Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Lutje – Përgjërim – Dua

Cilat janë Emrat e Allahut – Esma ul Husna?

Estimated reading: 21 minutes 486 views

Emrat e Allahut

Po qe se do t’i kishim marrë emrat që kemi, jo duke na i vënë prindërit që në lindje, por më vonë, sipas aftësive dhe mjeshtërive tona, dikush do të quhej “murator”, dikush “marangoz”, dikush “mësues”, dikush tjetër rrobaqepës e kështu me radhë. Mirëpo emrat na vihen jo sipas mjeshtërive që fitojmë kur rritemi, por sipas dëshirës së prindërve tanë qysh kur lindim. Madje, disa herë ndodh që të na vihen emra që s’na përshtaten aspak ose që s’kanë të bëjnë aspak me ne.

Një përngjasim i tillë që po përdorim për të ardhur te shpjegimi i emrave të Allahut mund të duket, në vështrim të parë, vulgar dhe i papëlqyeshëm, por ç’e do se në përshkrimin e të vërtetave abstrakte, qysh në krye të herës është vepruar po në këtë rrugë duke përdorur thjeshtimin dhe vulgarizimin33 e shprehjeve.

Emrat e Zotit na janë mësuar neve nga vetë Ai me ndërmjetësimin e robve të Tij të zgjedhur duke u mbështetur në veprimtarinë e Tij në gjithësi. Për shembull, në gjithësi është një bukuri që e shohim krejt hapur. Këto bukuri, si ylberi, të ndërthurura me njëra tjetrën, e kanë mbështjellë tërë ekzistencën. Në mal e në fushë, në pranverë e në lule, në sy e në vetulla sundon një valle bukurish. Ka mijra vjet që, për ta shprehur mahnitjen për këto bukuri vetëm duke parë pamjen e tyre të jashtme, mijra shkrimtarë e poetë janë përpjekur vazhdimisht për t’i bërë epike këto bukuri dhe, megjithëkëtë, shumë pak gjëra kanë mundur të thonë në krahasim me ato që mund të thuhen! Të gjitha këto bukuri që nuk do të  mund të mbaronim duke i përmendur dhe përshkruar, sigurisht që mbështeten në një emër të Zotit që e shpreh këtë kuptim, që është emri “Xhemil”, “I Bukur”.

Gjithashtu, në natyrë bëhet një dhënie dhe shpërndarje furnizimi34 brenda një rregulli dhe rregullsie të imtë. Nga qeliza te rinoceronti, çdo gjallesë ushqehet me një furnizim dhe racion ushqimor në përshtatje me natyrën e saj. Ndërsa engjëjt furnizohen dhe ushqehen me ibadete dhe tesbihe35, njeriu furnizohet dhe ushqehet me mish, kurse xhindët, me kocka! Ja, pra, kjo veprimtari që e shohim me sy, pa asnjë dyshim, vërteton emrin Rezzak të Allahut, Zotit të gjithësisë!

Po qe se ne nuk do t’i kishim ditur emrat Xhemil dhe Rezzak të Allahut, pasi të vërenim veprimtarinë e Tij do t’i thonim: “Ti je Xhemil”, Ti je “Rezzak”! Po kështu, duke i vënë re dhe kuptuar veprimtaritë e tjera të Allahut, do t’i drejtoheshim me emërtimet e atyre veprimtarive. Ja, pra, pasi na ka treguar veprimtarinë e Tij në gjithësi, për të mos na lejuar ne që të bëjmë gabim, Allahu e ka emërtuar veten me këta emra. Ndërkaq, emrat hyjnorë janë induktivë dhe të fiksuar36. Ne vetë nuk mund të sajojmë emra për Individualitetin Hyjnor.

Këta emra mbështeten në disa cilësi dhe atribute që i reflektojnë ata. Po të shprehemi përsëri me shembuj krahasues si më sipër, është e pamundur që dikush i cili nuk është marangoz, të quhet marangoz, ose i cili nuk është bukëpjekës, të quhet bukëpjekës, ose i cili nuk është rrobaqepës, të quhet rrobaqepës, e kështu me radhë. Ja, pra, emri “Xhemil”, “I Bukur”, i Zotit, që e pranojmë se ekziston tek Ai dhe që e vërejnë disa njerëz të një niveli të caktuar, mbështetet në atributin “Xhemal”, “Bukuri” që është burimi i të gjitha bukurive. Si ky, të gjithë emrat mbështeten në një cilësi apo atribut që u bëhet burim dhe, të gjithë atributet mbështeten në ekskluzivitetin hyjnor të emërtuar, në terminologjinë përkatëse, “she’n”; po qe se e përdorim këtë term për njerëzit, do të thotë kapacitet, aftësi, talent, atribute, këto, që nuk është me vend të përdoren për Zotin. Kjo do të thotë se aktet mbështeten në emrat, emrat në atributet, atributet në ekskluzivitetin hyjnor37 dhe ekskluziviteti hyjnor mbështetet në Individualitetin e Zotit. Atëherë, ndalojmë këtu dhe themi si i Dërguari i Allahut: “Nuk të njohëm dot ashtu siç është e vërteta, o i Gjithëditur!” Gjithashtu themi po si Ebu Bekri: “Të jesh i paaftë për të të kuptuar Ty, do të thotë të të kuptosh Ty!” Dhe përkulemi më dysh me drojtje e edukatë!”38

Sunitët kanë ditur t’i lidhin në afërsi të gjitha qeniet në gjithësi me Allahun. Në të vërtetë, janë profetët ata që na e kanë mësuar neve se ç’është marrëdhënia e cilësisë së materies me Zotin, se shfaqje e cilëve emra dhe atribute është cilësia e gjërave që përbëjnë materien. Ajo ç’kanë bërë sunitët, është që, duke i formuluar këto të vërteta, t’i shprehin në nivelin e horizontit të njohjes sonë.

Emrat e Allahut ne mundemi t’i dimë vetëm me anë të deklaratave të profetit tonë, Hz. Muhamed (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Në Kur’an, për emrat e Allahut është bërë fjalë me shprehjen “esma-ul husna” që do të thotë “emrat më të bukur”: “Ai Allah që, përveç Tij nuk ka zot tjetër. Emrat më të bukur janë të tijët!” (Taha, 20/8; Hashr, 59/24) Siç bëhet e ditur në ajet, emrat më të bukur dhe që argumentojnë kuptimet më të larta, i përkasin Allahut!

Allahu (xh.xh.) ka shumë emra që përmenden në Kur’an dhe hadithe. 99 prej këtyre janë bërë të ditur në hadithet profetike. Në një hadith, Profeti ka thënë kështu: “Allahu ka 99 emra. Ai që i mëson e i thotë përmendësh këta, që, në sjelljen e tij ndaj Allahut, duke i ruajtur kufijtë e emrave të bukur, bën adhurim duke i ruajtur kufijtë e emrave të bukur dhe duke i respektuar siç duhet ata, hyn në xhenet!” (Tirmidhi, Daavat, 82; Buhari, Tevhid, 12) Në vazhdimin e hadithit janë bërë të ditur 99 emrat e Allahut, që janë:

  • Allah: emri i përveçëm e i posaçëm i Zotit që argumenton Individualitetin i cili përmbledh në vetvete të gjithë emrat dhe atributet e vet.
  • Rrahman (mëshirues): tregon mëshirë për të gjitha krijesat e veta, besimtarë e jobesimtarë dhe u jep të mira.
  • Rrahim (shumë mëshirues, bamirës, shpërblyes): ky atribut shpreh mëshirën e posaçme të Allahut për ata që favorin e Allahut me anë të atributit rahman e vlerësojnë bukur me anë të besimit.
  • Melik (sundimtar): sundimtari i vërtetë i ekzistencës. Kuddus (i shenjtë): Allahu s’ka të bëjë me asnjë lloj të mete e mungese, është i pakufizueshëm e i papërshkrueshëm, është i përsosur në çdo veçori të Tij dhe krejt e pastër.
  • Selam (shpëtues): Allahu është burimi i çdo shpëtimi e paqeje, i pastër nga të metat e mangësitë, ai që i nxjerr robtë e vet në shpëtim e paqe.
  • Mu’min (besues, besimtar, i besës): Allahu jep besim dhe siguri, largon dyshimet dhe lëkundjet, u jep besim atyre që mbështeten te Ai, u jep siguri atyre që kanë frikë dhe i mbron.
  • Muhejmin (mbrojtës, ruajtës, marrës nën ruajtje): Allahu vëzhgon, është dëshmitar për çdo gjë dhe merr nën ruajtje e mbrojtje çdo gjë.
  • Aziz (i çmuar, i vyer, i shenjtë): Allahu është zotërues i fuqisë më të lartë dhe fitimtar absolut. Xhebbar (shtrëngues, detyrues): Allahu i rregullon punët dhe gjendjen e krijesave të Tij; me vullnetin e vet, Ai i drejton ata si të dojë; Allahu është i pakundërshtueshëm në zbatimin e urdhrit të Tij.
  • Mutekebbir (madhështor): Allahu e tregon se sa i madh është, në çdo gjë dhe në çdo ngjarje, Ai është posaçërisht i madh e i lartë dhe kjo është e drejta e tij ekskluzive.
  • Halik (bërës, krijues): Allahu e krijon çdo gjë nga asgjëja, e bën të qenë çdo gjë nga e paqena. Bari (hyjni): Allahu krijon në mënyrë të rregullt dhe harmonike, i bën krijesat e veta të rregullta dhe harmonike.
  • Musavvir (projektues): Allahu i projekton në mënyrë të posaçme gjërat dhe qeniet që krijon. Gaffar (falës i fajeve): Allahu ua mbulon dhe ua fal mëkatet robve të vet, Allahu është falës i madh e i gjerë.
  • Kahhar (prishës, shkatërrues, persekutues i kundërshtuesve): Allahu është sundues absolut, i cili i drejton krijesat ashtu siç do dhe i dënon e i shkatërron kundërshtuesit.
  • Vehhab (falës, dhënës pa shpërblim): Allahu favorizon dhe jep me shumicë pa shpërblim. Rrezzak (furnizues, ushqyes): Allahu u siguron të gjitha krijesave racionin bazë jetësor si dhe i furnizon ato siç do vetë.
  • Fettah (ngadhnjyes): Allahu është ngadhnjyes; Ai ngadhnjen mbi të gjitha vështirësitë dhe hap dyert e mirësive.
  • Alim (dijetar): Allahu di gjithçka. Kabd (rrëmbyes i shpirtrave): Allahu i merr shpirtrat si domosdoshmëri e urtësisë dhe favorit të Tij.
  • Bast (zgjerues i të mirave): Allahu i zgjeron të mirat, i zgjat jetët. Hafid (poshtërues i mohuesve): Allahu përmbys kë të dojë, Allahu i ul dhe poshtëron të këqinjtë, faraonët, dhunuesit, mohuesit.
  • Rafi (lartësues): Allahu ngre lart, lartëson kë të dojë. Muiz (vlerësues, lartësues): Allahu e lartëson, i jep vlerë dhe e bën të çmuar kë të dojë. Mudhil (zhvlerësues): Allahu zhvlerëson dhe turpëron kë të dojë. Semi’ (dëgjues): Allahu dëgjon çdo gjë. Basir (shikues): Allahu sheh çdo gjë. Hakem (gjykues, ndarës i të mirës prej të keqes): Allahu gjykon; Ai e diferencon dhe e ndan të mirën nga e keqja.
  • Adl (i drejtë): Allahu është i drejtë. Latif (favorizues; detajues): Allahu bën mirë, favorizon dhe di çdo gjë me hollësi. Habir (i informuar): Allahu është i informuar për çdo gjë. Halim (sjelljebutë): Allahu është sjelljebutë, Ai nuk ngutet për të ndëshkuar. Adhim (madhështor): Allahu është i lartë e madhështor. Gafur (falës i gjerë): Allahu është mbulues dhe falës i gjerë i gabimeve dhe mëkateve.
  • Shekur (shumë falenderues): Allahu jep shpërblim të madh për pak akte të mira të robve të vet, Ai i shumëfishon mirësitë.
  • Ali (i lartë): Me fuqinë e Tij, Allahu është i lartë dhe epror ndaj krijesave. Kebir (i madh, madhështor): Allahu është i madh, Ai karakterizohet nga madhështia hyjnore e posaçme vetëm për Të.
  • Hafidh (roje, ruajtës): Asgjë s’mbetet e fshehtë për Allahun, Ai shënon çdo gjë që bëjnë robtë e vet, me fuqinë e Tij mban në ekzistencë qiejt dhe tokën, Ai i mbron njerëzit dhe kujdeset për ta.
  • Mukit (përgatitës furnizimi): Allahu ka mundësi për çdo gjë, kujdeset për këdo e çdo gjë dhe u jep ushqim të gjitha gjallesave që ka krijuar e krijon.
  • Hasib (llogarikërkues): Allahu llogarit dhe kërkon llogari. Xhelil (i lartë në cilësi): Allahu është aq i lartë dhe i përplotësuar, saqë asgjë nuk mund të qëndrojë dot para dhe përkundër Tij, saqë mund të shkatërrojë dhe asgjësojë çdo gjë.
  • Kerim (shumë bujar): Allahu është bujar dhe mirëbërës i madh. Rakib (vëzhgues, ndjekës): Allahu kontrollon dhe shënon të gjitha bëmat e njerëzve. Muxhib (pranues i lutjeve): Allahu i pranon lutjet dhe dëshirat dhe u përgjigjet atyre. Vasi (i gjerë në dije dhe mëshirë): Dituria dhe mëshira e Allahut mbështjell çdo gjë. Hakim (i urtë): Allahu është i urtë, Ai e bën çdo gjë me kuptim, urtësi dhe ashtu siç duhet.
  • Vedud (dashamirës): Allahu është dashamirës. Mexhid (i lartë në nder): Allahu është i famshëm dhe bujar i pakufishëm. Baith (ringjallës, dërgues): Allahu është ringjallës; Allahu është dërgues profetësh.
  • Shehid (dëshmues): Asgjë nuk mund të fshihet nga Allahu; Allahu është dëshmitar për çdo dhe nuk harron asgjë.
  • Hak (i vërtetë): Allahu i vetëqenë, prandaj është vetë e vërteta; Allahu nuk mund të mohohet. Vekil (dorëzanës): Allahu kujdeset për çdo gjë duke marrë përsipër çdo gjë; asgjë s’është e fshehtë prej Tij; drejtimi dhe ushqyerja e qenieve i përket Atij.
  • Kavi (i fuqishëm, i fortë): Ai është i vetmi zotërues fuqie dhe force te i cili në asnjë mënyrë nuk mund të shfaqet dobësi.
  • Metin (i fortë): Allahu është zotërues i fuqisë së përkryer dhe i pushtetit të plotë.
  • Veli (kujdestar): Allahu është mik dhe ndihmës i atyre që e besojnë, Ai merr përsipër punët e gjithësisë dhe krijesave.
  • Hamid (i denjë për lavdërim): Allahu është i denjë për çdo lavdërim dhe falenderim. Muhsi (numërues): Allahu numëron dhe ruan çdo gjë një për një.
  • Mubdi (bërës nga e paqena): Allahu i krijon krijesat pa model dhe nga hiçi. Muid (vdekjedhënës dhe ringjallës): Allahu i rikrijon qeniet pasi u jep vdekjen. Muhji (ngjallës, jetëdhënës): Allahu është jetëdhënës. Mumit (vdekjedhënës): Allahu është që jep vdekjen. Hajj (i gjallë): Allahu është i gjallë me një gjallëri që është e posaçme vetëm për Të dhe e përhershme.
  • Kajjum (që qëndron në këmbë dhe që e mban çdo gjë në këmbë): Allahu ekziston pafundësisht dhe e mban në këmbë çdo gjë.
  • Vaxhid (zbulues): Allahu zbulon dhe nxjerr në shesh çdo gjë që do dhe në atë çast që do.
  • Maxhid (i famshëm): Allahu ka famë të lartë. Vahid (një i vetëm): Allahu është një i vetëm dhe i pashoq. Samed (i vetëmjaftueshëm e i përplotësuar): Allahu është i vetëmjaftueshëm dhe i përplotësuar; ndërsa çdokush e çdo gjë ka nevojë për Të, Ai s’ka nevojë për askënd dhe asgjë.
  • Kadir (zotërues): Allahu zotëron dhe ka mundësi për çdo gjë; te Ai nuk mund të shfaqet dobësi në asnjë formë.
  • Muktedir (fuqiplotë): Allahu është fuqiplotë, për Të s’ka asgjë të pamundur dhe kundërvënia ndaj Tij është e pamundur.
  • Mukaddim (priorizues): Allahu i jep përparësi, prioritet çdo gjëje dhe çdokujt që dëshiron. Muahhir (prapësues): Allahu prapëson dhe lë pas çdo gjë. Evvel (i parë, i paraqenë): Allahu është i paraqenë, Ai ekziston në mënyrë të pafillimtë para gjithçkaje.
  • Ahir (i pasqenë): Allahu është i pasqenë, Ai s’ka fund; Allahu është mbetës edhe kur të mos ekzistojë më asgjë.
  • Dhahir ( i dallueshëm): Allahu qëndron dhe dallohet mbi çdo gjë, Ai është i dallueshëm me anë të akteve dhe provave të Tij.
  • Batn (i fshehur, i brendshëm): Allahu është i fshehur dhe i brendshëm, i pranishëm në çdo gjë në atë mënyrë që nuk mund të perceptohet dhe të përfytyrohet.
  • Vali (administrues): Allahu administron dhe zotëron tërë gjithësinë.
  • Muteali (i tejzakonshëm, transcendental): Në ndryshim dhe në mënyrë të dallueshme nga çdo gjë, Allahu është i tejzakonshëm, transcendental.
  • Berr (fjalë e punëkthjelltë): Allahu është i kthjelltë të fjalë e në aktet e Tij, i dhimbsen shumë robtë e Tij dhe u bën shumë të mira atyre.
  • Tevvab (pranues i pendesës): Allahu i pranon pendimet e robve të vet. Muntakim (shpagimtar): Me drejtësinë e Tij, Allahu u jep fajtorëve ndëshkimin e merituar.
  • Afuvv (falës): Allahu është falës ndërsa ka mundësi të ndëshkojë. Rauf (i dhembshur): Allahu është shumë i dhembshur.
  • Malikul Mulk (pronari i mallit): Allahu është pronari i vërtetë i ekzistencës, i cili vepron si të dojë në pronën e tij.
  • dhul Xhelali vel Ikram (I Madh dhe Dhurues): Allahu është zotëruesi i madhështisë dhe bujarisë. Muksit (synues): Allahu është synues, Ai i kryen të gjitha aktet me një synim të caktuar dhe në mënyrë të përkryer.
  • Xhami (përmbledhës, bashkues): Allahu është përmbledhës dhe bashkues i çdo gjëje që dëshiron në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
  • Gani (i pasur): Allahu është aq i pasur sa nuk ka nevojë për askënd dhe për asgjë. Mugni (pasurues): Allahu e bën të pasur kë të dojë. Mani (pengues): Allahu i bëhet pengesë kujt të dojë dhe ç’gjëje të dojë. Ai i mbron robtë e Tij të bindur nga të këqijat duke e penguar të keqen ndaj tyre.
  • Darr (dëmtues): Allahu krijon gjërat që shkaktojnë dhimbje dhe dëm dhe e provon me anë të këtyre atë që dëshiron.
  • Nafi (dobisjellës): Allahu krijon gjërat që sjellin të mira e dobi dhe bën që të përfitojë nga këto ai që dëshiron.
  • Nur (dritë): Allahu është ndriçues i botëve dhe zemrave. Hadi (orientues): Allahu është orientues dhe udhëzues në udhën e drejtë. Bedi (novator): Allahu është novator në krijim. Baki (i gjithëqenë, permanent): Allahu ka ekzistencë të përhershme. Varith (trashëgimtar): Allahu është trashëgimtari i vërtetë i çdo gjëje. Reshit (udhërrëfyes): Allahu e çon çdo gjë me urtësi dhe rregull në synimin e vet; Allahu është udhërrëfyes.
  • Sabur (durimtar): Allahu është durimtar, Ai nuk ndëshkon menjëherë, por jep kohë dhe duron. Emrat hyjnorë nuk janë vetëm këta që u përmendën këtu. Diskutimi në hadithin profetik i numrit 99 nuk tregon një kufi, nuk do të thotë se nuk ka emra hyjnorë veç këtyre. Këta janë emrat më të njohur. Allahu ka emra të panumërt.

Ne nuk i dimë të gjithë emrat hyjnorë. Në një lutje që na mëson profeti ynë, Hz. Muhamedi (s.a.v.) për ta bërë dikush kur shqetësohet si pasojë e fatkeqësive, thotë: “Allahu im, unë jam një robi yt, jam bir i një burri dhe një gruaje. Perçeja ime është në dorën e fuqisë tënde. Vendimi yt për mua është në fuqi, vlerësimi yt është i drejtë. Për nderim të çdo emri tënd që e ke përmendur në Librin tënd, që ia ke mësuar dikujt nga krijesat e tua ose që ia ke lënë vetes në dijen tënde të fshehtë (që s’ia ke njoftuar askujt), të lutem të ma bësh Kur’anin pranverën e zemrës sime, dritën e syve të mi,  lehtësuesin e anktheve dhe shqetësimeve të mia!” (A. Hanbel, Musned, 1/391; Hakim, Mustedrek, 1/690).

Kjo do të thotë se nuk janë vetëm emrat që i dinë njerëzit, që janë përmendur në libër, por janë edhe emrat që i janë njoftuar vetëm një robi të mirë, një xhindi ose një engjëlli, si dhe emrat që nuk i janë njoftuar askujt por janë caktuar si të posaçëm vetëm për dijen hyjnore.

Lutja me Emrat e Bukur të Allahut

Lutja është esenca e adhurimit. T’i lutesh Allahut nga zemra dhe me sinqeritet, t’ia hapësh zemrën Atij është çështja më jetësore që e bën njeriun njeri, që i përfton njeriut vlera përmbi vlera. Këtë të vërtetë, Kur’ani e ka shprehur kështu: “Po të mos bëni lutje, ç’vlerë do të keni? Thuaju: “Po të mos luteni, pse Allahu t’ju japë vlerë?” (Furkan, 25/77)

Është shumë e rëndësishme që, kur të bëhet lutje, të bëhet me emrat e Allahut. Allahu i Lartë kërkon që robtë t’i luten me anë të emrave të bukur të Tij. “Emrat më të bukur janë të Allahut. Lutiuni, pra, Atij, me emrat më të bukur!” (A’raf, 7/180)

Njeriu si njeri që është bërë i merituari i shumë emrave hyjnorë, që është ngarkuar me përgjegjësinë e kryerjes së shumë detyrave dhe që është vënë në provë me shumë armiq, si nefsi, shejtani, etj., duhet t’i bëjë lutje Allahut edhe për t’u mbrojtur nga e keqja e armiqve të vet, edhe për të arritur ato që do; ai duhet t’i lutet Allahut si ai lypësi që kërkon patjetër t’i shkëpusë diçka dikujt! dhe në lutjet dhe përgjërimet e tij duhet t’i përmendë emrat e Allahut.

Kur të keni mbetur ngushtë dhe kur të ndjeni nevojë, mund t’i bëni thirrje Zotit me ndonjë fjalë çfarëdo. Pavarësisht se ç’fjalë është ajo, me atë zë të brendshëm dhe me shprehjen e zemrës, ju, pa i rënë në të aspak, mund të shqiptoni njërin nga ata emra që janë lënë të fshehur ose një emër të pranueshëm si Emri i Madh. Për shembull, ju thoni: “Unë jam një shkaktar varfërie, kurse Ti je ai që i mban për dore të varfërit e të pafuqishmit!” Ne nuk njohim ndonjë emër hyjnor që t’i përgjigjet kësaj, por ky koncept mund të jetë njëri ndër emrat hyjnorë! Gjithashtu, ju mund të thoni: “Unë jam një nevojtar i mbetur ngushtë, kurse Ti je ai që ua plotëson nevojat atyre që mbeten në ngushticë!” Dhe këtë mund ta përdorni në vend të shprehjeve “Ja, Farixhe’lhemm, ja Kashife’lgamm” që përshkohen në Xhevshen. Po të jeni të sinqertë e ta keni me gjithë zemër, Zoti jua zgjidh gjuhën dhe ju bën që ta shqiptoni Emrin e Madh edhe pa i rënë në të ju aspak. Por nëse gjuha nuk ju është interprete e zemrës, edhe sikur ta thoni Emrin e Madh, keni lënë diçka mangët në këtë mes!

Ja, është si rrjedhojë e kësaj që miqtë e të vërtetës kanë thënë se vetëm në atë masë që lutjet dhe përgjërimet të bëhen me besnikëri (sinqeritet dhe përzemërsi), arrihet afrimi me Emrin e Madh, arrihet në kulmin e mëshirës dhe bëhet pranimi i tyre. Sigurisht, sinqeriteti, përzemërsia dhe besnikëria ndikojnë pothuaj si eliksir i Emrit të Madh. Atyre që e patën pyetur se cili është Emri i Madh, Bejazid Bistami u qe përgjigjur kështu: “Tregomëni ju emrin më të vogël ndër emrat e Allahut, t’ju them unë se cili është emri më i madh!” Dhe pati vazhduar: “Sipas meje, nëse ka një gjë që të bëjë efekt si Emri i Madh, pa dyshim, ajo gjë është besnikëria! Çfarëdo emri që të thuhet me besnikëri (sinqeritet dhe përzemërsi), ai bëhet Emri i Madh!39”

Po, njeriu duhet t’i drejtohet Zotit i sinqertë dhe Emrat Hyjnorë duhet t’i vlerësojë si shkallë me shumë rëndësi për t’iu afruar Atributeve të Larta, duhet të pranojë se njohja e Individualitetit Hyjnor  është e mundur vetëm nëpërmjet njohjes së Emrave Hyjnorë dhe duhet t’i ndjekë ata me tërë zemrën. Ai duhet t’i njohë dhe përmendë këta emra si një njeri i zemrës!

Allahu e di më së miri.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cilat janë Emrat e Allahut – Esma ul Husna?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA