Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Morali – Etika

Si duhet të jetë Thjeshtësia e Përulësia e muslimanit? Tevadu, kibri

Estimated reading: 14 minutes 225 views

Fjala “tevadu” (thjeshtësi, përulësi), mbart kuptimet e të qenit kokulur, i thjeshtë, çka përbën të kundërtën e kryelartësisë (kibr). Këtë mund ta interpretojmë edhe si vetëdijen e duhur të njeriut kundrejt Zotit, si sjellje të tij në përputhje me këtë vetëdije, si dhe vlerësim të pozitës së njeriut në marrëdhënie me krijesat në po këtë këndvështrim, duke e pranuar vetveten si një njeri mes njerëzve apo si një pjesë e zakonshme e krijimit. Ndërsa kibri (kryelartësia) është vlerësimi i vetvetes si më i mirë se të tjerët. Shprehja e jashtme e kësaj dukurie është quajtur “tekebbur” (mendjemadhësi). Pra, kibri është një hamendje madhështie; është ajo çka njeriu për veten e tij dëshiron të jetë, por që, në të vërtetë, nuk mund të jetë.

Me “tevadu” (thjeshtësi) disa kuptojnë që të mos shohësh asnjë vlerë personale te vetvetja; të tjerë shprehen për trajtim të njerëzve të tjerë me respektin e duhur dhe për sjellje të përulur në marrëdhënie me ta; të tjerë thonë që thjeshtësia, duke përjashtuar rastin e përfitimit nga ndihma hyjnore për ndonjë vepër të jashtëzakonshme, është që ta shohësh veten si më të parëndësishmin e krijesave; të tjerë akoma e përshkruajnë si mundim dhe përpjekje për të mposhtur në çast çdo përpëlitje të brendshme, të vogël a të madhe qoftë, që mund të shfaqet në marrëdhënie me egon. Secili shpreh gjykimin e vet si për kuptimin, ashtu edhe për formën në të gjitha këto përkufizime.

Një sahab sheh Hz. Omerin (r.a.) me një enë në shpatulla, duke mbartur ujë, dhe e pyet me habi: “Ç’është kështu, o kalifi i të Dërguarit të Allahut!” Ai i përgjigjet: “Kishin ardhur një grup të dërguarish nga vende të huaja dhe unë ndjeva brenda meje diçka; atë ndjesi desha ta thyej.” Sikurse mbajtja prej tij e miellit në kurriz, të folurit kundër vetvetes në minber apo heshtja kundrejt kritikuesve që e kritikonin hapur përbëjnë një prej mënyrave të vënies nën kontroll të nefsit; se si Ebu Hurejra, gjatë kohës kur ishte vali, i mbartte herë njërit e herë tjetrit dru në kurriz; se si Zejd bin Thabiti, në kohën kur ishte kadi, i puthte dorën Ibn Abbasit; dhe se si kundrejt kësaj Interpretuesi i Kuranit (Terxhumanul Kur’an) i mbante atij yzengjitë e kalit; se si Hz. Hasani ulej me fëmijët që loznin me copat e bukës dhe ushqehej me ta, të gjitha këto janë nga një shembull thjeshtësie e përulësie.

Allahu në Kuranin Fisnik, si dhe i Dërguari i Allahut në Sunetin e Tij dëshmojnë aq shumë për thjeshtësinë, saqë atij që i dëgjon e mëson për këta shembuj nuk i mbetet asnjë dyshim se të robëruarit e vërtetë ndaj Zotit s’është veçse thjeshtësi e përulësi. Shprehja e Kuranit, sipas së cilës:

  • “Robërit e vërtetë të Mëshiruesit janë ata që ecin në tokë me thjeshtësi e me kryet të ulur. Kur ata ngacmohen prej injorantëve, thonë: ‘Paqe!’ dhe vazhdojnë rrugën” (Furkan, 63)
  • “Ata kundrejt besimtarëve janë të dhembshur e në përulësi” (Fet’h, 29),
  • “Ata me njëri tjetrin janë shembuj të dhembshurisë e të mëshirës… kurdoherë i gjen të përkulur në ruku e të përulur në sexhde!” (Fet’h, 29)

Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), gjithashtu thotë:

  • “Allahu më ka urdhëruar që ju të jeni të thjeshtë e të përulur… dhe që askush të mos lëvdojë veten përballë askujt.”[1]
  • “A t’ju rrëfej për atë njeri që nuk do ta cenojë zjarri? Zjarri nuk i prek ata njerëz që janë pranë Allahut dhe pranë njerëzve, me natyrë të butë, që shkojnë mirë e bukur me gjithkënd.”[2]
  • “Atë që për hir të Allahut ul sytë përdhé, Allahu e ngre dhe e lartëson; në të vërtetë, ai e nënvlerëson vetveten, por në sytë e krijesave i madh është pikërisht ai.”[3]
  • “O Allahu im, bëmë të më duket vetja i vogël në sytë e mi!”[4]

E në fakt, Pejgamberi a.s. gjithë jetën e kaloi duke qëndruar kurdoherë në këtë linjë:

  • Shkonte pranë fëmijëve dhe i përshëndeste;
  • Nëse dikush, kushdo qoftë, e zinte përdore dhe dëshironte ta merrte me vete diku, ai ngrihej pa ngurruar;
  • U ndihmonte grave në punët e shtëpisë;
  • Kur të gjithë merreshin me një punë, edhe Ai merrte pjesë dhe mundohej të punonte me të tjerët;
  • Rregullonte këpucët, arnonte rrobat, milte dhinë, ushqente kafshët;
  • Ulej në sofër bashkë me shërbëtorin;
  • E mbante kuvendin gjithmonë të hapur edhe për të varfrit;
  • Tregonte vëmendje e kujdes për vejushat dhe jetimët;
  • Vizitonte të sëmurët, ishte i gatshëm për të qenë i pranishëm në raste vdekjesh dhe i përgjigjej ftesës së skllevërve.[5]

Thjeshtësia dhe përulësia e vërtetë është që kundrejt madhështisë dhe pafundësisë së Zotit të Vërtetë, njeriu t’i përcaktojë vendin vetes në përpjesëtimet zero-infinit dhe këtë mendim, këtë përcaktim ta përvetësojë krejtësisht në unin e vet. Njerëzit e pjekur që arrijnë ta rrënjosin këtë konceptim në natyrën e tyre dhe që me këtë rrënjosje ia dalin të mbërrijnë në një natyrshmëri të dytë, në marrëdhëniet e tyre me njerëzit janë të thjeshtë, në përulësi dhe të ekuilibruar me aq sa është e mundur, pasi ata që e kanë përcaktuar vendin dhe pozitën e tyre kundrejt Allahut, edhe në jetën fetare, edhe në marrëdhëniet me krijesat, në botën e tyre të brendshme dhe në këndvështrimet e tyre janë gjithmonë në ekuilibër.

Si përfundim, thjeshtësia, krahas të qenit porta kryesore e moralit hyjnor, është edhe mjeti parësor për të qenë pranë Krijuesit dhe pranë krijesave. Trëndafili përfundon në dhè… njeriu nuk u krijua në qiej, por në tokë. Besimtari, kur bashkon në sexhde këmbët dhe kryet në të njëjtën pikë, gjendet më pranë Allahut.[6]

Thuajse brenda çdo shoqërie pasuria, pozita, dija, bukuria, prejardhja fisnike e të tjera si këto pranohen si mjete për të arritur madhështinë. Ndërsa thjeshtësia, pavarësisht këtyre, është një shkallë e lartë e moralit që duhet të jetë sunduese në jetën e njeriut. Pra, ato çka u përmendën më sipër dhe thjeshtësia janë dy elemente që veprojnë në pavarësi nga njëri-tjetri dhe që i bëhen pengesë njëri-tjetrit. Mirëpo në këndvështrimin mysliman është e rëndësishme që vullneti i njeriut ta kapërcejë këtë. Njëlloj si Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!). Ai, teksa hynte pas vitesh të tëra si fitimtar në Mekën që ishte detyruar ta braktiste dikur, prej thjeshtësisë e përulësisë, e mbante kryet e bekuar të ulur aq sa vetullat t’i preknin kafshën mbi të cilën qëndronte. Madje mund të thuhet se ai, për 23 vjet, në jetën e tij plot e përplot me ngjarje që e shtyjnë njeriun në krenari, kryelartësi e delir madhështie, jo vetëm që nuk shfaqi asnjëherë ndonjë sjellje të kundërt me thjeshtësinë, por të tilla ngjarje u bënë shkak që ai vetëm t’i shtonte thjeshtësinë e përulësinë te vetja.

Në fund të fundit, a nuk është kjo më e rëndësishmja? Nëse njeriu nuk i jeton gjallërisht për hir të Allahut vitet e jetës së tij, ç’dobi i bën që të jetë i pasur? Nëse shkon në prani të Tij me një jetë të zbrazur porsi një daulle që veç buçet me zulmë, ç’fitim do të ketë? Të mos e harrojmë se thjeshtësia, përulësia, ndjesia e turpit, janë gjendje që i shkojnë dhe e stolisin njeriun, ndërsa kryelartësia, mendjemadhësia, nënçmimi i të tjerëve në krahasim me veten, porsi Karunin, e rrëzojnë dhe e përmbysin njeriun.[7]

Nëse njeriu merr përsipër cilësi si madhështia (adhamet) dhe kryelartësia (kibr), të cilat nuk janë cilësi që i përkasin, nëse mëton të jetë mbi njerëzit e tjerë, kjo përbën një shenjë se në botën e tij shpirtërore ka një sëmundje të rëndë; përbën shenjë për mangësinë e mendjes dhe vrazhdësinë e shpirtit. Një njeri që ka mbërritur pjekurinë mendore dhe shpirtërore, gjithçka që zotëron ia njeh të Lartit Krijues dhe i mbushur me ndjenja mirënjohjeje, kurdoherë kruspulloset e përulet përballë Tij.

Duke qenë i thjeshtë e i përulur, kundrejt kënaqësisë së Krijuesit dhe nënvlerësimit të njerëzve, njeriu fiton ndjesinë e kënaqësisë shpirtërore. Po, ai që së pari njeh kufijtë e vet dhe i ul krahët e thjeshtësisë gjer përtokë, gëzon mburojën më të sigurt prej çdo nënçmimi që mund t’i vijë prej njerëzve dhe në këtë mënyrë, ka marrë masat më të mira për sigurinë e vet.

Kryeultësia është shenjë e pjekurisë dhe e virtytit tek individi, ndërsa kryelartësia dhe mendjemadhësia tregojnë se ai është pa vlera dhe i mangët në karakter. Njerëzit më të përsosur janë ata që gjenden më pranë njerëzve dhe që krijojnë lidhjet më të ngushta me ta. Ndërsa më të mangëtit, që krenaria nuk ua pranon të ndodhen e të jetojnë pranë e pranë me njerëzit, janë fatkëqij e famëkëqij. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) në lidhje me këtë çështje tërheq vëmendjen si më poshtë: “Besimtari që trazohet me njerëzit dhe merr pjesë në dhembjet e në hidhërimet e tyre është më i mirë sesa besimtari që rri mënjanë pa u shqetësuar.”[8] Allahu i Lartësuar i drejtohet kështu Profetit të fundit (paqja qoftë mbi të!): “Me besimtarët që të ndjekin ty ul krahun e butësisë e të thjeshtësisë. Ndërsa atyre që mohojnë u thuaj: ‘Unë jam larg asaj që ju veproni.’” (Shuara, 215-216) “Kurrsesi mos të të mbetet mendja e mos ua ngul sytë të mirave të kësaj bote kalimtare që ua kemi dhënë disave prej tyre. Ul për besimtarët krahët e butësisë e të përulësisë.” (Hixhr, 88) Mund të thuhet se në këto ajete të shenjta janë mbledhur veçantitë themelore të moralit të shërbimit: t’u shërbesh të tjerëve pa pritur ndonjë shpërblim, të mos hutohesh prej shkëlqimit të të mirave të kësaj bote, të mos zemërohesh e të mos e braktisësh shërbimin kundrejt mosmirënjohjes së atyre që e përfitojnë atë dhe ta presësh shpërblimin vetëm prej Allahut…

Për të treguar kryelartësinë apo kibrin, në Kuranin Fisnik përdoren shprehjet “fahr”, “ferah” dhe “marah” (mburrje): “Mos ec në tokë me kryelartësi e mburrje, sepse ti as s’mund ta çash tokën, as s’mund ta mbërrish me trupin tënd lartësinë e maleve.” (Isra, 37) “Mos e kthe fytyrën me kryelartësi prej njerëzve e mos ec me mburrje në tokë, se Allahu nuk e do asnjë kryelartë që mburr vetveten. Të jesh i matur në ecjen tënde. Ule zërin, se më i shëmtuari ndër zërat është zëri i gomarit.” (Lukman, 18-19)

Ngritja e një njeriu në lartësinë e njerëzores bëhet e dukshme prej thjeshtësisë; thjeshtësia bëhet e dukshme kur ai nuk ndryshon për keq sjellje e qëndrim për shkak të pozitës, të postit shtetëror, të pasurisë, të diturisë dhe të tjerave si këto që u kushtojnë rëndësi njerëzit. Tek ai që, për shkak të atyre që u përmendën më sipër, pëson ndryshim në sjellje e nis të ndihet e të tregohet kryelartë, nuk mund të bëhet fjalë as për thjeshtësi e përulësi, as për qenie të njerëzishme.

Përulësia është çelësi i thuajse të gjitha sjelljeve e zakoneve të mira. Ai që e shtie në dorë atë çelës, ka në zotërim edhe të gjitha mirësitë e tjera. Kush nuk e zotëron atë, mbetet i privuar edhe prej pjesës më të madhe të mirësive të tjera. Profeti Adem (paqja qoftë mbi të!), kur shkau dhe ra, vetëm nëpërmjet thjeshtësisë e përulësisë i rifitoi gjithë ç’humbi përtej qiejsh, ndërsa Shejtani, që i ra mbi krye e njëjta fatkeqësi, ra pre e kryelartësisë dhe e mendjemadhësisë së vet.

Duke qenë se kibri dhe madhështia janë cilësi të “Qenies Hyjnore”, ata që mburren duke mëtuar madhështi, janë zënë fuqishëm e përgjithmonë prej dorës hyjnore të “Kahharit” dhe kanë marrë fund. Ndërsa ata që i njohin kufijtë e vetë dhe tregohen të përulur, lartësohen gjersa të mbërrijnë pranin e Tij.

Hasan Basriu i drejton këto fjalë paralajmëruese nxënësit të tij, në mënyrë që ky i fundit të mos pësojë ndonjë vetëmashtrim: “Biri im! Përvetësoji këto këshilla të shkruara në këtë copë letër, pasi do të jenë për ty më të vlefshme sesa mijëra libra të shkencës.” Në copën e letrës ishin shkruar këto fjalë:

  • Në mjedisin ku ndodhesh, mos u gënje të mendosh se është një vend larg të këqijave, një vend i sigurt e plot të mira. A mund të mendohet të ketë ndonjë vend më të sigurt e më larg të ligave sesa Parajsa? E pra, atit tonë, Ademit, gjithë ç’i ndodhi, i ndodhi pikërisht atje.
    • As prej adhurimit të shumtë ndaj Allahut mos u mashtro. Kush ishte më i përkushtuar në adhurim e lutje sesa Shejtani? E megjithatë, ç’i ndodhi e ç’i ra mbi krye?
    • Me të diturit mburravecë as mos u tako, as mos merr pjesë në bisedat e tyre. Ata nuk të sjellin dobi. Kështu, në bisedat e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të!) kishte dijetarë mendjemëdhenj e hipokritë që merrnin pjesë. Asnjëri prej tyre as nuk besoi, as nuk përfitoi prej atyre bisedave.

Mos u mburr e mos u mashtro me dijen e shumtë. Sa e sa të zotër të mendjes e të dijes ka pasur që kanë përfunduar në humbje.


[1] Muslim, Xhennet, 64; Ebu Davud, Edeb, 40; Ibn Maxhe, Zuhd, 23.

[2] Tirmidhi, Sifatu’l-Kijame, 45.

[3] Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija, 7/129.

[4] Shih: Muslim, Zuhd, 14.

[5] Buhari, Istizan, 15; Muslim, Selam, 15; Tirmidhi, Shemail, 78; Musned, VI, 256; Kadi Ijad, Shifa, I, 131.

[6] M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 112.

[7] Kushejri, Risale, 283; M. F. Gülen, Fasıldan Fasıla IV, 115.

[8] Ibn Maxhe, Fiten, 23.

 

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/perulesia-thjeshtesia/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si duhet të jetë Thjeshtësia e Përulësia e muslimanit? Tevadu, kibri

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA