Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Njeriu Ideal

Si duhet ta bëjë planifikimin e kohës së tij çdo njeri i horizontit të epërm për të ruajtur ekuilibrin e të drejtës së çdokujt që e rrethon?

Estimated reading: 16 minutes 195 views

Planifikim i kohës do të thotë planifikim i jetës duke përcaktuar një radhë të çdo gjëje sipas rëndësisë që bart, duke marrë parasysh dhe duke vlerësuar të gjitha punët që duhen bërë. Asisoj, që brenda këtij plani të jetë e pranishme edhe jeta jonë adhurimore, me namazin, dhikrin dhe lutjen; po ende duhet të zënë vendin e tyre edhe përgjegjësitë që ne kemi ndaj njerëzve që na rrethojnë, duke nisur nga familja dhe fëmijët e më tej.

Për shembull, një besimtar nuk mund dhe nuk duhet ta lërë kurrsesi pas dore, e aq më pak ta braktisë, adhurimin e natës me pretekstin se është duke shërbyer. Po, një zemër që beson duhet t’i japë jetë natës së tij qoftë edhe me dy rekate namaz. Në fakt, një njeri që çohet gjatë natës për të falur dhe për t’u lutur për 10-15 minuta namaz tehexhudi nuk mund të thuhet se humbet ndonjë gjë prej jetës së tij të shërbimit; përkundrazi fiton shumëçka. Sepse një njeri që e vlerëson natën e tij, do të thotë se ka hyrë në rrugën e ringjalljes. Adhurimi i natës është një vepër që i bën banorët e urtë të qiellit të duartrokasin. Lutja e bërë ndërkohë, ashtu siç nuk ka të krahasuar me lutjet e bëra në pjesë të tjera kohe, vënia e ballit në tokë në atë orë të natës, ritakimi me sixhaden, përulja përpara Krijuesit, derdhja e dy pika lot është aq madhështore sa nuk mund të krahasohet me adhurimet e bëra gjatë ditës. Nga ky këndvështrim, teksa planifikohet një ditë, adhurimi i natës nuk do lënë assesi në një plan të dytë.

Jepuni gjithkujt të drejtën që i takon!

Njeriu, ashtu siç nuk duhet kurrsesi të heqë dorë prej adhurimeve që i ushqejnë jetën e zemrës dhe shpirtit, duhet t’i marrë parasysh të gjitha detyrimet që i rrjedhin prej të drejtave të njerëzve që e rrethojnë në jetën e tij shoqërore, t’i vendosë ato sipas një radhe për nga rëndësia, dhe të përpiqet që t’i japë secilit kohën dhe të drejtat që i takojnë. Siç e dini, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u është drejtuar me këto fjalë sahabëve të Tij që linin pas dore familjet e tyre ngase donin të jepeshin me tërë forcën e tyre ndaj adhurimit: “Egoja ka disa të drejta prej jush, familja juaj gjithashtu ka disa të drejta prej jush, siç edhe Allahu ka disa të drejta prej jush… duhet t’u jepni çdokujt detyrimin që u keni për të drejtën e tyre.[1] Siç mund të kuptohet edhe prej këtij hadithi, qoftë edhe adhurimi nuk duhet t’i hapë rrugë braktisjes së kryerjes së disa detyrimeve që na burojnë prej të drejtave të vetes, të bashkëshortit/es, të fëmijëve, etj.

Në fakt, njësoj siç përcaktimi dhe ndarja e kohëve të namazit në pesë pjesë mund t’u japë disa mësime mjaft të mira njerëzve lidhur me planifikimin e kohës, edhe ajetet fisnike ku shpjegohen urtësitë e krijimit të ditës dhe natës u japin atyre disa të dhëna mjaft interesante. Për shembull, në suren Kasas thuhet kështu: “Ai, krijoi natën dhe ditën si vepër të mëshirës, që gjatë natës të çlodheni, e gjatë ditës të punoni për të kërkuar pjesën tuaj të mirësisë që Zoti jep për ju dhe ta falënderoni Atë për ato.[2] Në shembuj si ky dhe në të tjerë, Kurani Fisnik ju udhëzon në lidhje me planifikimin e kohës duke ju dhënë këtë mesazh: Nëse e planifikoni jetën tuaj, dhe gjatë ditës bëni ato që duhen bërë gjatë ditës dhe natën ato që duhen bërë gjatë natës, duke e vlerësuar natën me një thellësi të veçantë dhe ditën drejt horizontesh të arrira, shpëtoni prej jetesës së rrëmujshme, nuk pengoheni prej pengesave që burojnë prej mungesës së planit dhe programit, çka çon drejt një jete më të begatë.

Planifikimi i një njëzetekatërorëshi

Për një planifikim sa më të disiplinuar dhe me sa më shumë rendiment, mund ta hidhni prerjen tërthore të njëzet e katër orëve në një letër. Dhe për aq sa mund të bëhet diçka e këtillë, do të jetë hedhur në pah qartësisht se cila punë do bërë në cilën pjesë të kësaj kohe, duke nisur që nga mbledhja me shokët për të kryer biseda të përshpirtshme tek leximi i librave; nga rregullimi i shtratit pas zgjimit e deri tek lutjet dhe përmendja e emrave të Krijuesit; nga kalimi i kohës dhe diskutimi i çështjeve të ndryshme familjare me pjesëtarët e familjes e deri tek koha e çlodhjes. Madje edhe koha për të pirë një filxhan çaj apo për të ngrënë duhet të jetë e shqyrtuar më së pari nëpërmjet programit të përcaktuar si më sipër. Ta zëmë, nëse njëzet minuta janë të mjaftueshme për të ngrënë, do mjaftuar me kaq dhe nuk do shpërdoruar koha me dërdëllitjet që mund të pasojnë një vakt buke. Madje, ndërsa bëhet planifikimi i kohës, duhen marrë parasysh edhe punë të ndryshme shtesë që mund të dalin papritmas, duhen marrë masa duke u lënë disa copëza kohe të lira, në mënyrë që këto punë të papritura të mos prishin ekuilibrin kohor të së tërës.

Nëse mund të bëhet edhe një planifikim i të tëra punëve duke nisur që nga metoda e deri tek detajet më të imëta që duhet të kemi parasysh për kryerjen e tyre, atëherë ka për t’u ndierë menjëherë begatia që do të arrijë koha juaj dhe njëkohësisht do të shihni se si punët tuaja do të arrijnë më lart se synimet. Sepse, nëse jetës i jepet një rregull i këtillë, atëherë njeriu do të mund të jetojë plotësisht i disiplinuar në raport me kohën që ka në dispozicion, do të mësohet si të veprojë në raport me këtë kohë dhe do të mund t’i kryejë të gjitha punët dhe detyrimet e tij pa u kushtëzuar prej ndonjë dëmtim i motivimit për t’i plotësuar ato. Me pak fjalë, kjo do të thotë që të bëhesh një njeri i disiplinës dhe ta çosh jetën në një mënyrë krejt të disiplinuar. Sepse një njeri i këtillë, i disiplinuar, nuk përjeton as boshllëkun më të vogël në adhurimet e tij, as nuk neglizhon përmendjen e emrit të Allahut (xh.xh.), as nuk i shtyn gjithnjë për më vonë detyrat që duhet të kryejë, e as të drejtat dhe detyrimet karshi familjes nuk ka se si t’i shkelë.

Të bindësh njerëzit me të cilët ecën nëpër të njëjtën rrugë

Një tjetër pikë me të cilën do bërë kujdes ndërsa bëhet planifikimi i kohës është kjo: njeriu, planifikimin që ka menduar t’i bëjë kohës, duhet ta hapë njëherë ndaj njerëzve me të cilët ndan këtë jetë, duhet të marrë mendimet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë, e mandej pasi t’u ketë shpërfaqur atyre rëndësinë e detyrave që ka për të kryer, duhet të përpiqet që t’i bindë ata, qoftë nëpërmjet arsyetimit qoftë nëpërmjet zemrës. Me një fjalë, me aq sa t’i mundë gjuha, është mirë t’u shpjegojë atyre se ai ka disa detyrime karshi fëmijëve, bashkëshortit/es, familjes, Allahut (xh.xh.), fesë, Kuranit dhe se duhet t’u japë gjithsecilit të drejtën që i takon. E nëse arrin në njëfarë marrëveshjeje me njerëzit me të cilët jeton nën të njëjtën çati, mund t’i kryejë punët dhe detyrat që i bien për të kryer më lehtësisht dhe më rehat, dhe pa u kapur pas fjalëve dhe sjelljeve negative të njerëzve të tjerë rreth familjes.

Mendoni një njeri që e ka bindur veten se një pjesë të mirë të kohës duhet ta përdorë për lartësimin e emrit të Allahut (xh.xh.) dhe e beson këtë me gjithë forcën. Ta ketë përvetësuar dhe ta ketë kthyer në një nevojë të fuqishme të brendisë së tij që ta kryejë këtë detyrë pa u tutur përballë kurrfarë sakrifice. Megjithatë, nëse njerëzit që e rrethojnë nuk e njohin detyrimin tonë më të madh, që është karshi Allahut (xh.sh.) rëndësinë e kësaj detyre jetike të çeljes së gonxhes së emrit të Tij në të katër anët e botës, që kjo fe është një amanet dhe ndaj tij do ndenjur përherë në gatishmëri, për ta restauruar këtë kështjellë të ardhur prej shekujsh trashëgim tek ne, nga filli tek peri, ata nuk do të duan që të ecin në të njëjtën rrugë me të. Andaj, për të mund të ecur në të njëjtën rrugë edhe me ta, atëherë ai duhet të bëjë shumë përpjekje shtesë. E kjo, me kalimin e kohës, mund të bëjë që tek ai të lindë një lodhje prej rrugës.

Mirëpo, nëse njeriu mund t’ua bëjë të besueshme besimin dhe horizontin e tij të lartë edhe njerëzve me të cilët ndan këtë jetë, duke e zgjuar edhe në zemrat e tyre ndjenjën për t’i dalë zot këtyre shërbimeve nëpërmjet frymuar mendime sa më përbashkuese, atëherë do ta ketë më të lehtë për ta zbatuar planin e tij të kohës dhe të punëve. Madje, kur të ndodhë që të lërë pas dore ndonjë prej detyrave që duhet të kryejë, për shembull kur nuk shkon në mbledhjen ku duhet të marrë pjesë apo kur nuk merr pjesë në programin e leximit ku duhet të jetë i pranishëm, janë njerëzit me të cilët ai jeton që i shfaqin reagimin e parë. E kjo, siç e shihni, kthehet përkundër, në një element nxitës.

Në të kundërt, nëse partneri, fëmijët ose njerëzit e tjerë me të cilët jetoni nuk janë në dijeni të programit dhe planifikimit të kohës që ju keni bërë dhe keni vënë në zbatim, atëherë është e pashmangshme që të shfaqen një sërë pakënaqësish dhe përçarjesh. Çka çon menjëherë në prerjen e ndihmesës hyjnore. Sepse, ndihma e patëmetë e Allahut (xh.sh.) vjen aty ku gjendet bashkimi dhe lidhjet e forta mes njerëzve. Andaj, nëse ju dëshironi të jeni kandidat për suksesin që mund të mirëbëjë Allahu (xh.xh.), sidoqofshin rrethanat, duhet më së pari të siguroni bashkimin dhe lidhjen me njerëzit që ju rrethojnë.

Kontributi në punë

Një tjetër çështje mbi të cilët do ndalur këtu është edhe kontributi kohor që do të japim në drejtim të horizontit të epërm kah i cili jemi dhënë. Puna që mund të bëjë një nëpunës në emër të horizontit të tij me parimin e një punëtori që punon ato 7-8 orët e fiksuara të punës, do të jetë e kufizuar po aq sa ç’është i kufizuar edhe ky parim. Nëse njeriu ka marrë përsipër 3-4 punë në emër të horizontit të tij dhe këto kërkojnë 13-15 orë në ditë, ai duhet të përpiqet që t’i realizojë ato përpikërisht duke ndjekur një plan rigoroz të kohës. Me një fjalë, nga njëra anë ta shpenzojë kohën e tij në rrugë të Allahut (xh.xh.) pa çuar dëm as edhe një sekondë të vetme, ndërsa nga ana tjetër, duke i vendosur punët në një rend të caktuar të përpiqet që ta vlerësojë kohën në mënyrën më rigoroze.

Veçanërisht sot, kur bëhet fjalë për restaurimin e një kështjelle shpirtërore që na është trashëguar prej shekujsh të shkuar deri tek ne, njerëzit që ia kanë dhënë zemrën shërbimit të besimit janë të detyruar që të tregojnë sakrifica më të mëdha se ato që kanë treguar gjer më sot, madje duke qenë sa më të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje. Madje për t’ia arritur kësaj, mund të gjenden në një “mbledhje kontributesh me punë”. Për shembull, dikush mund të dalë e të thotë se do t’i ndajë plot dymbëdhjetë orë shërbimit ndaj fesë dhe vendit të tij, një tjetër merr përgjegjësinë për trembëdhjetë, kurse një tjetër premton se do të punojë plot katërmbëdhjetë orë në rrugë të Allahut (xh.xh.). Kësodore, çdokush, për aq sa është gjendur në premtim vullnetarisht të një kontributi shtesë në punën e tij, përpiqet për ta planifikuar dhe zbatuar atë rreth boshtit të shërbimit. Ky është botëkuptimi i orarit të punës që duhet të ketë një besimtar i vërtetë. Nëse sot nuk arrihet as të kuptohet dot një koncept i këtillë i orarit të punës, do të thotë se as ky aspekt i të qenit mysliman nuk kuptohet.

Nëse disa, nuk gjenden në kontribut kohe pune aq sa mund të pritet prej tij, megjithë mundësitë që mund t’i ketë, atëherë do të thotë se paska nevojë që mendjet të binden në lidhje me këtë çështje. Arritja në një marrëveshje me personat në fjalë është shumë e rëndësishme. Mirëpo, askush nuk duhet të gjendet në shkelje të të drejtave të tjera që mund të ketë karshi të tjerëve për hir të kësaj. Çdokush duhet të jetë aq shumë i ndjeshëm në përmbushjen e këtyre përgjegjësive sa të mos përjetohet asnjë shkelje e të drejtave të ndërsjella mes bashkëshortëve, as t’u shkelen të drejtat fëmijëve dhe familjarëve, e as të përjetohen padrejtësi mes drejtuesve dhe nëpunësve, në mënyrë që të mos shkelen përgjegjësitë e ndërsjella në vendin e punës.

Pasi, nëse ne, duke thënë orar pune, kuptojmë vetëm veprimin sipas konceptimit të një nëpunësi, që pasi të kemi punuar për 7-8 orë të bëjmë kokrrën e qejfit, të hamë e të pimë, të shëtisim sipas kënaqësisë, të ulemi nëpër kafene, që mund të quhen edhe çerdhe të njerëzve parazitë, të luajmë apo të marrim pjesë në ca palo aktivitetesh me prirje egoiste dhe djallëzore, do të thotë se e kemi keqkuptuar fare çështjen. Një njeri që vepron sipas një pikëvështrimi të këtillë duhet ta dijë se nuk do të arrijë të bëjë dot as një të dhjetën e punëve që duhen bërë në emër të njerëzimit. Madje njeriu që bart një botëkuptim kaq të gjymtuar rreth orarit të punës, nuk mund të duket e habitshme që në kohën që ndien nevojë për pushime të largohet për të pushuar, apo të marrë leje atëherë kur ka punë të një rëndësie jetike që duhen kryer, duke bërë që ato të ngelen pas dore.

Kështu, botëkuptimi i njeriut dedikuar shërbimit nuk mund të jetë i tillë. Ata përpiqen medoemos për t’i sendërtuar ato çfarë kanë marrë përsipër me përgjegjësi dhe nuk e lënë asnjëherë përgjysmë një punë që e kanë nisur. Ndërkohë, edhe kur u ndodh që të kenë shkelur si pasojë të drejta të familjes apo fëmijëve të tyre, bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i ndrequr, duke u përpjekur që t’ua fitojnë sërish zemrën njerëzve që mund t’u kenë bërë padrejtësi. Për shembull, sipas vendit dhe kohës, u del përpara me një buqetë trëndafilash, u kërkojnë ndjesë për vonesën, dhe pa e menduar dy herë mbajnë fjalën e dhënë; njëfarë mënyre për t’i ndrequr gabimet e veta.

Megjithatë, bashkëshortët duhet të tregohen më tolerues ndaj vonesave që mund të vijnë si pasojë e ndjekjes së një pune kryerja e së cilës përbën domosdoshmëri. Nuk do harruar kurrsesi, se orët, minutat, madje edhe sekondat e kaluara në një pritje të tillë, u kalojnë si adhurim edhe atyre që presin. Sepse kjo pritje quhet si një sakrificë e tyre për hir të realizimit të punës. Secili prej bashkëshortëve që ndajnë një çerdhe me partnerin e tyre ka nevojë për të. Ka sa e sa çështje për të cilat ata kanë nevojë për njëri-tjetrin që të mund t’i diskutojnë. Ja pra, megjithëse kanë disa nevojat të tyret që duhet t’u gjejnë zgjidhje, fare pa e kuptuar, sakrifica për të pritur shokun e jetës mund të bëjë që çdo sekondë t’u quhet si adhurim i viteve të tëra. Pasi nijeti i besimtarit është më i vyer se vepra e tij.[3] Nëse njëri prej tyre ngarend pas punëve të vyera të shërbimit, ndërsa tjetri e mbështet si materialisht, si shpirtërisht, me lejen e Allahut, të dy përgëzohen prej shpërblimit të asaj vepre të mirë.

[1] Buhari, edem 86.
[2] Kasas, 28/73.
[3] Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 6/185-186.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si duhet ta bëjë planifikimin e kohës së tij çdo njeri i horizontit të epërm për të ruajtur ekuilibrin e të drejtës së çdokujt që e rrethon?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA