Ç’është Aksioni? Cilesia e puneve te besimtarit
Në një pohim të tij që kërkon vëmendje dhe gjykim të gjithanshëm, i Dërguari i Allahut thotë kështu për aksionin dhe aktin besimor: “Allahu e do besimtarin artist i cili di të bëjë punë!”[1] Po, kështu! Sepse as që mund të thuhet ndryshe! Sepse Allahu thotë kështu në Kur’an: “Thuaju: “Bëni ç’të doni se Allahu, i Dërguari dhe besimtarët do t’i shohin ato që keni bërë!” (Tevbe, 9/105) Kjo do të thotë se bëmat e njerëzve do të vlerësohen sipas disa kritereve dhe normave të caktuara. Në vendin e grumbullimit pas ringjalljes (mahsher), të gjitha bëmat do të ekspozohen dhe secili do t’i shohë me sy inspektues. Ja, me këtë mendim duhet të veprojë e të bëjë punë njeriu! Në një hadith thuhet: “Allahu dëshiron që, kur të bëni punë, ta bëni siç duhet, domethënë, të plotë, të saktë e pa të metë!”[2] Ajeti që cituam më lart është një nga mrekullitë në lidhje me nxitjen për dituri dhe, sipas meje, ka vlerën e një postulati që duhet të vihet në krye të çdo libri. Një përmasë e këtij postulati është zëri që vjen prej Profetit: “Allahu e do besimtarin artist i cili di të bëjë punë!” Një tjetër hadith, por me dokumentim të dobët, që shumica e vënë në kornizë dhe e varin në dyqan, është: “Ai që punon dhe fiton është i dashuri i Allahut!”
Po, Allahu i do ata që punojnë, përpiqen, rropaten, lodhen e fitojnë në përputhje me ligjet e krijimit dhe në mënyrë legale.
Besimi, puna e mirë, besnikëria ndaj të drejtës dhe të vërtetës, këshillimi për drejtësi, durimi, vendosmëria në durim dhe këshillimi për durim janë që të gjitha aksione dhe akte besimore dhe ai që i bën këto, është njeriu i dashur i Allahut. Veprimi brenda botës së Hz. Muhamedit dhe sipas botëkuptimit të tij mbi aksionin dhe aktin besimor është akti më i çmuar dhe ai që të çon më shpejt te dashuria e Allahut. Hz. Muhamedi kurrë s’ka thënë që të mbyllemi si murgjërit brenda mureve të kishës, të mos martohemi, të mos hamë, ta braktisim botën gjersa të bëhemi të afërtit e Zotit! Ai e ka marrë fuqinë epshore të njeriut dhe, duke e orientuar drejt formës së saj legjitime e të pranueshme, ka porositur: “Martohuni me gra pjellore që t’ju duan e t’i doni!”[3] Kurse në një hadith tjetër, Profeti ka bërë këtë tërheqje vëmendjeje: “Martohuni dhe shtohuni sepse ditën e kiametit do të krenohem me shtimin tuaj para umeteve të tjera!”[4] Me këtë porosi ai kërkon të na thotë se, sa më shumë që të bëhemi, aq më shumë do të kënaqim atë, se, kur të kthejë kokën për të parë pas e të shohë ata që përkulen në ruku, ata që bien në sexhde dhe ata që thërrasin në ekstazë “Allahu Ekber, Allahu Ekber!” të vënë në radhë pas tij, do të gëzohet e do të bëhet i lumtur! I Dërguari i Allahut nuk e ka gjymtuar, nuk e ka shtrembëruar, nuk e ka burgosur ndjenjën njerëzore të prirjes ndaj seksit tjetër dhe të martesës, për rrjedhojë, nuk ka hyrë në rrugë që do të bëheshin shkak për depresione. Këtë ndjenjë ai e ka kanalizuar në rrugë legjitime dhe edhe në këtë pikë ka treguar rrugë që çojnë në pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut! Edukata e dhënë prej tij ka synuar orientimin e krijimit e të natyrës dhe gjetjes së synimeve në përshtatje me qëllimin final të krijimit!