Si mund ta arrijmë horizontin e qëndrimit përherë aktivë dhe të gjallëruar që feja jonë na e ka vendosur si qëllim?
Në botëkuptimin dhe filozofinë e jetës që na është ofruar prej Islamit nuk ka vend për pezullinë; aty, nga toka tek njeriu, nga sendet e gjer tek koha, çdo gjë është aktive. Për shembull, Islami, ashtu siç urdhëron që individi të qëndrojë përherë aktiv dhe i gjallëruar përsa i përket kryerjes së punëve të mira, ka urdhëruar edhe përdorimin në mënyrë sa më efikase të parasë, të tokës, të kohës, etj., asisoj që të marrë sa më shumë fryte prej tyre.
Ndërsa çështjet në të cilat besimtari duhet të jetë sa më aktiv dhe sa më i gjallëruar janë ato që kanë të bëjnë me besimin. Për këtë, ne, në lutjet tona, themi vazhdimisht: “O Zot! Na i shto dijet, besimin dhe bindjen tonë në besim.” Nga ky këndvështrim, besimtari duhet të jetë përherë në ndjekje të ruajtjes së gjallërisë dhe bindjes në besim, nganjëherë duke u konsultuar me librat, nganjëherë duke shqyrtuar nëpërmjet jetëve të bekuara të të parëve tanë, nganjëherë duke medituar vetë, e herë të tjerë nëpërmjet bisedave të përshpirtshme, e nganjëherë nëpërmjet virde dhe dhikrit të vazhdueshëm. Të thellohesh në lutjet që gjenden në “Kulub-u’d-Daria”, dhe zbritja sadopak në kuptimin e tyre të thellë, njeriut mund t’i hapë horizonte të paimagjinuara.
Prandaj, qëndrimi përherë aktivë, të gjallëruar dhe të formë janë shumë të rëndësishme për të mund t’i gjetur zgjidhje problemeve me të cilat po përballet bota islame prej disa shekujsh, për të mund t’u përballur me to, asisoj që zemrat besimtare të mos shtypen, por të mund ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre pa hyrë nën kontrollin e të tjerëve. Fatkeqësisht, myslimanët, ngase u bënë disa shekuj që e kanë humbur emocionin dhe gjallërinë e parë, nuk kanë arritur dot as që ta ruajnë pozicionin e tyre në ekuilibrat botërorë, dhe si rrjedhojë, fillimisht kanë humbur frerët, mandej kanë përfunduar në të varur politikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht.
Një shoqëri e destinuar për lopatën
Bediuzamani shprehet: “O ju të pafatë, o varre me dy këmbë që ecni, që lini Islamin që është shpirti i të dyja jetëve! Mos i rrini në derë brezit të ri që po vjen. Ju është bërë gati varri që ju pret, tërhiquni andej. Derisa brezi i ri, që do ta bëjë të vërtetën e Islamit të valëvitet mbi mbarë universin!“[1], duke e vendosur theksin veçanërisht mbi këtë çështje. Pasi, kjo fe e fundme dhe universale nuk mund të përfaqësohet me njerëz të konsumuar, me mendime të mykura dhe me kontribute të ulura gjer në dysheme. Prandaj edhe Bediuzamani u bën thirrje shpirtrave të mpira dhe të varfra në emocione, që të tërhiqen mënjanë, e t’ia hapin rrugën brezit të ri që është duke ardhur. Asisoj, që brezi i ri aktiv dhe i gjallë që do të vijë, të marrë formën e nevojshme dhe të bëjë ato punë që janë të domosdoshme për t’u bërë.
Po, është shumë e rëndësishme që të mos bëhesh shembull i keq. Unë, këtu, nuk dua të hyj në gjynah duke i përmendur të parët tanë me anët e tyre, ndoshta të dobëta, të kësibotshme. Mirëpo, me lejen tuaj, nga nevoja që ndiej për ta përmendur këtë të vërtetë, dua të them, se pas kësaj gjendjes sonë pasive dhe të palëvizur qëndrojnë njëfarësoj etërit, nënat, gjyshërit dhe gjyshet tona. Poashtu, pas gabimeve dhe të metave të tyre qëndrojnë të parët e tyre. Pra, ata e kanë kryer atë që kanë pasur mundësi përsa i përket besimit në Zot dhe kryerjes së adhurimeve karshi Tij. Mirëpo, duke mos i kapërcyer dot disa skematizma të thjeshtë në mendim, duke mos e arritur dot horizontin e njohjes së asaj kohe, janë bërë shkas për përjetimin e një periudhe thuajse të tharë dhe të ndenjur, si përsa i përket mendimit, ashtu edhe veprimit.
Nga ky këndvështrim, sidoqoftë, ne duhet ta shohim çështjen nga pikëvështrimi i një brezi të humbur. Pasi, ngase nuk u përgatitëm për jetën sipas horizontit të njohjes së kësaj kohe, nuk e fituam dot të drejtën e të qenit trashëgimtarë të të ardhmes; nuk erdhëm dot në krye. Si rrjedhojë, na vunë të fusnim e nxirrnim lopatën. Nëse do ta shikonim nga një këndvështrim sociologjik, njerëzit ose vihen në krye të ekuilibrave ndërshtetërorë, ose bien janë të destinuar për lopatën. Nuk ka të ndërmjetme në këtë pikë. Nëse nuk jeni ju gjykuesi, atëherë dijeni se jeni të detyruar ta çoni jetën duke qenë të gjykuarit. Nëse do ta shprehnim me fjalë të tjera këtë, ju ose bëheni përbërës i qenësishëm ekuilibri në botë, ose e kaloni jetën duke qëndruar veç brenda kufijve që ju vendosin të tjerët. Nëse do të jeni ju ata që i përcaktoni ekuilibrat, atëherë do të jeni ju përcaktuesit e kufijve; në të kundërt, ju vihet vula e të përcaktuarve. Të të përcaktojnë të tjerët do të thotë skllavëri; me pak fjalë, do të thotë të kthehesh në skllav me kularin në qafë dhe me i prangosur nga gjymtyrët. E kjo gjendje nuk ka kurrfarë dallimi me gjendjen e skllevërve të shpërngulur nga Afrika për të punuar në vende të ndryshme të Perëndimit. E fatkeqësisht, në një gjendje të këtillë të mjerueshme gjenden edhe myslimanët prej shekujsh.
Ndërsa rënia në një gjendje të këtillë prej mos vënies në pah të një përfaqësimi të denjë mjaftueshëm, do të thotë të mos e kesh ruajtur dot nderin dhe krenarinë e Islamit dhe t’i kesh hapur shteg nënvlerësimit të tij. Mund të thuhet, se nëse Islami shihet me një sya të keq për faj të gjendjes sonë të mjerueshme, atëherë po me sy kaq të keq, dhe kaq të ulet, mund të quhet se shiheni prej Allahut (xh.xh.) edhe ju që jeni bërë shkas për të. Si rrjedhojë e kësaj, ju duhet të bëni ç’të bëni dhe të zini vendin që ju takon. Dhe për këtë, njeriu duhet të synojë përherë majat, duhet t’i ruajë kontributet përherë të larta, duke u përpjekur që të mos e ulë asnjëherë stekën e lartësimit.
Heronjtë e vullnetit dhe prestigji i Islamit
Allahu (xh.sh.) i ka dhënë një vullnet njeriut. Njeriu nuk është as kafshë, as ndofarë gjallese tjetër e pashpirt. Njeriu, nëse e përdor tërë forcën e vullnetit të tij në kushtet e rrethanave në të cilat ndodhet, duke e përdorur me rendiment atë forcë dhe fuqi që i ka falur Allahu (xh.xh.), me lejen e Allahut, mund të arrijë që t’i ofrojë frymime ringjalljeje tërë rruzullit mbarë. Porsi ai shembulli i Nastradinit, mund të arrijë që me forcën e vullnetit të tij mund t’i fermentojë gjithë detet e t’i kthejë në kos. Sepse kur mprehen vullnetet dhe u ndizen pishtarët edhe të tjerëve, atëherë e gjithë bota mund të kaplohet prej një atmosfere festive. Po të dëshironi, hidheni edhe njëherë nga ky aspekt vështrimin kah Koha e Lumturisë: A nuk ka arritur Profeti ynë Fisnik, që t’i mbledhë e t’i kryejë brenda njëzet e tri viteve profetësi të gjitha ato punë që mund nuk do të mund të përfundoheshin dot as për disa shekuj të mbledhur bashkë? A nuk ka arritur Ebu Bekri i nderuar (r.a.) që t’u tregojë vendin dy superfuqive të atëhershme të botës vetëm me njëzetmijë vetë? Veç kësaj, gjatë kësaj periudhe atij i është dashur të merret edhe me plot njëmbëdhjetë çështje konvertimesh. Të atilla, që mendojeni, njëri ndër ta qe edhe Musejlemetu’l-Kedhabi, i cili kishte fuqi më shumë se dhjetë organizata terroriste si ato, të cilave, u bënë vite që nuk po u gjendet dot zgjidhje në vendin tonë. Ja pra, që Ebu Bekri (r.a.), duke e përdorur siç duhet vullnetin e tij, ka arritur, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, që t’ua dalë të gjitha këtyre problemeve, dhe ky është një shembull tejet i goditur për të të ndjellë drejt të qenit aktiv dhe i gjallëruar.
Parimet e ndenjjes në formë
Ndërsa, përsa i përket parimeve të ndenjjes përherë në formë, mund të përmenden këto aspekte shkurtimisht:
Një ndër faktorët më të rëndësishëm të mbajtjes së njerëzve përherë aktivë, është t’u tregosh atyre një rrugë që duhet ta bëjnë, duke u njohur një fushë veprimi dhe duke ua bërë të ditur: “ja, kjo është puna jote.” Njeriu, edhe sikur të largohet tërësisht prej egoizmit dhe të veprojë në emër të gjithë bashkësisë, prapëseprapë, psikologjikisht ai kërkon që ta shohë punën që ka bërë dhe ta shohë se në ç’pikë ka ardhur individualisht. Dhe vlerësimi në bazë të vullnetit dhe përpjekjeve të treguara, është diçka që e nxit vetvetiu pasionin dhe emocionet tek njeriu. Disa njerëz, sa më shumë suksese që arrijnë, edhe sikur ta përfshijnë edhe egoizmin brenda së tërës, ajo që duhet bërë, është të përpiqesh, që siç e kërkon sjellja e hijshme, t’i drejtosh kah botëkuptimi i sinqeritetit.
Nga ana tjetër, nëse ndihmoni në ringjalljen e të tjerëve, do të keni ndihmuar edhe veten tuaj për të ruajtur dhe shtuar gjallërinë. Një njeri që ndihmon në ringjalljen e botës, nuk mund të mendohet që të vdesë vetë. Sepse ju, nëse mëkëmbni të tjerët, u mësoni startin dhe kushtet e vrapimit si maratonomakë, nuk ka se si ju të mbeteni pas e të mos i shihni dot se ku kanë shkuar.
Njohja e vërtetë e vlerës së koha, e cila është diçka krejt konvencionale, është një tjetër faktor tejet i rëndësishëm për të qëndruar aktiv dhe të gjallë. Ne, për një kohë goxha të gjatë, nuk keni qenë fare të vetëdijshëm që edhe koha ka një vlerë të vetën. Mirëpo, po të shihet në thelb, vlerësimi i saj siç duhet mund ta kthejë atë një thesar që të përfton Xhenetin e amshuar. Po, nëse arrin të vlerësohet ashtu siç e meriton, qoftë edhe brenda një copëze mjaft të shkurtër kohe, njeriu mund të hapet tej, pakohësisë, nëpërmjet të cilës mund të fitojë përjetësinë. Ndaj, njohja e vlerës së vetë kohës; njohja dhe dhënia frymëjetë çdo çasti të saj duke e mbushur çdo grimëçast të saj me veprim është një princip i pazëvendësisueshëm për të pasur një jetë shërbimi aktive dhe të gjallë.