Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Të pakategorizuara

Cilat janë detyrat e kryetarit të familjes në Islam?

Estimated reading: 18 minutes 313 views

a) Masat para lindjes së fëmijës: mjedis banimi, ushqime, veshmbathje, etj.
b) Praktikë dhe edukim: vënia e një emri të bukur fëmi­jës, mëkimi me gji, planifikimi i shpenzimeve dhe edukimit sipas moshës dhe veçorive të tjera personale.
c) Ndjenja e përgjegjësisë në edukim.
d) Të mëdhenjtë e familjes duhet të jenë të pajisur me mora­lin e lartë islam dhe shembuj për të vegjëlit.

Le të përpiqemi t’i shohim këto një e nga një.

a) Masat para lindjes së fëmijës

aa) Fara e pastër

Hedhja e farës në një truall të pastër, pastaj, ajrimi me ajër të pastër tek zhvillohet aty ku është hedhur, ujitja me ujëra të pastra dhe kryerja e shërbimeve të duhura, të gjitha këto kanë shumë rëndësi për përgatitjen e një brezi cilësor. Vetëm për ta mbësh­tetur këtë konsideratë, hadithi i mëpo­shtëm i Profetit (s.a.s.), i përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi, përbën një vlerë më vete: “I ulëti është qysh në bark të në­nës i pafat, kurse i larti është qysh në bark të nënës me fat!”[1]

Po, duhen marrë të gjitha masat para se fëmija në bark të nënës të marrë rrugë për t’u bërë i ulët e i pafat! Qysh në çastin kur bashkohen spermatozoidi me vezën, ushqimi i fë­mijës së ardhshëm, sjelljet e nënës, si dhe qëndrimet e më­parshme e të mëpasshme të nënës e babait janë pretekste me rëndësi në shkrimin e tij si i ulët a i lartë.

Duhet të dihet mirë që për asnjë lloj vendimi nuk mund të bëhet fjalë pa u vënë në llogari vullneti dhe sjelljet tona. Krijuesi i Lartë e di se si do të veprojmë ne, ç’hapa do të hedhim, ç’do të rezultojë nga këto hapa dhe, duke futur në llogari edhe vull­netin tonë, është programuar çdo gjë. Sa fëmijë ka që, si rrje­dhojë e mjedisit ku kanë dalë dhe fak­torëve shkakësorë të tij, janë të pafat qysh nga çasti kur vij­në në botë. Ndërkaq, është një përjashtim nëse Allahu (xh.xh.), me bujarinë dhe favorin e Tij, e kthen gjendjen e tyre në lumturi!

Po, çdo gjë nis qysh në çastin kur hidhet fara. Po qe se fë­mija i ardhshëm është i ulët apo i lartë qysh në vezë, ndi­kimi negativ në këtë fatalitet i ushqimit të pabekuar (gjësë së ngrënë me pa të drejtë), mëkatësia e nënës dhe babait nuk mund të nënvleftësohen. Po qe se fara është hedhur pa Be­smele (pa u nisur me emrin e Zotit), mbirja prej saj e një prodhimi të do­bishëm i ka mbetur favorit të Zotit. Edhe në mos qoftë e pa­mundur të merret rezultat i drejtë nga një ini­ciativë e shtrembër, është shumë e vështirë. Nuk po themi është e pamundur, sepse, meqë edhe nga Ebu Xhehli ka dalë një njeri i tillë si Ikrime, edhe nga familjet me jetesë shumë negative, madje, disa herë mund të dalin njerëz me besim.

Në mënyrë të veçantë, ajeti i mëposhtëm, nga njëra anë pa­rashtron se nëna dhe babai mund të kenë një sërë dëshi­rash dhe kërkesash, nga ana tjetër orienton se ata duhet t’i kthejnë sytë kah Allahu (xh.xh.) për t’i kërkuar Atij fëmijë të mirë!

bb) Ushqimi duhet të jetë hallall[2]

Njëra prej detyrave të prindërve është edhe që, ashtu siç du­het t’i kushtojnë kujdes ushqimit të vet, edhe fëmijët t’i ushqej­në me gjëra të mira, të këndshme dhe të bekuara, hallall. Po qe se një musliman u jep për të ngrënë pjesë­tarëve të familjes një gjë haram (të fituar pa të drejtë, të pa­bekuar), ju patëm kujtuar se martesa e tij konsiderohet haram (e pabekuar ose e palejuar) ose mekruh (e papël­qy­e­shme), megjithëse këto konsiderata, nga pikëpamja juridike, janë të diskutueshme. Por, pa dyshim, askush s’ka të drejtë t’i ushqejë të tjerët me gjëra haram!

Nisur nga kjo, jemi të detyruar t’i ushqejmë fëmijët dhe pje­sëtarët e tjerë të familjes që kemi në ngarkim, me gjëra të mira, të këndshme e të bekuara. Nuk mund të justifikohemi duke e quajtur këtë një “shqetësim të përgjithshëm” ose të themi, “si të gjithë, edhe ne”! Edhe nëse ka ndryshuar koha, edhe nëse ka ardhur një epokë tjetër, edhe nëse çdokush vepron në rrugë të paligjshme, ne nuk mund t’i ushqejmë ata me gjëra të pabe­ku­ara. Pa dyshim, edhe fitimi që kemi arritur me rrugë të gabuara, edhe fëmijët tanë të ushqyer me atë fitim, vjen një ditë që, si oleandra e ferrit, të na e helmojnë trurin, ndoshta të na bëjnë të vjellim gjak!

Po qe se i kemi bërë detyrat e mëparshme, mund të presim që çdo mik i ri që do të na vijë në botë, të jetë një i lu­mtur, i koracuar, në një farë mase, ndaj fatkeqësive. Por, po qe se ajo që hamë është haram, ajo që pijmë është haram, ajo që vishe­mi është haram dhe, në përgjithësi, jetojmë mes haramit, do të thotë se e kemi asgjësuar mundësinë që fë­mija ynë të bëhet i lumtur e i lartë!

Sigurisht, nëse hamë haram, pijmë haram, ushqehemi me haram, quhemi se botën tonë shpirtërore e mbajmë ha­pur ndaj djallit. Ai qarkullon nëpër damarët e gjakut të nje­riut: “Shejtani lëviz me lëvizjen e gjakut në damarët e nje­riut!”[3] Ai ua shalon rruazave të kuqe e të bardha, për rrje­dhojë, ua ngjit shkëndijat e veta edhe fëmijëve, edhe sojit!

Prandaj, qysh në fillim, kujdesi për fëmijën, ushqimi dhe ve­shja, çdo gjë duhet kryer duke mbetur brenda kuadrit të konsi­deruar legjitim nga feja. Fëmija nuk duhet ushqyer, ve­shur e mbathur me gjëra haram, të siguruara padrejtësisht, të pabe­kuara!

Me sa kemi parë nëpër hadithe, ndërsa personi që po bën tavaf Qaben e Allahut (xh.xh.) hedhur krahëve një mbulesë të fituar haram dhe ushqyer me gjëra haram, thotë “Lebbejk Alla­humme lebbejk”“Urdhëro, Allahu im, urdhë­ro!” – një thënie e shenjtë, kjo, gjatë haxhit dhe periudhës nën ihram – Allahu (xh.xh.) do t’i thotë atij “La lebbejke ve la sa’dejk”[4] (as të ur­dhëroj, as të përgjigjem)![5] Shqip kësaj i thonë: “Edhe lebbejkun, edhe sa’dejkun mbaji për vete!”

Prandaj duhet të bëjmë kujdes që edhe peri me të cilin kemi qepur rrobën, të mos jetë haram ose me dyshim, të mbësh­tetemi te Allahu (xh.xh.) nga gjëja e dyshimtë ose ga­bimi i bërë pa dashje dhe, për këto gjëra, zemra duhet të na dridhet gji­thmonë. Duhet ta dimë jashtë çdo diskutimi se çdo farë që do të mbjellim, ose do të bëhet oleandër për t’i helmuar të tjerët, ose, si një pemë me rrënjët e përhapura thellë në tokë, me frutat, hijen, degët dhe gjethet, do t’i shërbejë njerëzimit, madje edhe tjetërkujt breza me radhë, do të kontribuojë për lumturinë e njerëzimit dhe rregullimin dhe zbukurimin e faqes së tokës!

b) Mësim dhe edukim

Një ndër detyrat e para të prindërve është t’i vënë fë­mijës një emër të mirë sipas porosive të Profetit (s.a.s.). Profeti ynë i ka dhënë rëndësi të veçantë vënies së emrit. Ai ka porositur: “Merrni emrat e profetëve. Emrat më të pël­qyer te Allahu i Lartë e i Shenjtë janë Abdullah dhe Abdu­rrahman. Emrat më të drejtë janë Harith (sjellës fitimi, fitues i ahiretit, jetës së pasme) dhe Humam (i vendosur). Kurse emrat më të shëmtuar janë Harp (luftë, dhunë) dhe Murre (koprrac)!”[6] Gjithashtu, Profeti ka hequr emrin Asije (kun­dërshtuese, kryengritëse) dhe në vend të tij ka vënë emrin Xhemile (e bukur).[7]

Pas kësaj vijnë çështjet e procedurës ligjore të dhënies gji fë­mijës dhe, pas prerjes së gjirit, të marrjes përsipër të rritjes dhe edukimit të tij.

Çdo fëmijë lind me një natyrë të pastër.[8] Pothuajse si një letër e bardhë ku s’është shkruar asgjë. Mbi të do të shkruani ju, vetëm se ato gjëra që i pëlqejnë Allahut! Këto janë gjëra që u jep vlerë engjëlli, që janë të vlefshme pas ringjalljes në sheshin e grumbullimit dhe llogaridhënies, që, kur të vihen në pjatën e djathtë të peshores, të peshojnë, të kenë vlerë.

Ajo çka u bie sipër prindërve, është t’i bëjnë këto shkri­me dhe qëndisma mbi shpirtin e fëmijës në stinën e vet dhe në atë mënyrë që të mos prishen e fshihen dot. Sigurisht, çdo nënë dhe baba janë të detyruar që një pjesë të jetës di­tore t’ia ku­shtojnë mësimit dhe edukimit të fëmijës apo fë­mijëve. Sa për institucionet e tjera të mësimit dhe edukimit, përveç familjes, do të flasim në pjesët në vazhdim.

Në arsimimin dhe edukimin e fëmijës, familja është vatra më e parë, shkolla më e parë, mjedisi më i parë. Pa disku­tim, ko­hën që veçojnë prindërit për mësimin dhe edukimin e fëmijëve, duhet ta parapëlqejnë ndaj kohës që veçojnë për disa detyra fe­tare dhe personale, individuale. Në rritjen e fëmijëve, mësimi mbi Allahun, shtresimi në zemrat i idesë së besimit mbi Allahun sipas moshës dhe nivelit kulturor të fëmijëve, kanë prioritet jo ve­tëm në begatimin moralo-shpir­tëror të prindërve, por edhe në shumë detyra vetjake të tyre. Nisur nga kjo, po qe se ju shkoni për ta vizituar Qaben duke lënë në shtëpi ca fëmijë të pra­pë e të paedukuar, detyra do t’ju thërresë nga pas: “Ku po shkoni duke braktisur detyrën e këtushme serioze e të rëndë­si­shme?”

Veçanërisht, babai duhet t’ia mësojë djalit jetën dhe fe­në, shkrimin dhe këndimin, madje, sipas moshës, notin, qi­tjen dhe kalërimin. Duhet t’ia mësojë jo sportet që ia kush­tojnë fuqinë e mendjes vetëm zhvillimit të muskujve të kra­hut, por të gjitha sportet e dobishme për jetën dhe shën­detin dhe të tilla që secila prej tyre, në fushën e vet, për­bëj­në parathënie për të ardhmen.

c) Ndjenja e përgjegjësisë në edukim

Po dua ta bëj titull të kësaj çështjeje një citat me burim ima­mít. Në veprën e tij, “Risaletul Hukuk” (Traktat mbi Drejtësinë), imam Zejnul Abidin jep këtë këshillë:

“Duhet ta dish se fëmija, produkti i përpjekjes tënde, është prej teje; po kështu, edhe e mira apo e keqja e tij ka për të t’u kthyer ty!”

Pak kohë para se të vdiste, Profeti (s.a.s.) e pati para­ndjerë vdekjen. Prandaj, një ditë, papritmas, u pati thënë kështu saha­beve, shokëve dhe pasuesve të tij: “Robi u la i lirë të zgjidhte mes kësaj bote dhe ahiretit (jetës së pasme) dhe ai zgjodhi ahiretin!” Ndërkaq, Ebu Bekri që e pati rro­kur menjëherë kup­timin e këtyre fjalëve, pati thënë duke shpërthyer në lot: “Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut!”[9] Robi për të cilin kishte folur Profeti, ishte vetë Ai!.. Veç kësaj, në një hutben e tij gjatë Haxhit të Lamtu­mirës, ai i pati pyetur njerëzit: “Së afërmi do t’ju pyesin për mua nëse e kreva detyrën e kumtesës; ç’për­gjigje do të je­pni?” Ai i pati pyetur njerëzit sepse kishte kryer një detyrë, por nuk ishte i sigurtë nëse e kishte kryer me të drejtë dhe plotësisht, apo jo, megjithëse puna vetë fliste me të madhe se s’kishte vend për një pasiguri të tillë. Të gjitha zemrat që ndodheshin aty patën bërtitur me të madhe dhe gjithë she­shi pati jehuar nga pohimi me një gojë: “Po, detyrën e mba­rove, përgjegjësinë në vend e çove, na mësove e na këshi­llove!”Atëherë ai e pati ngritur gishtin tregues lart drejt qi­ellit duke thënë tri herë: “Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshmitar, o Zot!” [10]

Ai fliste me një dyshim të thellë për një përgjegjësi të gje­rë në kuadrin e ummetit, bashkësisë dhe merrte dëshminë e shokëve dhe ndjekësve të tij. Dhe tani, a jemi, vallë, në gje­ndje ne të themi para fëmijëve tanë që ndodhen nën për­gjegjësinë tonë dhe me kujdesin ndaj të cilëve jemi ngar­kuar, “së afërmi do t’ju pyesin për mua, si do të përgjigje­ni?” Ose, a kemi shpresë të marrim prej tyre përgjigjen, “e keni kryer detyrën”? Po qe se jo, mjerë ne!.. Prandaj, imami i madh, Zejnul Abidin, thotë: “Para Allahut, ti do të merresh në pyetje!” Dhe shton duke iu drejtuar Allahut duke u dri­dhur: “Allahu im, ndihmomë mua në edu­kimin e fëmijëve dhe për t’i mësuar ata që të bëjnë mirë!” Se­pse çështja më e rëndësishme dhe serioze e një njeriu është që, duke i lar­tësuar pjesëtarët e familjes në vlerat e përsosmërisë njerë­zore, t’i bëjë ata të ndjejnë ëndjet e të qenit i përjetshëm!

Ndonjëherë, u marrim dhurata fëmijëve dhe përpiqemi t’i gëzojmë. Madje, shkojmë në haxh dhe, edhe në kohët kur ndo­dhemi para Qabes ose të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i ndjejmë vazhdimisht në zemër. Edhe shërbimet më të shenjta e të rë­ndësishme nuk na bëjnë dot t’i harrojmë ata. Në të vërtetë, mënyra më e mirë e kujtimit të fëmijëve është t’u japim atyre edukatën islame dhe edukatën muha­mmedane. Unë them se nuk duhet të ketë dhuratë që të mund të matet me këtë.

Përsëri, në një hadith me burim imamít, Profeti (s.a.s.) po­rosit:

“Bëjuni dhurata fëmijëve dhe edukojini në një mënyrë të mi­rë!”[11] Po, një edukatë me orientim për ta ringjallur rrugën e Pro­fetit (s.a.s.) është dhurata më e madhe që mund t’i jepet fë­mijës!

d) Shembulli i mirë

Çdo nënë e baba musliman, në mënyrë mjaft të natyr­shme, mendojnë t’i edukojnë fëmijët në formën e një pjese të shëndo­shë e të përkryer të asaj shoqërie ideale të cilën përpiqemi ta përfytyrojmë dhe përvijojmë sipas Kur’anit. Ç’e do se, po qe që këto ndjenja të tyre nuk reflektohen në jetën praktike dhe nuk thellohen me adhurime të tilla si na­mazi, agjërimi, haxhi, zeqati, ose, më e drejta, fjalët e buku­ra që u thonë me gojë, nuk i për­forcojnë me veprime dhe sjellje të bukura, po qe që këto vep­rime dhe sjellje nuk du­ken më të bukura se fjalët, rezultati do të jetë i dobët ose i paqenë; pa le kur prindërit bëjnë të kundërtën e atyre që thonë apo këshillojnë! Prindërit që dëshirojnë që fja­lët e tyre t’u shkojnë tek fëmijët, më së pari duhet t’i jetojnë vetë the­llësisht.

Po përcjell këtu një rrëfim që i atribuohet imam Adhamit.

Në atë kohë, na ishte një djalë që i bënte dëm mjalti dhe, me gjithë këshillat për të mos ngrënë, djali vazhdonte të ha­nte. Ndërkaq, një ditë, e marrin djalin për dore, e çojnë te Imami dhe i thonë: “Këtij djali i bën dëm mjalti, por ai, me­gjithëse e këshillojmë, vazhdon të hajë!” Imam Adhami u thotë: “Merreni djalin e shkoni dhe sillmani pas 40 ditësh!” Pas dyzet ditësh e çojnë përsëri djalin te imami, i cili e merr djalin para vetes dhe e këshillon të mos hajë mjaltë. Djali ngrihet nga vendi, ia puth dorën të atit dhe i thotë: “Baba, nuk kam për të ngrënë më mjaltë!” Atëherë, të pranishmit e pyesin imamin: “O imam, pse nuk e këshillove djalin kur e prumë për herë të parë por na bëre të prisnim dyzet ditë?” Dhe ja ç’përgjigje u jep imam Adhami:

“Atë ditë që ma prutë djalin, unë kisha ngrënë mjaltë. Po qe se do të përpiqesha ta bëjë djalin të hiqte dorë nga një gjë që e kisha bërë vetë, ka shumë mundësi që të mos du­kesha i besue­shëm para tij dhe fjala ime të mos zinte vend. Gjatë këtyre dy­zet ditëve, unë jo vetëm që s’hëngra më mjaltë, por e hodha atë krejtësisht nga trupi. Në këtë gjendje desha ta këshilloj djalin!”

Krahas fjalës së drejtë, ka shumë rëndësi veprimi i drejtë. Në sy të fëmijës, kundërshtia mes fjalëve dhe veprimeve tu­aja e trondit besimin e tij tek ju. Në jetë, sikur edhe një herë të vetme t’ju kapë fëmija në gënjeshtër ose në kundërshti mes fjalëve e veprimeve apo sjelljeve tuaja, për sa kohë do ta bartë këtë në mendje, në sytë e tij ju do të vazhdoni të mbeteni një njeri që s’i besohet. Po qe se pastaj, më vonë, nga sjelljet tuaja rrjedhon ndonjë pakënaqësi e vogël, ajo del në mbivetëdijë dhe, në vë­sh­trimin e fëmijës, ju shiheni si dikush për të cilin ndihet ne­veri. Për pasojë, fjalët tuaja s’gjejnë aspak pasqyrim tek ai. Atëherë, sjelljet duhet t’i rre­gullojmë të tilla që, brenda shtëpisë, ata të na konsiderojnë neve jo nënë e baba, por engjëj. Ata duhet të sho­hin tek ne seriozitet, rëndësi, ndjeshmëri dhe duhet të na besoj­në gjer në fund. Ja, pra, prindërit që arrijnë me su­kses t’i përcje­llin mendimet dhe ndjenjat me një rrugë të tillë, quhen mësuesit më të suksesshëm.


[1] Muslim, Kader, 3; Ibni Maxhe, Mukaddime, 7; Buhari, Kader, 1.
[2] Si në shqip, fjala hallall (kund. haram) do të thotë gjë e fituar me të drejtë, me djersën e ballit, pa cënuar të drejtat e të tjerëve dhe me mënyra e rrugë të drejta, të ndershme e të bekuara.
[3] Buhari, Ahkam, 21; Bedu’l-Halk, 11; I’tikaf, 11, 12; Ebu Davud Savm, 78; Sunne, 17; Edeb, 81; Ibni Maxhe, Sijam, 65.
[4] sa’dejk (arab.): lumturim.
[5] Hejsemi, Mexhmua’z-Zevaid, 3/210; 10/292.
[6] Musned, 4/345.
[7] Muslim, Adab, 14; Ebu Davud, Edeb, 66; Tirmidhi, Edeb, 62.
[8] Buhari, Xhenaiz, 92; Ebu Davud, Sunnet, 17; Tirmidhi, Kader, 5.
[9] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 1; Tirmidhi, Menakib, 15.
[10] Buhari, Fiten, 8; Haxh, 132; Muslim, Kaseme, 31.
[11] Ibni Maxhe, Edep, 3.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cilat janë detyrat e kryetarit të familjes në Islam?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA