterit të njeriut. Në lidhje me individët, me aq sa është e mundur, duhet ushqyer paramendim pozitiv. Ndërsa paragjykimi është burim i shumë e shumë të ligave. Sipas këtij parimi, gjersa t’i dalin në shesh të këqijat me shenjat dhe argumentet e veta, njeriu duhet konsideruar i mirë e i pafajshëm. Edhe ne duhet të tregojmë respekt ndaj kësaj pafajshmërie. Pohimi, sipas të cilit “gjersa të mos ketë prova për të kundërtën, njeriu mbetet në thelb i pafajshëm”, është një ndër parimet themelore e universale të drejtësisë.

Resurset: http://islami.al/ilmihali/paramendimet-dhe-paragjykimet/


[1] Ahmed b. Hanbel, 2/297

[2] Bejhaki, Shuabu’l-Iman, 5/297; Ebu Nuajm, Hilje, 9/292.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cfarë Paramendime e Paragjykime lejohet të ketë muslimani për të tjerët? Husnu Dhann / Su-i dhann

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA