Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Ç’është Bidati? A ka bidate të mira dhe bidate të këqija?

Estimated reading: 17 minutes 139 views

Përgjigje: Bid’at-i, në fjalor përkufizohet si shpikje e re, zbulim dhe futje e diçkaje të re diku. Ndërsa kuptimi terminologjik i tij ka të bëjë me shpikjen dhe nxjerrjen e një apo disa gjërave të reja, duke i paraqitur ato si rregulla ekzistues të fesë, megjithëse ato nuk janë të tilla, as drejtpërsëdrejti, as tërthorazi, as në Kuranin Famëlartë, as në Traditën e Shtrenjtë Profetike. Në një hadith, të cilin na e transmeton Aishja (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) ka thënë kështu lidhur me këtë çështje: “Kushdo që fut diçka të re, që në të vërtetë nuk ekziston, në fenë tonë; çdo gjë e thënë prej tyre është e pistë, e papranueshme.”34

 

Duke qenë se bid’at-i ka të bëjë më tepër me futjen e gjërave të reja, joekzistuese, në praktikën e adhurimeve, si namazi, agjërimi dhe haxhi, kuptimi i tij është i ndryshëm nga ai që jepet në fjalorët e gjuhëve orientale, në të cilët mund të gjendet. Nëse do ta shohim këtë çështje duke u nisur vetëmse nga domethënia e kësaj fjale në fjalor, atëherë çdokush që thotë apo sjell diçka të re, joekzistuese në fe, duhet të jetë i destinuar për në ferr. Kësisoj, mos duhet të mendojmë që në Xhehenem duhet të shkojnë edhe ata që kanë zbuluar pajisjet si radio, televizioni, apo që kanë hedhur disa hapa cilësorë dhe risues në shkencë, si në fizikë, kimi, astronomi, apo mjekësi? Patjetër që jo; të gjitha arritjet e bëra në lëminë e shkencës, teknikës dhe teknologjisë janë shumë të dëshirueshme dhe të rëndësishme për njerëzit dhe Islami i nxit pa reshtur bestimtarët e tij drejt diçkaje të tillë. Çdo brez është i detyruar që të bëjë diçka të re për t’ua lënë trashëgim brezave të rinj që do të vijnë më pas. Dhe nëse do ta shikonim këtë çështje siç e thotë edhe fjala e njohur: “Përgatitini fëmijët tuaj sipas kohëve që do të Vijnë dhe jo sipas kohës në të cilën jetojmë.” Dhe, sipas këtij mendimi, e kemi të pamundur që të mund ta shpjegojmë se ç’mund të jetë bid’at-i absolut.

 

Ndërsa bid’at-et e padëshiruara, madje edhe më, ato që janë të shëmtuara, janë veçanërisht ato bid’at-e që janë ndërfutur më vonë në brendësi të fesë, më shumë në trajtën e suneteve, duke ua zënë vendin disa të tjerave, të cilat kanë qenë ekzistuese që nga koha e Profetit tonë (s.a.s.). Të gjitha ato që një besimtar mund të kryejë për sa i përket adhurimeve janë të përcaktuara prej Kuranit dhe Sunetit. Nëse i Dërguari i Allahut (a.s) do të na thoshte: “Me t’u zgjuar në mëngjes do të kërceni njëzet herë”, atëherë, edhe ne do t’i bënim ato njëzet kërcime pa dyshimin më të vogël. Por nëse nuk kemi asnjë transmetim të tillë nga Profeti ynë (a.s), ne nuk mund të shpikim një adhurim të ri të mëngjesit të përbërë vetëmse nga qëndrimi në këmbë. Mirëpo, qëndrimi në këmbë gjatë namazit bart domethënien e qëndrimit gatitur, me përulësinë e adhuruesit, karshi Allahut të Madhëruar.

 

Ndaj, çdo veprim tjetër i bërë gjatë kryerjes së këtij adhurimi është i shëmtuar dhe i padëshirueshëm. Sepse në fenë tonë nuk ka kurrfarë urdhërese të këtillë. Ne jetojmë një jetë të ndritur për aq sa u qëndrojmë besnikë atyre gjërave që na ka mësuar Profeti ynë (s.a.v.s) lidhur me adhurimet. Pos këtyre, edhe gjërat më të shndritshme mbeten të zbehta përballë atyre gjërave që i gjejmë mes mësimeve, këshillave dhe udhëzimeve të Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s). Kësisoj, me bid’at-e ne do të kuptojmë ato gjëra që nuk ekzistojnë në fe dhe që i kemi ndërkallur ne vetë, më vonë, me kalimin e kohës.

 

Gjendja e atij që kryen bid’at-in:

As që diskutohet se në fenë tonë mund të kryhen edhe shumë gjëra të reja, të cilat e kanë origjinën dhe thelbin në fenë tonë dhe mbështeten fort pas disiplinave të saj. Për shembull, ka disa gjëra, të cilat ne i kryejmë sipas mënyrës sonë dhe duke u bazuar tek formulat e gatshme të atyre çfarë kanë këshilluar e transmetuar një varg personalitetesh të mëdha. Mirëpo ato e kanë si origjinën, ashtu edhe thelbin, në fenë islame. Në Kuranin Famëlartë Allahu i Madhëruar na urdhëron: “O ju që keni besuar, përmendeni shumë Allahun.”35). Siç e shihni, nuk është vendosur kurrfarë kufiri. Njeriu, me sa kohë dhe mundësi të ketë, e kujton vetë dhe ua kujton edhe të tjerëve Allahun me gjuhën, zemrën dhe sjelljet e tij. Sepse besimtar quhet ai njeri, që kur e sheh, të kujton Allahun (xhel’le shanuhu). Ai është serioz, kryelartë, i matur dhe nga çdo sjellje e tij derdhen pikla robërie dhe adhurimi. Dhe njeriu ashtu siç e kujton Allahun me gjuhën dhe me sjelljet e tij, duhet ta kujtojë Atë edhe me zemër. Ja, të gjitha këto përbëjnë domethënien e ajetit të sipërpërmendur.

Mirëpo ne nuk dimë asnjë rast që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) të jetë ulur të ketë përmendur “Allahu Ekber” për plot pesëqind herë me rradhë. Mirëpo, kur dikush e udhëzon nxënësin e vet duke i thënë që ta përmendë Allahun pesëqind apo pesëmijë herë, kjo është diçka që varet vetëmse nga mençuria e mentorit, i cili e njeh më së miri lidhjen e nxënësit të tij me Allahun (xh.sh.) dhe e di edhe më mirë se sa më shumë do që ai të afrohet edhe më me Allahun (xh.sh.). Dhe, duke e kryer këtë dhikr, nxënësi afrohet akoma më shumë edhe me mësuesin e vet. Ashtu siç ky i fundit, kur mëson se nxënësi i tij mund të bëjë akoma më shumë, ia shton gradualisht detyrat që duhet të bëjë karshi Krijuesit. Dhe kjo situate vazhdon derisa t’i thyhet ashpërsia që ka në zemër dhe në të të depërtojë drita e Muhamedit të nderuar (alejhis’salatu ues’selam) dhe t’i pastrohet natyra nga ndryshku që mund të ketë zënë. Ndërkohë lidhja e nxënësit me Allahun (xh.sh.) përforcohet edhe më shumë, duke bërë që ai të drejtohet drejt horizontesh më të epërme që shohin drejt botësh shumë më të larta.

Po, në Kuranin Famëlartë përmendja e Allahut (xh.sh.) urdhërohet gjithnjë pa u vendosur asnjëherë një kufi i caktuar. Dhe një udhërrëfyes shpirtëror ia vendos kufirin dishepullit të tij duke pasur parasysh gjendjen shpirtërore, mundësitë dhe kapacitetin e tij. E vlerëson njëherë mirë e mirë me sytë e mprehtë të shpirtit nga koka te këmbët dhe ia ngarkon një përgjegjësi të këtillë duke pasur parasysh forcën e lidhjes që ai ka me Allahun (xh.sh.). Për shembull, i thotë se “Allahu (xh.xh.) na ka urdhëruar që ta përmendim shumë; ti përmende atë pesëqind herë.”, duke i kërkuar kësodore që të bëjë pesëqind dhikre me emrin e Allahut. Kjo është diçka që mund të realizohet vetëm përmes mençurisë së një mentori shpirtëror.

Ja, nëse do të nisemi vetëm nga domethënia leksikologjike e fjalës bid’at, të gjitha këto tesbihe mund të konsiderohen si bid’at, mirëpo duke qenë se ato e kanë burimin në zemrën e fesë, në Kuranin Famëlartë, ato janë cilësuar si bid’at-e të mira, të bukura, të pranueshme. Këtë mund ta përcakton vetëm një udhërrëfyes shpirtëror dhe sipas gjendjes në të cilën gjendet nxënësi i tij.

Ja pra, edhe pse këto janë bid’at-e në dukje, duke qenë se thelbi i tyre bazohet në Kuran dhe në Sunet, ne ato i quajmë bid’ate të mira, të cilat do të përftojnë shpërblime hyjnore. Kurse ato risi që nuk i gjen dot brenda fesë, as në dukje e as në aspektin thelbësor, me një fjalë detajet e imta që nuk mbështeten as te Kurani, as te Suneti, ne i shohim me syrin e bid’at-eve të shëmtuara, ndaj edhe përpiqemi që t’i mbajmë sa më larg mjediseve dhe xhamive tona. Kështu që njerëzit që kryejnë bid’at-e të kësaj natyre, të cilat nuk kanë burim, apo që duken sikur e kanë burimin, te Kurani dhe Suneti, kryejnë mëkat duke i bërë, apo duke u rrekur që ta përhapin sa më gjerë praktikën e tyre. Vjen një ditë që të gjitha ato që ka bërë i përplasen në fytyrë dhe i rezulton që të jetë lodhur më kot. Dhe, në njëfarë kuptimi, duke qenë se përbëjnë një lloj sjelljeje të mospëlqimit të Sunetit të Profetit tonë të Dashur (a.s), njeriu që i praktikon e humbet edhe dritën dhe përftimin shpirtëror që vetë Suneti i mirëiilltë të fal. Është e pamundur që ky njeri të mos rezultojë përherë i mashtruar dhe të marrë të tatëpjetën. Zoti na ruajtë!

 

Shkaqet nga se lindin bid’at-et:

Ndërsa pjesa e mirë e risive, bid’at-eve, të mira është se, siç u shpreh edhe më sipër, ato kanë lindur nën ndikimin e njerëzve të mëdhenj. Duke qenë se thelbi i shumë prej tyre buron prej Kuranit dhe Sunetit, na bën ne që të mos i shohim ato si veprime të meta e të gabuara. Kurse bid’at-et e kategorisë së dytë, ato janë të shpikura ose prej disa injorantësh, që nuk kanë qenë edhe aq të vetëdijshëm për shpirtin e fesë, por që kanë menduar se po bëjnë diçka për fenë, ose i kanë nxjerrë ato në realitet si rrjedhojë e ndonjë dëshire të keqe, por është shumë e vështirë që t’i dallosh këto dyshime nga njëri-tjetri. Më veçanërisht, përgjatë shekullit të shkuar ka pasur shumë njerëz që kanë shpikur gjithfarë bid’atesh në emër të fesë. Për shembull, po shohim se shumë njerëzve po u ndërtohen tyrbe dhe varre edhe më madhështorë se ndërtimet që po bëhen në emër të njerëzve që janë ende gjallë. Ato struktura mermeri me gjithfarë shënimesh dhe motivesh të gdhendura e stolisura mbi to nuk kanë kurrfarë domethënieje për të ndjerin që prehet aty, sidomos nëse është larguar shumë keq nga kjo botë. Ndoshta njeriu i ngratë që prehet aty, do të trishtohet e do të dërrmohet edhe më shumë kur të shohë gjendjen në të cilën ndodhet vetë dhe gjithë atë përmendore që është ngritur në emër të tij sipër. Edhe i Dërguari i Allahut i është qasur veçanërisht nga një tjetër këndvështrim kësaj çështjeje, duke na tërhequr vëmendjen me një mësim shumë të vyer.

Ka një hadith të bekuar, i cili transmetohet prej Aishes së nderuar (r.a.), ku shfaqet më së qarti mençuria e saj, i cili gjendet në librat e hadithit të Buhariut dhe të Muslimit: “Mos qani për të vdekurin, sepse ai vuan shumë prej vajtimeve tuaja.”36). Një hadith, të cilin Omeri i nderuar (r.a.) e trajton vetëm me kuptimin e tij të parë. Sepse, kur e pyesin Aishen e nderuar (radijallahu anha), ajo u përgjigjet kështu besimtarëve: “Vëllai im, Omeri, e di shumë mirë, por e vërteta nuk është ashtu”, duke na shpjeguar domethënien e vërtetë të këtij hadithi. Profeti ynë e pati thënë këtë hadith në xhenazenë e dikujt që ishte ndarë nga jeta pa besuar. Ai kishte vdekur si mosbesimtar dhe familja e tij vajtonin me ngashërim për ikjen e tij. Ndërkohë që ai përpëlitej në vuajtjet dhe dënimin e vet, nga ana tjetër shpirti i rëndohej prej vajtimit të njerëzve në emër të tij. Sapo kishte ikur dhe ishte ende në dijeni të gjërave që ndodhnin prapa tij. Besonte se nuk duhej qarë për një njeri si ai, ndaj edhe u thoshte “mos qani!” Mirëpo njerëzit e mbetur pas vajtonin, ndërsa ai vuante edhe më shumë prej kësaj.

 

Një tjetër praktikë që kryhet mbi varret është edhe ajo e hedhjes së ujit mbi to. Nëse do ta kundrojmë me kujdes këtë praktikë do të shohim se nën të fshihen një sërë gjërash të tjera. Pasi e varrosim të ndjerin, në mënyrë që dheu i hedhur përsipër të mos shpërndahet prej erës që fryn, mbi të hidhet ujë me shumicë. Ky nuk është një zakon që i përket vendit tonë; ai i përket më tepër atyre vendeve që nuk kanë dhe, apo baltë, por rërë si ajo e shkretëtirës. Mirëpo diç të këtillë nuk do të mund ta gjeni dot, as në Kuran, as në Traditën Profetike. Dhe ta trajtosh këtë çështjen e hedhjes së ujit se bëhet për të mos ikur dheu i hedhur sipër një varri sikur ky të ishte një rregull i rëndësishëm do të ishte shpifje ndaj Ebu Hanifes, ndaj sahabëve fisnikë dhe, ç’është më e rëndësishmja, ndaj të Dërguarit Fisnik të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).

 

Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na tregon gjithashtu se një tjetër pikë ku njerëzit mund të rrëshkasin është edhe ajo e ndërtimit të tyrbeve për personalitetet e mëdha. Nëna jonë, Umu Selemeja (radijallahu anha) i tregon Profetit tonë (s.a.v.s) që kur kishte mërguar në Etiopi kishte parë atje një kishë të madhe të quajtur “Maria”, në të cilën gjeje të zografisura imazhe nga më të ndryshmit. Pasi e pati dëgjuar, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i pati thënë: “Para jush, në mesin e umeteve të shkuara, ka pasur bashkësi të atilla, të cilat e përjetuan më së miri humbjen e vërtetë. Asisoj që kur ndërronte jetë ndonjë njeri, të cilin ata e nderonin jashtë mase, mbi varrin e tij ndërtonin menjëherë një faltore dhe e mbushnin atë me piktura të atij njeriu të nderuar.

Dhe ja, tek Allahu ata janë ndër njerëzit më keqbërës.”37). Sepse ata mbi varret e njerëzve të mirë në mes tyre, përfshi këtu edhe profetët që janë të dërguar të Zotit, kanë ndërtuar faltore dhe vende ku mund të shkohet për t’u lutur apo për të adhuruar Allahun. Andaj, ende pa u larguar nga kjo botë, Ai po i paralajmëronte sahabët e Tij me një kujdes të përsosur, që të mos e bënin edhe ata një gabim të tillë, të pafalshëm.

 

Edhe ne i nderojmë të vdekurit, mirëpo nuk dalim përtej disa kufijve teksa e bëjmë këtë. Edhe varri i njeriut më të madh nuk mund të jetë më shumë se një vend ku lexohet një “Fatiha”, ku mund të lutesh për shpirtin e tij, ku duhet të qëndrosh me respekt dhe, nëse ai që gjendet i shtrirë aty është një person i pranuar pranë Zotit, më e shumta të themi: “O Zot na bëj ne të denjë për ndërmjetësimin e tij.” Ato nuk mund të bëhen kurrsesi vende të lutjes apo të adhurimit. Dhe trajtimi i tyre në çfarëdolloj forme tjetër përbën një bid’at.

 

Pas shekullit V dhe VI të kalendarit hixhri, në botën islame filluan të përhapeshin e të mbizotëronin shumë bid’at-e. Ata që erdhën më pas, u përballën me këtë teprim, duke rënë kësaj here në reduktim, sepse thanë se do t’u jepnin fund të gjithave dhe do të ringjallnin edhe njëherë Sunetin. I rrafshuan të gjitha varret e të parëve, sa nuk lanë më asgjë mbi sipërfaqen e tokës. Madje arritën gjer atje sa të preknin edhe varre të sahabëve fisnikë. Madje e shkatërruan edhe atë tyrbe që osmanët e kishin ndërtuar rrëzë Uhudit në nderim të kujtimit për dhëmbin e bekuar të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Ashtu siç ata që kishin qenë para tyre e kishin tepruar duke i kthyer tyrbet në vende adhurimi, duke nisur kësodore periudhën e një totemi të ri; edhe këta, kësaj here duke e reduktuar çështjen, shkatërruan sa e sa varre që nderoheshin prej myslimanëve. Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u thotë vetë sahabëve të Tij: “Deri më tani jua pata ndaluar që t’i vizitonit varrezat, kurse tani po ju them që mund t’i vizitoni.”38). Sepse të vizituarit e varrezave i kujton njeriut vdekjen dhe ahiretin. Besimtari me një vetëdije të këtillë duhet t’i vizitojë ato, që atje t’i vijë në mendje ahireti. Por edhe lutja për ata që janë larguar nga kjo botë, duke i kërkuar Allahut që t’i falë ata njerëz është një nga punët që duhet të bëjë çdo besimtar. Të lutesh në varreza, duke i kërkuar falje Allahut përbën një sunet; kurse të treguarit e një respekti të tepruar karshi tyre dhe kthimi i tyre në hapësirë adhurimi përbën një bid’at.

 

Lidhur me këtë temë, një besimtari i takon që të veprojë përpikërisht me ato që feja urdhëron përmes Kuranit, Sunetit dhe librave të jurisprudencës islame dhe, nëse nuk arrin t’i sigurojë dot këta libra, apo nuk arrin që të gjejë asgjë lidhur me të, t’i drejtohet dikujt që e njeh më mirë si çështje e të kërkojë këshillën e tij. E, nëse bëhet fjalë për një zakon me të cilin janë mësuar shumë e shumë kohë më parë, më e mira është që ta braktisë atë në moment, sepse ky është një ndër kushtet e të qenit besimtar dhe mysliman. Jeta e një besimtari duhet të jetë e prirur veç kah Suneti. Dhe ndërsa nga njëra anë përpiqet që të bllokojë çdo hapësirë prej nga mund të dalë bid’at-i; kurse ajo që mund të braktisë, mund të çojë në krijimin dhe zhvillimin e ndonjë bid’at-i të ri. E thënë shkurtimisht, çdo bid’at zhduk një sunet dhe çdo sunet i ringjallur zhbën një bid’at të krijuar.

 

Fusnotat
34: Buhari, sulh 5; Muslim, akdije 17.
35: Ahdhab, 33:41.
36: Buhari, xhenaiz 32; Muslim, xhenaiz 25-27.
37: Buhari, salat 54.
38: Muslim, xhenaiz 106; Ebu Daud, xhenaiz 77; Tirmidhi, xhenaiz 7.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Ç’është Bidati? A ka bidate të mira dhe bidate të këqija?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA