Si thirret (kendohet) ezani? Leximi arabisht dhe kuptimi shqip

Cka eshte ezani? Kur lexohet?

Ezani dhe ikameti që simbolizojnë thirrjen (ftesën) për në namaz, bartin një rëndësi të veçantë si në jetën adhurimore të myslimanëve, ashtu dhe në kulturën dhe qytetërimin islam, nga muzika gjer në arkitekturë dhe letërsi. Si fjalë, “ezan” do të thotë “lajmërim, njoftim”. Kurse në ilmihal, ezani është një tekst i posaçëm që këndohet në kohë të caktuara për të lajmëruar namazet farze. Ai që këndon ezanin quhet muezin.

Me anë të ezanit i njoftohet popullit se ka hyrë koha e një namazi dhe se do të falet namaz me xhemat, shpallet madhështia e Allahut, njoftohet se profeti Muhamed paqja qoftë mbi të është i Dërguari i Tij dhe se namazi është porta e rrugës së shpëtimit. Meqë kohët e namazeve janë rregulluar sipas rrotullimit të tokës rreth vetes, kohët e namazeve në vende të ndryshme rastisin në çaste të ndryshme, gjë që ndodh me një vijueshmëri suksesive, prandaj e vërteta e pohuar më lart lajmërohet me anë të ezanit çdo çast, natë e ditë, pa pushim.

Teksti i ezanit lexohet kështu:

Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber.

Esh’hedu en la ilahe il’lallah, Esh’hedu en la ilahe il’lallah.

Esh’hedu enne Muhammeden Resulullah, Esh’hedu enne Muhammeden Resulullah.

Hajje ale’s salah, Hajje ale’s salah.

Hajje ale’l felah, Hajje ale’l felah.

Allahu Ekber, Allahu Ekber,

La ilahe il’lallah.

 

Kuptimi i ezanit shqip:

Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi.

Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut, Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut.

Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Ejani në falje, Ejani në falje.

Ejani në shpëtim, Ejani në shpëtim.

Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi.

Nuk ka zot tjetër veç Allahut!

Në namazin e agimit, pas fjalëve “Hajje ale’l felah” shtohen fjalët “Es salatu hajrun mine’n neum” (namazi është më i dobishëm se gjumi) që përsëriten dy herë.

Historia e ezanit

Në kohët e para të Islamit nuk thirrej ezan siç e njohim sot. Megjithëse në periudhën e Mekës falej namaz farz, gjersa Profeti paqja qoftë mbi të shkoi në Medine, nuk u mendua ndonjë mënyrë për të njoftuar kohët e namazeve; ndoshta për këtë nuk u ndje nevoja meqë falja nuk bëhej me xhemat. Pasi Profeti u vendos në Medine, për një farë kohe u përdor mënyra e lajmërimit nëpër rrugë me fjalët “es-salah, es-salah” (namaz, namaz) ose “es-salatu xhamia” (të gjithë në namaz), por kjo mbeti e pamjaftueshme. Në vitin e parë të hixhretit, në Medine, kur përfundoi ndërtimi i xhamisë profetike dhe kur myslimanët filluan të grumbullohen rregullisht e të falin namaz me xhemat, Profeti nisi të diskutonte me shokët se ç’duhej të bënin për të lajmëruar se kishte hyrë koha e një namazi dhe e faljes së tij me xhemat. Më në fund, duke u mbështetur në të njëjtën ëndërr të parë në të njëjtën kohë nga disa sahabe, teksti i pranuar për ezan u këndua për herë të parë për të lajmëruar namazin e sabahut nga Bilali i ngjitur në çatinë e një shtëpie të lartë, duke u bërë, kështu, shenjë e Islamit.

Ikameti këndohet kur meshkujt falen individualisht ose me xhemat. Në ikamet përsëriten fjalët e ezanit, me ndryshim që, pas fjalëve “Hajje ale’l felah”, thuhet dy herë “Kad kameti’s salah” (është koha për falje).

Për çdo namaz thirret një ezan dhe një ikamet. Vetëm namazi i xhumasë ka dy ezane. Ezani dhe ikameti në namazet e kohëve është sunet. Meqë ezani dhe ikameti janë sunet jo i kohës, por i namazit, këndimi i ezanit dhe i ikametit edhe në namazet kaza është pranuar si sunet.

Përsa i përket përqendrimit për në namaz, ezani përbën shkallaren e dytë pas abdesit. Me abdesin, myslimani hedh hapin e parë për t’u çliruar nga ndjenjat dhe mendimet djallëzore, kurse me ezanin thellohet më shumë në përqendrim, arrin prehjen e duhur dhe brenda tij nisin të fryjnë flladet e parajsës. Për ezanin, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të thotë kështu: “Kur fillon këndimi i ezanit për namaz, shejtani kthen shpinën e ikën…”[1]

Kjo do të thotë se ezani është diçka që bëhet pretekst që djalli dhe shpirtrat djallëzorë të bien në shqetësim. Është me shumë rëndësi që njeriu të dëgjojë një ezan të kënduar në mënyrë të vetëdijshme e të sinqertë, në mënyrë që, duke u zhveshur nga djalli dhe mendimet djallëzore, ta falë namazin me lot, me një përqendrim të plotë në të. Shpeshherë, kur vinte koha e namazit, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të nuk i thoshte Hz. Bilalit drejtpërdrejt “këndo ezan”, por, “na qetëso, o Bilal![2] Pra, me këto fjalë, ai donte t’i thoshte: “Këto punët e kësaj bote, preokupimet me familje e fëmijë na mërzitën; spërkatna ujë në shpirt që t’i hedhim këto barrë nga supet e të qetësohemi, të pastrohemi nga lëkundjet djallëzore që na pëshpëriten në shpirt…”


[1] Muslim, Salat, 15.
[2] Ebu Davud, Edeb, 86.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.