Si duhet të jetë ekuilibri i punëve të myslimanit? Profesioni, shëndeti e feja
Profeti është i pashoq edhe në ekuilibrimin e punëve. Në një hadith ai thotë: “Kur ju ta lëshoni veten në marrëdhënie me humbje, kur të mjaftoheni vetëm me bujqësi, kur të shkoni vetëm pas bagëtive dhe kur ta braktisni luftën, Allahu ju lëshon kokës një poshtërim të tillë, nga i cili nuk mund të shpëtoni pa iu rikthyer fesë!”[5] Në origjinalin e hadithit është përdorur fjala íne që më sipër e perifrazuam në formën “marrëdhënie me humbje”. Në të drejtën e marrëdhënieve të shitblerjes, íne përshkruhet kështu: “Një person blen një gjë veresie nga një person tjetër dhe pastaj ia shet po atij personi me një çmim shumë më të ulët.” Ka edhe përshkrime të tjera të kësaj, por ky më duket i mjaftueshëm. Le të quhet kjo marrëdhënie kamatë e fshehtë apo spekulacion, sipas sheriatit është e gabuar. Ndërkaq, në thelb të porosisë profetike qëndron marrëdhënia, akti apo veprimtaria me humbje dhe kritika e saj. Më duket se gjërat që kërkon të na tregojë porosia profetike, ne i kuptuam vetëm pas revolucionit industrial dhe lëvizjeve industrializuese, në i paçim kuptuar drejt! Luftën e patëm harruar; duke u dhënë pas industrisë dhe industrializimit, i lamë pas dore edhe bujqësinë me blegtorinë dhe e gjetëm veten në kushtet e një çekuilibri të ri. Mirëpo i Dërguari i Allahut na kishte treguar qysh katërmbëdhjetë shekuj më parë se ç’duhet bërë! Si në çdo punë tjetër, edhe këtu ai ishte jashtëzakonisht i ekuilibruar.
Sigurisht që do të ketë edhe bujqësi dhe blegtori. Ka edhe hadithe që e nxisin këtë veprimtari. E gabuar dhe e dëmshme është njëanshmëria, në rastin konkret, përqëndrimi i të gjitha përpjekjeve në bujqësi dhe blegtori!
Hadithi i mësipërm ku përfshihet një numër i madh individësh me qëndrim të çekuilibruar nga njeriu që dëshiron të largohet nga jeta e qytetit, të ngjitet në mal apo në pyll ku të jetojë vetëm për vetëm me ndjenjat e tij, gjer te bujku dhe blegtori i zhveshur nga çdo lloj iniciative përmirësimi dhe përparimi, na jep një mësim ekonomie me rëndësi të madhe. Veçanërisht na kujton se, kur të mos e mbajmë më në dorë fuqinë që do të na jepte mundësi të zinim vendin tonë në ekuilibrin ndërmjet shteteve, kur ta braktisim luftën dhe ta humbim vendin tonë në ekuilibrin ndërmjet shteteve, Allahu do të na lëshojë sipër një poshtërim të tillë që të mos e ngremë dot kokën vetëm se duke iu rikthyer Islamit për të fituar jetë me të! Shembulli që dhamë, me sa na e lejon edhe vendi, është një pikë nga oqeani dhe i Dërguari i Allahut ka edhe shumë porosi në lidhje me këtë çështje. Por ne do të mjaftohemi me kaq. Ashtu siç nuk i ka kufizuar mundësitë dhe dhuntitë, i Dërguari i Allahut nuk i ka parë me nënvleftësim as shëndetin dhe forcën trupore e fizike. Përkundrazi, ai porosit kështu: “Besmitari i fuqishëm është më i dobishëm dhe i dashur para Zotit!”[6] Ata që dëshirojnë të jenë të dashur para Zotit, duhet t’i kenë të shëndoshë, bashkë me ndjenjat, edhe trupin, bashkë me shpirtin, edhe lëndën. Siç vihet re, i Dërguari i Allahut nuk thotë: “Duhet të dobësoheni, duhet të mbani pehriz, duhet ta thyeni fuqinë dhe forcën e trupit që të pranoheni te Allahu!” Ndoshta Profeti nxjerr në pah realitetin, realizmin, natyrshmërinë kundër murgjërisë dhe asketizmit dhe kërkon t’i fusë çështjet në një rrjedhë të natyrshme duke na orientuar ne në atë rrjedhë!