Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Me që Allahu nuk është nevojtar për adhurimet tona, pse ne nuk i bëjmë ato sipas qejfit dhe dëshirës sonë?

Estimated reading: 15 minutes 116 views

Ndjenja e adhurimit tek njeriu është një veçori që e shtyn njeriun ta njohë Zotin. Nga njëra anë, njeriu sheh pamje e tabllo që do të shërbenin si argument i ekzistencës së Individualitetit që ka krijuar këtë gjithësi të shkëlqyer, për shembull, tabllo të rregullit e të harmonisë së gjërave. Pastaj njeriu kalon, hyn në rregullsinë e përgjithshme të të Zotit të rregullsisë, i cili e ka krijuar këtë rregullsi të përsosur. Ja, pra, kështu, pas një vëzhgimi të kujdesshëm, ai kupton se asgjë nuk mund të ekzistojë në natyrë pa një qëllim të caktuar e jashtë rregullit dhe, për rrjedhojë, kupton se edhe ai vetë duhet pa tjetër që të veprojë sipas këtij rregulli.

Po kështu, në se njeriu do të vihej ta vëzhgonte gjithësinë në aspektin e bukurisë e të estetikës së saj, do ta gjente aq të bukur e të mrekullueshme, sa që do të mendonte se do të ishte e pamundur të përfytyrohej më e bukur. Nga fytyra e njeriut te faqja e tokës e që aty te pamja e stolisur me yje e qiellit ka një të tillë bukuri magjepsëse, një paraqitje të tillë marramendëse dhe një të tillë shprehje të ëmbël që e huton njeriun, sa që është e pamundur që, duke parë këto përvijime, këtë shumëllojshmëri ngjyrash e këtë harmoni, të mos e shohësh dhe gjesh Individualitetin që e ka shpalosur këtë ekspozim enigmatik e të shkëlqyer…

Si analiza dhe mendimi objektiv, si subjektiv, i përftojnë njeriut të tilla frymëzime të këndshme që ia përkëdhelin shpirtin, ashtu e ngazëllojnë dhe e bëjnë të vrapojë nga tablloja në tabllo, sa që i vjen të hidhet e të bërtasë si një fëmijë nga gëzimi dhe emocionet. Me të parë ngritjen dhe uljen mbi punët dhe veprimet më të bukura të emrave më të bukur (të Zotit – përkth.) si të ishin flutura prej drite, ne duartrokasim burimin e këtyre bukurive që na merr ne bashkë me të gjitha ndjesitë tona njerëzore e na tret në to dhe, me mahnitje, habi dhe etikë, përballë të Zotit të tyre të Gjithëshkëlqyer, kapërcejmë vetveten.

Nga një këndvështrim tjetër, në gjithësi çdo gjë duket sikur është përgatitur diku tjetër dhe, pastaj, i është ofruar përfitimit të njeriut. Faqja e tokës, me këto të mira të dhuruara asaj në trajtë konservash apo frutash të freskëta, është krejt si një sofër e madhe të mirash, kurse kopshtet e vreshtat, si kamarierë me tabakatë në dorë që shtrojnë mbi të të ngrëna pa pushim. Kur njeriu zgjat dorën te këto të mira të vëna në sofrën e të mirave para tij, i bëhet sikur ndien praninë e të Zotit të vërtetë të atyre të mirave. Dhe atëherë e gjen veten në një dimension tjetër kënaqësie, ngazëllimi, habie e mahnitjeje. Po, në se e supozojmë të vetëdijshëm një fëmijë gjiri, kur ai ngjit gojën në gjinjtë e nënës që janë musllukë mëshire për të, ndien se ai ushqim përsosmërisht i dobishëm, i përgatitur posaçërisht për të, i vjen në ndihmë nga një botë tjetër dhe, pas këtyre ndodhive, ndien praninë e dikujt që jep të mira të mrekullueshme, që bën dhurata të mrekullueshme, mendon për Të dhe, para të mirave të Tij, përthyhet më dysh.

Po, çdo e mirë e çdo dhuratë bujare, nga njëra anë shërben si argument i ekzistencës së të zotit të tyre, kurse, nga ana tjetër, na shtyn ne të tregojmë respekt ndaj Tij. Ku të ketë një tabllo të mirash, bukurish, rregulli e harmonie, duhet të qëndrojë para saj tablloja e pëlqimit, mahnitjes dhe adhurimit ndaj atyre të mirave e bukurive, ndaj rregullit e harmonisë. Me fjalë të tjera, sapo që Zoti t’ia bëjë të njohur njeriut veten, i duhet përgjigjur menjëherë me adhurim. Duke u nisur nga ky moment, mutezilitët dhe maturiditët (maturiditët janë shkolla juridike pas të cilës jemi lidhur edhe ne në besim) thonë kështu: Edhe sikur të mos kishte ardhur asnjë profet dhe asnjë prijës shpirtëror të mos i kishte orientuar njerëzit, këta, duke parë kah të vërtetat e shpalosura në faqe të tokës, do të ishin të detyruar ta njihnin Zotin dhe sipas kësaj të përcaktonin qëndrimin e tyre. Mund të gjenden mjaft shembuj për këtë pikëpamje të maturiditëve. Për shembull, njerëzit e mjedisit të Profetit tonë (a.s.), para profetësisë së tij, nuk kishin parë të dilte ndokush në Qaben e mbushur plot e përplot me idhuj e t’u tregonte udhën që çonte për tek Zoti. Atyre, përfshi edhe Muhammedin, askush nuk u kishte folur diçka në lidhje me besimin monoteistMirëpo, ashtu siç thoshte edhe një beduin cilido, “jashtëqitjet e një kafshe tregojnë se aty ka kaluar një kafshë, kurse gjurmët e lëna tregojnë se aty pari ka ecur një kafshë ose një njeri; shihni qiellin me yje dhe harmoninë e tij, shihni edhe tokën me malet e luginat, a s’tregojnë të gjitha për Allahun që di çdo gjë dhe ka njohuri për çdo gjë?” Këtë e thotë një beduin! Dhe kur flet kështu dikush që s’di gjë tjetër veç rërës e shkretëtirës, mendoni se ç’mund të thonë të tjerët! Profeti ynë pati ardhur me një rreth shumë të gjerë njohurish që do ta shpëtonin dhe lartësonin njerëzimin. Në se është e lejueshme të thuhet, ai ishte një mbinjeri. Me anë të aftësisë njohëse dhe konceptuese të posaçme me të cilën qe pajisur, e pati rrokur kuptimin e vërtetë të gjithësisë dhe e pati parandjerë Zotin në librin e gjithësisë kur ende s’i pati ardhur profetësia, pati nisur ta kërkonte dhe, duke u tërhequr në shpellën Hira, ia pati kushtuar veten adhurimit. Hz. Aisheja, duke cituar Hz. Hatixhenë nga një hadith, porosi profetike, në krye të veprës së Buhariut, thotë se ai ia pati kushtuar veten adhurimit dhe kthehej në shtëpi vetëm sa për të ngrënë diçka dhe të gjitha këto tregojnë se njeriu, me anë të njohjes, mund të zbulojë disa gjëra dhe, pasi t’i zbulojë, mund të kryejë në masë të caktuar adhurime ndaj Zotit. Lidhur me këtë, e vlen të qëndrohet në mendimet dhe fjalët e Zejd b. Amrit kur po vdiste. Zejdi ishte xhaxhai i Hz. Omerit. Kur po vdiste, i mblodhi përreth të gjithë pjesëtarët e familjes dhe ua tregoi ato gjëra që dinte rreth profetit që do të vinte. Ai nuk e pati mbërritur dot profetësinë e Hz. Muhammedit (a.s.). E kishte ngarë kalin, i ishte afruar bregut, por nuk kishte mundur ta arrinte vaporin e Islamit. Ai i kishte parandjerë me të gjithë shpirtin atmosferën e Profetit (a.s.), kuptimin dhe cilësinë e tij të vërtetë, të vërtetën muhammediane dhe ishte ngopur gjer në palcë me ta, vetëm se nuk u kishte vënë dot emër! Ai thotë:“Në horizont duket një dritë e Zotit. Dhe kam besim se ajo do të lindë. Më bëhet sikur e shoh mbi kryet tona shenjën e saj!” Pastaj kthehet kah Zoti duke i shprehur pak a shumë kështu ndjenjat e veta: “O Krijues i Madh! Unë s’të njoha dot si duhet. Po të të njihja, do ta vija fytyrën mbi tokë e s’do ta ngrija më!” Siç u pa, po qe se një ndërgjegje e pastër dhe e kthjelltë nuk do

të ishte përlyer dhe ngatërruar me idhujtari, kur të shihte kah gjithësia, kah rregulli dhe harmonia e saj, edhe ajo do ta merrte qëndrimin e robit të Zotit dhe do ta adhuronte Atë.

Kjo do të thotë se, pranë njohjes së Zotit, nis menjëherë adhurimi. Po, me që ekziston Zoti i cili na ka ushqyer e rritur me gjithë këto të mira, ekziston edhe adhurimi ndaj Tij. Eshtë Zoti që i jep trajtë këtij mendimi për adhurim që ekziston potencialisht në ndërgjegjen e njeriut: “Do ta vë fytyrën për tokë e nuk do ta ngre kokën gjer në kiamet… Përballë madhështisë Tënde do të qëndroj i përthyer më dysh…” Dhe fjalët e Lutësit të Madh: “Gjunjët ku i ke, o Zoti im, kokën të ve!..” E të dikujt tjetër: “Ku është ajo dora jote e bekuar që e ndiej mbi kryet tim!..” Në çastet kur njeriu, me një ashk hyjnor të tillë, me emocione hyjnore, as vetë nuk e di se ç’thotë, revelacioni qiellor, duke zbritur mbi ne me anë të idesë së vërtetë të adhurimit, me anë të trajtës e të kuptimit të adhurimit, pa u dhënë mundësi shmangies e çalimit të mendimeve, do t’i përçojë ashkun dhe emocionet tona sipas urdhërave të Krijuesit. Me fjalë të tjera, sikur Zoti i thotë njeriut: “Unë jam Zoti yt dhe ti je robi im. Më njohe mua me anë të të mirave që të kam dhuruar. Edhe unë kam për të të mësuar ty edukatën e adhurimit. Në audiencën time vihet në këtë mënyrë. Në fillim merret abdest, pastaj, kur hyhet brenda, thuhet “I madh ti je, Allahu im, çdo gjë tjetër është e vogël dhe e pavlerë” që do të thotë ta mbytësh në vetvete egon tënde, qëndrohet me duart të lidhura, drejt, plotësisht i vetëdijshëm për qënien tënde rob i Zotit dhe kjo vetëdijë e ky qëndrim thellohen sa të jetë e mundur. Atëherë, nën hijen e miraxhit, sipas nivelit të secilit, zgjohet dëshira për t’u ngjitur në ato lartësi ku qe ngjitur Mbreti i Profetëve dhe, duke u ngjitur, shkohet në ruku me ndjenjën e falenderimit, në përkuljen e plotë të rukusë arrihet në një dimension të ri dhe bihet në sexhde, ku arrihet një thellësi tjetër sipas përmasave të thjeshtësisë dhe përulësisë së robit. Pastaj ngrihet, merret frymë dhe, në kërkim të një thellimi tjetër, bihet në sexhden e dytë. Në sexhdet ndihet në ndërgjegje urdhëri “Çasti kur robi gjendet më afër me Zotin e vet, është çasti i sexhdes. Kur të bini në sexhde, bëjini Zotit shumë lutje.” Dhe, me anë të të fshehtës “Ve tekallu-beke fissaxhidin”,“Dhe të sheh mes atyre që bëjnë sexhde…” (Kur’ani, Shuara:219), mes namazit të vërtetë, mes rënieve në sexhde, sipas kapacitetit të secilit, arrihet në miraxh që konsiderohet esencialja e namazit.”

Ja, pra, adhurim do të thotë besim tek Zoti si dhe që gjërat që duhet të bëhen me dashuri dhe mahnitje ndaj Individualitetit të Lartë, duhet të kanalizohen e të trajtësohen sipas urdhrave të Tij, në bazë të orientimeve të Tij.

Kam paraqitur, kështu, njërin aspekt të çështjes. Domethënë, që, për të mos bërë veprime të hutuara e të parregullta para Zotit pasi ta kemi njohur Atë, kryejmë adhurime nën udhëzimin e Fjalës së Tij, nën dritën e lëshuar nga Profeti ynë dhe në përputhje me kërkesat si dhe kërkojmë të dimë se kur mbetet i kënaqur Krijuesi.

Duke kaluar, tani në aspektin e dytë të çështjes, le të kujtojmë se njeriu, në punët tregtare, shkencore, diturore, bujqësore e industriale ka nevojë vazhdimisht për një udhëzues dhe për të mësuar prej tij. Për shembull, le të themi se secili prej jush ka një punë të caktuar. Njëri ka një fabrikë tekstili, dikush merret me prodhimin e sendeve plastike e dikush tjetër me veshje. Në këtë mes, është dikush që, duke i njohur mirë se ç’është në dobinë dhe përfitimin tonë, që di se si duhet të ruhemi nga gabimet në punët tona, na merr, na ul para vetes dhe na porosit kështu me qëllim që të na aftësojë për të punuar drejt: “Ju duhet ta bëni pa tjetër këtë punë, sepse kjo është edhe e domosdoshme, edhe e nevojshme. Veçse, për ta bërë këtë punë në trajtën më të mirë e më produktive, duhet të përdorni shumë mirë elementin njeri, elementin forcë, duhet të merrni këto masa kursimi e administrimi,” etj., etj.

E tani, në se tek ne do të kishte edhe një grimcë maturi, do t’ia vinim veshin fjalës së këtij njeriu të sinqertë e punëmirë që nuk na kërkon asgjë për udhëzimet e tij, do t’i vlerësonim raportimet e tij realiste e do të zbatonim një rregull sipas propozimeve të tij. Në të njëjtën mënyrë, kur adhurimet ndaj Zotit tonë do t’i kemi çuar në vend jo sipas dëshirës sonë e në një formë çfarëdo, të çorientuar, por sipas kallëpeve të adhurimit të trajtësuara prej Tij, çdonjëra prej të cilave, ndoshta, na përgatit neve në një të veçantë udhëtim qiellor, tek të cilat ndodhet një i veçantë shpirt miraxhi, atëherë gjërat e kryera do të kenë dukë ashtu si kallinjtë që japin shtatë për një. Nuk e dimë, ndoshta kur themi “Allahu Ekber”, “Allahu është më i Madhi!”, kemi shtypur butonin e botëve të mëshirës dhe shpirti na hapet ndaj frymëzimeve. Ndoshta, kur këndojmë Fatihanë e Nderuar, hapim një dry të shifruar me një çelës të magjishëm. Dhe kush e di se ç’dyer enigmatike arrijmë të hapim me pjesët e tjera të namazit, po ashtu edhe me adhurimet e tjera. Po, mund të themi se, kur biem në sexhde, të gjitha rrugët na bëhen krejt të rrafshta dhe krejt dyert na hapen. Mund të pohojmë se me lartësimin e lutjeve tona, frymëmarrjet na dëgjohen në lartësinë hyjnore dhe engjëjt bujarë na e qarkojnë mjedisin tonë. E kush mund t’i mohojë këto? Janë edhe pohimet e ndritshme të Lajmëtarit Besnik që i mbështesin këto. E në është kështu, forma më e pranueshme dhe e pëlqyeshme e adhurimit është ajo që na ka përshkruar Zoti ynë. Sepse Allahu (Xh.Xh.) që e ka bërë këtë makinën njerëzore, është ai që e di më mirë se si duhet të punojë që të japë rendimentin më të lartë, që të jetë më e dobishme edhe për këtë botë, edhe për botën tjetër. Në se personi që e ka bërë makinën apo fabrikën, i ka shoqëruar ato me katalogun përkatës, puna më e mençur është përdorimi i tyre sipas atij katalogu. Prandaj edhe kryerja e adhurimeve jo ashtu apo kështu, por brenda kuadrit të mësimeve të Profetit dhe në përputhje me urdhërat e Zotit është trajta më e mençur e kryerjes së detyrës së robit ndaj Zotit dhe e adhurimit të Tij. Këtë Allahu ia ka favorizuar bashkësisë së Muhammedit. Dhe, mes kësaj bashkësie, atyre që e kanë të plotë vetëdijën e robit e të adhurimit dhe, veçanërisht, në periudha të ndryshme, ata që kanë marrë përsipër detyra në kuadër të rigjallërimit të fesë dhe ua ka hapur atyre sytë për ta parë të vërtetën. Kësaj i themi thjesht një favor i Zotit për ne. Zoti na e mundësoftë të vazhdojmë këtë rrugë ashtu siç na e mundësoi për ta nisur! Duke u shprehur me anë të lutjes së Profetit tonë, i lutem Zotit të mos na lejë vetëm për vetëm me veten, me egon tonë, për as edhe një çast gjersa të mbyllim sytë!

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Me që Allahu nuk është nevojtar për adhurimet tona, pse ne nuk i bëjmë ato sipas qejfit dhe dëshirës sonë?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA