Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Si mund të mbajmë veten përmes orientimit të tjerëve?

Estimated reading: 52 minutes 216 views

Në lidhje me këtë temë, do të jepet vetëm një përmbledhje pa ndjekur ndonjë radhitje të caktuar.

1) Allahu urdhëron orientimin dhe kumtimin. Para së gjithash, Zoti ynë që na ka krijuar nga hiçi dhe na ka pajisur me dhunti të pakufishme, na urdhëron ta vazhdojmë dhe mbajmë gjallë detyrën e orientimit dhe kumtimit.

“Le të jetë prej jush një grup që fton për te e drejta, që këshillon për mirë dhe pengon të keqen!” (Al-i Imran, 3:104)

“Ju jeni bashkësia më e dobishme e formuar ndonjëherë për njerëzit, sepse ju këshilloni për mirë, pengoni të keqen dhe i besoni Allahut!” (Al-i Imran, 3:110)

“Ju bëmë ju një bashkësi të zgjedhur dhe të nderuar që të bëheni shembull drejtësie dhe dëshmitarë të Zotit për të gjithë njerëzit!” (Bakara, 2:143)

“O ju që keni besuar! A t’ju tregoj një tregti që do t’ju shpëtojë nga ndëshkimi zemërpërvëlues? Besojuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me mallrat dhe jetën tuaj! Sikur ta dinit, kjo është më e dobishme për ju!” (Saff, 6:10-11)

“O ju që keni besuar! Po të kthehet ndonjëri prej jush nga feja, Allahu sjell në vend tuaj një bashkësi të tillë që edhe Allahu i do ata, edhe ata e duan Allahun. Ata janë të thjeshtë me besimtarët, por të ashpër ndaj mohuesve. Ata luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk druhen t’u përgjigjen atyre që i dënojnë!” (Maide, 5:54)

2) Nuk ka detyrë më të madhe se shërbimi ndaj fesë. Nuk ka mbi tokë detyrë më të madhe se orientimi, kumtimi, lufta në rrugën e fesë dhe shërbimi ndaj fesë. Po të kishte, Allahu do t’ua ngarkonte profetëve që i pati zgjedhur dhe dërguar si përfaqësues të Tij në tokë. Me kuptimet dhe veçoritë e tij si dielli që lind dhe e ndriçon njerëzimin, si mjet për ta bërë të njohur Allahun dhe për t’i pastruar njerëzit e për t’i kthyer në origjinë, orientimi në rrugën e drejtë është rangu më i lartë për profetët, profesioni dhe detyra më e shquar para Allahut dhe çdo njeri që i ka dalë dhe i del për zot kësaj detyre qysh nga profeti Adem duke iu përgjigjur kësaj ftese, në këtë pikë konsiderohet sikur është bashkuar me profetët dhe është ulur në një sofër me ta. Çdo punë u caktohet për ta kryer njerëzve që janë të pajisur me aftësitë përkatëse dhe që i përgjigjen rëndësisë dhe dimensioneve të saj. Ja, pra, pikërisht pse s’ka detyrë më të madhe se ajo, lartësimi i Fjalës së Allahut është përfaqësuar përparësisht me profetët.

3) Orientimi dhe kumtimi janë tregues të Islamit. Ashtu siç njihet oficeri nga yjet dhe shenjat e tjera të spaletave, këshillimi për të mirë dhe pengimi i të keqes është, si ezani, xhemaati (bashkësia), haxhi dhe shenjat e tjera të ngjashme islame, një nga shenjat dhe treguesit islamë më të rëndësishëm që nxjerr sheshit gradën e muslimanëve. Këto lloj detyrash që përmbajnë brenda tyre të drejtën juridike publike, janë, në mos nga këndvështrimi i përgjegjësisë, nga ai i fitimit të mirësive, më me vlerë se farzet (detyrimet fetare) personale.

4) Ata që e kanë braktisur këtë detyrë, janë poshtëruar dhe shkatërruar. Allahu i ka poshtëruar dhe shkatërruar popujt dhe kombet që e kanë braktisur këtë detyrë dhe janë zhytur në dëfrim dhe perversitet. Ky është një ligj hyjnor. (Hud, 25:102) Ja Bizanti dhe Pompeu dhe ja Greqia dhe Andaluzia! Sipas një porosie të tij që përmbahet te Muslimi, Profeti thotë: “Po qe se një njeri vdes pa treguar në jetën e tij asnjë përpjekje për besimin dhe fenë dhe pa luftuar për to, është sikur vdes nën një dyshim për hipokrizi (besimore)!” Ata që e braktisin këtë detyrë profetike me frikën nga ndonjë dëm material, moral ose temporal, konsiderohen sikur, duke ikur nga kafshimi i mizës, kanë rënë në gojë të gjarpërit.

5) Orientimi dhe kumtimi janë të një niveli më të lartë se farzet, detyrimet fetare. Sadoqë është konsideruar si ndihmëse, kjo detyrë, me cilësinë e një detyrimi fetar mbi të gjitha detyrimet që e ka fituar në ditët tona, i takon çdo besimtari. Po qe se kjo detyrë s’kryhet, me shumë gjëra të tjera të pakryera, edhe detyrimet fetare braktisen. Edhe në periudhën kur kjo detyrë e bekuar ishte detyrim i mjaftueshëm[1], madje, ishte një detyrim i mjaftueshëm i tillë që çdo njeri vraponte për ta kryer sikur të donte të bënte garë me të tjerët!

6) Shërbimi ndaj fesë nuk mund të jetë monopol i personave apo grupeve të caktuara. Kjo detyrë nuk mund t’i lihet monopolit të personave apo grupeve të caktuara. Po qe se një besimtar përpiqet ta hedhë prej supesh këtë detyrë duke menduar se ka të tjerë që e bëjnë, mbi të lind dyshimi se mos e ka nxjerrë prej zemre besimin dhe Kur’anin.

7) Qëllimi final është fitimi i pëlqimit të Allahut. Synimi dhe qëllimi ynë më i parë s’është asgjë tjetër, por vetëm e vetëm të flasim për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, t’i bëjmë ata të dashur për njerëzit dhe, në sjelljet dhe veprimet tona, të kërkojmë pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut! Kësaj mund t’i themi edhe principialitet dhe sinqeritet. Orientimi dhe kumtimi të kryer pa synuar pëlqimin e Allahut, ja›në si një kufomë pa shpirt. Fundja, as që mund të bëhemi të ndikueshëm pa patur thellësi shpirtërore, vetëkontroll dhe marrëdhënie të fuqishme me Zotin tonë. Ne duhet të mendojmë kështu: “Po qe se unë nuk i bëj dot të njohur e të dashur Zotin tim dhe Profetin e Tij sipas pëlqimit të Tij, për mua, më mirë nën dhé se sa mbi dhé!”

8) Kushti themelor në këtë detyrë është vuajtja. Sigurisht, po qe se nuk vuajmë si Profeti ynë dhe shokët e tij, po qe se në emër të kësaj detyre nuk pranojmë shqetësime të paktën aq sa pranojmë në emër të një pune, të një profesioni, të një tregtie apo të një pozite e posti, po qe se nuk pranojmë të përballojmë shqetësime dhe nuk vuajmë, nuk kalojmë agjitime me mendimin se si, kujt dhe në ç’vend mund të flas për Zotin tim, si dhe nuk bëhemi të pasionuarit e kësaj detyre aq sa ta ngatërrojmë edhe rrugën e shtëpisë sonë, është e pamundur të bëhemi bindës e ndikues tek të tjerët!

9) Një parim tjetër i kësaj detyre është uniteti i fjalës dhe veprimit. Gjërat që themi, do t’i jetojmë, gjërat që jetojmë, do t’i themi. Para së gjithash, është kusht që të përpiqemi që urdhrat e Zotit t’i përfaqësojmë në nivelin më të lartë në veten tonë. Pa tjetër, Kur’ani duhet të ndriçojë plot shkëlqim në jetën tonë dhe, gjërat që do të themi, duhet t’u bëhen interpretë atyre giërave që jetojmë. Duhet të jemi dritëshpërndarës që t’i ndriçojmë edhe të tjerët. Jo vetëm të bëjmë shkencë, të skedojmë ose të shkruajmë libra duke cituar dhe huazuar nga librat. Të bëjmë shkencë e të shkruajmë libra duke i përcjellë gjërat që shkruajmë në sjelljet dhe veprimet tona, duke i jetuar ato! Në vend që të tregojmë për jetën dhe veprat legjendare të të tjerëve, të bëhemi vetë temë e bëmave legjendare për botërat tejqiellore. Përndryshe, ashtu siç u vërejt në Miraxh, buzët na grihen me gërshërë prej zjarri, trupat na rrokullisen në xhehennem si trungje drush dhe bëhemi për faqe të zezë para turmave!

10) Ideali më i lartë është përçimi në zemra i emrave të Allahut dhe Profetit. Ideali më i madh i kryerjes së kësaj detyre është që, nga toka në qiell, të mos lëmë zemër ku të mos arrijnë emrat e bekuar të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Ashtu siç thuhet edhe në ajetin, “Ju bëmë ju një bashkësi të zgjedhur dhe të nderuar që të bëheni shembull drejtësie dhe dëshmitarë të Zotit për të gjithë njerëzit!” (Bakara, 2:143), këta njerëz të shenjtë që përbëjnë bashkësinë e mendimit, që janë sunduesit, gjykatësit e tokës dhe elementë ekuilibri për të, që janë instanca e fundit në çështjet ndërkombëtare, mbrojtësit e të dobtëve dhe viktimave, si dhe ata që kanë marrë mbi vete përgjegjësinë për ta ndryshuar fatin e prapë të botës islame, kanë për ta ringjallur botën së dyti, kanë për t’i mbështetur shkallët në qiell dhe kanë për ta bërë të njohur emrin e lartë të Allahut në yjësitë dhe galaktikat qiellore!

11) Kjo luftë shumëdimensionale duhet kryer në përputhje me kushtet përkatëse të rrethanave. Emri i detyrës sonë është xhihad. Ky është një koncept shumëdimensional. Si njëra prej hallkave të zinxhirit të përpjekjeve që do të vazhdojnë gjer në vdekje, shpata nuk përdoret pa i ardhur koha dhe vendi. Kur të jetë koha dhe vendi i shpatës, damarët e dorës që ka për ta përdorur atë, ushqehen nga zemra. Kur të jetë koha dhe vendi i logjikës, lufta bëhet me anë të saj dhe, kur të jetë koha dhe vendi i ndjenjës, bëhet me anë të ndjenjës. Si logjika, ashtu dhe ndjenja nuk janë më pak të mprehta dhe të efektshme se shpata, përkundrazi.

Sipas shprehjes së hadithit, porosisë profetike, xhihadi është dy llojesh: “i madh” dhe “i vogël”. Njëri prej këtyre është material dhe i drejtuar jashtë, kurse tjetri, moralo-shpirtëror dhe i drejtuar brenda. Njëri është syri që qan për shkak të vetëllogarisë, tjetri, syri që vëzhgon dhe kontrollon armikun jashtë. Njëri xhihad bëhet brenda vetes, tjetri, brenda shoqërisë. Njëri synon brenda vetes, fitoren e arritjes në origjinë, tjetri synon jashtë triumfin e zemrave dhe, po të duhet, triumfin e kalave dhe kështjellave. Në fakt, tek të dy llojet e xhihadit përmbahet procesi i brendshëm moralo-shpirtëror i pastrimit, purifikimit dhe kthimit në origjinë, sepse esenciale është bota e brendshme. Ashtu si valët e ujit që përhapen nga qendra në periferi, edhe në çështjen e xhihadit, çdo gjë fillon nga zemra dhe përhapet në të gjithë qenien. kjo do të thotë se lufta e jashtme është nevojtare për mbështetjen e luftës së brendshme e cila është një burim i begatë për të dhe të dy llojet e xhihadit janë si dy flatra. Po të ndodhë ndonjë prishje në njërin flatër, edhe tjetra s’vlen gjë dhe njeriu i cili, për pasojë të dëmtimit të njërës flatër, s’qëndron dot gjatë në qiejt e njerëzores, bie poshtë!..

Sot, kur thuhet xhihad, kuptohet goditje dhe shkatërrim dhe përhapje frike në të katër anët. Jeta ndjesore dhe shpirtërore, thellësia e brendshme dhe marrëdhënia me Allahun kurrsesi s’mendohen. Po qe se s’është krijuar vetëdija e duhur, po qe se bota e brendshme s’është ndriçuar dhe po qe se nuk është nxitur dot pasioni për adhurim dhe bindje dhe ndjenja e neverisë ndaj mëkateve, po qe se kur namazet pakësohen dhe fillohet hyrja në mëkate, shtohet oreksi për të ngrënë e për të pirë, pra, po qe se zbritja drejt botës së brendshme, maturimi dhe formimi moralo-shpirtëror janë nënvleftësuar dhe lënë mënjanë, si dhe, ndërkaq, po qe se të gjitha përpjekjet janë përqëndruar dhe izoluar në dialektikë, debat, polemikë, kritikë, hedhje poshtë e tjetrit për të triumfuar mbi të, do të thotë se njëra anë e trupit është paralizuar, kurse ne jemi gënjyer! Nga ana tjetër, po qe se, duke u parapëlqyer vetëm edukimi i vetes, kënaqësia e zemrës, zikri dhe tesbihtë, nuk bëhet asnjë përpjekje për t’i orientuar dhe maturuar zemrat dhe po qe se, duke i parë çështjet me një këndvështrim mistik, ndodh largimi nga shoqëria dhe institucionet shoqërore braktisen në fatin e tyre, do të thotë se është paralizuar ana tjetër e trupit. Ashtu si në të gjitha fushat e tjera, edhe këtu, ekuilibrin duhet ta mësojmë nga mjeshtri i saj, Profeti, dhe, me këtë qëllim, duhet t’i studiojmë dhe kuptojmë shumë mirë periudhat e Mekës dhe Medines.

Xhihadi është shumë i gjerë dhe i shumëllojshëm. Xhihadi mund të bëhet në një kuadër shumë të gjerë dhe me mënyra e metoda të ndryshme, nga marrja e dikujt në makinë për ta sjellë në bisedë me qëllim për ta afruar ndaj besimit dhe adhurimit, te mbështetja për ata që e bëjnë xhihadin me anë të pasurisë; nga blerja e armëve për ushtarët, gjer te dhënia e bursës për nxënësit; nga hapja e kurseve për përgatitje universitare, gjer te hapja e shkollave. Shkurt, për çdo situatë dhe kërkesat e saj ka një formë të veçantë xhihadi: me shkrim, me gojë, me makinë, me mjete materiale, me qëndrim, etj.

12) Çështja më e rëndësishme e kohës sonë është shpëtimi i besimit. Çështja më me rëndësi në kohën tonë është shpëtimi i besimit, sigurimi i paqes së zemrës, ushqimi i ndërgjegjes së përgjithshme me besim, ngopja dhe kënaqja e zemrave dhe shpëtimi i brezave nga zjarri. Sapo zemrat të paqëtohen, në duart e zemrave të paqëtuara shumë institucione rregullohen dhe bëhen burim i besimit, sigurisë dhe kënaqësisë. Në një periudhë kur bazat e fesë nënvleftësohen e lihen mënjanë, për rrjedhojë, edhe zemrat janë të uritura, më parë duhet qëndruar mbi këtë çështje jetësore. Ashtu siç njeriut të uritur i jepen, në fillim jo bakllava, por lëndë ushqimore bazë si uji dhe buka për të cilat ka më shumë nevojë, ashtu dhe zemrave të uritura, para së gjithash u duhen shtënë ato gjëra që i fuqizojnë shpirtrat dhe i ngrënë peshë zemrat, besimi te Allahu, Profeti dhe ringjallja, dashuria për Allahun dhe Profetin. Në fakt, njeriu i privuar nga këto i ka të errëta si botën tjetër, ashtu edhe këtë botë. Prehja dhe kënaqësia vijnë nga besimi, prandaj, nëse mendojmë t’u çojmë njerëzve dhe sidomos të rinjve prehje dhe siguri, zemrat e tyre duhet t’i pajisim me besim dhe t’i frymëzojmë me dashuri hyjnore[2] dhe kënaqësi shpirtërore[3].

13) Dija dhe shkenca janë mjeti i orientimit, kumtimit dhe luftës në kushtet e kohës sonë. Eshtë esenciale që shkencat e natyrës që po bëhen shekuj që po përdoren në duart e mohuesve si një armë për mohimin e Allahut, të ndërthuren me shkencat fetare e të parashtrohen brenda nivelit të logjikës, kulturës dhe mendimit të kohës.

Në kohën e tij, imami i madh Gazali zhvilloi atë luftë që kërkonte ajo kohë, ajo periudhë. Ai shkroi vepra që nxirrnin në shesh anët e çala të filozofisë, kundër platonizmit, aristotelizmit dhe sokratizmit që e kishin mbështjellë Islamin, e tronditi nga themelet mendimin grek dhe më pas, me veprën Ihja-u Ulumid-din (Rilindja e Shkencave Fetare), u fryu zemrave besimtare frymë muhammediane.

Kur imam Rabbaniu doli në Indi, u ndodh ballëpërballë me një sërë rrymash si ajo e unifikimit të të gjitha feve, të shfaqura nën ndikimin e filozofisë indiane dhe, ndërsa luftonte, nga njëra anë, me këto rryma të shtrembra, nga ana tjetër hidhte dorë mbi Alemgirin, të birin e Ali Ekber Shahut, përfaqësuesin e një pjese të këtyre rrymave, duke u bërë për vite e vite të tëra zëri dhe frymëmarrja e muslimanëve në atdheun e Budave dhe Brahmanëve.

Kur shohim periudhën e tabiinëve, vëmë re një lëvizje adhurimi dhe devocioni të thellë. Kjo është periudha e kokave të mëdha si Ebu Hanife, Esved, Alkame, Sufjan Sevri, Ibrahim Et’hem dhe Bishr Hafi. Pastaj vjen periudha e tarikateve (sekteve) që bëjnë punën e tyre duke ndezur për zemrat pishtarë të pavdekësisë dhe duke tharmuar në masat idenë e përjetësisë. Kurse në periudhën apo kohën tonë, panorama është seriozisht e frikshme. Lidhjet analitike në besim janë zgjidhur dhe zbërthyer, shkencat që kanë marrë zhvillim, janë kthyer në rrugë që çojnë në mohim, fizika, kimia, mjekësia, biologjia, etj., janë bërë pretekste për mohim dhe libri i gjithësisë, i shkruar nga Allahu me fuqinë dhe vullnetin e Tij, është përpjekur të tregohet në kundërshtim me legjislacionin e ardhur nga Fjala e Tij dhe të gjitha të vërtetat janë paraqitur përmbys. Natyrisht, edhe lufta e zhvilluar në këtë periudhë duhet të karakterizohej si korrektuese e gabimeve të ditëve tona dhe shërim për lëngatat e sotme. Dhe kështu ndodhi.

Pra, koha jonë nuk është as koha e Fatihut dhe e Javuzit, as koha e shpatës dhe topit, as dhe vetëm e entuziazmimit të zemrave me frymëzim dhe pasion. Koha jonë është koha e frymëzimit krahas shkencave të natyrës dhe, krahas këtyre, e mendimit dhe kulturës. Vetëm si engjëjt me katër-pesë dimensione do të mundet njeriu i sotëm ta kapë kohën në raport me sa do ta përfaqësojë tërësinë e kulturës së kohës, do të mundet të lajë llogaritë me kohën, do ta bëjë kohën t’ia dëgjojë fjalën, për rrjedhojë, nuk do të eliminohet dhe lihet mënjanë nga koha. Pra, do t’i japë rëndësi frymëzimit sa dhe mendimit, përvojës sa dhe frymëzimit, pasionit dhe entuziazmit sa dhe përvojës, sistematikës sa dhe pasionit dhe entuziazmit dhe do të dijë që, brenda kuadrit të shkaqeve, përsa u përket marrëdhënieve me Shkakun e shkaqeve, të mbetet i mbyllur ndaj të gjitha stonimeve dhe fjaskove. Dhe njeriu ynë, me favorin e Allahut, do ta arrijë këtë. Në këto kushte, pse të mos bëhet çdo shtëpi një shkollë? Po, edhe të lexojmë, edhe të dëgjojmë duke krijuar një vetëdije të përgjithshme.

14) Duhet të shpëtojmë patjetër nga faqja e zezë e quajtur injorancë. Siç e kemi prekur shpesh, Kur’ani që filloi të zbritej me urdhrin “lexo”, kërkon prej nesh ta lexojmë librin e gjithësisë dhe veçanërisht njeriun si një libër dhe ta njohim Hz. Muhammedin (s.a.s.) që na udhëzon ne se si duhet t’i lexojmë këta libra. Ky është qëllimi final i krijimit të njeriut. Do të shohë, do të vëzhgojë, do të mendojë, do t’i ngarkojë trurit çdo ditë gjëra të reja dhe do të udhëtojë gjithmonë në klima të ndryshme sepse ky është horizonti që duhet arritur. Dhe rruga e arritjes në këtë horizont kalon nëpër rrugën ku ndërthuren shkencat fetare me shkencat e natyrës. Nisur nga kjo, çdo besimtar duhet t’i lexojë dhe studiojë edhe shkencat fetare, edhe shkencat e natyrës dhe duhet të pajiset patjetër me shkencë e kulturë fetare e të përgjithshme. Në vendin e punës, në shtëpi, në dyqan, në ngrënie, në stacion duke pritur mjetin e komunikacionit, në makinë dhe në rrugë, duhet patjetër të lexojmë, të mendojmë duke mos lënë të na shkojë kot edhe pjesa më e vogël e kohës. Sepse njeriu i zbrazët nuk ka se ç’t’u japë të tjerëve! Po qe se s’njohim të paktën filozofinë, themelet logjike dhe ideore dhe, si enciklopedi, tezat e shkencave të tilla si fizika, kimia, astronomia, mjekësia dhe botanika, po kështu, po qe se s’kemi njohuri të paktën po kaq nga shkencat fetare, atëherë, jo vetëm që s’do të kemi mundësi t’u tregojmë diçka të tjerëve e t’i bindim, por do të jemi të paracaktuar për të na marrë me vete erërat e perversitetit. Atëherë le të përpiqemi së bashku për të shpëtuar nga faqja e zezë e quajtur “injorancë”! Ndërkaq, këtu duhet bërë e qartë edhe kjo pikë: Dituri do të thotë që, para së gjithash, njeriu ta njohë veten dhe Zotin e vet. Sigurisht, zemra duhet të jetë gjithmonë para kokës dhe jeta praktike, para llafeve! Ndryshe, dituria e vëllimeve mbetet vetëm një barrë!

15) Duhen lexuar librat që janë shpëtim për lëngatat e ditëve tona. Kur themi dituri, para na del problemi i leximit dhe, kur themi lexim, para na del problemi se si duhet të lexojmë. Para së gjithash, ka tema, leximi i të cilave është jetësor. Aq sa ç’do të ishte absurde që një të sëmuri zemre ose me kancer t’i bëhej mjekim duke ia futur krahun në allçi, ose të sëmurit me hemorragji t’i injektohej penicilinë për t’ia ndaluar hemorragjinë, ose kapiteni i anijes që po mbytet, t’u jepte marinarëve bojë e furça e t’u thoshte të lyenin direkët e anijes, aq pa kuptim do të ishte që të shihej gjendja e stomakut dhe e zorrëve e dikujt që po humb gjak në jetën ndjesore e shpirtërore. Po qe se në një shoqëri nuk njihen Allahu dhe i Dërguari i Tij, Kur’ani dhe Islami, po qe se në jetën ideore të asaj shoqërie sundojnë dyshimet e lëkundjet dhe ne i këshillojmë asaj libra që përmbajnë doktrina dhe parime shoqërore, ekonomike e politike, kjo gjë nuk do të kishte asnjë vlerë dhe nuk do të zgjidhte dot asnjë prej problemeve në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. Të dalësh para njerëzve që bartin në kokë shumë lëkundje mbi shkencën dhe mendimin, duke lexuar vepra filozofike e të ngjashme me to, ose vetëm me të dhënat e gazetave të përditshme, ose me komentet e çështjeve aktuale, ose dhe me tregimet legjendare mbi të vjetrit, është sikur t’i përgjigjesh pushkës automatike me pushkë me mbushje nga gryka! Prandaj, duhen lexuar me përparësi libra që të jenë shërim për lëngatat e ditëve tona, për sëmundjet e zemrës dhe ndërgjegjes së brezit tonë dhe për dëmtimet ideore.

16) Ne jemi të detyruar t’i njohim çështjet tona si bukën me djathë dhe të përgatitemi për t’i parashtruar ato me lehtësi. Duke i kuptuar dhe përvetësuar fort mirë çështjet tona me anë të rrugës së shkencës, ne duhet t’u japim bashkëbiseduesve tanë gjëra të gatshme për t’u tretur, por ama si qumështi që i jep delja qengjit e jo si të vjellat e zogjve me të cilat ata i ushqejnë të vegjlit e tyre!

Në ditët tona, rruga më efektive e ndikimit te njerëzit që lexojnë, dinë dhe mendojnë, është bindja. Krahas dërgimit te zemra e këtyre njerëzve e tufave të rrezeve të principialitetit, dhembshurisë dhe dashurisë, ne duhet të bëhemi miq të ftuar të shpirtrave të tyre duke ua ngopur në kuptimin pozitiv me anë të bindjes mendjen, mendimin dhe logjikën.

Të gjitha çështjet tona, para gjyqit të arsyes dhe logjikës, gjithmonë “kanë fituar pafajësinë”. Ndoshta do të ishte gabim të përdornim për të gjitha çështjet cilësimin “të arsyeshme” (racionale)[4], megjithëkëtë, të gjitha ato janë të arsyeshme, të logjikshme dhe të mbështetura nga vahji, revelacioni apo zbulesa hyjnore. Meqë s’janë kapur pas pengesave si konkluzioni apriori, kushtëzimi, mendjemadhësia dhe krenaria duke ngecur në to, janë rubineta që e ushqejnë mendimin dhe u japin zhvillim aftësive për të arritur në sinteza ideore. Prandaj, e kanë hak jo thjesht “pafajësinë”, por medaljen!

17) Ata që i shërbejnë fesë, duhet t’i njohin kushtet e kohës dhe s’duhet t’ia kthejnë shpinën shoqërisë. Ata që e kryejnë këtë detyrë, duhet t’i njohin kushtet e kohës dhe ta kenë kuptuar absolutisht edhe gjendjen e botës aktuale. Ata s’duhet të mbeten pas shoqërisë mes së cilës jetojnë, s’duhet të kapen pas aktualitetit të shtresës së rrugës së shtrembër dhe s’duhet t’i nënvleftësojnë dhe lënë mënjanë parimet dhe detyrën e tyre të përhershme duke mbetur nën ndikimin e ndodhive ditore e të paqëndrueshme që vijnë e kalojnë si era.

18) Orientimi dhe kumtimi, lufta dhe përpjekjet mund të bëhen të qëlluara e me ndikim vetëm duke e njohur strategjinë e ndjekur nga Profeti. Për ta njohur strategjinë e ndjekur nga Profeti, duhen rrokur dhe kuptuar me të gjitha aspektet periudhat e Mekës dhe Medines. Jeta e nderuar e Profetit bashkë me sahabet, shokët e tij, përfaqëson në mikroplan të gjitha ngjarjet që do të zhvillohen gjer në kiamet. Në periudhën 13-vjeçare të Mekës, të gjitha përpjekjet e veta Profeti i shpenzoi për t’ua shpëtuar besimin njerëzve, për t’ua treguar rrugën që shkon në xhennet dhe për t’ua përgatitur zemrat. Në këtë periudhë kur u hodhën themelet e shëndosha të besimit, kur “u meremetuan” koka dhe zemra, ende nuk kishte një xhemaat (bashkësi, komunitet) të formuar në kuptimin e plotë të fjalës, zeqati, agjërimi dhe haxhi në periudhën e Mekës akoma nuk qenë bërë farz (detyrim), për më tepër, namazi si një parim i rëndësishëm i diferencimit mes besimit dhe mohimit, si shtyllë e fesë dhe miraxhi i besimtarëve, qe bërë farz (detyrim) në vitin e tetë të dërgesës profetike të Muhammedit, pra, pasi kishte kaluar një e treta e periudhës profetike të tij. Muslimanët e parë mblidheshin në grupe 5-6 vetësh në shtëpinë e Erkamit[5] dhe në çdo veprim silleshin jashtëzakonisht të matur. Në atë kohë kur njerëz si Ebu Dheri që bërtiste “La ilahe il’lallah” në mes të politeistëve, rriheshin, Profeti i këshillonte vazhdimisht shokët që të prisnin me durim. Kurse në periudhën e Medines shohim se dalin në rend të ditës çështje të ekonomisë dhe sociologjisë, drejtësisë juridike dhe luftës dhe se nisin përpjekjet për ngritjen e një shteti-qytet. Ky ligj i pandryshueshëm për të gjithë profetët, edhe në periudhat e ardhme nuk do të ndryshojë.

19) Neve na takon të kumtojmë me principialitet dhe sinqeritet gjer në frymën e fundit, kurse realizimi i orientimit dhe rezultati varen nga Allahu. Detyra që na bie ne është vetëm kumtimi (Maide, 5:59). Ne kujtojmë, këshillojmë, por nuk detyrojmë (Gashije, 88:21), as njeriun tonë të dashur, madje, nuk mund ta orientojmë (ta fusim në rrugë të drejtë) sado me zemër ta dëshirojmë këtë gjë (Kasas, 28:52) dhe mund të bëhemi pretekst për orientim për ta e për të tjerët vetëm me favorin e Allahut (Shura, 42:52). Më në fund, meqë do të ishte mungesë edukate ndaj Zotit, rezultatet nuk ua dedikojmë punëve dhe shërbimeve tona.

Kanë ardhur e kaluar profetë të tillë që, megjithëse e kanë harxhuar tërë jetën për të treguar për Zotin dhe për ta kumtuar të vërtetën, kanë arritur të kenë vetëm nja dy ndjekës. Po si kjo, edhe nëse ne flasim një jetë të tërë pa gjetur miratim nga asnjë njeri, prapëseprapë detyrën e kemi bërë, ndërkaq që edhe nuk mungojmë t’i kërkojmë llogari vetes duke menduar se mos ndodh kështu ngaqë na mungon sinqeriteti ose diçka tjetër. Veç kësaj, mendojmë se mos kemi bërë ndonjë gabim dhe, nëse kemi bërë, përpiqemi ta rregullojmë. Ndryshe, të mendosh se, sapo të tregosh për diçka, njerëzit menjëherë do të të mblidhen rrotull, s’është gjë tjetër veçse mungesë principialiteti dhe sinqeriteti. Ndërkaq, mund të ndodhë që një fjalë e hedhur nga thellësitë e zemrës në hapësirat e kozmosit, të lëshojë mijra e qindra mijra filiza në një çast krejt të papritur.

20) Në fjalorin tonë nuk ka thyerje, zemërim dhe pesimizëm. Duke u mbështetur në të vërtetën për të cilën folëm më sipër, në fjalorin tonë nuk ka vend për fjalët thyerje, zemërim dhe rënie në pesimizëm. Edhe sikur të mos gjejmë miratim dhe të vuajmë si Profeti dhe shokët e tij, prapëseprapë do t’i pranojmë torturat, do t’i presim me të qeshur fyerjet që na përplasen syve dhe do të vazhdojmë ta kryejmë detyrën me dëshirë duke vepruar krejt si burrat e shquar të vendosmërisë së lartë…

21) Në detyrën tonë, këshillimi është parim, kurse veprimi individual nuk ka vend. Njëri prej preteksteve për të mos bërë gabim dhe zbritjen e mundësisë për të gabuar në minimum, është këshillimi dhe vlerësimi i mendimit të të tjerëve. Mendimet e tipit “unë jam mjaft, njerëzit mund të mblidhen rreth meje” janë mendime që i sjellin dëm edhe vetes sonë, edhe mjedisit tonë. Veç kësaj, ndodh që gjërat që ne kemi vite që përpiqemi t’i tregojmë me fjalët më të bukura duke menduar se askush tjetër s’do ta bënte dot këtë më mirë se ne, del një shoku ynë i aftë e kompetent që i tregon me një fjalë!

Tjetër gjë, burrat e orientimit s’duhet të presin gjë prej askujt. Ata duhet të jenë të parët në dhënien e shërbimit e të fundit në pritjen dhe marrjen e shpërblimit. Ata s’duhet të mendojnë për familje e për shtëpi, por duhet të thonë, “mua më mjafton një qefin”. Ata duhet të jenë jashtëzakonisht të kënaqur me atë që u jepet, jashtëzakonisht bujarë dhe kurrsesi të mos vrapojnë pas postit e pozitës. Moskërkimi i shpërblimit (Shuara, 26:109), madje shmangia nga shpërblimi i ardhur pa e kërkuar, mospranimi i të mirave të ardhura prej njerëzve duke u treguar i ngopur, jonevojar dhe për të mos rënë nën detyrimin e mirënjohjes, janë domosdoshmëri të detyrës profetike. Eshtë, gjithashtu, po kaq e rëndësishme që të mbetemi siç jemi, t’i kundërvihemi efektit ndryshues të botës, të mbetemi të lirë nga kushtëzimet materiale dhe vullnetarë gjer në fund. Të çlirohesh plotësisht nga akuzat e interesaxhiut, t’i mohosh gjer në fund interesat materiale duke jetuar pa plang e pa shtëpi dhe të largohesh nga kjo botë si një i vetmuar pa lënë gjë pas, të parapëlqesh t’u flasësh për të drejtën dhe të vërtetën vetëm pesë a dhjetë vetëve ndaj të gjitha pasurive dhe të mirave të kësaj bote dhe, po të jesh i pasur, ta shpenzosh atë në rrugën për ringjalljen e një brezi me kokën dhe zemrën të pangopur, siç e patën shpenzuar Hz. Ebu Bekri, Hz. Osmani dhe Hz. Hatixheja, dhe, më në fund, edhe të harrosh çdo gjë që ke bërë, të gjitha këto janë nga domosdoshmëritë esenciale të kësaj detyre!

22) Në dhembshuri, mëshirë, dashuri dhe mirëkuptim duhet të jemi gjithmonë në krye. Duke e kryer këtë detyrë, duhet qenë jashtëzakonisht i dhembshur, i mëshirshëm, i butë dhe lëshues. Veçanërisht në shekullin tonë ka turma të tëra njerëzish që kanë nevojë të kapen për dore, që gjërat që do t’u tregohen, t’u tregohen ëmbël e t’i vënë në mendime dhe, më në fund, që kanë nevojë të orientohen në rrugën e drejtë. Të sillesh ashpër me një brez të përbërë prej qeniesh në dukje të çuditshme, i cili, në shumicën e tij, ushqehet në prehrin e kushteve ekzistente, është njëlloj si të thuash rri aty ku je (rri në vendnumëro)! Në Kur’an, profeti Musa urdhërohet të sillet me fjalë të buta edhe para faraonit, madje. (Ta-Ha, 20:44) Në ajetin e zbritur pikërisht pas luftës së Uhudit, Profetit i thuhej: “Eshtë për shkak të mëshirës së Allahut që ti u solle butë me ta. Po qe se do të tregoheshe i ashpër e zemërgur, ata do të largoheshin prej teje e do të shpërndaheshin!” (A. Imran, 3:159) Në shumë vende ku bëhet fjalë për orientimin e njerëzve, stili i Kur’anit është i njëjtë.

Profeti ynë, diku porosit, “përgëzoni, mos neveritni, lehtësoni, mos vështirësoni”, kurse diku tjetër, “unë jam urdhëruar për t’i drejtuar njerëzit”. Eshtë shumë me rëndësi të sillesh butë, me mirëkuptim dhe virtytshmërisht me besimtarin dhe personin e përshtatshëm për t’u fituar, kurse në mënyrë të logjikshme e njerëzore, me mohuesin dhe njeriun zemërgur duke ditur ta trajtosh dhe drejtosh ashtu siç kërkon. E veçanta që duhet bërë kujdes në të gjitha situatat, është që patjetër të mbash një të çarë dhe një dritare të hapur nga ku t’u përcjellësh të tjerëve të drejtën dhe të vërtetën. Para se t’ia numërosh dhe derdhësh fytyrës personit që të del para, të gjitha të vërtetat fetare menjëherë sikur ta qëlloje me pushkë të mbushur me saçma nga gryka, duhet ta dëgjosh, t’ia kuptosh gjendjen e brendshme dhe gjërat për të cilat ka nevojë, t’ia tregosh me një mënyrë që ia kërkon ndërgjegjja dhe shpirti, në mënyrë që të mos e humbësh në vend që ta fitosh atë njeri. Ky nuk është lëshim. Le ta kujtojmë edhe një herë se namazi u bë detyrim vetëm tetë vjet pasi Profetit iu dha detyra profetike. Siç është kusht që fëmijës duhet t’i jepet ai ushqim që ia kërkon mosha dhe ai mësim që ia kërkon mosha, ashtu dhe është esenciale që në fillim duhet ngopur dhe kënaqur zemra e zbrazët. Ndryshe, ashtu siç nuk mund të vëmë si kusht për një person që ta pranojmë vetëm nëse i pranon të gjitha gjërat, ashtu dhe nuk mund t’i themi se mund të mos falë namaz. Krahas ndjenjës jomiqësore ndaj një mohuesi për shkak të mendimit të tij mohues, duhet të dimë se është e domosdoshme se duhet të jemi në çdo kohë të hapur ndaj tij për dialog. Si sakrifikantë të afërsisë dhe konfidencës, jemi të detyruar të mos i përgjigjemi me dorë atij që na bie me dorë, të mos i përgjigjemi me fjalë atij që na shan me fjalë, por, në të njëjtën kohë, të mos e miratojmë me zemër. Lëreni përgjigjen me grushta, ne duhet ta vëmë veten në marrëdhëniet “bilbil-trëndafil” në mënyrë që në mendime dhe ndjenja të çelin trëndafila. As te Profeti ynë, as te të gjithë profetët e tjerë pa përjashtim s’është parë që t’i kenë sjellë në rrugë njerëzit duke i rrahur ose i vrarë. Kjo mënyrë sjelljeje është parë dhe mund të shihet vetëm te njerëz si faraoni i kohës së profetit Musa, i cili, pasi e mori vesh nga orakujt se do të lindte fëmija që do të rrëzonte nga froni, pra, Musai, urdhëroi vrasjen e qindra foshnjave meshkuj për të parandaluar realizimin e parashikimit të orakujve! T’i tregosh grusht dhe urrejtje brezit tonë me zemrën dhe mendjen të pakënaqur, do të thotë që, në vend që t’i zbutësh zemrat dhe mendjet e mangëta nga çdo gjë, t’u vësh dinamitin! Ilaçet me efekt shërues shpirtëror në ditët tona janë mësimet e besimit dhe fesë.

23) Ashtu siç janë orientimi dhe kumtimi detyrë, është detyrë edhe kryerja e tyre në përputhje me metodën përkatëse. Edhe në punët më të thjeshta, si, për shembull, në tregti e në bujqësi, kërkohet një synim, një qëllim final, një fleksibilitet, një plan dhe një projekt. Atëherë, a mund të mendohet të mos ketë plan, projekt, qëllim e synim të përcaktuar në çështje tejet serioze si shpëtimi i besimit që është çështja më e madhe, si qetësimi i zemrave, hapja e rrugëve të xhennetit, parajsës, dhe shpëtimi e lumturia e një kombi? Në një specifikë të tillë të rëndësishme, është e kotë të presësh dobi dhe sukses në hapat e hedhur pa llogari e në mënyrë të papërshtatshme me mënyrën se si duhen hedhur. Në gjithësi ka një ekuilibër, plan dhe program të caktuar. Atëherë, edhe besimtari, në detyra si kjo duhet të jetë tejpamës, duhet të veprojë me vetëdije dhe në mënyrë sistematike.

24) Eshtë kusht që të kuptohet mirë mënyra e veprimit të Profetit. Për ta kryer këtë detyrë në përputhje me teknikën e saj, ndjekja e arritjes së rezultatit të drejtë me anë të preteksteve gjithashtu të drejta, është specifikë e rrugës muhammediane dhe shumë e rëndësishme veçanërisht për ne. Në jetën e Profetit nuk ka ndodhur qoftë edhe një herë të vetme që të ketë thënë një fjalë apo të ketë bërë një veprim të paqëndrueshëm ose të paqëlluar. Prandaj dhe në jetën e tij kurrë nuk ka ndjerë nevojën për të hedhur hap prapa.

Nëse besimi islam është një kauzë e drejtë, dhe ashtu është, edhe fitorja e saj në të katër anët e botës do të bëhet me pretekste jo të shtrembra e bestyte, por të drejta! Ta shohësh si normal çdo pretekst që të çon në rezultat[6] dhe të kërkosh rezultat me mjete të shtrembra e të padrejta, është atribut mohues(ish) e heretik(ësh). Njëri prej atributeve më të para të komunizmit ka qenë justifikimi i çdo preteksti ose mjeti që jep rezultat. Ç’e do se koha e ka treguar dhe do ta tregojë gjithmonë se sa të dëmshme janë rezultatet dhe përfundimet e arritura me pretekste dhe mjete të padrejta por të para si të justifikueshme vetëm për shkak të rezultatit të çastit.

Meqë është vendi, le të kujtojmë duke e theksuar fort këtë gjë, se as në periudhën e lumtur të Profetit, as në periudhat e sahabeve dhe tabiinëve dhe as në periudhat pasuese nuk janë njohur dhe përdorur mjetet e shkruajtjes së parrullave nëpër mure, e hedhjes së slloganeve, e bojkotimit dhe demonstratës!

Stabiliteti dhe qetësia nuk sigurohen me anë të destabilitetit dhe rrëmujës. Paqja dhe qetësia e zemrave arrihen duke hyrë në zemra dhe duke vepruar si Mbreti i Zemrave. Për ata që kërkojnë të hyjnë në zemra, ka shumë rëndësi që dashuria dhe afërsia ndaj njerëzve të mos u lërë kohë për zemërim dhe që të bëhen mbrojtësit dhe ruajtësit e paqes, rendit e qetësisë. Detyra jonë s’është të bëjmë kritikën e herezisë, perversitetit dhe mëkateve të të tjerëve, përkundrazi, është të shqetësohemi se si ta bëjmë sa më mirë dhe drejt detyrën tonë duke e filluar me vetëllogari. Fundja, është urdhri i ajetit kur’anor që të mos preokupohemi shumë me perversitetin e të tjerëve, por të përpiqemi ta përmirësojmë gjendjen tonë. (Maide, 5:105) Po, përsa kohë që të përpiqemi ta përmirësojmë veten tonë, perversiteti i të tjerëve s’ka për të na shkaktuar dëm. Nga ky aspekt, ne jemi të detyruar të jemi përhapësit e pozitives dhe bukurisë. Po të lexoni librat biografikë, do të shihni se, në kohët kur ka munguar ekuilibri i fuqisë mes besimtarëve dhe mohuesve, vazhdimisht ka kërkuar rrugët për të hyrë në zemra dhe ka kaluar nga një llogore në tjetrën. Mendoni Taifin! Sidomos mendoni se si i Dërguari i Allahut e fshinte me dorën e vet emrin e vet në marrëveshjen e Hudejbijes kur ishin me qindra sahabe që ishin gati të hidheshin drejt vdekjes për të! Mendoni muslimanët që, pasi kishin shkuar gjer pranë Qabes për ta vizituar, ktheheshin prapë pavarësisht nga mendimet dhe qëllimet e tyre! Mendoni se si i kthente Profeti pas, sipas marrëveshjes së Hudejbijes, mekasit që ishin bërë muslimanë, dhe se si ajo marrëveshje e dukur si humbje dhe disfatë, brenda disa vjetëve ishte kthyer në një triumf të së vërtetës![7] Pastaj mendoni Ebu Sufjanin dhe shokët e tij që nuk e kishin kuptuar dot strategjinë e lëvizjes që kishte vënë në zbatim Profeti pavarësisht nga dhjetra shikime tradhtare dhe, pasi qenë përballur me ushtrinë islame dhjetëmijëshe, kishin shprehur dashje pa dashje besimin ashtu, të tronditur e të pashpresë nga ç’kishin ndodhur! Mendoni dhe përpiquni ta vëzhgoni me habi dhe mahnitje atë aksion të jashtëzakonshëm të zhvilluar nën atë heshtje të sipërfaqshme! Kjo është, siç shprehet Kur’ani, si habia dhe mahnitja e bujkut që vëren se si farërat e hedhura prej tij, pasi kanë ndenjur një kohë nën tokën e mbuluar nga bora, kanë mbirë dhe kanë hedhur shtat! Dhe prapë kjo është rezultati i fjalës enigmatike telattuf [8] të përdorur në suren Kehf të Kur’anit! (Kehf, 18:19)

25) Për ta kryer këtë detyrë, duhen përgatitur individë të aftë e të posaçëm. Një tjetër parim detyre që na e ka mësuar Profeti, është krijimi i lidhjeve me njerëz të çdo pikëpamjeje dhe botëkuptimi dhe, në vend të përgatitjes së turmave të dobëta, përgatitjen e individëve të formuar e të palëkundur.

Siç dihet, në Mekë, pranë Profetit kishte njerëz nga të gjitha moshat, gjendjet dhe nivelet, si dhe skllevër. Parësia e politeistëve i thoshin t’i largonte skllevërit dhe njerëzit e nivelit të ulët në mënyrë që të uleshin e të bisedonin me të dhe kërkonin të krijonin marrëdhënie të veçanta me të. Meqë Profeti e dinte se bazën e grupit të njerëzve që e mbështesnin, e përbënin të varfërit të cilët, ndërkaq, ishin persona me cilësi të veçanta, jo vetëm që i pati hedhur poshtë kërkesat e politeistëve, por dhe qe shprehur konkretisht se propozime të tilla nuk duhet të merren në konsideratë.

Me të vërtetë që Profeti ka për t’u krenuar me shumicën tonë, por, prapë, denjësia jonë është parim për krenimin e tij. Në kohët e para, pranë Profetit, në shtëpinë e Erkamit kishte 4-5 vetë. Pastaj ky numër arriti në 40. Ata të 40 vetët janë bërthama e të shquarëve të parë. Mirëpo sa rrugë të ngushta u kaluan, sa ujëra të thella u kapërcyen gjersa u arrit të formohej ajo bërthamë prej dyzet vetësh! Ata që u përgatitën në këtë periudhën më të vështirë pa u kthyer pas, pa e braktisur frontin, sigurisht që janë ata që në Bedër dhe Uhud qëndruan gjer në fund pa e braktisur pozicionin! Ashtu siç qenë Ali-të me Hamza-të e të dyzetëve të parë që u erdhën hakut politeistëve në Bedër dhe Uhud, ashtu dhe qenë Omer-ët e tyre që u erdhën hakut Iranit e Bizantit dhe kjo gjë është tejet e rëndësishme. Në periudhën e dyzet të parëve, mes sahabeve nuk haset në ndonjë hipokrit apo hezitant[9], sepse ishte e pamundur që mes tyre të ndodheshin apo të strehoheshin të tillë. Në atë periudhë torturuese, të thoshe La ilahe il’lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut, jo vetëm që s’të sillte asnjë përfitim nga ato gjëra që i përkasin kësaj bote, por mund të bëhej shkak për shumë dëmtime materiale e fizike. Prandaj, në një periudhë të tillë durimi e qëndrese nuk mund të bëhej fjalë për hipokrizi! Duket se ne nuk e kemi hallin te shumica dhe masa, por te bërthamat dhe individët e shquar që ta bleronin sërish botën!..

Personat e pangopur si zemër, mendje, logjikë e ndjenja, jo vetëm që do të rrinë në boshllëk duke u tundur si hije, por dhe para një ere të lehtë do të rrëzohen menjëherë. Prandaj ata nuk janë kredia jonë. Sigurisht, pa pjekurinë e arritur në Taif dhe pa përvojën e jetuar në Hudejbije dhe hapin e hedhur atje, as triumfi i Mekës do të ishte i mundur, as dhe hyrja masive e njerëzve në Islam!

Pastaj, nëse është gjithmonë e mundur për t’u ulur gju më gju me individë për të biseduar e qarë hallet me ta, për t’ua hequr dyshimet dhe zgjidhur nyjet, si dhe për t’ua pajisur zemrat me bukuritë e Islamit, është e pamundur të mendohet dhe realizohet një gjë e tillë me masat. Edhe nëse masat mund të entuziazmohen dhe ngrihen peshë me ide e ndjenja të caktuara, askush nuk mund ta ketë avantazhin për të komunikuar individ për individ për të drejtuar ndjenjat dhe mendimet e çdo individi veç e veç!

26) Ose duhet folur për mirë, ose duhet heshtur! Njëri nga parimet e kësaj detyre është ndjekja e rrugës së drejtë edhe në gjuhë. Po qe se mospërdorimi i gjuhës si interpret i të drejtës e i të vërtetës është qëndrim i skajshëm, edhe përdorimi i saj me fjalë të kota, me fjalë në erë, është qëndrim i skajshëm. I tillë është të folurit me ironi apo sarkazëm, me anekdota, të folurit kritizer, llafazanëria dhe shakatë e pavend. Njeriu ose duhet të flasë për mirë, ose të heshtë dhe gjuha gjithmonë duhet të jetë interpretuese e të vërtetës!

27) Po qe se heqim vështirësi për ta parashtruar një gjë, duhet t’ia lëmë dikujt tjetër për ta parashtruar. Të hidhesh në mes për çdo temë, të pretendosh t’i japësh përgjigje çdo çështjeje, do të thotë të mbetesh e të shtypesh nën egoizmin tënd. Po qe se një çështje që na parashtrohet ne, nuk hyn në fushën tonë, ka mundësi që të mos e trajtojmë dot atë çështje në përputhje me dimensionet e saj. Ndërkaq, si rrjedhojë e hyrjes në një fushë të huaj, sado të sinqertë që të jemi, ndaj nesh mund të krijohet reaksion, mund të zgjojmë tek të tjerët shqetësim, madje urrejtje dhe, në këtë mes, edhe e vërteta mund të dëmtohet, edhe bashkëbiseduesi ynë mund të mbetet në boshllëk. Në kushte të tilla, fjalën duhet t’ia lëmë shokut që është kompetent dhe të mjaftohemi me parashtrimet e tij, duhet ta mbështesim atë, ta duartrokasim suksesin e tij dhe të dimë të lavdërohemi me të!

Veçanërisht, nëse ka edhe persona dhe grupe që vrapojnë pas kësaj detyre, të dalësh në shesh me qëndrimin “vetëm unë e përfaqësoj të vërtetën, vetëm unë mund të flas për të”, edhe sikur në thelb të këtij qëndrimi të ketë sinqeritet, do të jetë i papranueshëm te Allahu ngaqë, në një pamje, një qëndrim i tillë konsiderohet egoizëm, prandaj edhe nga një qëndrim i tillë duhet ndenjur sa më larg. Veç kësaj, çdo njeri që i shërben të vërtetës në vijën e sunnizmit, duhet duartrokitur. Askush nuk duhet kritikuar e denigruar në emër të respektit për të vërtetën dhe në emër të shërbimit ndaj të vërtetës. Dhe duhet përfituar nga energjia e çdokujt për llogari të së vërtetës.

28) E drejta dhe të vërtetat duhet t’u parashtrohen dhe shpjegohen më parë atyre me natyrën, gjendjen dhe bindjet më të përshtatshme. Duke e kryer detyrën për t’ua kumtuar zemrave Zotin dhe të vërtetën, është me vend t’u drejtohemi më parë atyre me natyrën, gjendjen dhe bindjet të përshtatshme si dhe ballin të rënë pak a shumë në sexhde, pastaj atyre që thonë se kanë dëgjuar për Profetin ose se e pranojnë atë dhe, më në fund, atyre që, pasi të dëgjonin ç’u thuhet, të shprehnin pranim. Shpresojmë se brezi ynë që, në fakt, në 80 përqind të tij përbëhet nga njerëz të tillë, para një tërheqjeje të sinqertë do të tregojë mirëpëlqim.

Preokupimi me njerëz me ballin të fëlliqur e që u ka zënë kallo, me zemrën të vullosur, të vendosur për të mos bërë kthesë dhe me qëndrim armiqësor, është i kotë. Madje, preokupimi me ta është edhe i dëmshëm, sepse, e para, u sugjeron të tjerëve idenë se mund të rrihet dhe bisedohet me njerëz të tillë dhe, e dyta, ata mund ta dëmtojnë botën shpirtërore të personit që ulet me ta, të ndikojnë negativisht me atmosferën e tyre negative mbi ndjenjat e bashkëbiseduesit, madje, t’ua heqin kënaqësinë e namazit. Në Kur’an urdhërohet: “Mos u prirni ndaj mizorëve qoftë edhe me prirjen më të vogël!” (Hud, 11: 113) Ndërkaq, nuk është pa dobi të mbahet një derë hapur vetëm për njerëzit, biseda me të cilët mendohet si e dobishme, të cilët dëgjojnë kur u flitet për të drejtën dhe të vërtetën, e gjitha kjo me mendimin se mund të vijnë e të bashkohen me ne, sidomos kur biseda me ta të jetë krejt e sinqertë, e butë, pa inate dhe larg çdo mendimi për ndonjë lloj përfitimi.

Janë edhe disa njerëz jo krejt të ngarkuar me mohim, por egoistë dhe të zhytur në pije e mëkate të tjera. Interesimi ynë ndaj tyre me një tungjatjeta është domosdoshmëri e respektit ndaj besimit të tyre, e dëshirës për t’i çuar më tej marrëdhëniet me ta dhe e besimit tonë. Përsa kohë na dëgjojnë dhe përfitojnë, duhet të ulemi e të bisedojmë me ta, por, nëse nisin të ironizojnë e të tallen me gjërat për të cilat ne u flasim, duhet që, sipas urdhrit të Kur’anit, ta ndërpresim prirjen ndaj tyre dhe të ngrihemi e ikim por pa u nxehur, pa u folur me fjalë të këqija dhe pa u sjellur në mënyrë të shëmtuar e fyese për ta, si dhe pa e mbyllur derën e tungjatjetës.

Përcaktimi që më parë i gjendjes së personave të cilëve do t’u ofrojmë shërbimet tona në emër të orientimit dhe kumtimit, ka shumë rëndësi.

Qysh në njohjen e parë, fytyra e personit, mënyra se si përshëndet, si bisedon dhe sillet janë tregues që na japin një ide paraprake për të. Vlerësimi i preteksteve të tilla mund të ndihmojë për krijimin e dialogut.

Një marrëdhënie e parë me një pamje që i sugjeron bashkëbiseduesit siguri, me një pamje simpatike, të butë, të natyrshme e të sinqertë është shumë e rëndësishme. Edhe përpjekja për ta bërë veten të dashur për llogari të përpjekjeve për ta bërë të dashur Profetin, është e justifikueshme, madje, mund të quhet e dobishme. Krijimi i afrsisë në emër të shoqërisë dhe njerëzores si dhe bujaria, siç e kemi mësuar nga Profeti ynë, kanë rëndësi të madhe për të hyrë në zemra. Kurrë nuk duhet të harrojmë se, ashtu siç kemi ne vetë mendimet dhe opinionet tona, madje, fiksimet tona, edhe bashkëbiseduesi ta ato të vetat, për ç’shkak është krejt e mundshme që mund të kemi një sërë reaksionesh. Jemi të detyruar ta dimë dhe pranojmë se është krejtësisht e pamundur që një njeri t’i heqë nga koka e t’i hedhë brenda një çasti dhe me një lëvizje të vetme mendimet, idetë, bindjet dhe opinionet që i ka bartur për vite me radhë. Mendoni se Kur’ani e realizoi transformimin e tij të madh për 23 vjet, se disa gjëra i vuri para e disa të tjera i la për më pas, se ato që duheshin thënë në fillim, i tha në fillim e, ato që duheshin thënë më pas, i tha kur u erdhi koha, duke e vënë çdo gjë në vend në mënyrë graduale.

Edhe ne, para se të hyjmë menjëherë në temë e t’i derdhim gjërat në shesh krejt hapur, duhet të përpiqemi që, me biseda personale, ta njohim bashkëbiseduesin me anë të temave dhe çështjeve që do të bisedojë ai vetë. Ashtu siç vepron mjeku që në fillim bën anamnezën e sëmundjes, pra bisedon drejtpërdrejt me të sëmurin për historikun e sëmundjes dhe ankesat e tij, pastaj sheh analizat, vendos diagnozën dhe vetëm pas këtyre përgatitjeve fillon mjekimin, ashtu dhe ne në fillim duhet t’i japim mundësi të sëmurit me ateizëm dhe mohim që të na flasë për bindjet, dyshimet dhe lëkundjet e veta ose të na bëjë pyetje në lidhje me çështjen. Dhe kurrë nuk duhet të tregojmë reaksion sapo të na tregojë mendimet dhe dyshimet e veta. Nuk duhet të harrojmë se, meqë çështjet besimore dhe kur’anore janë të huaja për brezin tonë, ai mund t’i dalë kundër çdo gjëje që dëgjon prej nesh. Në këtë rast, po qe se kundërveprimi ynë nuk do të jetë i butë dhe i përshtatshëm, mund të bëjmë që ai të largohet edhe më shumë nga Allahu. Prandaj, përcaktimi i gjendjes kulturore, arsimore dhe besimore i bashkëbiseduesit tonë është shumë i rëndësishëm. Për shembull, po qe se bashkëbiseduesi ynë ka nivel më të lartë arsimor e kulturor se ne, si dhe mbahet disi egoist dhe i ditur, kurse ne, nërkaq, i dalim para me ca gjysmënjohuri të katekizmit, e kemi krejt të pamundur të komunikojmë me të dhe të ndikojmë mbi të. Në raste të tilla, duhet të nxjerrim para personin e të njëjtit nivel e t’ia lëmë në dorë atij.

Edhe mosha dhe karakteri i bashkëbiseduesit tonë kanë rëndësi. Kur është vendi, mund t’u flasim për besimin dhe fenë prindërve, xhaxhait apo dajës, si dhe personave më të mëdhenj në moshë se ne. Ndërkaq, duhet ditur se, për shkak të natyrës njerëzore, njeriu tregon gjithmonë reaksion ndaj më të vegjëlve, me përjashtim të njerëzve të virtytshëm e të çmuar të cilët tregojnë pjekurinë për t’i dëgjuar të vegjlit. Megjithëkëtë, duke u nisur nga e përgjithshmja, ne duhet ta njohim bashkëbiseduesin me bashkëmoshatarë ose më të mëdhenj në moshë, të cilët të mund t’i flasin në një mënyrë të kuptueshme e të pranueshme për të.

Një specifikë tjetër e orientimit është shëtitja dhe njohja e xhamive dhe institucioneve ku ndodhen persona të shquar si dhe njohja e bashkëbiseduesit me bashkëmoshatarët.

Sado që t’i flisni bashkëbiseduesit, madje edhe sikur t’i hyni në zemër e të ngrini për vete fron në të, ai do ta ndjejë veten të vetmuar e të shtypur nën peshën e vetmisë nëse nuk do ta shohë te bashkëmoshatarët zbatimin praktik të gjërave që ia keni mësuar. Trëndafili mbin e rritet në trëndafilishte. Edhe i riu ndikohet nga bashkëmoshatarët që falin namaz, bien në sexhde dhe janë të ditur, ndryshe, as i madhi kërkon këshillë prej të voglit, as i vogli ndikohet shumë prej të madhit. I vogli e respekton të madhin, por ndikohet nga bashkëmoshatarët, bën siç bëjnë ata.

Një tjetër specifikë është leximi i librit dhe organizimi të paktën i një bisede në javë.


[1] Në origjinal: farz-i kifaje, detyrim, plotësimi i të cilit quhet i mjaftueshëm sikur të kryhet edhe nga një pjesë e muslimanëve.
[2] Në origjinal: muhabbet-i ilahi.
[3] Në origjinal: zevk-i ruhani.
[4] Në origjinal: aklí, racional.
[5] Erkami, një nga sahabet, shokët e Profetit, në një pozicion disi të veçuar dhe ku mblidheshin ata.
[6] Ky është parimi “qëllimi justifikon mjetin”, parim, të cilin autori e cilëson si atribut mohues(ish) e heretik(ësh), pra, që s’është e s’duhet të jetë atribut i muslimanëve. Dihet se ky parim është makiavelist.
[7] Në origjinal: Fethi mubin.
[8] Telattuf: delikatesë lëvizjeje, veprimi e sjelljeje, sjellje e hollë e delikate, mirësi.
[9] Në origjinal është fjala munafik, me të cilën cilësoheshin (dhe cilësohen edhe sot) ata që, ndërsa në pamje dhe në fjalë hiqeshin si besimtarë muslimanë, në punë dhe veprime nuk ishin të tillë, pra, që hezitonin ose nuk donin t’i kryenin detyrat dhe përgjegjësitë që kërkonte besimi dhe koha, për rrjedhojë, tregoheshin hipokritë.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si mund të mbajmë veten përmes orientimit të tjerëve?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA