Si duhet ta jetojmë jetën, në mënyrë që më mos themi kurrë “ah sikur!”, si në këtë botë, ashtu edhe në ahiret?
Një besimtar, nëse nuk do që ta ndotë jetën e tij në këtë botë, por edhe në tjetrën, me njollat e pendesës, duhet që së pari të njohë Allahun (xh.sh.), të ecë në rrugën e Tij, të përpiqet vazhdimisht për të arritur tek Ai dhe të punojë duke i vlerësuar sa më mirë të gjitha mundësitë që ia ka falur po Ai. Dhe, për t’ia arritur këtij qëllimi, ky besimtar duhet ta jetojë gjithë jetën e tij me largpamësi, nuk duhet t’i lërë asnjëherë pas dore masat që duhen marrë në kohën e duhur; duhet të përpiqet që t’i lexojë përherë drejt ngjarjet përreth, duke qenë përherë i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe detyrat e pozicionit në të cilin ai gjendet.
“Mos! Ah sikur të mos isha bërë shok me aksh njeri!”
Kurani Fisnik i ka të paraqitur në ajete të ndryshme të tij pendesën e fatkëqinjve që dalin të humbur në Ditën e Gjykimit. Për shembull, disa prej tyre do ta shprehin pendesën e tyre me fjalët: “Ah sikur të isha bërë dhe më mirë!”[1] Kësisoj, mohuesit do të përballen me dënimin e ashpër të të gjitha mëkateve dhe padrejtësive që do të kenë bërë në këtë botë dhe do të thonë:“Ah sikur të isha bërë më mirë gur a dhe e të mos e provoja këtë dënim kaq të ashpër!”
Në një tjetër ajet i jepet vend edhe ah sikur-eve të atyre që e humbasin udhën e tyre duke u lidhur fort pas të tjerëve: “Ja, atë ditë, i padrejti kafshon gishtërinjtë e tij dhe thotë: “Ah sikur të kisha ndjekur rrugën profetike! Mos! Ah sikur të mos isha bërë shok me aksh njeri!” [2]Nëse nuk do që të katandiset në një gjendje kaq të vajtueshme, sekush duhet ta jetojë jetën me vetëdije të plotë për gjithë ç’bën, duke i zgjedhur mirë njerëzit pas të cilëve do të ecë dhe pa u ndarë asnjëherë prej rrugës së profetëve, të cilët Allahu (xh.sh.) i ka dërguar vetëm e vetëm që njerëzit të mos ngatërrojnë rrugën e drejtë me të gabuarën.
Që, ç’është e vërteta, Allahu nuk i ka lënë asnjëherë pa udhëzues njerëzit. Ai na e ka ndriçuar përherë rrugëtimin tonë jetësor me profetët e mëdhenj, dijetarët fisnikë dhe miqtë e respektuar të Tij, të cilët kanë qenë vetë pasqyra dhe drita e gjithësisë. Vetëm se mund të ndodhë që njeriu të bëjë sikur nuk i sheh këta pishtarë të dritës dhe udhërrëfimit dhe nuk ecën në gjurmët e tyre. Dhe, nëse bien edhe pre e mungesës së gjurmëve për të ndjekur, atëherë e humbasin krejtësisht rrugën e tyre, derisa vjen një ditë që rrokullisen në gropën e çudhëzimit. Mirëpo gropa e këtushme kthehet në humnerë në Xhehenem. Kësodore, ky njeri e kalon qëndrimin e tij në Xhehenem veç me klithma “ah sikur!”-esh.[3]
Ulërimat “Sikur, sikur!..” të të padrejtëve
Në një tjetër ajet thuhet gjithashtu se disa njerëz do të thonë sërish “ah sikur!” edhe teksa jepen librat e jetës në Ditën e Gjykimit. Ata, të cilëve ky libër do t’u jepet nga e djathta, do të thonë: “Ja, merreni e lexojeni, ky është libri i jetës sime! [Zaten] unë e besoja se një ditë do të përballesha me një llogari të këtillë. Ah sikur të mos më ishte dhënë ky libër! [Dhe] ah sikur të mos e dija llogarinë time! Dhe ah sikur gjithçka të merrte fund me vdekjen time! Pasuria që kisha nuk më vleu për asgjë. Dhe fuqia dhe pushteti im u zhdukën përnjëherësh!”[4]dhe do të vajtojnë prej mallit.
Ndërsa atyre që këtu kanë pasur vetëm se mendime të bukura, që e kanë kthyer kryerjen e punëve të mira në kriter të jetës së tyre, libri i llogarisë do t’u jepet nga e djathta dhe ata do të shfaqen atje të gëzuar e të hareshëm. Kurse ata, të cilëve ky libër do t’u jetë dhënë nga e majta, do të shohin se në të gjenden të shkruara të gjitha mëkatet e neveritshme që ata kanë kryer. Do të shohin se në të janë shkruar të gjitha mëkatet e tyre, duke nisur që nga fakti pse kanë parë drejt gjërave të ndaluara, pse ua kanë vënë veshin e i kanë dëgjuar, e deri te rendja pas mëkatit me vetëdije të plotë apo mosnjohja e kurrfarë kriteri të së drejtës dhe do të pendohen pa shpresë, duke thënë: “Ah sikur!” Ende pa hyrë në Xhehenem ata do të përkulen prej turpit e nuk do të dinë se ku të fshihen.
Nga kjo pikëpamje, njeriu, kjo krijesë, të cilën Allahu e ka krijuar të denjë për të arritur në më të lartat lartësi, e cila mund të kthehet në një pikë referimi deri edhe për engjëjt, sepse është e pajisur me veçoritë më të kulluara, nuk duhet kurrsesi që të zhytet në pafytyrësi të tillë, duke u dhënë pas posteve, famës dhe luksit në këtë jetë tejet të shkurtër; nuk duhet ta ndotë njerëzoren që fle brenda saj. Sepse nëse nuk e ruan këtë pozicion që i ka falur Allahu (xh.sh.), ai mund të përballet me ndonjë prej shpullave të Kuranit Fisnik, siç është ajo e ajetit të sures Araf: “Ata janë si kafshët, madje më poshtë edhe se to.”[5] Dhe kështu mund të rrokullisen drejt një gjendjeje më të mjerueshme edhe se ajo e krijesave më të ulëta.
Një dhimbje e ndërgjegjes e njëjtë dhimbjet e Xhehenemit
Sa më lart të jetë ngjitur njeriu, po aq të thella i ka rreziqet për t’u rrëzuar në greminë, nëse do të zërë të priret drejt rënies. Kështu e shpjegon Bediuzamani teksa na përshkruan gjendjen e një njeriu që rrëzohet prej kullës së sinqeritetit/tërheqjes prej detyrës hyjnore, duke pohuar se në këtë rast nuk bëhet fjalë për t’u rrëzuar mbi një sipërfaqe të rrafshët, por rënie drejt një grope të thepisur.[6] Po ashtu, sipas kriterit se “pasurisë së fituar i shtohet apo pakësohet vlera sipas rrezikut të marrë përsipër për ta arritur atë”, për një njeri, sa më shumë të ketë përfituar prej mirësive të Allahut (xh.xh.) aq më shumë rrezik përbën gjendja e tij. Po, nëse njeriu tregohet mosmirënjohës dhe nuk ua njeh vlerën mirësive që Allahu i ka falur, atëherë ai mund të rrëzohet drejt e në një gropë fare të panjohur vetëm për shkak të kësaj mungese të mirënjohjes.
Ai që nuk tregon respekt për pozicionin dhe natyrën e vet njerëzore, duke u përfshirë në gjithfarë gafash të pafalshme, duke u kthyer në shokun dhe mikun e pandarë të djallit,megjithëse është krijuar për të qenë ndër krijesat më të përkëdhelura prej Allahut, duke qëndruar i pandërgjegjshëm karshi detyrave që i takojnë, duke kryer gjithfarë veprimesh që nuk i kanë hije, duke i ndotur kësisoj të gjitha cilësitë që i janë falur, do të thotë: “Ah sikur për mua të ishte vendosur zhdukja njëherë e mirë më mirë dhe të mos kisha parë e dëgjuar asgjë prej këtyre që po më ndodhin!” dhe do të ndiejë një pendesë të thellë për gjithë ç’janë shkruar në librin e tij, ende pa u përballur me fatin e tij të kobshëm.
Njeriu, nëse nuk do që të pendohet kësisoj në jetën e përtejme, duhet të jetë shumë i drejtë në këtë jetë, udhërrëfyes të vetes duhet të ketë veç të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe kalifët e Tij të rrugës së drejtë dhe do të përpiqet të jetojë veçse si ata. Ata nuk kanë fjetur asnjëherë në shtretër të ngrohtë, edhe kur kanë qenë në krye të shtetit, nuk kanë ngarendur pas vilave dhe shtëpive verore dhe nuk kanë adhuruar kurrë asnjë prej gjërave që i përkasin vetëm jetës së kësaj bote. Kur u largua drejt horizontit të shpirtrave, Profeti i profetëve (alejhi ekmelu’t-tehaja) e kishte ënë mburojën e tij si kusht te një hebre, për të marrë në këmbim të saj një borxh sa për t’i dhënë për të ngrënë familjes së Tij.[7] Ndaj, edhe kalifët e drejtë, duke ecur në gjurmët e Tij, nuk u kishin lënë asgjë të kësibotshme familjeve të tyre. Me këtë ata sikur të na kenë mësuar se si duhet larguar prej kësaj bote. Kësisoj, njerëzit që jetojnë si ata nuk do të kenë pse të thonë “ah sikur!” në shenjë pendese teksa largohen nga kjo botë.
Jeta nuk është një zar që hidhet mbi tryezën e kazinosë
Që një ditë të mos thotë “ah sikur!” njeriu duhet të jetojë një jetë të atillë që, ashtu siç shprehet edhe në vargjet: “A të kujtohen ditët kur u linde?/ ishe ti që qaje dhe bota mbarë që qeshte…/ jeto një jetë të atillë, që/ vdekjen ta kesh për veten gëzim e për të tjerët vajtim…” të mos mërzitet për vdekjen e vet, përkundrazi, të jenë të tjerët që do të pikëllohen prej largimit të tij prej kësaj bote. Po, fëmija qan kur vjen në këtë botë, mirëpo të afërmit e tij qeshin prej gëzimit. Jeta që do të jetojë dikush duhet të jetë e atillë, që kur ai të vdesë, të ndijë me çlirim se po emigron drejt një bote të shumëpritur, madje duke u gëzuar që po nis udhëtimin e tij drejt horizontit të shpirtrave. Nëse do të mbahet zi për të, duhet të jenë të tjerët që do të vajtojnë; nëse do të derdhen lot duhet të jenë të tjerët që do të derdhin lot. Ata që u gëzuan teksa lindi ai, ata janë edhe që duhet të vajtojnë tani. Këta janë njerëzit që nuk kanë thënë asnjëherë “sikur”. Ndërsa ata që e shohin jetën e tyre si një zar me të cilin mund të luhet mbi një tryezë kazinoje, duke e shpenzuar atë më kot, nuk do t’u mbetet tjetër se ç’të bëjnë, veçse të thonë “ah sikur!”-e të njëpasnjëshme.
Veçanërisht ata që ia kanë dedikuar veten dhe jetën e tyre shërbimit të besimit dhe Kuranit, duhet të jetojnë të mbyllur ndaj çdo gjëje që të bën të thuash “ah sikur” më vonë. Kjo shprehje nuk duhet të hyjë në gjuhën e tyre as sot, as nesër, e aq më pak në jetën e përtejme. Ata duhet ta përdorin kapitalin e tyre jetësor asisoj, që kur të largohen prej këtej, të jenë të kënaqur prej mirësive të përjetshme që u janë falur, ndërsa bota të derdhë lot prej dhimbjes që do të shkaktojë mungesa e tyre. Ata duhet të përmenden si shembuj të bukur edhe prej brezash të tërë që do të vijnë pas tij. Sepse është Kurani Fisnik që na e shpërfaq këtë horizont me ajetin e tij: “Ata që do të vijnë pas tyre do të thonë kështu: ‘Zoti ynë, mos ler në zemrat tona as njollën më të vogël ndaj atyre që na e kanë kaluar neve në besim, ndaj atyre [vëllezërve tanë] që erdhën para nesh dhe besuan!’”[8]
Andaj ne, teksa e kthejmë sot vështrimin nga e shkuara, themi: “O Zot! Qofsh njëmijë herë i kënaqur prej Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit dhe Aliut të nderuar (r.anhuma)! ç’pasuri madhështore që na kanë lënë trashëgim ata neve! Ata i kanë vlerësuar aq mirë mirësitë që i ke falur Ti me mëshirën Tënde, saqë edhe kallinjtë që jepnin shtatë kokrra, kanë dhënë nga shtatëqind.” Kështu, ne i kujtojmë ata përherë si shembuj të bukur për t’u përmendur.
Nga ana tjetër, ata që nuk njohin asnjë kufi të së drejtës, që u rrëmbejnë njerëzve pasurinë e tyre, do të kujtohen përherë veç me urrejtje dhe mallkime dhe për ta do të thuhet: “As vetë nuk ranë dot në rehat, as të tjerët nuk i lanë njëherë të qetë. / U rrëzua e iku kësi bote, ata të botë së varrit të bëjnë tani durim!” Nga kjo pikëpamje, në mënyrë që të mos bjerë në pozita kaq të vështira në atë jetë, nuk duhet të përfshihet kurrsesi në veprime që do ta bëjnë që të kërkojë të futet më mirë në dhe prej turpit; duhet të jetojë përherë i pastër dhe po i atillë të mërgojë për në jetën e përtejme. Veçanërisht ata njerëz që bartin mbi supe një trashëgimi të veçantë dhe të rrallë që u duhet transmetuar brezave të ardhshëm duhet që, medoemos, të kërkojnë veç Allahun (xh.sh.) e asgjë që i përket kësaj bote. Nuk duhet t’i ndotin kurrsesi palët e pantallonave të tyre me baltën e kësaj bote dhe të thonë përherë: “O Zot mos më bëj që të jetoj në një jetë e botë pa Ty!” Veç me këtë mendim në mendje duhet të jetojnë ata dhe veç me të duhet të largohen nga kjo jetë. Zaten, siç thuhet edhe në një hadith të bekuar, njeriu vdes ashtu siç jeton dhe ngjallet ashtu siç vdes dhe, poende, shkon në përjetësi ashtu siç është ngjallur.
“Mos e harro! Vdekja mund të të vijë fare pa e pritur.”
Diku, Bediuzaman Said Nursiu, për të theksuar kalimtarësinë dhe pavlefshmërinë thelbësore të kësaj bote, thotë: “Aman, o Zot! U gënjyem. E pandehëm të qëndrueshme jetën e kësaj bote. E prej kësaj pandehme e çuam dëm gjithë ç’kishim. Pa dyshim, një gjumë është gjithë rrugëtimi i kësaj jete; shkoi i tëri si në ëndërr. Edhe kjo jetë pa kurrfarë themeli do të vijë një ditë që do të shkojë tutje si era që fryn…”[9] Ndërsa në një tjetër vend, ai shprehet: “Jam kalimtar vetë, ndaj s’e dua kalimtaren! / Jam vetë i metë, ndaj s’i dua gjërat e meta! / Ia kam dorëzuar të Gjithëmëshirshmit dhe shpirtin që kam, se nuk dua tjetër! / Dua, por dua një të Dashur të Përjetshëm! / Jam një grimcë, mirëpo dua gjithë Diellin e madh e të pashoq! / Jam një hiçmosgjë e shkuar hiçmosgjësë, mirëpo e dua gjithë ekzistencën (gjithësinë) mbarë!”[10] Me këto fjalë ai nga njëra anë i tregon njeriut se duhet ta çojë horizontin e tij veç ndaj gjërash të larta e të epërme, ndërsa nga ana tjetër thekson fort se në këtë botë nuk ka asgjë aq të vyer sa ç’i japin vlerë njerëzit e dhënë me shpirt ndaj saj. Allahu (xh.sh.) mos na ndaftë kurrë prej rrugës së këtyre njerëzve të bekuar! Sepse rruga e tyre është rruga e Krenarisë së Njerëzimit (paqja qoftë mbi Të).
Megjithatë, mendoj se kjo temë mund të mbyllet më së miri duke risjellë edhe njëherë në kujtesë vargjet e Aliut të nderuar (r.a.):
O i ngratë që gënjen veten me punët e kësaj bote!
Një jetë të tërë u gënjeve prej shpresës se jeta do të ish shumë e gjatë!
A nuk të mjafton gjithë kjo përgjumje dhe shpërfillje?
Sepse, shiko, po afron koha që të mërgosh për përtej!
Mos harro, se vdekja mund të vijë kurdo, fare papritur!
Ty të pret varri, ai varr që për ty është arkë plot vepra.
Përqafo më mirë durimin ndaj vuajtjeve të kësaj bote!
Se ta dish, vdekja jote nuk ndodh pa të ardhur vetë exheli![11]
[1] Nebe, 78/40.
[2] Furkan, 25/27-28.
[3] Merjem, 19/58-63.
[4] Hakka, 69/25-29.
[5] A’raf, 7/179.
[6] Shih: Shkrepëtimat, Shkrepëtima e njëzetenjëtë, Parimi i katërt.
[7] Buhari, xhihad 89; Tirmidhi, buju’ 7; Ibni Maxhe, ruhun 1.
[8] Hashr, 59/10.
[9] Fjalët, Fjala e Shtatëmbëdhjetë (Pozita e dytë).
[10] Po aty, Tabela e Dytë.
[11] shih: Ibni Haxher, Münebbihât, fq. 4.