Kush jane trashëgimtarët e vërtetë të tokës?

Bota po ecën përpara, si të rrotullohej në orbitën e saj reale… por a janë “trashëgimtarët e vërtetë të tokës” të gatshëm të rimarrin dhe të rikthejnë trashëgiminë që u është rrëmbyer nga duart? Të drejtat themelore ishin të garantuara si dhuratë dhe si të tilla janë mjaft të ndryshme nga të drejtat e fituara me anë të përpjekjeve dhe aksionit. Të drejta që nuk jepen për llogari të meritokracisë, edhe nëse fillimisht i jepen një grupi, kuadri, apo populli të veçantë, mund të shkelen në çdo moment. Ata mund të vazhdojnë të ndërrojnë duar mes atyre, vlera e të cilëve është më e madhe se e të tjerëve, deri atëherë kur të dalin në pah ata të cilët janë me të vërtetë të vlefshëm.

“Vërtet Ne shënuam në Zebur (Psalme), pas Teuratit, se tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (Kuran, Enbija:105)

Pa dyshim që ky premtim i garantuar në këtë ajet me anë të një betimi, do të përmbushet një ditë. Madje, nuk ka dyshim se nuk bëhet fjalë vetëm për të trashëguar tokën, sepse të trashëguarit e tokës, gjithashtu, nënkupton qeverisjen dhe menaxhimin e burimeve të qiellit dhe të hapësirës. Ky duhet të jetë një mbizotërim universal, meqenëse do t’i delegohet një kujdestari, apo të ngarkuari nga anë e Zotit, është tepër e rëndësishme, madje thelbësore, që cilësitë që duhet të kenë trashëgimtarët e tokës dhe qiejve, të jenë në përputhje me porositë e Zotit. Vetëm kur plotësimi i njerëzve me këto cilësi të bëhet realitet dhe të vihet në praktikë, mund të realizohet ëndrra e mësipërme.

Qysh nga epokat e trazuara të historisë, ata të cilët pretendonin se ishin trashëgimtarët, por që dështuan në kryerjen e detyrave që buronin prej kësaj trashëgimie hyjnore, përjetuan heqjen e kësaj forme mbizotërimi nga ana e Pronarit të Gjithçkaje. E vetmja rrugë për të shpëtuar nga një privim i tillë është rikthimi dhe kërkimi i strehës nga Ai.

Zoti nuk ia ka premtuar këtë trashëgimi një klani, fisi, kombi, apo race të veçantë. Trashëgimia është për ata shërbëtorë të Tij të cilët janë të drejtë në mendim, besim dhe vepra, për ata të cilët zotërojnë një shpirt muhamedan dhe moral kuranor, për ata të cilët mbjellin dhe përhapin idenë e unitetit, mirëkuptimit, bashkimit dhe solidaritetit, të cilët janë të vetëdijshëm për epokën në të cilën jetojnë, janë të pajisur mirë me njohuri dhe dije shkencore, e mbajnë dhe kujdesen vazhdimisht për balancën ndërmjet kësaj bote dhe tjetrës, shkurt, për heronjtë e shpirtit, realiteti dhe vizioni shpirtëror i të cilëve pretendohet të jetë në të njëjtën orbitë me sahabet e të Dërguarit të Allahut, yjet zbukurues të qiellit të profecisë. Prandaj, kjo trashëgimi qëndron brenda kontureve të sunetullahut[1], rrugës së Zotit, mënyrës së Tij të trajtimit të çështjeve. Sipas ajetit “Vërtet, nuk mund të gjesh ndryshim, ose shndërrim në ligjet e Zotit. (Kuran, Fatir:43), ky përbën një ligj të natyrshëm që është ligji i krijimit, siç është urdhëruar nga Allahu, ndaj ai është i pandryshueshëm.

Kjo është arsyeja përse të qenit trashëgimtarë të tokës kushtëzohet para së gjithash, nga përpjekja e vazhdueshme për ta jetuar fenë në përputhje me Kuranin dhe Sunetin. Së dyti, do të thotë të përpiqesh për ta bërë fenë themelin e jetës. Së treti, është e domosdoshme të drejtuarit e shqisave nga shkenca dhe dijet e epokës përkatëse. Një pikë e cila nuk duhet harruar kurrë, është se ndëshkimi bie në mënyrë të pashmangshme mbi njerëzit që nuk i binden ligjeve natyrore prezentë në univers (shfaqja e Vullnetit dhe e Fuqisë së Allahut në univers) si dhe ligjeve Hyjnore (të manifestuara në shkrimet e shenjta të cilat rrjedhin nga atributi i Zotit, i quajtur Kelam) në shkrimet e shpallura. Ky ndëshkim bie gjithashtu mbi ata të cilët kanë përjetuar një ndryshim negativ në jetën e tyre shpirtërore, edhe nëse në atë moment mund të gëzojnë pozita dominuese mbi të tjerët. Historia, që konsiderohet vendprehja e popujve që kanë rënë dhe janë shuar, është dëshmitare e këtij fakti. Zoti kurrë nuk ia heq epërsitë dhe të mirat që i ka garantuar një shoqërie, apo kombi dhe nuk ia ndryshon kurrë gjendjen për sa kohë që ai popull bën ndryshime në mënyrën e të jetuarit, botën e brendshme, derisa ta deformojë veten, shpirtin dhe thelbin e tyre. Verseti i cituar më sipër dhe ky që po citojmë “Vërtet, Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ndryshimi të vijë nga brenda tyre.” (Kuran, Ra’d:11), i cili ka lidhje me qeverisjen dhe të qeverisurit, nderin dhe poshtërimin, na sjell ndërmend një parim të përgjithshëm mjaft domethënës. Gjithashtu ai hedh dritë në mënyrë të veçantë mbi dështimin e myslimanëve ditëve tona.

Këtë dështim mund ta përmbledhim me fjalët deformim i ndodhur si në strukturën e brendshme (në zemër dhe në shpirt), ashtu edhe në atë të jashtme (ngelja prapa në dijet bashkëkohore). Nuk ka shumë rëndësi nëse kjo ka ardhur si rezultat i pengesave të vendosura nga të tjerët për mbi dyqind vjet me radhë, apo për shkak të injorancës, plogështisë, paaftësisë dhe mangësisë. Një gjë është e sigurt se, komuniteti islam është duke derdhur gjak të kotë për shkak të indiferencës së tij. Sa më shpejt të bëhet burim i fuqisë, e cila e ka mbajtur në këmbë për shekuj me radhë, aq më mirë do të jetë për të dhe që ta kthejë myslimanin në “trashëgimtarin e merituar të tokës.”

A mund të themi se ata të cilët pretendojnë se e përfaqësojnë Islamin në një periudhë të tillë kaq fatkeqe, kanë zemrën aq të madhe dhe shpirtin aq të pastër sa myslimanët e parë? A mund të themi që myslimanët duhet të lënë mënjanë dhe të harrojnë dëshirën e tyre për të jetuar dhe të pajisen më dëshirën që buron nga bota e madhe shpirtërore për t’i bërë të tjerët të jetojnë? Sa njerëz mund të jenë të cilët ndjehen të ndërgjegjshëm se ajo që po bëjnë do të shpjerë drejt së mirës, së bukurës, së vlefshmes dhe së dobishmes dhe jo drejt shkatërrimit? Sa njerëz të sinqertë mund të përmendim të cilët kanë parapëlqyer të vdesin me nder, sesa të jetojnë të përbuzur? Sa shpirtra të ndritur mund të përmendim të cilët nuk i janë nënshtruar shtypjes, apo pengesave të armiqve dhe të cilët kanë vijuar të jetojnë pa e ndryshuar kursin dhe drejtimin e jetës së tyre?

Gjatë një periudhe të tillë të errët, plogështia e administratës dhe e administratorëve është pikëlluese. Megjithëse Kurani i ndalon myslimanët të jetojnë nën sundimin e tiranëve, fatkeqësisht, kemi qenë të paaftë ta shpëtojmë vetveten nga kjo e keqe. Prandaj, nuk mund të mohojmë se kemi vuajtur varfërinë dhe poshtërimin e madh nën thundrën e atyre që me sundimin e tyre na kanë mbajtur të shtypur për vite me radhë.

E vërteta është se ne kemi bërë një prej gabimeve më të pafalshme në histori: për të ngritur botën tonë materiale, kemi sakrifikuar fenë dhe kemi adoptuar një sistem mendimi që ka e ka bërë botën më të pëlqyer se fenë, për rrjedhojë, ne jemi ndeshur vazhdimisht me një “rrjetë pamundësish dhe absurditetesh.” Për pasojë, jo vetëm e kemi humbur fenë, por, kemi dështuar njëherësh edhe të përfitojmë nga kjo botë. Ky komb i lavdishëm, por i pafat, vuajti një periudhë zbrazëtie: një histori e bekuar dhe një mijë vjet trashëgimi u flakën tutje, prejardhje të shpikura së fundmi iu imponuan njerëzve, një shtet i madh u rindërtua me anë të “tullave” të papërshtatshme të parimeve, të cilat nuk kanë jetëgjatësi vlerash, historia, lidhjet e bashkësisë dhe të kulturës, prejardhja, kultura dhe trashëgimia kombëtare u shpërfillën, u fyen dhe u përqeshën. Ne gjetëm strehë tek ata të cilët për njëmijë vjet me radhë i patëm kundërshtarë të sistemit tonë të mendimit dhe që kishin ide krejt të ndryshme nga tonat, të cilat u importuan tek ne bashkë me idetë më profane dhe shprehjet më të tmerrshme që mund të gjenden. Atyre, të cilët i bënin jehonë me sukses gjërave të tilla në prozë dhe poezi, iu dhanë çmime dhe shpërblime, në një botë të tërë shtrembërimi, padrejtësie, dënimesh dhe shtypjesh. Ata pretendonin që me sisteme të tilla si komunizmi, të arrinin prosperitet në ndjenja, mendime dhe moral.

Unë akoma sjell ndërmend faktin se kur ideologji të tilla si, socializmi dhe komunizmi ishin në ditët e tyre më të mira, ekzistonte një grup prej afro dymbëdhjetë të paaftësh, të lodhur nga mosbesimi, të cilët dyshonin edhe në veten e tyre dhe të cilët gjithmonë ndjenin nevojën e fshehjes pas figurave publike, dogmave dhe ideologjive, në mënyrë që ta sulmonin fenë, të sulmonin çdo gjë të shenjtë në një mënyrë mizore dhe vulgare. Në ditët e sotme, ne po përjetojmë fushatën më të turpshme dhe të tmerrshme të këtij lloji për shkak të të njëjtëve individë, të njëjtës bandë. Akoma duke u mbështetur në të njëjtat ideologji të paligjshme, ata vjellin gjithë urrejtjen keqdashëse dhe mllefin e tyre dhe deklarojnë luftë për t’u mbyllur gojën njerëzve të devotshëm e fetarë dhe gjithë fesë në përgjithësi. Poeti i njohur Mehmet Akif Ersoj, autori i himnit kombëtar turk, i ka theksuar këto çështje tek libri “Safahat” (Fazat) me zemër të thyer dhe me ankth mendor, kur ka ilustruar fuqishëm periudhën e errët gjatë së cilës myslimanët dhe Islami ishin vënë në vëzhgim, goditje, ndjekje dhe persekutime dhe kur dashuria, entuziazmi dhe lidhja me fenë urrehej, përçmohej dhe përbuzej.

Megjithatë, dëshiroj të theksoj faktin që ky komb i ndritur, i cili ka pasur fatin e keq të vuajë shtypjen arbitrare dhe blasfemuese për vite me radhë, nuk është nënshtruar kurrë plotësisht dhe aspiratat drejt jetës së pasosur kanë qenë gjithmonë të pranishme në jetën e tij. Këto aspirata përbëjnë gjithashtu një thëngjill të kuq e të nxehtë, një shkëndijë që kërcet dhe ndizet më tepër kur trazohet, por dhe një burim drite që është në gjendje të ndriçojë botët. Ato janë bashkuar me forcën qendërsynuese të kujdesit, maturisë, largpamjes dhe vetëpërmbajtjes. Diçka e tillë ka sjellë reduktimin e tyre në përmasat e një embrioni që është i aftë të mbijetojë në ditët më të tmerrshme të shekullit, në kushtëzim me horizontin e përmbushjes së tyre dhe gatishmërinë për të ndërtuar si duhet botën kur do të vijë kjo kohë e tyre.

Ne duhet ta marrim parasysh periudhën e gjatë të mjerimit në të njëjtën masë sa edhe vështirësitë e kaluara dhe përpjekjet për të dalë nga kjo situatë. Duke e kuptuar Islamin ashtu siç duhet, në përputhje me thelbin e tij, i cili është një burim i mjaftueshëm fuqie për rigjallërimin tonë shpirtëror dhe material, e duke u radhitur ndër shërbëtorët e tij të drejtë, emocionet, mendimet, perceptimet, ndërgjegjja dhe vullneti i të cilëve janë të qëndrueshme, të cilët qëndrojnë të palëkundur në idenë e të Lartësuarit të Fjalës së Zotit[2], janë sistematikë në thithjen e dijeve, besnikë në punën dhe sjelljet e tyre, me karakter të fortë, nuk rendin pas dëshirave trupore dhe kanë arritur të harmonizojnë zemrën dhe mendjen e tyre, le të provojmë edhe njëherë se ne jemi trashëgimtarët e vërtetë të tokës. Nëse Zoti na jep udhëzim dhe sukses, mendojmë që udhëtimin tonë ta vazhdojmë sipas drejtimit të kësaj linje të humbur.


[1] Sunetullah: Ligjet e pandryshueshme që Zoti ka përcaktuar në natyrë.

[2] I’la-ji Kelimetullah: T’u komunikosh të tjerëve dhe të përhapësh fjalën e Zotit, vlerën e të vërtetave, lartësinë dhe madhështinë e Islamit.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.