Cila eshte kushtetuta e pare ne Islam?

Deklaratën e përgatitur nga i Dërguari i Allahut me të arritur në Medinë, juristët e quajnë Kushtetuta e të Dërguarit të Allahut. Shumica e parimeve që përmbahen në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, përmbahen në këtë marrëveshje ose kontratë sociale të të Dërguarit të Allahut. Me të drejtat që u njohu të krishterëve dhe çifutëve, ai realizoi një afërsi dhe njësim të tillë mes medinasve të të tre besimeve, saqë i tërhoqi ata pas vetes duke i shkëputur nga bizantinët, sasanidët dhe kurejshët. Kështu, për shumë kohë, çifutët jetuan të qetë e të kënaqur nën pushtetin dhe mbrojtjen e muslimanëve. Ngatërrestari i madh i periudhës së Medinës, hipokriti i famshëm Ubej Ibni Selul, ua përshkruan kështu shqetësimet e veta kurejshve: “Për ne, ardhja e tij në Medinë dhe përhapja e fesë së vet nuk përbëjnë rrezik. Rrezik është largimi i të krishterëve dhe çifutëve nga afria me idhujtarët dhe tërheqja pas vetes. Ky është edhe kërcënimi i vërtetë për ju!”

Sistemi dhe kushtetuta të hapura ndaj paqes, për shumë kohë ose, më saktë, gjersa u shkelën prej tyre, u bënë pretekst qetësie edhe për ta, edhe për muslimanët! Për shumë çështje, çifutët i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut dhe mbështeteshin në gjykimin e tij.

Me të vërtetë, librat e hadithit tregojnë se ata, në çështjen e vjedhjes, në çështjen e dënimit ekuivalent me fajin (kisas), në çështjen e adulterit, i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut. Nga kjo kuptojmë se, po t’u liheshin vetë atyre çështjet e tyre, ata u drejtoheshin gjykimit të muslimanëve, sidomos pse në atë mes ndodhej i Dërguari i Allahut, ngaqë muslimanët i njihnin për më të drejtë e më të aftë në gjykim! Burimi i shenjtë që do të bëhej në të ardhmen instanca qendrore e njerëzimit, qysh ato ditë kishte filluar ta bënte të ndjehej se ishte instanca qendrore e drejtësisë!

Ja, kështu, me një të rënë të dorës, edhe çështja e hixhretit, emigrimit zgjidhej, edhe muslimanët, brenda një jete të qetë, hulumtonin rrugët për t’u hapur në botë!