Si falet namazi i të vdekurit? Lutja e namazit të të vdekurit

Pasi i vdekuri të jetë larë dhe qefinosur, i vjen radha detyrës së faljes së namazit të të vdekurit për të bërë lutjen e fundit për të. Kjo detyrë është farz kifaje. I vdekuri vendoset para myslimanëve që do të kryejnë faljen të drejtuar nga kibla. Myslimanët e falin këtë namaz me vlerë lutjeje duke qenë me abdes dhe të orientuar drejt kibles.

Është kusht që të bëhet nijet për namazin e të vdekurit. Në formulimin e këtij nijeti përcaktohet nëse i vdekuri është grua apo burrë, vajzë e vogël ose djalë i vogël. Personi që nuk e di se ç’është i vdekuri, mund të bëjë nijet “për personin për të cilin imami po fal namaz”.

Personi në funksionin e imamit e fillon namazin duke bërë nijet për pëlqim të Allahut, për të falur namazin e të vdekurit që ndodhet aty dhe për të bërë lutje për atë të vdekur. Shtyllat e namazit të xhenazes janë kijami (qëndrimi në këmbë) dhe tekbiri. Kurse sunetet, janë lavdërimi (hamd) i Allahut, salavate për Profetin, lutja edhe për të vdekurin, edhe për myslimanët e tjerë. Në namazin e të vdekurit, përveç tekbirit të fillimit, ka edhe tre tekbire të tjerë.

Nuk është kusht që në namazin e të vdekurit të ketë xhemat. Vetëm me faljen e një burri ose të një gruaje, ky detyrim (farz) plotësohet.

Imami qëndron në nivelin e gjoksit të të vdekurit. Është kusht që imami që do të drejtojë faljen e namazit të të vdekurit, të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Gjërat që i prishin namazet e tjerë, e prishin edhe namazin e të vdekurit.

Falja e namazit të të vdekurit

Radhët formohen përballë të vdekurit dhe me drejtim nga kibla dhe bëhet nijet. Personi që kryen detyrën e imamit, bën tekbir me zë dhe i lidh duart si në namaz. Edhe xhemati bën tekbir por pa zë dhe i lidh duart. Pas tekbirit imami dhe xhemati këndojnë pa zë Subhaneken duke shtuar në vendin e duhur shprehjen “ue xhel’le thenauke“. Pastaj imami, pa i ngritur duart, bën tekbir me zë. Edhe xhemati bën tekbir pa i ngritur duart dhe pa zë. Pas tekbirit, të gjithë së bashku këndojnë në heshtje salavatet Allahumme sal’li dhe Allahumme barik. Pastaj, përsëri imami me zë dhe xhemati pa zë bëjnë tekbir. Pas këtij tekbiri bëhen lutje në heshtje për të vdekurin dhe myslimanët e tjerë. Tekstet e lutjeve që do të bëhen sipas të vdekurit, jepen më poshtë.

Pas kësaj lutjeje, bëhet përbëri tekbir dhe imami me zë të lartë, kurse xhemati me zë të ulët, japin selam djathtas e majtas. Kështu, namazi plotësohet dhe merr fund. Duke e dhënë këtë selam që është vaxhib, bëhet nijet për ta dhënë për të vdekurin, xhematin dhe imamin.

Lutja e namazit të të vdekurit

“Allahummegfir li hajjina ue mejjitina ue shahidina ue gaibina ue dhekerina ue unthana ue sagirina ue kebirina. Allahumme men ahjejtehu minna fé ehjihi alel islami ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman. Ue hussa hadhel mejjite bi rauhi ue rahati uel magfireti ue ridvan. Allahumme in kane muhsinen fezid fi ihsanihi ue in kane musien fetexhauez anhu ue lakkihil emne uel bushra uel keramete ue zulfa birahmetike ja erhamer rrahimin.” (Allahu im! Fali të gjallët e të vdekurit tanë, ata që ndodhen këtu dhe që s’ndodhen këtu, burrat dhe gratë tona, të vegjlit dhe të mëdhenjtë tanë! Allahu im! Kë të mbash gjallë nga ne, mbaje gjallë në Islam dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar. Jepi qetësi e prehje këtij të vdekuri që qëndron këtu dhe fale. Po qe se ky ka qenë njeri i mirë, shtoja të mirën dhe po qe se ka qenë njeri i keq dhe mëkatar, trajtoje me mëshirë e mirësi. Dhe trajtoje atë me bujari, afërsi duke i dhënë siguri dhe lajme të mira. Allahu im, o më mëshiruesi i mëshiruesve!)

Po qe se i vdekuri është një person jo përgjegjës fetarisht, si, p.sh, fëmijë, në vend të shprehjes “ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman” (dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar), thuhet “Allahumme xh’alhu lena feretan, Allahumme xh’alhu lena exhren ue dhuhran, Allahumme xh’alhu lena shafian musheffean.” (Allahu im! Bëje atë një pretekst mirësie të dërguar para për ne, bëje pretekst shpërblimi dhe përgatitje ahireti dhe bëje ndërmjetës faljeje për ne që i pranohet ndërmjetësimi!)

Po qe se i vdekuri është femër, teksti kryesor dhe kuptimi i lutjes mbeten të njëjtë, kurse përemrat pas shprehjes “…ue hussa” ndërrohen kështu: “ue hussa hadhihil mejjite bi rauhi ue raheti uel magfireti ue ridvan. Allahumme in kanet muhsineten fezid fi ihsaniha ue in kanet musieten fé texhauez anha ue lakkihal emne.”

Ata që nuk i dinë këto lutje, mund të këndojnë edhe lutje të tjera të përshtatshme që mund t’u vijnë lehtë. Njëra nga këto është edhe lutja “Rabbena atina…”. Por mund të lutet edhe në këtë mënyrë: “Allahu im, falmë mua, fale këtë të vdekur dhe fali të gjithë besimtarët!”

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/namazi-i-te-vdekurit/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.