Si duhet të jetë morali i një muslimani? Ahlaku, edebi
Fjala arabe “ahlak”, që mbart kuptimet “moral”, “karakter”, apo “natyrë njerëzore”, është forma e shumësit e fjalëve “hulk” dhe “huluk”. Në fjalorë, zakonisht, pohohet se fjala “halk” përdoret për të shprehur ndërtimin fizik të njeriut, ndërsa fjala “huluk” atë shpirtëror.[1] Huluk-u është qëllimi më i rëndësishëm i krijimit, është përmasa e vërtetë ndërhyrjes së vullnetit njerëzor në krijimin e imponuar dhe në realitetin e “halkut” me qëllim të mbërritjes te morali hyjnor.
“Halk” dhe “huluk” vijnë nga e njëjta rrënjë dhe për nga ndërtimi themelor nuk kanë ndonjë dallim mes tyre. Mirëpo “halk” është ajo pamje, trajtë a trupëzim që shihet me sy, që përftohet së jashtmi përmes shqisash dhe që mbart kryesisht kuptime të lidhura me lëndën, ndërsa “huluk” përmban kuptimin e një esence që përftohet prej shpirtit, që ndihet prej ndjenjash dhe përfaqëson shpirtëroren.
Njeriu, që për nga pamja e jashtme është një e panjohur e panjohshme, e shpërfaq identitetin e vet vetëm përmes karakterit, moralit dhe natyrës së vet. Për ta thënë ndryshe, aty ku forma dhe trajta mashtrojnë, karakteri i korrigjon të gjitha mashtrimet dhe bëhet interpretues i të fshehtave të brendisë së njeriut. Në të vërtetë, megjithëse kur themi “huluk” na vjen menjëherë ndërmend morali i mirë, disa njerëz, duke vlerësuar se si e mira, ashtu edhe e keqja mund të kthehet në zakon, bëjnë fjalë për ndarjen në “moral të mirë” dhe “moral të keq”. Sidoqoftë, me termin “huluk”, ne dëshirojmë të shprehim vetëm “moralin e mirë”.
Kriteri më i qëndrueshëm i tasavvufit është pikërisht ky moral i mirë. Shkëlqimi i jashtëm, pozitat e larta gjer në marramendje dhe aftësitë e jashtëzakonshme administruese, megjithëse mund të përbëjnë një truall për trëndafilin, për sythin, për frytin e karakterit të mirë, nëse nuk gjenden së bashku me moralin e mirë, nuk shprehin asnjë vlerë dhe as që ia vlen të ndalemi në to.
Morali përfaqësohet me Kuranin
Në këtë kuptim, Kurani është një përbërës i kritereve universale të moralit. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) shpreh mishërimin e kësaj. Kështu, Nëna jonë, Hz. Aishja, duke iu përgjigjur një pyetje që i drejtohet në lidhje me moralin e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të!), thotë: “A nuk e lexoni Kuranin? Kurani ishte morali i tij.” Veç kësaj, edhe Kurani vetë, duke e ripohuar këtë të vërtetë, thotë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali.” (Kalem, 4). Nëse njihemi me veprimtarinë e tij sipas asaj çka na mëson historia, shohim se morali i Profetit tonë Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është vlerësuar lart e është admiruar edhe prej atyre që nuk i kanë besuar atij.
Sa e sa njerëz ka që duken me karakter të mirë, të butë e humanistë, ndërsa në jetën e tyre morali i mirë dhe zemërbutësia nuk përbëjnë veçse një gënjeshtër të plastifikuar që sakaq thyhet e bëhet copë e çikë si një enë kristali. Një zemërim i vogël, një dhunë e pakët, një ngacmim i lehtë mjaftojnë për të nxjerrë në pah fytyrën dhe mendimet e tyre të vërteta.
Në literaturën islame, krahas fjalës “ahlak”, për karakterin e mirë dhe karakterin e keq përdoret edhe fjala “edeb” ose “adab” (edukatë, etikë) për sjelljen e mirë dhe respektimin e rregullave të të vepruarit gjatë ushqimit, pirjes, bisedës, udhëtimit dhe në veprimtari të ndryshme të jetës së përditshme, për sjelljet e mira e të denja dhe këshillat e shkurtra e plot urtësi dhe për veprat e organizuara sipas këtyre këshillave. Termi “edeb” është përdorur që në periudhat e hershme për fushat e sjelljes së veçantë, ndërsa termi “ahlak” është përdorur për të shprehur hapësirën e njohurive dhe të mendimit në drejtim të sigurimit të forcave morale e shpirtërore si burim i qëndrimeve dhe i sjelljeve, në drejtim të sigurimit të përsosjes shpirtërore të njeriut.
Feja Islame, kundrejt traditave barbare e të egra që kishin lindur prej frymës fisnore, dhënies pas kënaqësive kalimtare të konkurrencës dhe të përçmimit të të tjerëve, vuri hilm-in dhe bamirësinë që duan të thonë balancim i egos njerëzore dhe mbrojtje e karakterit prej zemërimit dhe dhunës. Në këtë mënyrë, Islami i mësoi njeriut që gjithë atë energji të përdorur prej tij gjer në atë kohë në luftën kundrejt qenieve jashtë vetvetes ta kthente në luftë kundër prirjeve të këqija të egos së vet.
Burimi i moralit të Islamit janë Kurani dhe Suneti. Kurani Fisnik nuk është vetëm një libër morali. Ai në të njëjtën kohë është një libër lutjeje, një libër meditimi, një libër rregullash… Si i tillë, krahas çështjeve të tjera që trajton, edhe çështjet e moralit nuk i shtjellon si një libër morali, por duke i ndërthurur me temat e tjera, na sjell plot e plot parime teorike dhe rregulla praktike që formojnë një sistem morali që s’i mungon asgjë.
Në krye të dijetarëve që janë përqendruar në çështje të moralit vijnë sufistët (mutasavvifët). Thuajse të gjithë sufistët kanë pohuar se në jetën e tasavvufit, sa ç’janë të rëndësishme veprimtari adhurimi si ibadeti dhe dhikri, po kaq të rëndësishme janë edhe veprimtaritë dhe cilësitë e larta morale. Shumë sufistë, që në përkufizimin e termit “tasavvuf”, kanë vënë në dukje lidhjet e tij me moralin. Kështu, sipas Ebu Hasan Nuriut, “Tasavvufi nuk është as një numër ritesh ceremoniale, as një tog njohurish; në të kundërt, tasavvufi është vetëm moral”. Po sipas këtij sufisti, tasavvufi përbëhet prej cilësive të lirisë, të dashamirësisë, të shpërfilljes së shqetësimeve të kësaj bote dhe të bujarisë. Ka pasur edhe disa që tasavvufin shkurtimisht e kanë përshkruar si “husnul huluk” (bukuri e karakterit) ose “el ahlaku radije” (morali i pëlqyer).[5] Hasan Basriu thotë se të përkushtuarit mund të dallohen prej virtyteve të të thënit të së vërtetës, të besës së mbajtur, të ruajtjes së lidhjeve me farefisninë, të mëshirës për të varfrit, të largimit nga krenaria e kryelartësia, të të shkuarit mirë me njerëzit, të karakterit të mirë.[6] Zakonisht, sufistët, me një qasje që buron më së pari prej Kuranit dhe Sunetit, duke përqafuar parime si zuhdi (shpërfillja e kësaj bote), takvaja (përkushtimi), fakri (mospasja), tevekkuli (mbështetja e plotë te Zoti), ridaja (të kërkuarit e kënaqësisë hyjnore) etj., kanë mbajtur qëndrim të përmbajtur kundrejt të mirave dhe pasurive të kësaj bote. Kurani dhe Suneti, parashikon që, në vend të robërimit ndaj të mirave të kësaj bote, këto të shfrytëzohen për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe lumturinë e njerëzve.
Sipas njerëzve të shquar të Tasavvufit, burimi i të gjitha mendimeve e zakoneve të këqija dhe i sjelljeve të shëmtuara që nuk pranohen as nga feja, as nga mendja, është nefsi (egoja). Në moralin sufist, shpirti, që në pjesën më të madhe përfaqëson anën e lartë të unit shpirtëror të njeriut, përngjet me engjëllin, ndërsa nefsi me shejtanin. Për këtë arsye, dëmet morale mund të pengohen vetëm duke iu kushtuar përuljes dhe përpjekjes për të thyer prirjet e këqija të nefsit dhe për ta pastruar atë prej zakoneve të këqija. Imam Gazaliu thotë: “Nëse njeriu lufton me dëshirat e tij, e ruan shpirtin prej trysnisë së tyre dhe në këtë mënyrë fiton një natyrë të tillë që t’i ngjajë moralit të engjëjve, atëherë zemra e tij kthehet në shtëpi për engjëjt.”[7]
Kjo luftë që, në moralin sufist, parashikohet t’i bëhet nefsit, në njëfarë mënyre është një përpjekje për të çliruar vullnetin, për përsosjen e moralit njerëzor dhe për t’u çliruar prej dëshirave trupore e tokësore që na pengojnë t’i afrohemi Allahut. Nga ky këndvështrim, në moralin e tasavvufit liria ka një rëndësi të madhe. Sufistët, nisur nga parimi se gjithçka që e angazhon ndërgjegjen e njeriut me diçka tjetër përveç Allahut e kufizon lirinë, qoftë edhe të kërkuarit e të mirave të Parajsës, bie në kundërshtim me lirinë e vërtetë. Sipas Kushejriut, liria është mungesa te njeriu e ndikimit të gjithçkaje veç Allahut. Liria e vërtetë është robërim i plotë.[8] Pozita e fakrit në tasavvuf përfshinë lirinë, sepse fakri, përtej faktit se njeriu nuk është në zotërim të asgjëje, është të mosqenit e asgjëje në zotërim të njeriut.
Në Islam nuk është e mundur që besimi (iman) të ndahet nga morali (ahlak), sepse pranimi me përulësi i të gjitha urdhëresave kuranore është domosdoshmëri e besimit. Duke i vënë në vend këto urdhëresa, gjithashtu, mbërrihen vlerat më të larta morale. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ndër besimtarët, më i miri në çështje të besimit është ai që zotëron moralin më të mirë.”[9] Në këto kushte, njeriu që nuk është në zotërim të një konceptimi të përsosur në pikëpamje të moralit, edhe në çështje të besimit nuk e ka mbërritur plotësinë. Edhe këto fjalë i përkasin Atij (paqja qoftë mbi të!): “Besimi ka shtatëdhjetë degëzime. Më e larta është ‘La ilahe il’lallah’, më e ulëta është të largosh prej rruge ndonjë send që mund të dëmtojë njerëzit. Edhe turpi është një pjesë e besimit.”[10] “Për Allahun, asnjë rob nuk ka besuar plotësisht nëse nuk dëshiron për vëllanë e vet të njëjtën mirësi që dëshiron për veten.”[11] “Mes veprave të vendosura në mizan, kurrgjë nuk do të jetë më e rëndë se morali. Njeriu, në sajë të moralit të mirë, ngrihet në shkallën e atyre që mbajnë agjërim nafile dhe që falin namaz nafile.”[12] Në këto hadithe dhe në të tjera si këto, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) bën fjalë për përparësitë e moralit të lartë. Veç kësaj, duke thënë “myslimani është ai, prej dorës dhe gjuhës së të cilit myslimanët janë të sigurt dhe nuk ndihen të cenuar”,[13] Ai (paqja qoftë mbi të!) na ka përshkruar edhe myslimanin e mirë. Këtu u ndalëm në disa çështje kryesore. Në përzgjedhjen e tyre është bërë kujdes që të mbahen parasysh parimet e përgjithshme të Islamit dhe normat universale. Pa dyshim që nëse hyhet në hollësi, do të vërehet se ekzistojnë një numër mospajtimesh dhe gjykimesh të ndryshme mes filozofëve, moralistëve, teologëve dhe mendimtarëve rreth këtyre kritereve morale dhe çështjeve të tjera të ngjashme. Sidoqoftë ne, duke i lënë mënjanë këto çështje të diskutueshme, u ndalëm tek ato qasje që gjejnë një pranim më të përgjithshëm nga të gjitha palët. Në këtë përzgjedhje jemi nisur prej shembujve praktikë nga Kurani dhe nga jeta e Profetit (paqja qoftë mbi të!), si dhe nga rrethi i tij i afërt, i sahabëve të brezit të parë të asaj kohe që në literaturë është bërë i njohur me emërtimin “epoka e lumturisë” (asru saadet).
[1] Lisanu’l-Arab, hlk md.
[2] Kusheyri, Risale, 404; M. F. Gülen, Kalbin Zümrüt Tepeleri I, 107.
[3] Mes arabëve paraislamë organizoheshin konkurse poezie dhe poezitë më të mira vareshin të renditura në muret e Qabesë. Ndër to, më të famshmet ishin shtatë më të mirat, të cilat quheshin “Mual’lakat Seb’a”.
[4] Zevzeni, Sherhu’l-Mual’lakat, 82.
[5] Huxhviri, Keshfu’l-Mahxhub, 237; Herevi, Menazilu’s-Sairin, 23.
[6] Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Evlija, II, 23
[7] Gazali, Ihja, III, 27.
[8] Kushejri, Risale, 365
[9] Buhari, Edeb, 39.
[10] Ebu Davud, Sunnet, 14
[11] Buhari, Iman, 7; Muslim, Iman, 71-72.
[12] Tirmidhi, Birr, 62.
[13] Muslim, Iman, 14.
Marre nga: http://islami.al/ilmihali/morali-islam/