Nëse lutjet e dëshirat e mia nuk pranohen, a do të thotë se Allahu nuk është i kënaqur me mua?
Allahu është “El-Muxhiib” – “Pranuesi i lutjeve” dhe në Kuran na mëson të themi ”Vërtet Zoti im është afër, dhe më përgjigjet. (Kuran, Hud, 61).
Me iluzionet dhe vesveset e tilla se nuk po pranohen lutjet tona dhe se Allahu nuk na do neve, shejtani përpiqet t’i largojë besimtarët, veçanërisht ata që janë të ndjeshëm në çështjet fetare, drejt dëshpërimit e pesimizmit.
Nuk duhet harruar se Allahu i përgjigjet çdo lutjeje. Megjithatë, kjo përgjigje nuk duhet të jetë ashtu siç kërkohet. Për shembull, nëse i kërkoni mjekut një ilaç duke menduar se do të jetë i dobishëm për ju, dhe mjeku ju thotë se përkundrazi kjo do t’ju dëmtojë juve, e ju thotë se nuk keni nevojë për ndonjë ilaç ose keni nevojë për një ilaç më të dobishëm por më të hidhur, dhe e jep atë ilaçin e hidhur, do të ishte e pandershme nga ana juaj të thuani që mjeku nuk u përgjigj kërkesave tuaja. Përkundrazi, thuhet se ai ju dëgjoi dhe përmbushi atë që ishte e nevojshme. Po të kishte dhënë atë që doje, nuk do të të ndihmonte, do të ishte e dëmshme.
Allahu është sunduesi absolut, Ai e di se çfarë do të jetë e mirë dhe e keqe për ne. Prandaj, nëse ai nuk na është përgjigjur kërkesës sonë në të njëjtën mënyrë sic kemi kërkuar, duhet ta dimë se na pret dicka më e mirë për ne, të jemi mirënjohës dhe të jemi të kënaqur.
Nëse lutjet nuk pranohen saktësisht dhe menjëherë, ne mund të mendojmë për këtë si vijon:
- Nuk ka ardhur ende koha. Për shembull, një muaj më vonë u pranua lutja e Profetit (a.s) për incidentin e ifkut (përgojimit të Hazretit Aishes).
- Ajo që kërkohet në lutje pranohet jo tamam ashtu siç është kërkuar, por duke e zëvendësuar me një më të mirë. Për shembull, nëna e Merjemes donte një djalë, por kjo kërkesë u zëvendësua me dicka më të mbarë se sa donte ajo.
- Lutja që mendon se nuk u pranua, ka shërbyer si shlyerje mëkatesh. “Ai të cilit i hapet dera e lutjes, le ta dijë se i janë hapur dyert e mëshirës”. Hadith
- Lutja i dëbon telashet dhe të këqijat që i vijnë njeriut.
- Lutja është shënuar në librin e veprave të personit si shpërblim. ”Lutja është truri i ibadetit”. Hadith
Pra, çdo lutje ka përgjigje, por jo sipas dëshirës së robit, por sipas urtësisë dhe mëshirës së Allahut.
Omeri r.a ka thënë: “Unë nuk merakosem rreth pranimit të lutjes, por merakosem pikërisht për vetë lutjen. Ndaj, në atë moment kur inspirohem për lutje, e kuptoj se pranimi i lutjes është i sigurt”.
“Lutja e juaj pranohet përderisa nuk nguteni duke thënë: u luta, u luta por nuk mu pranua” (Buhariu nr. 5981 Muslimi nr. 2735).
Perkthyer dhe pershtatur nga:
https://sorularlaislamiyet.com/istegim-olmuyorsa-allahin-benden-razi-olmadigi-anlamina-mi-gelir