Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Të pakategorizuara

A mund të kenë një kufi shërbimet e kryera për hir të kënaqësisë së Allahut?

Estimated reading: 13 minutes 202 views

Siç dihet prej të gjithëve, jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtin nivel lidhje me Allahun (xh.sh.). Ndoshta, ndërmjet tyre mund të ketë ndryshim si nata me ditën. Me fjalë të tjera, çdo njeri ka një lidhje të veçantë me Allahun (xh.xh.), sipas besimit, njohjes, dashurisë dhe pasionit. Për shembull, krahas një njeriu që i jeton urdhëresat e Tij me përpikërinë dhe delikatesën më të madhe, madje që kërkon rrugë të reja për t’u afruar më tepër me Allahun, duke kryer edhe disa adhurime shtesë (nafile), ka edhe të atillë që mjaftohen vetëm me kryerjen e urdhëresave të detyruara. Mirëpo ka një të vërtetë këtu, që lidhja e çdo personi me Allahun, sado e fortë a dobët qoftë, nuk mund të nënvlerësohet. Sepse ta nënvlerësosh atë, do të thotë të nënvlerësosh atë gjë, të cilën e vlerëson vetë Allahu (xh.xh.). Nëse do ta shtjellonim edhe pak më tej këtë argument, në këto ditë kur fitnen e gjen kudo, pra në një ambient kaq të rrëshqitshëm, nëse një njeri thotë fjalinë e njësimit, të dëshmisë, fal pesë vaktet e namazit, agjëron gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, e krahas këtyre kryen edhe detyrimet e zekatit e haxhit, e megjithëse fillon të thirret si, “ky është nga të filanit, ai nga të fistekut”, qëndron prapë pa devijuar aspak nga gjendja e tij, kjo do të thotë se po shpërfaq një qëndrim tejet të rëndësishëm. Ne besojmë, se një njeri i tillë do të ketë mundësinë të përfitojë prej të gjitha mirësive të Allahut. Sepse çdo veprim i kryer në këto kushte vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut ka një vlerë të veçantë pranë Tij. Kësisoj, çdo sakrificë e kryer prej të gjithë atyre njerëzve që i kanë dalë zot këtij shërbimi ndaj njerëzimit nuk do parë si e vogël, por përkundrazi, do përgjigjur veç me vlerësim.

Të nxiten përpjekjet duke duartrokitur të bukurën

Nëse do t’i hedhim kësaj çështjeje një vështrim nga aspekti i bujarisë, ju mund të shihni ndryshime në nivele të ndryshme edhe mes vetë sahabëve të Profetit Muhamed (s.a.s.) gjatë Kohës së Lumtur. Për shembull, kur u thirrën ata për të mbledhur kontribute para betejës së Tebukut, Ebu Bekri i nderuar (r.a.) pati dhënë krejt pasurinë e tij, ndërsa pyetjes së Profetit tonë të dashur (s.a.s.), Po familjes çfarë i le?, ai iu përgjigj me fjaltë monumentale: “Atyre u lashë Allahun (xh.xh.) dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s.).”. (Ahmed bin Hanbel, Fedail’us-Sahabe, 1/360). Ja, kjo është shkalla e besnikërisë. Ai ishte besnik ndaj Allahut (xh.xh.) dhe të Dërguarit të Tij (s.a.s.), ndërsa përsa i përket përthithjes së Islamit, një mysliman prototipik. Omeri i nderuar (r.a.) pati sjellë gjysmën e tërë pasurisë së tij. (Ahmed ibni Hanbel, Fedailu’s-Sahabe, 1/360) (Patjetër, këtu është e domosdoshme që të theksohet se është paturpësi që të thuash se Omeri (r.a.) ishte shumë mbrapa Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), pasi edhe Omeri i nderuar (r.a.) kishte anët e tij të veçanta, e aq të vyera.) Osmani i nderuar (r.a.) dhe Abdurrahman bin Aufi patën kontribuuar me pesëqind deve secili. (Ahmed ibni Hanbel, el-Musned, 6/115). Këtë mund ta mendoni sikur të dhurosh sot pesëqind makina “Mercedes”. Kurse Aliu i nderuar (r.a.), duke i përftuar çështjes një tjetër thellësi sinqeriteti, një pjesë të kontributit të tij e jepte haptazi, ndërsa pjesën tjetër fshehtazi. Ndërsa jepte haptazi, shpërfaqte një sjellje që duhej marrë shembull edhe prej të tjerëve, duke treguar kësodore se nuk ngelej pas tyre; ndërsa fshehtazi jepte duke dashur që vetëm Allahu (xh.xh.) ta dinte atë. Mirëpo krahas këtyre, përsa i përket asaj periudhe të fillimit, kishte edhe njerëz të atillë që merrnin pjesë në këtë karvan mirësie vetëm me dy-tri hurma apo me një sasi shumë të vogël të hollash. Në fakt, si domosdoshmëri e natyrës njerëzore, kjo përherë në këtë mënyrë ka ndodhur. Po, krahas atyre që jepnin gjithë ç’kishin, ka pasur edhe njerëz që jepnin gjysmën, çerekun apo një të dhjetën e tërë pasurisë së tyre. Prandaj, nuk do harruar që të njëjtat gjëra mund të ndodhin edhe sot, kështu që edhe sakrifica më e vogël duhet duartrokitur.

Gjithashtu, do pasur parasysh se duartrokitja e sakrificave sado të vogla përbën vetëm njërën anë të kësaj çështjeje. Ana tjetër e kësaj çështjeje është përftimi i vazhdueshëm i niveleve të reja lartësish, duke u treguar atyre synime të reja që kalojnë përmes portash të reja mirëbërjeje. Sepse, tek çdo njeri, pas çdo pune sado minimale që mund të kryejë ai, fshihen gjithfarë punësh më të mëdha e akoma më të rëndësishme. Nga ky këndvështrim, njeriu nuk duhet ta lërë veten të kufizuar në përpjekje, por përkundrazi, duhet ta mbajë synimin dhe përpjekjet e tij përherë sa më lartë. Çdo agim të ri duhet të përpiqet ta ndjejë edhe njëherë, akoma më thellë, Allahun (xh.xh.) brenda ndërgjegjes së tij, duke bërë kështu një hyrje për t’u bërë njësh me shpirtin e fesë. Duhet të kërkojë rrugët për ta forcuar më tej lidhjen me të Dërguarin e Zotit (s.a.s.), duke u përpjekur që ta ngrejë sa më lart fushëpamjen e tij. Ndërsa nivelin në të cilin ka mbërritur nuk duhet ta shohë kurrë si të mjaftueshëm, por të thotë vazhdimisht: “Hel min mezid – A nuk ka edhe më?”, e kësimënyre t’i grahë kalit sa më përpara që të mundë. Madje, nëse ndodh që ndonjë ditë të mbërrijë në gradën e fena fi’l’lah[1] apo beka bi’l’lah[2] , e sikur nga shikimi të zhduket krejt ç’ka përpara syve, duke i hedhur mënjanë të gjitha ato gjëra që janë të përkohshme, e jo të përjetshme, e pasi të ketë mënjanuar krejtësisht truporen dhe egoisten, të gjejë edhe njëherë ekzistencë me bujarinë e Tij, duke ia bërë zemrën, shpirtin dhe ndjenjat që të rilindin, madje aq sa të ndjejë se koka, me aq sa është lartësuar, prek tashmë qiellin, prapëseprapë ai duhet të lutet: “O Zot, falmë mua talent që i kapërcen aftësitë e mia, e më bëj që ta ndjej se si mirësitë e Tua më burojnë pareshtur.”

Po, megjithëse, përsa i përket jetës së zemrës dhe të shpirtit, apo përsa i përket nivelit të ndryshëm të njerëzve në shërbim të së drejtës, njerëzit shfaqin larmi ndër njëri-tjetrin, do pasur gjithnjë parasysh, se edhe për atë që gjendet ndoshta në nivelin më të ulët, rruga e përparimit është përherë e hapur. Sa më shumë që ta njohin shërbimin që janë duke kryer, aq më të gatshëm e me gjallëri do përpiqen në të, e sa më shumë të jenë duke shërbyer në këtë rrugë, aq më pranë do të jenë kthimit të tij në një pjesë të pandarë të karakterit të tyre. Asisoj, që kur të vijë një ditë që të mos ketë nevojë, e të mos u kërkohet më asgjë në emër të shërbimit, në ato herë kur nuk do të vijë më askush t’u thotë: “Eja e na jep një dorë në këtë punë.”, do ta ndjejnë veten të kapluar prej një zbrazëtie të thellë. Këtë gjendje do ta shohin njësh me vdekjen, do të këputen prej hidhërimit, e do të kërkojnë çdo shteg të mundshëm për të qenë sërish kontribuues. Mirëpo, arritja e një shkalle të këtillë është e lidhur ngushtë me pritjen e kohës dhe durimit në përpjekje të vazhdueshme, duke e kthyer pak e nga pak në një pjesë të pandarë të vetes.

Bashkëbiseduesit duhen njohur mjaft mirë

Një tjetër qasje ndaj kësaj çështjeje, e cila do të hidhte dritë më tepër, është kjo: “Disa e vlerësojnë çështjen prej rregullave të nxjerra gjatë periudhës së Medinës, ku mjaftohen vetëm duke kryer detyrimet. Nëse këta japin të dyzetën e pasurisë së tyre, apo të dhjetën e mallrave të tyre, kjo do të thotë se e kanë kryer detyrën e tyre. Ndërsa disa të tjerë e shohin sipas këndvështrimit mekas, që duke u nisur edhe nga fakti se nuk ka pasur ajete përcaktuese për zekatin gjatë periudhës së Mekës, e nuk mund ta dinin se sa ishte masa, mekasit jepnin ç’të kishin. Pikërisht së këndejmi, është e nevojshme që ata që prijnë në kryerjen e disa shërbimeve të caktuara, apo që orvaten që të përfshijnë edhe kontributin e të tjera brenda këtyre punëve, të sillen disi me mençuri dhe largpamësi. Nëse ata i shohin kontributet e dhëna si të pakta, e kësisoj ngrihen e u ngarkojnë njerëzve barra më të rënda se ç’mund të mbartin, Zoti na ruajtë, tek bashkëbiseduesit do të lindë njëfarë mosdëshire, pakënaqësie, madje edhe urrejtjeje. Për t’ju dhënë juve një masë-kriter në këtë aspekt, lejomëni t’ju rrëfej një kujtim timin. Ishim mbledhur të gjithë në Bozjaka të Izmirit për të mbledhur ndihma për njerëzit në nevojë. Pasi pata folur gjerë e gjatë për rëndësinë e çështjes u tërhoqa për në dhomën që më ishte dhënë për të fjetur. Ndërsa po ngjisja shkallët, nga pas më vjen njëri duke nxituar. E njihja atë njeri, i cili kishte dalë në pension. Më arriti dhe më hodhi në dorë çelësat e shtëpisë që kishte blerë me shpërblimin e daljes në pension. “Poshtë dhanë të gjithë nga pasuria e tyre, e unë nuk kam pasuri tjetër veç kësaj, kështu që po jap çelësat e shtëpisë.” Unë, mandej, ia ktheva mbrapsht çelësat e shtëpisë duke i thënë se në fenë tonë nuk ka asnjë lloj përgjegjësie të tillë. Më pas i thashë, shko e jeto me familjen në shtëpinë e re, e kur të të japë Zoti Bujar, atëherë jep edhe ti diçka. Për mendimin tim, nëse kjo çështje nuk trajtohet me një filozofi të këtillë, atëherë do të kemi vështirësuar fenë. Mirëpo Allahu (xh.xh.) në suren Bakara, (2/256), shprehet se në fe nuk ka vështirësim. Po, kurrsesi nuk mund të ketë vështirësim, qoftë përsa i përket besimit, qoftë përsa i përket veprimeve të kryera në emër të fesë.

Feja islame është e ngritur mbi lehtësinë si themel. Nëse ju ngriheni dhe e vështirësoni atë më tepër se sa mund të përballojnë njerëzit, atëherë nuk do të keni bërë gjë tjetër, pos kthimit të fesë në diçka të pajetueshme. Në këto raste, ajo që merret si përgjigje është krejt e kundërta e qëllimit. Megjithëse ju doni që njerëzit të tregojnë bujari të pashembullt, apo dëshironi që poshtë kësaj pune të ketë gjithsecili nga një dorë, të gjitha gjërat përfundojnë krejt kundër, asisoj që ju bini përfundimisht në gjendjen e të mundurve. Sepse, siç është shprehur edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.): Padyshim që kjo fe është veç lehtësi. Kush rreket që ta vështirësojë atë, del i humbur. (Buhari, iman, 29; Nesai, iman, 28) . Së këndejmi, ata që gjenden në pozitën e udhërrëfyesit, duke i njohur më së miri të gjithë bashkëbiseduesit, duhet të sillen me mençuri dhe largpamësi, duke i njohur më së miri njerëzit që kanë përballë, e duke i parallogaritur se sa mund të përballojë njëri, e sa mund të përballojë tjetri. Krahas kësaj, nuk do harruar se veprimi në këtë mënyrë është edhe sjellje sipas moralit hyjnor. Sepse, Allahu (xh.xh.), në suren Bakara, (2/285) thotë se nuk i ka ngarkuar askujt përgjegjësi më të rëndë se ç’mund të përballojë. E duke u nisur që nga kjo pikë, në vend të ushtrimit të trysnisë, apo ngarkimit të përgjegjësive të papërballueshme, njerëzit duhen gëzuar me lavdërime, apo me rrugë të tjera që t’ia shtonin më tepër dëshirën për të punuar.

Bujaria e vazhdueshme

Në fakt, marrja edhe e mundësive të fundit të njerëzve, do të shkaktojë mosmirëvajtjen e mëtejshme të punëve të tij. Kur, në fakt, ecuria e mirë e punëve të tyre, e kësodore edhe zgjerimi i mundësive të tyre, ka për të bërë të mundur që të nesërmen të japin më tepër në rrugën e Allahut (xh.xh.). Duke u nisur nga kjo pamje, edhe sikur të gjithë të ngarendin për të prurë gjithë pasurinë e tyre, ju sërish duhet të silleni të ekuilibruar, duke menduar për një kohë më të gjatë, për t’i dhënë edhe dimensionin e vazhdimësisë kësaj çështjeje.

Si përfundimi, dua t’ju them, se duke u bazuar edhe në mundësitë e larmishme të shërbimit, ata që presin më shumë sakrifica dhe bujari, duhet të luajnë me formatin e organizimeve, në mënyrë që ta shpëtojnë rënien në rutinë, por pa thyer asnjë prej rregullave të qenësishme. Vlerat ku besojnë duhet t’i paraqesin çdoherë me nga një ton, ngjyrë dhe motiv të ri, në mënyrë që te njerëzit të ndizet përherë nga një zjarr i ri dëshire. Nuk do harruar asnjëherë, “Çdo gjë e re është e pëlqyeshme.” Po kështu, edhe mesazhet që ju do të përçoni me anë damarësh nga më të ndryshmit, do të ndjellin emocione të reja, e do të pranohen menjëherë prej njerëzve përreth jush. Në rast të kundërt, nëse ju e monotonizoni gjendjen, tek njerëzit do të shfaqet njëfarë hemorragjie, e cila çon deri në pështjellim. Kështu, edhe ju do ta keni më të vështirë, që fjalët tuaja të gjejnë jehonë në zemrat e tyre.

[1] Të shkrish egon tënde brenda Unit të Zotit.
[2] Të përjetësohesh nëpërmjet Unit të Zotit.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

A mund të kenë një kufi shërbimet e kryera për hir të kënaqësisë së Allahut?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA