Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Si duhet vlerësuar muaji i Ramazanit? Si t’i shfrytëzojmë? Gjërat që duhet t’i dini

Estimated reading: 5 minutes 146 views

Në një hadith, Profeti (s.a.s.) ka urdhëruar kështu: “Për sa kohë që umeti im ta mbajë gjallë muajin e ramazanit me adhurim, kurrë nuk do të turpërohet!” Në hadith është përdorur fjala arabishte ihja, mbajtje gjallë, gdhirje që, në kuptim të vërtetë, do të thotë vlerësim, vënie në jetë, përdorim, shfrytëzim. A mos vallë një fragment kohe që ikën, është në vetvete diçka e vdekur që të mund të thuhet për të “t’i japim gjallëri, ta mbajmë gjallë”? Si mund të bëhet kjo? Pra, si mund t’i japim jetë një kohe të vdekur?

Si shfaqje të mëshirës së vet, Zoti i ka pajisur fragmente të ndryshme kohore me stacione të posaçme dhe madhështore mëshire, në mënyrë që robtë t’i vlerësojnë dhe shfrytëzojnë. Ja pra, duhet arritur në këto stacione dhe ato ditë duhen mbajtur gjallë duke i jetuar mbushur me agjërim, namaz, sadaka dhe Kur’an, në mënyrë që, siç thuhet në hadith, ummeti të mos turpërohet!

Sigurisht, rruga e vlerësimit të kësaj mundësie e të këtij rasti të dhënë, kalon nëpër mbajtjen gjallë me sa të jetë e mundur të asaj kohe të bekuar si një tërësi të vetme me ditët dhe netët, me syfyrin dhe iftarin, me agjërimin dhe sadakanë, me teravinë dhe Kur’anin, sepse në hadith është vënë kushti “për sa kohë që ummeti do ta mbajë gjallë muajin e ramazanit me adhurim”, kusht që mund të plotësohet vetëm me zbatimin e gjërave të parashtruara më sipër.

Për t’i mbajtur gjallë ramazanin dhe netët e tij të bekuara, duhet t’i kemi prarasysh disa specifika:

  • Po të na lejojnë kushtet dhe mundësitë dhe po ta kemi shëndetin në vend, është mirë që gjatë gjithë ramazanit të shkojmë në xhami për t’i falur namazet me xhemaat. Kështu, edhe fitojmë më shumë mirësi, edhe krijojmë mundësinë për t’u takuar dhe përshëndetur në këtë atmosferë të begatshme me njerëzit e mjedisit të vendit të punës dhe lagjes.
  • Ka rëndësi që në ditët dhe netët e ramazanit të shkojmë në xhami bashkë me fëmijët tanë të rritur e që janë në periudhën e rritjes. Në ditë të tilla entuziaste, ata e kuptojnë më mirë rëndësinë e xhemaatit, solidaritetit, bashkimit dhe unitetit.
  • Në muajin e ramazanit dhe në ditët dhe netët e shënuara të kërkojmë mundësinë për të uruar farefisin, fqinjët dhe miqtë dhe për të pritur urimet e tyre. Urimet e dyanshme dhe interesimi i dyanshëm për mirëqenien jep mundësinë për të marrë pjesë në gëzimet dhe hidhërimet, në sukseset dhe problemet e njëri-tjetrit.
  • Në këto ditë dhe net të bekuara, këndimi i Kur’anit, dëgjimi i Kur’anit, pjesëmarrja në besidat me temë nga Kur’ani dhe hadithet, dëgjimi i predikimeve dhe këshillave, ndarja me të tjerët e kësaj atmosfere moralo-shpirtërore, i japin njeriut prehje e kënaqësi. Sidomos meditimi mbi kuptimet e Kur’anit dhe haditheve na i plotëson mangësitë e njohurive në fushën e fesë, na siguron thellimin në këtë fushë.
  • Në ditët dhe netët e ramazanit, përmendja e Allahut të Lartë, pendimi dhe pendesa, lutja drejtuar Atij, e fuqizojnë vetëdijen e personit se është rob i Allahut, vetëdijen e adhurimit të Allahut.
  • Në ditët dhe netët e ramazanit lind mundësia e arritjes më lehtë të pëlqimit të Allahut me anë të namazit, sepse çasti i namazit është momenti kur robi është më afër ndaj Allahut. Namazi është zikri më i madh. Eshtë e dobishme që në këto ditë dhe net të bekuara të tregohet përkushtim i veçantë për këtë adhurim kompleks.
  • Në ditë dhe net të tilla i duhet lutur me sinqeritet Allahut që të na i mbrojë nga fatkeqësitë bashkimin dhe unitetin kombëtar, sigurinë dhe qetësinë kombëtare, botën islame dhe tërë njerëzimin. Një botëkuptim i tillë i përfton personit vetëdijen se është një pjesëtar i dobishëm i bashkësisë njerëzore.
  • Duhet ta kalojmë nëpër sy detyrën tonë të robit, domethënë të adhurimit ndaj Zotit, gjë që e kemi për detyrë ta bëjmë gjithmonë, por që veçanërisht në ditët dhe netët e ramazanit duhet ta plotësojmë me një përkushtim të veçantë. A e kryejmë plotësisht detyrën tonë si nënë dhe babë, si bir dhe bijë, si afarist, si mësues, si nxënës, si drejtues, si nënshtetas? Në ditë dhe net të tilla, duke bërë autokritikë, duhet t’i gjejmë se ku i kemi të metat dhe gabimet dhe duhet të bartim shpresën dhe vendosmërinë për t’u bërë më të dobishëm, më të suksesshëm, më prodhimtarë!

اَللّٰهُ أَعْلَم‏

Allahu e di më së miri

Marre nga:http://islami.al/si-duhet-vleresuar-sic-e-meriton-muaji-i-ramazanit/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si duhet vlerësuar muaji i Ramazanit? Si t’i shfrytëzojmë? Gjërat që duhet t’i dini

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA