Si dhe kur behet sexhde tilaveti – sexhdeja e leximit te Kuranit?

Sexhde tilaveti – sexhdeja e leximit

Eshtë ajo sexhde e cila zbatohet kur lexohet apo dëgjohet ajeti i sexhdes. Zbatimi i sexhdes së tillë është vaxhib. Këtë sexhde duhet ta zbatojë doemos ai që e lexon ajetin e sexhdes apo e dëgjon. Veprimi i sexhdetu tilavetit ka bazë në hadithin e Pejgamberit (s.a.v.s.), të transmetuar nga Ibn Umeri (r.a.), i cili ka thënë: “Pejgamberi (s.a.v.s.), duke lexuar Kuran, kishte lexuar kaptinën në të cilën kishte sexhde, me ç’rast bëri sexhde dhe ne bëmë sexhde me të…”

Ajetet e sexhdes ne Kuran:

1. el-A’raf, 7:206           8. en-Neml, 27:25
2. er-Ra’d, 13:15           9. es-Sexhdeh, 32:15  
3. en-Nahl, 16:50         10. Sad, 38:24  
4. el-Isra, 17:109          11. Fussilet, 41:37
5. Merjem, 19:58          12. en-Nexhm, 53:62
6. el-Haxhxh,22:18       13. el-Inshikak, 84:20
7. el-Furkan, 25:60       14. el-Alek, 96:19

Mënyra e zbatimit të sexhde tilavetit kur nuk jemi në namaz.

Personi i cili duhet të bëjë këtë sexhde duhet të kthehet nga kibla të marrë tekbir, pa i ngritur duart, pastaj të bjerë në sexhde dhe të lartësojë Allahun tri herë (tesbih) e, duke thënë Allahu Ekber, e kryen sexhden. Ruken (kushti kryesor) i kësaj sexhdeje është të vendosurit e ballit në tokë, ndërsa dy tekbiret dhe tesbihu janë sunet. Kjo sexhde mund të zbatohet edhe duke qenë ulur, por më mirë është që të ngrihemi e pastaj të biem në sexhde. Kur ndodh që ajeti, në të cilin ka sexhde, të lexohet në namaz, qoftë me zë apo pa zë, duhet të kryhet sexhdeja e tillë. Kur ndodh që të lexohet ajeti i sexhdes në namaz menjëherë pas fatihasë dhe musaliu mendon të lexojë ende pas ajetit të sexhdes, duhet të shkojë menjëherë në sexhde, pa shkuar fare në ruku, që të kryejë sexhden e leximit e pastaj të ngrihet, të vazhdojë leximin dhe ta kryejë rekatin normal. Po nëse ndodh që ajeti i sexhdes të jetë ajeti me të cilin mendon të përfundojë musaliu leximin në namaz, në këtë rast ai bën ruku dhe sexhde normale dhe, me kryerjen e rekatit, kryhet edhe sexhdeja e leximit.

Disa rregulla që kanë të bëjnë me sexhden e leximit

  1. Sexhdeja e leximit është obligim për secilin që e ka detyrim faljen e namazit. Kjo sexhde nuk është obligim të zbatohet nga fëmija, gruaja me menstruacione (hajz) dhe në kohën e lehonisë (nifas).
  2. Për zbatimin e kësaj sexhdeje janë të obliguar si lexuesi, ashtu edhe dëgjuesi, pavarësisht nëse dëgjuesi e ka pasur për qëllim dëgjimin e ajetit apo jo.
  3. Kur ndodh që lexuesi të lexojë disa herë të njëjtin ajet në të njëjtin vend, ai duhet të bëjë vetëm një herë sexhde. E, nëse ndodh që të njëjtin ajet ta lexojë në disa vende, atëherë duhet bërë sexhde, sa herë që është lexuar ajeti.
  4. Po qe se ndodh që ajeti i sexhdes lexohet vetëm me sy ose mendohet, por nuk shqiptohet me gjuhë, nuk kërkohet zbatimi i sexhdes.
  5. Kur ndodh që ajeti i sexhdes të lexohet jashtë namazit, kryerja e kësaj sexhdeje mund të shtyhet për më vonë, por më mirë është që ajo të zbatohet menjëherë.
  6. Nëse ndodh që sexhdeja e tillë të bëhet obligim për t’u kryer në namaz, atëherë duhet doemos të zbatohet në të njëjtin namaz, pa marrë parasysh se në këtë namaz lexohet pa zë apo me zë. Nëse prishet namazi para se të shkohet në sexhde, mund të kryhet jashtë namazit, meqë, kur është prishur namazi, ka mbetur vetëm recitimi, i cili nuk llogaritet më si recitim i namazit.
  7. Nëse e reciton ose e dëgjon duke kalëruar, lejohet të bëhet përkulje në shalë. Nëse e reciton një person i shëndoshë, që është në gjendje të bëjë sexhde dhe nuk e kryen atë gjersa nuk sëmuret, e atëherë nuk është në gjendje ta bëjë, lejohet të bëjë një përkulje dhe nuk obligohet ta përsëritë kur të shërohet, ngase ajo nuk bën pjesë në obligime që duhet kryer menjëherë. Madje, nëse e kryen pas një viti, llogaritet se e ka kryer në kohë, ngaqë nuk është e lidhur për një kohë të caktuar.
  8. Nëse e dëgjon ajetin me sexhde nga falësi dhe nuk i bashkohet në namaz ose i bashkohet në rekatin e dytë, sexhden duhet ta kryejë jashtë namazit. Nëse falësi, pavarësisht nëse është imam, muktedi apo falet vetëm, e dëgjon ajetin në të cilin ka sexhde nga dikush që nuk është në namaz, nuk duhet të bëj sexhde në namaz, por pas namazit. Nëse bën sexhde në namaz nuk do t’i llogaritet dhe duhet ta përsëritë jashtë namazit.
  9. Nëse e reciton në namaz dikush që falet me imam, kjo sexhde nuk është e namazit, duke pasur parasysh se recitimi i saj nuk ka rëndësi, por është i detyruar të bëjë sexhde pas namazit.
  10. Personi memec nuk është i obliguar të bëjë sexhde në bazë të recitimit të një personi tjetër, por është i obliguar të bëjë sexhde, nëse ai vetë reciton ajete të sexhdes.(13)

*musaliu (ai që është duke u falur)

Allahu di me se miri.

Marre nga:http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=7975

Print Friendly, PDF & Email