Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Hallalli – Harami

Megjithëse po kryhen të gjitha amoralitetet, pse nuk shkatërrohen kombet kolektivisht?

Estimated reading: 6 minutes 174 views

Që në krye të herës, krahas ndëshkimit në jetën e pastajme të fiseve ose popujve të degjeneruar e të shthurur, si diçka absolute dhe e paracaktuar, kjo,shumë herë është zbatuar edhe ndëshkimi në këtë botë me qëllime edukimi. Me të vërtetë, ndëshkimi për fisin e Hz. Lutit është rrëqethës dhe mësimdhënës. Vendbanimet e quajtura Sodom dhe Gomorre ku ka qenë i dërguar me detyrën profetike Hz. Luti, janë rreth Detit të Vdekur. Ato vendbanime janë rrafshuar në një natë duke lëshuar vetëm një klithmë. Kur’ani që tregon gjer në hollësi për popullin e Hz. Lutit bashkë me mëkatet e turpshme dhe fundin e tyre të keq, na e përcjell me hollësi edhe popullin e Nuhut: “Dhe doli tufani…” Tokat e botës së asaj dite mbeten nën ujë, detet lëshojnë avuj, nga qiejt rrjedhin shira, nga nëntoka shpërthejnë ujra dhe gjithë ajo popullsi e degjeneruar shkatërrohet… Por shpëtojnë me ndërhyrjen e Zotit vetëm një grup i vogël që hipën në varkën e Nuhut, sipas disa haditheve të dobëta, rreth 60-70 vetë. Pastaj njerëzimi shtohet prej këtyre. Duke i lënë mënjanë arkeologët të merren me zbulimin e provave dhe kërkimet mbi vendin dhe mënyrën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje, ne le të merremi me atë që na përket neve.

Me të vërtetë, qoftë ata që nuk janë muslimanë,(1) qoftë edhe ata që janë muslimanë,(2) që të gjithë sot janë duke kryer shumë gjëra të mallkuara. Në Europë, Amerikë dhe vende të tjera që e kanë dëgjuar ftesën e Profetit tonë, Hz. Muhammedit (a.s.), po kryhen të tilla të këqia që, ç’është e vërteta, asnjëra prej tyre nuk janë kryer as në periudhën e Hz. Lutit, as në të Hz. Salihut e as në periudhën e Hz. Hudit.

Vetëm se e veçanta që përbën të qenit prej ummetit të tij pothuajse është bërë rrufepritës për njerëzimin. Me këtë rast do të ishte me vend të përmendnim sinjalizimin e një ajeti kur’anor që e mbështet këtë specifikë si dhe një sihariqin e Profetit tonë.

Në një ajet të kaptinës Enfal thuhet:

“Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata deri sa ti të jesh mes tyre dhe Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata derisa (mes tyre ka që) kërkojnë falje.” (Kur’ani, Enfal: 33).

Madje këtu, për të krahasuar madhështinë e pakrahasuar të të Dërguarit të Madh (a.s.), e shohim me vend të bëjmë të ditur këtë specifikë. Kur’ani na përcjell se Hz. Mesihu ka thënë kështu:

“…Në se i ndëshkon ata, ata janë robtë e Tu e, në se i fal, pa dyshim që Ti je i Gjithfuqishmi e i Urti!” (Kur’ani, Maide: 118).

Po, kështu thotë Hz. Mesihu duke e parashtruar para Zotit situatën e bashkësisë së dalë prej rruge. Kurse shprehja e Kur’anit për Profetin tonë është, siç e pamë në kaptinën Enfal, kështu:“Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata deri sa ti të jesh mes tyre dhe Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata derisa (mes tyre ka që) kërkojnë falje.”

Nga ajeti kuptohet se ummeti i Muhammedit ka dy rrufepritës të rëndësishëm dhe dy bariera të rëndësishme. Të këqiat me këta rrufepritës do të bëhen të padëmshme dhe ndëshkimet nuk do t’i kapërcejnë dot këto barriera. E para: personaliteti moralo-shpirtëror i Muhammedit (a.s.) që ndodhet mes nesh – Zoti e vazhdoftë gjer në kiamet! – dhe e dyta: ekzistenca, mes ummetit të Muhammedit, e një grushti njerëzish të shërbimit e të pendesës të cilët i dalin për zot të drejtës e të vërtetës e që i drejtohen vazhdimisht Allahut. Prandaj edhe presim që Allahu me mëshirën e Tij ne, e, veçanërisht, kolektivisht të mos na ndëshkojë!

Sa për hadithin, porosinë profetike, në atë trajtë që e kemi parë në librat e hadithit të vërtetë, Profeti ynë (a.s.) i është lutur shumë Zotit për të mos e shkatërruar ummetin e tij. Më e rëndësishmja e kësaj lutjeje është bërë në Haxhin e Lamtumirës të Profetit në Arafat dhe Myzdelife. Në ato dy vende të bekuara ai u lut për shumë gjëra në atë dimension që iu frymëzua prej Allahut. Madje ai u lut e u përgjërua edhe për faljen e të drejtave të robit. Por nuk di ç’të them në se kjo gjë u pranua, apo jo.

Po, shumë lutje e përgjërime pat bërë ai që ummeti i Muhammedit të mos shkatërrohet. Këtë ai ua tregonte kështu shokëve të tij: “Unë i kërkova Zotit që të mos e shkatërronte ummetin tim. Im Zot ma pranoi këtë lutje. Dhe tha: “Shkatërrimi i tyre do të ndodhë mes tyre. Kur të bëjnë gjynahe, unë do t’i hedh kundër njëri-tjetrit”. Unë i kërkova që edhe këtë ta anulonte, por Zoti nuk e anuloi”.

Po, zgjidhja e çështjeve me vullnetin e njerëzve nuk ishte anuluar. Kur fiset dhe popujt e tjerë të bëjnë mëkate, do të shkatërrohen prej fatkeqësive tokësore e qiellore, kurse ummeti i Muhammedit do të hidhen kundër njëri-tjetrit, marrëveshjet mes tyre do të prishen dhe ata do të tronditen nga kontradiktat. Ja, pra, për këtë e luti shumë Zotin i Dërguari i Madh, por Zoti – urtësinë e tij Ai vetë e di – nuk ia pranoi.

Do të parashtroj edhe këtë veçanti si një paralajmërim kur’anor e si pohim të njerëzve të urtë. Në se diku, sado pak, ekziston një shërbim i sinqertë për fenë e për Kur’anin dhe atje nuk ka rrezik që njerëzit e të drejtës të munden, bashkësia që e kryen këtë punë, si të ishte një rrufepritëse, do të bëhet pretekst për largimin e të këqiave. Po, edhe sikur vetëm dhjetë burra të jenë që t’i shërbejnë fesë në këtë mënyrë, si një rrufepritës do të largojnë që aty të këqiat. Por në se njerëzit e së drejtës janë të mundur, Allahu i Lartë do t ‘i trondisë edhe ata.

Të drejtën e kësaj pune Allahu e di!


[1] Në origjinal: Ummet-i davet.
[2] Në origjinal: Ummet-i ixhabet.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Megjithëse po kryhen të gjitha amoralitetet, pse nuk shkatërrohen kombet kolektivisht?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA