Cilat pjese trupore duhet mbuluar meshkujt e femrat (setri avret)? Veshja e muslimanit

5/5 - (1 vote)

Urdhrat dhe ndalimet e Allahut të madhëruar kane urtësi të panumërta.

Allahu krijoi njeriun, botën, botët që jetojnë brenda tij si dhe lidhjet sistematike të mrekullueshme ndërmjet tyre, kështu Ai e di më së miri se cilat gjëra janë të dobishme apo të dëmshme për njeriun.

“A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve njeh hollësitë ‘’(Mulk, 67/14)

Edhe në veshje gjë e cila është nevojë e natyrshme e njeriut ekzistojnë këto lloj urdhrash dhe ndalimesh. Mbulimi ndahet në disa pjesë të cilat klasifikohen farz, mustehab, mubah dhe mekruh.

Mbulimi farz

Përmbledh mbulimin pjesëve avret të trupit dhe veshjen që siguron mbrojtjen e njeriut nga të ftohtët ose të nxehtit. Sipas fesë, shfaqja dhe shikimi i pjesëve që janë haram quhet avret. Mbulimi i pjesëve që janë avret quhet “setri avret” kjo shprehje përcakton mbulimin e pjesëve të caktuara të trupit të burrit dhe gruas gjatë faljes së namazit si dhe detyrimin e të mbuluarit edhe jashtë namazit. Ashtu siç u theksua edhe në kapitullin e namazit, në namaz mbulimi i pjesëve avret është urdhër i fesë islame dhe një kusht për të qenë namazi i pranuar, edhe të mbuluarit e trupit jashtë namazit është një urdhër i fesë. Korniza dhe kufijtë e të mbuluarit ndryshon në varësi të të qenurit burrë apo grua.

Pjesa avret e burrit

Për një burrë, sasia dhe pjesa më e paktë që duhet të mbulojë ndaj grave të huaja, përveç gruas se tij dhe burrave të tjerë, është pjesa ndërmjet poshtë kërthizës dhe poshtë kupës së gjurit të tij. Edhe pse kërthiza nuk është farz të mbulohet, mbulimi i kupës së gjurit është farz.

Pjesa që është avret për gruan

Për një grua: me përjashtim të burrit të saj personat që janë mahrem për të dhe grave myslimane, pjesa avret e saj është i gjithë trupi me përjashtim të fytyrës, duarve dhe këmbëve të saj. Këto parametra janë mendimet e përgjithshme sipas medhhebit Hanefi. Sipas medhhebeve të tjera edhe këmbët e gruas janë avret. Në medhhebin Hanefi është diskutuar nevoja apo jo e mbulimit të fytyrës së femrës dhe është parë e arsyeshme në ato raste kur ajo shkakton fitne. Përveç këtij këndvështrimi të përgjithshëm të medhhebit Hanefi, një ndër dijetarët më të rëndësishëm të këtij medhhebi, Ebu Bekir el Xhesas, ka mendimin se ajeti “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre të kokës përreth trupit” (Ahzab 33/59), shpreh domosdoshmërinë që një femër e re, në prani të të huajve duhet të mbulojë fytyrën dhe të sillet me virtyt dhe të mos provokojë njerëzit. Për femrat, pjesa e trupit që është haram t’u tregohet personave që është haram për ta dhe femrave myslimane, ashtu si pjesa avret tek meshkujt “pjesa ndërmjet kërthizës dhe kupës së gjurit”është pjesa e barkut dhe e shpinës që është në rrafsh (drejtim) me pjesën e barkut.

Bashkëshortët mund të shikojnë dhe prekin njëri-tjetrin në ç’do pjesë të trupit. Megjithatë për të ruajtur rregullat e përgjithshme të moralit dhe respektin reciprok të bashkëshortëve, është sjellje e bukur mbulimi i zonave intime të avretit, veprim ky për të cilin Hz. Aishja (r.a.) ka thënë: “Ashtu siç nuk pashë unë asgjë nga Profeti, edhe ai nuk pa asgjë nga unë.”[1] Një kusht i rëndësishëm në lidhje me të mbuluarit e trupit është që rrobat të mos jenë të ngushta saqë të tregojnë formën e trupit, të mos jenë aq të holla dhe të tejdukshme sa të tregojnë ngjyrën e lëkurës së trupit. Profeti paqja qoftë mbi të i ka thënë motrës së Aishes, Esmasë r.a. e cila kishte veshur një rrobë të hollë: “Oj Esma! Gratë që kanë hyrë në moshën madhore përveç kësaj dhe kësaj – duke i bërë me shenjë fytyrës dhe duarve- nuk duhet t’i shihet vend tjetër nga trupi i saj”[2].

Në fenë tonë mbrojtja e nderit dhe e dinjitetit të gruas dhe burrit mysliman është baza themelore. Edhe mbulimi është ana më e rëndësishme e virtytit. Për këtë arsye femrat dhe meshkujt për të mos i hapur rrugë ngatërresave dhe dyshimeve, për të mos provokuar gjininë tjetër, për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin dhe për ta bërë më të këndshëm fenë islame tek njerëzit, duhet të vishen në formën dhe mënyrën e duhur.

Në ajetet[3] dhe hadithet[4] që flasin për të mbuluarit, nuk bëhet fjalë për ndonjë kusht modeli apo forme në të mbuluarit e trupit. Me kusht që t’i përshtatet masave të dhëna dhe në përshtatje me ambientin ku jeton, si femrat ashtu edhe meshkujt mund të vishen sipas dëshirës.

Vendet e avretit ashtu siç mbulohen kur jemi në prani të njerëzve dhe kur falim namaz, po ashtu duhet të mbulohen edhe kur jemi vetëm dhe në një vend të izoluar. Në lidhje me këtë çështje Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: “Allahu ka të drejtë më shumë se kushdo tjetër që njerëzit të kenë turp prej Tij”[5]. Për rrjedhojë, gjatë kohës që bëjmë banjë, mbulimi sa më shumë i vendit të avretit me peshqir është një veprim i duhur për nga ana e moralit dhe turpit. Përveç rasteve të domosdoshme është haram shikimi i vendeve avret.

Rast i domosdoshëm apo i jashtëzakonshëm quhet, atëherë kur si pasojë e një problemi shëndetësor persona si mjeku, infermierja dhe mamia mund të shohin vetëm atë pjesë që janë të detyruar për të parë.

Veshja Mustehab

Krahas mbulimit të detyruar të pjesëve të trupit si falënderim ndaj nimeteve dhe mirësive që na ka dhuruar Allahu xh.sh., është veshja bukur sipas mundësisë. Në lidhje me këtë temë, Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: “Allahut i pëlqen të shohë gjurmët e mirësive që i ka dhuruar robit të Tij”.[6]

Veshja Mubah

Është veshja e rrobave të bukura për t’u dukur bukur dhe për t’u stolisur.

Veshja Mekruh

Është veshja për t’u krenuar, për të mbivlerësuar veten, për të shitur mend, etj.

Islami si në çdo çështje tjetër, edhe për veshjen ka sjellë norma universale, duke marrë për bazë maturinë. Profeti paqja qoftë mbi të gjatë gjithë jetës së tij është veshur bukur, me shije, pastër dhe thjesht. Në lidhje me veshjen dhe stolisjen, – përveç dy tre gjërave, që ua dimë apo jo sa duhet urtësinë – nuk është sjellë ndonjë kufizim.

Gjërat të cilat janë haram të vishen dhe të përdoren janë këto:

Veshja e mëndafshit

Veshja e mëndafshit është haram për meshkujt. Profeti paqja qoftë mbi të në shumë hadithe e ka ndaluar veshjen e mëndafshit. Për këtë çështje dijetarët kanë vendim unanim. Disa nga hadithet që ndalojnë veshjen e mëndafshit janë këto:

“Ai që vesh mëndafsh në këtë botë nuk do të mund ta veshë në ahiret”.[7]

“Mëndafshi dhe floriri për gratë e umetit Tim është hallall, për burrat është haram”.[8]

Në rrobat që nuk janë prej mëndafshi me qëllim qëndisje dhe zbukurimi është lejuar përdorimi i mëndafshit tre – katër gishta trashësi. Sipas Ebu Hanifes, ndalimi i copës së mëndafshit në hadithe ka të bëjë vetëm me të veshurit. Përveç veshjes dhe stolisjes përdorimi i mëndafshit është i lejueshëm. Është mekruh falja e namazit me rroba mëndafshi, megjithatë namazi i falur në këtë mënyrë pranohet dhe nuk duhet të falet përsëri. Por duke veshur diçka të ndaluar ka bërë gjynah. Sipas imam Shafiut kur ekziston mundësia e të falurit me një rrobë tjetër dhe personi falet me rroba mëndafshi, namazi duhet të falet përsëri.

Shih: A eshte e lejuar perdorimi i arit dhe argjendit nga meshkujt? Stolite

 


[1] Munavij, Fejzul-Kadir 2/224

[2] Ebu Davud, Libas, 31

[3] shih Ahzab 33/59, Nur 24/31

[4] Ebu Davud Libasë 31

[5] Buhari, Gusl, 20, Tirmidhij, Edeb 22

[6] Ebu Davud, Libas 14, Tirmidhi Edeb 54

[7] Buhari, Libas 25, Muslim Libas 2

[8] Buhari, Libas 30

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/veshja/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.