Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Morali – Etika

Si duhet të jetë ndershmëria, dëlirësia e muslimanit? Iffeti në Islam

Estimated reading: 5 minutes 207 views

Fjala “iffet” (ndershmëria, dëlirësia) mbart kuptimin e shmangies dhe të qëndrimit larg prej atyre gjendjeve e veprimeve që nuk i shkojnë për shtat nderit dhe respektit për veten, kuptimin e mbrojtjes së vetvetes prej të keqes dhe të shëmtuarës. Para së gjithash zinaja dhe çdo veprim e gjendje që çon tek ajo përbën pandershmëri, por si mungesë e dëlirësisë dhe e ndershmërisë llogariten, për shembull, edhe të ushqyerit e pakujdesshëm e me gjithçka që rastisim, të kërkuarit e sendeve prej të tjerëve qoftë edhe për nevoja vetjake, sjelljet dhe veshjet shqetësuese për gjininë e kundërt, të folurit pa etikë, moskontrollimi i organeve dhe në radhë të parë i syve… Edhe pamjet e ekspozimeve joetike të trupit, të shfaqura kudo, nga reklamat në fletët e kalendarëve, nga mallrat për tregtim në filmat vizatimorë, nga skenat e teatrove në letrat e ambalazhit, nga programet e lajmeve në faqet e gazetave e të revistave, përbëjnë një mungesë të ndershmërisë. (Nur, 31, 60) E kundërta e kësaj janë turpi (haja) dhe dëlirësia (nezahet). Prej besimtarit kërkohet që ai të jetë i dëlirë, i turpshëm, i kujdesshëm, i durueshëm dhe të jetojë një jetë të ndershme e plot vlera.

Në Kuranin Fisnik, dëlirësia (iffet) dhe nderi radhiten ndër mirësitë morale më të rëndësishme. Libri ynë i shenjtë, vazhdimësinë e familjes, si themel të shoqërisë, krahas dashurisë dhe respektit, e sheh të lidhur me sjelljen dhe qëndrimet e ndershme të burrit e të gruas, me shmangien nga imoraliteti dhe të angazhimit në lidhje të fshehta. Pandershmëria në gjuhën e Kuranit është përkufizuar si kapërcim i kufijve dhe kjo shpreh rëndësinë e çështjes (Maide, 5; Nur, 6,7,15; Ahzab, 30-31, 35; Mearixh, 29-31).

Në lidhje me Profetin tonë (paqja qoftë mbi të!), në ajetin që përcakton dhe rregullon marrëdhëniet dhe sjelljet mes besimtarëve, tërhiqej vëmendja se Profeti ndihej i turpëruar, ndaj edhe kërkohet që hyrjet, daljet dhe largimet prej shtëpive të bëhen në harmoni, me kujdesin dhe etikën e duhur (Ahzab, 53).

Veç kësaj, mund të përmendim këto ajete që përmbajnë kuptimet për të cilat u bë fjalë në nisje:

  • “Ata që nuk gjejnë mundësi të martohen, gjersa Allahu t’u dhurojë prej mirësisë së Tij, le të ruajnë dëlirësinë.” (Nur, 33)
  • “Për sa u përket grave që nuk ushqejnë ndonjë shpresë për martesë, që nuk lindin fëmijë e që janë të moshuara, nuk ka ndonjë të keqe që t’i shfaqin stolitë e tyre dhe ta heqin petkun e tyre të jashtëm, pa zbuluar gjithsesi bukuritë e tyre. Sidoqoftë, që të sillen të përmbajtura është më mirë për to.” (Nur, 60)
  • “(Dhuroni) për të varfrit që janë të angazhuar në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë në tokë, pasi ata nuk lypin, ndaj dhe ai që nuk e njeh gjendjen e tyre mendon se janë të kamur. Ata i dallon prej pamjes së tyre (të rraskapitur), por ata nuk kërkojnë e as nuk i mërzisin njerëzit. Pra gjithçka që të jepni nga pasuria juaj, s’ka dyshim se Allahu di më së miri për të.” (Bekare, 273)

Në lidhje me këtë çështje na kanë mbërritur edhe shumë hadithe. Në njërin prej tyre, i Dërguari i Allahut thotë:

“Kush më premton e më garanton se do të ruajë ç’ka mes dy buzëve dhe mes dy këmbëve, unë premtoj e garantoj për hyrjen e tij në Parajsë.”[1]

Këtë e thotë i Dërguari i Allahut. Ai e di më mirë se kushdo se çfarë mund të garantojë e çfarë jo për gjithsecilin. Nëse thotë se do të garantojë Parajsën, kjo do të ndodhë pa asnjë dyshim. Sepse kur njëri prej sahabëve më të dashur, që Profeti e kishte quajtur vëlla, Osman bin Madhuni ndërroi jetë dhe një grua tha për të: “U bëre zog i Parajsës e ike”, Profeti e kundërshtoi duke i thënë: “Unë jam i Dërguar i Allahut dhe nuk e di. Ti nga e di se ai ka shkuar në Parajsë?”[2] Kjo tregon se i Dërguari i Allahut, për atë që premton dhe i qëndron fjalës së dhënë se do t’i dalë për zot asaj që ka mes buzëve dhe asaj që ka mes këmbëve, nuk e premton dhe garanton Parajsën më kot, thjesht sipas dëshirës dhe mendjes së vet. Pa asnjë dyshim, Zoti i Madhëruar i ka premtuar atij diçka mbi këtë çështje.


[1] Buhari, Hudud, 19, Rikaka, 23; Tirmidhi, Zuhd, 61; Muvatta, Kelam, 11.

[2] Buhari, Xhenaiz, 3; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 7; Musned, II, 335.

 

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/deliresia/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si duhet të jetë ndershmëria, dëlirësia e muslimanit? Iffeti në Islam

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA