Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Të pakategorizuara

Cilat janë namazet nafile ? Urtësia, kohët dhe mënyra e faljes së namazeve vullnetare

Estimated reading: 16 minutes 1270 views

Përveç namazeve sunet të pesë kohëve ka dhe namaze të tjera. Këto quhen namaze nafile. Janë namaze mustehab dhe mendub. Falja e këtyre namazeve është shumë e rëndësishme për forcimin e lidhjes me Allahun dhe dashurisë për Profetin. Gjithashtu këto namaze mbartin me vete shumë sevape. Në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar thotë: “Robi shpëton nga dënimi im kur fal farzet ndërsa kur fal sunetet më afrohet më shumë.”

Asgjë nuk e afron [më shumë] robin me Mua se sa kryerja e asaj që unë ia kam bërë obligim atij (farze) dhe robi im vazhdon të më afrohet duke kryer vepra vullnetare (nafile) derisa Unë ta dua atë dhe kur ta dua, atëherë Unë do të bëhem veshi me të cilin ai dëgjon, syri me të cilin shikon dhe duart me të cilën kapë dhe këmbët me të cilët ecën. Kësisoj, ai dëgjon, shikon, rrok dhe ec përmes Meje”.

NAMAZI EVVABIN (i falesit)

Është një namaz i cili falet mes akshamit dhe jacisë. Namazi evvabin do të thotë namazi i atyre që pendohen dhe i mbështeten Allahut. Një namaz i përbërë nga gjashtë rekate ashtu siç mund të falet me një selam mund të falet dhe dy nga dy, me tre selame. Profeti (a.s) thotë: “Ai që fal gjashtë rekate pas namazit të akshamit pa folur ndërkohë fjalë të këqija, ky adhurim është i barabartë për të me dhjetë vjet adhurim.”

“Kush i falë gjashtë reqate namaz pa biseduar dicka të keqe pas namazit të akshamit, këto i bëhen sikur të ketë bërë ibadet për dymbëdhjetë vite” (Tirmidhiu-Salat, 431)

“Kush i falë gjashtë reqate namaz nafile pas namazit të akshamit, do t’i falen mëkatet po t’i kishte edhe sa shkuma e detërave.” (Hejthemi nga Taberani)

NAMAZI I DUHASË

Namazi i duhasë, ndryshe i paradites, është një namaz mustehab i cili mund të falet duke filluar 45-50min pas lindjes së diellit deri kur dielli arrin pikën më të lartë. Mund të jetë dy, katër, tetë ose dymbëdhjetë rekatësh. Më e mira është të falim tetë rekatë. Nga Profeti (a.s) transmetohet se ai person i cili fal dymbëdhjetë rekate në kohën e duhasë, lajmërohet se Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në xhenet.

“ O biri i Ademit, fal për Mua në fillim të ditës katër rekate, që të të mjaftoj Unë për fundin e saj (ditës).” (Tirmidhiu, Ahmedi)

“Faljen e namazit të duhasë e ruajnë vetëm ata që pendohen. Ai është namazi i të penduarve.” (Hakimi, Taberaniu)

Nga Enesi (radijallahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Kush e fal sabahun me xhemat,pastaj qëndron ulur duke bërë dhikër derisa të lindë dielli e pastaj fal dy rekate, ka shpërblimin e haxhit dhe të umres, të plotë, të plotë, të plotë.” Tirmidhiu

I Dërguari i Allahut (s.a.s) në lidhje me namazin e duhasë ka thënë: “Secili prej jush është i obliguar të japë sadaka për çdo nyje të vetën. Të thuash “SubhanAllah”, është sadaka, të thuash “Elhamdulilah” është sadaka, të thuash ” La ilahe il-Allah”, është sadaka, të urdhëruarit për mirë është sadaka, largimi nga e keqja është sadaka, ndërsa të gjitha këto mund të kompensohen me dy rekate namaz duha”. [Muslim, Ahmed bin Hanbel, Ebu Davud]

NAMAZI TEHEXHUD (NATËS)

“Zoti ynë, Allahu, zbret çdo natë në qiellin më të afërt të dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit e natës dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet Mua, që Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që më kërkon Mua diçka, që Unë t’ia siguroj atë atij? A ka ndonjë që kërkon faljen Time, që Unë ta fal atë?” (Buhari 1145)

Namazi tehexhud është një namaz i cili falet pasi kemi fjetur pak deri para agimit (imsakut). Është një nga namazet që Profeti (a.s) nuk e ka lënë kurrë. Profeti ynë (s.a.s) pasi falte jacinë binte të flinte pa falur vitrin, ngrihej nga mesi i natës dhe pasi falte namazin tehexhud falte dhe vitrin dhe më vonë kur hynte koha e sabahut falte sunetin e sabahut. Nata e cila kalon me tehexhud është si një projektor që ndriçon jetën tjetër. Gjithashtu, gjallërimi i shpirtrave është i lidhur me gjallërimin e netëve.

Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrisë ty në një vend të lavdishëm. (Sureja Isra-79)

“Ju këshilloj ju që të falni namazin e natës. Sepse ai është traditë e njerëzve të devotshëm para jush; Është pretekst për t’iu afruar Allahut, mbrojtës nga gjynahet, fshirës i të këqijave, dhe largues i sëmundjeve nga trupi.” (Tirmidhiu, 112)

Tregon Aisheja r.a.: “Kur Resulullahu a.s.v.s. nuk mund ta falte namazin e tehexhud per shkak te ndonje dhimbjeje ose te ndonje arsyeje tjeter, i falte dymbedhjete reqate gjate dites (deri ne dreke) (Muslim, Musafirin, 140)

“Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Daudit a.s., edhe agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Daudit a.s.: Ai flinte gjysmën e parë të natës, pastaj falej në një të tretën e saj dhe flinte përsëri në një të gjashtën e fundit; e sa për agjërimin, ai një ditë agjëronte dhe një ditë jo.” (Buhari 1131)

NAMAZI TESBIH (i madherimit te Allahut)

Namazi tesbih është namazi më i madh i pendimit, faljes dhe bëhet me gjithë trupin. Profeti (s.a.s) duke dashur t’i dhurojë diçka xhaxhait të tij, Abasit, e ka këshilluar të falë këtë namaz. “O xhaxha, a ke dëshirë të të jap diçka me vlerë, një dhuratë, një mirësi të madhe? A të jap dhjetë pika, që po i bëre, All-llahu do ta falë gjynahun tënd; të parin e të fundit, të vjetrin e të riun, atë gabimisht dhe atë me dashje, të voglin e të madhin, atë fshehtas e atë haptas, dhjetë pika: Të falësh katër rekate, të lexosh në çdo rekat Fatihanë dhe një sure. Kur të kesh kryer nga leximi, teksa je në këmbë, thua: Subhanall-llah, vel-hamdu lil-lah, ve la ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber, pesëmbëdhjetë herë. Pastaj shkon në ruku dhe i thua në ruku, dhjetë herë. Pastaj ngrihesh nga rukuja dhe i thua dhjetë herë. Pastaj ulesh në sexhde dhe i thua në sexhde, dhjetë herë. Pastaj ngrihesh nga sexhdeja dhe i thua dhjetë herë. Pastaj shkon sërish në sexhde dhe i thua dhjetë herë. Pastaj ngrihesh nga sexhdeja dhe i thua dhjetë herë. Këto janë shtatëdhjetë e pesë në çdo rekat. Këtë ta bësh në katër rekate.

Dhe, po munde ta falësh këtë namaz, një herë në çdo ditë, bëje! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në javë! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në muaj! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në vit! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në jetë!” (Hadithin e transmeton Ebu Davudi,

Namazi tesbih është një namaz i përbërë nga katër rekate. Në çdo rekat lexohet 75 herë “Subhanallahi uel hamdu lil’lahi ue la ilahe il’lallahu uallahu ekber’.

Në rekatin e parë pas Subhanekes dhe në rekatin e dytë para Fatihas lexohet 15 herë.

Pas leximit të sures pas Fatihas lexohet 10 herë.

Në ruku pasi themi tri herë “Subhane rabbijel adhim”, lexohet 10 herë.

Kur ngrihemi nga rukuja 10 herë.

Në sexhden e parë pasi themi tri herë “Subhane rabbijel a’la”e lexojmë 10 herë.

Kur ngrihemi nga sexhdja 10 herë.

Herën e dytë kur biem në sexhde e lexojmë 10 herë pasi themi tri herë “Subhane rabbijel a’la”.

Në këtë mënyrë në çdo rekat lexohet 75 herë fjalia ‘Subhanallahi…’. Në fund të rekatit të dytë japim selam por mund edhe të ngrihemi në rekatin e tretë dhe ta falim me një selam. Rekati i tretë dhe i katërt falen njëlloj si rekati i parë dhe i dytë. Kështu në katër rekate lexojmë 300 herë fjalinë e tesbihit.

Këtë namaz duhet ta falim të paktën një herë në jetë. Ata të cilët nuk dinë si ta falin, mund ta falin atë me xhemat. Imami duhet të lexojë me zë tesbihet në çdo vend. Ndërsa xhemati dëgjon.

TAHIJJETUL MESXHID (respektit për xhamine)

Është namazi nafile prej dy rekatesh që falet kur hyn për herë të parë në një xhami. Tahijjetul mesxhid do të thotë përshëndetja e xhamisë, respektimi i saj, por në të vërtetë vjen në kuptimin e respektit dhe nderimit ndaj Allahut (xh.sh). Prandaj dhe Profeti ynë (s.a.s) na ka urdhëruar duke thënë: “Nëse ndonjëri prej jush hyn në xhami, në fillim le të falë dy rekate namaz.”

NAMAZI I HAXHETIT (nevojes)

Ai njeri i cili ka ndonjë shqetësim, problem apo hall, merr abdes dhe fal dy rekatë namaz, pastaj lutet kështu:

‘O Allah të lutem Ty dhe kërkoj prej Teje, të drejtohem Ty me ndihmën e të Dërguarit Tënd, Muhamedit (a.s). O Allah të drejtohem Ty për të më shpëtuar nga ky shqetësim. Bëj të mundur dhe shefaatin e Profetit tonë.”

Namazi i haxhetit mund të falet me katër ose me 12 rekate. Nëse falet me katër rekate, në rekatin e parë pas Fatihas lexohet Ajetul Kursi, ndërsa në tre rekatet e tjera pas Fatihas lexohen suret Ihlas, Felek dhe Nas. Ai person që e fal këtë namaz bën lutjen pas namazit dhe ia transmeton dëshirën Zotit të gjithësisë.

NAMAZI ISTIHARE (i keshillimit ne enderr)

Per me shume, kliko ketu.

Istihare do të thotë “të kërkosh më të mirën, më të vlefshmen”. Kur njerëzit duan të vendosin apo të zgjedhin rreth diçkaje, ndonjëherë për shkak të mundësive të munguara që u janë dhënë në dorë, ndonjëherë aplikojnë rrugë të ndryshme për të kuptuar se cila zgjedhje është më e mirë për ta në këtë jetë dhe për jetën tjetër. P.sh., në kohën kur Profetit kishte filluar t’i zbriste shpallja, arabët shihnin fall para se të udhëtonin për të parë se çfarë gjëje të dobishme apo të padobishme mund t’i sillte ai udhëtim. Profeti (s.a.s) e ka hequr atë zakon dhe në vend të tij ka sjellë namazin e istihares duke na urdhëruar: “Kur ndonjëri prej jush bën nijet të bëjë diçka, atëherë le të falë dy rekate namaz jashtë namaze farz dhe të lutet kështu:

“O Allah, duke u mbështetur tek dituria Jote, kërkoj të më japësh më të mirën dhe të më japësh forcë. Të lutem, më mëshiro me begatinë Tënde! Unë nuk e di, por Ti e di, unë nuk kam fuqi ndërsa Ti je i Plotfuqishëm. O Allah! Nëse puna që do të bëj do të jetë e hajrit për fenë, jetën dhe të ardhmen time, të lutem caktoje dhe ma lehtëso, më dhuro begati! Nëse është e dëmshme dhe e padobishme për fenë, jetën dhe të ardhmen time, largoje nga unë! Më jep më të mirën dhe më fal lumturi.” Pas kësaj personi lutjeje shpreh dëshirën e vet.

Nëse lutja bëhet në mënyrë të sinqertë, atëherë lind shpresa për gjënë e mirë dhe zemra rilind bashkë me shpresën. Nëse njeriu në fund të istihares ndjen një lehtësim dhe qetësi, atëherë kjo interpretohet se do të jetë diçka e mirë, por nëse ndjen shqetësim dhe nuk është i qetë, interpretohet se nuk është diçka e dobishme për të. Allahu (xh.sh) u jep një shenjë atyre të cilët e falin namazin e istihares në qetësi dhe më pas bien të flenë. Nëse nuk arrin ndonjë rezultat në herën e parë, atëherë përsëritet tri deri në shtatë herë. Lutja mund të lexohet në gjuhën arabe por mund të lexohet dhe përkthimi i saj në gjuhën e lutësit.

Namazi i pasabdestit

“I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: ‘Kush merr avdes si ky avdesi që mora unë, pastaj fal dy rekatë namaz, gjatë të cilit përqendrohet e nuk mendon në vetvete për gjë tjetër, atëherë atij do t’i falen gjithë gjynahet e tij të mëparshme.” (Buhariu 159)

Namazi i lutjes për shi (istiska)

Ibn Umeri r.a. tregon: “Këto vargje mu kujtuan kur pashë fytyrën e Pejgamberit a.s., ndërsa po luste Allahun për shi. Akoma nuk kishte zbritur nga minberi, kur uji i shiut u derdh nga ullukët e çative. Ato janë vargjet e Ebu Talibit që thotë: “Dhe një i bardhë (Muhamedi a.s.) të cilit i kërkohet të lusë Allahun për shi, që është kujdestari i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.” (1009)

Në hadithin e Abdullah Ibn Zejdit (nr. 547/1005) për namazin për shi në këtë tregim shtohet: “Pejgamberi a.s. u ktheu shpinën njerëzve dhe u drejtua nga Kibla (drejtimi i faljes) duke iu lutur (Allahut për shi). Pastaj e ktheu xhyben nga ana tjetër dhe na priu në namaz, duke na falur dy rekatë, në të cilat këndoi Kuran me zë.” (1025)

Enesi r.a. tregon: “I Dërguari i Allahut a.s. ngriti duart dhe tha tri herë: “O Allah! Na lësho shi!”. (1014)

Enesi r.a. tregon: “Sa herë që frynte ndonjë erë e fortë, në fytyrën e Pejgamberit a.s. shikoje ankth (nga frika se ajo erë mund të ishte shenjë e zemërimit të Allahut)” (1034)

Namazi eklipsit të diellit (kusf) dhe i eklipsit të hënës (husf)

Aishja r.a. tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s. u zu dielli, kështu që ai u priu njerëzve në namaz. Ai e filloi namazin dhe e zgjati qëndrimin në këmbë (këndoi gjatë Kuran), pastaj u përkul në ruku dhe qëndroi gjatë; pastaj u ngrit në këmbë dhe (përsëri) qëndroi gjatë, por jo sa herën e parë; pastaj u përkul në ruku (për herë të dytë) dhe qëndroi gjatë, por jo sa herën e parë; pastaj ra me fytyrë për tokë në sexhde duke qëndruar gjatë në të; pastaj të njëjtën gjë bëri edhe në rekatin e dytë si në të parin dhe, kur e mbaroi namazin, edhe dielli ishte liruar. Pastaj u mbajti njerëzve një ligjëratë feje ku, pasi falënderoi dhe lavdëroi Allahun, ai tha: “Në të vërtetë, dielli dhe hëna janë dy tregues nga treguesit e Allahut. Ata nuk zihen për shkak të vdekjes apo të lindjes së ndokujt, kështu që, kur të shihni eklipsin e tyre, atëherë lusni dhe përkujtoni Allahun, bëni tekbir (thoni: Allaliu Ekber), falni namaz dhe jepni sadaka (bamirësi e lëmoshë).”
Pastaj vazhdoi: “O ndjekës të Muhamedit! Për Allah! Askush nuk ka më shumë giram (turp, xhelozi, vetëvlerësim etj.) sesa Allahu, kështu që Ai i ka ndaluar robët e Tij dhe robëreshat e Tij (adhuruesit dhe adhurueset e Tij) që të bëjnë imoralitet. O ndjekës të Muhamedit! Për Allah! Sikur ta dini ju ç’di unë, ju do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.” (Buhariu 1044)

Abdullah Ibn Amr r.a. tregon: “Kur ndodhi eklipsi i diellit në kohën e të Dërguarit të Allahut a.s., u shpall me zë të lartë: “Es-Salatul-xhami’ah (namazi në grupim në xhami)!” (Buhariu 1045)

Namazi i teravive (kliko ketu per me shume)

Teravitë janë synet muekkede, të forta. Është synet për muajin e Ramazanit, për meshkujt dhe për femrat, dhe nuk ka të bëjë me agjërimin. Namazi i teravive ka 20 rekate, që falen pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit. Falja e teravive me xhemat është kifai sunet. Teravitë falen me 10 selame dhe ndërmjet tyre bëhen 5 pushime të shkurtra. Pra, jepet selam në çdo dy rekatë dhe pushohet në çdo katër rekate, por mund të falen edhe me katër rekate. Pas pushimit të pestë plotësohet edhe falja e vitrit me xhemat. Profeti (a.s.) përveç disa netëve, teravitë i ka falur vetëm dhe për t’i motivuar sahabët në faljen e tyre, ka thënë: “Kush e fal namazin e Ramazanit (teravisë) duke shpresuar tek Allahu, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e bëra më parë.”

Sipas Hanefive, Shafive dhe Hanbelive namazi i teravive është me 20 rekate. Ndërsa Malikitë kanë mendimin se teravitë janë me 20 ose 36 rekate. Por sipas disa librave të këtij medhhebi teravitë pranohen me 20 rekate. Imami më i rëndësishëm i medhhebit Shafi, Imam Neveviu, ka thënë se namazi i teravisë mbështetur në konsensusin e dijetarëve islamë, është me 20 rekate dhe është synet.

اَللّٰهُ أَعْلَم

Allahu e di më së miri

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cilat janë namazet nafile ? Urtësia, kohët dhe mënyra e faljes së namazeve vullnetare

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA