Si dhe kur merret tejemumi (tejemmumi)? Farzet

Tejemumi merret në rastet e mungesës së ujit dhe zëvendëson abdesin apo gusulin për aq kohë sa të gjendet uji. Tejemum do të thotë të prekësh duart në dhé dy herë dhe të fërkosh njëherë fytyrën dhe pastaj duart deri në bërryla.

Tejemumi mund të merret me një gjë të pastër dhe me përbërje dheu. Tejemumi mund të marrim në vendet ku dheu, rëra, çaklli, allçia e të tjera si këta me përbërje dheu nuk janë prekur nga papastërtia. Mund të merret dhe në mermer, tjegull, tullë, gurë, smerald, zink, në tokë të lagur apo të djegur apo në vende ku kemi përzierje dheu si muret e suvatuara me llaç.

FARZET E TEJEMUMIT

Tejemumi ka dy farze:

  1. Qëllimi (nijeti).
  2. Fërkimi i duarve në dhé dhe fërkimi me to i fytyrës dhe duarve.

SI MERRET TEJEMUMI?

Nëse një mysliman nuk gjen ujë për të marrë abdes ose nuk mund ta përdorë për shkak të sëmundjes së rëndë, ekzistencës së armikut dhe nëse ekzistojnë pengesa të tjera, mund të marrë tejemum në materiale me përbërje dheu.

Në fillim bën nijetin dhe pasi thotë Eudhu-Bismil’lah,  i vendos duart në dhé ose në një vend tjetër dhe i fërkon lart-poshtë. Pastaj fërkon fytyrën. Herën e dytë i vendos përsëri në dhé, i shkund dhe fërkon në fillim dorën e djathtë pastaj të majtën.

Gjatë marrjes së tejemumit është e domosdoshme heqja e unazës dhe fërkimi i vendit të saj si dhe fërkimi në mes të gishtërinjve.