Kur nuk është mirë falja e namazit? Kohët mekruh, të kerahetit

Falja e namazit është mekruh në këto kohë:

  1. Koha prej rreth 40-45 minutash nga lindja e diellit gjer në lartësimin e tij.
  2. Koha kur dielli ndodhet në pikën më të lartë qiellore.
  3. Koha nga çasti kur dielli zverdhet ose skuqet duke u dobësuar aq sa të mos i marrë më sytë, gjer në perëndimin e tij.
  4. Koha nga zbardhja e vërtetë (fexhri sadik) gjer në lindjen e diellit.
  5. Koha qysh pas faljes së namazit të ikindisë gjer në perëndimin e diellit.

Në tri kohët e para kerahet nuk mund të falen namazet farz të mbetura për kaza, namazet vaxhib si vitri dhe namazi i të vdekurit të përgatitur më parë. Gjithashtu, në këto tri kohë nuk mund të bëhet sexhde tilaveti për një ajet të kënduar më parë. Në të kundërt, të gjitha këto veprime duhet të përsëriten nga e para.

Në këto tri kohë nuk mund të falet as namaz nafile. Po qe se falet, vlerësohet i falur me kerahet dhe nuk kërkohet përsëritja e tij. Sepse ky kerahet nuk është pengesë për vlefshmërinë e namazeve nafile. Megjithëkëtë, është më me vlerë që namazi nafile që rastis në njërën prej këtyre tri kohëve, të prishet e të bëhet kaza pas kohës kerahet. Këto tri kohë janë kohë adhurimi të adhuruesve të zjarrit (zoroastrianëve). Shmangia nga imitimi i tyre është domosdoshmëri e respektit ndaj fesë së vërtetë.

Kurse në dy kohët e tjera kerahet (4-5), domethënë nga zbardhja e vërtetë (fexhri sadik) gjer në lindjen e diellit dhe qysh pas faljes së namazit të ikindisë gjer në perëndimin e diellit, është mekruh vetëm falja e namazeve nafile. Falja e namazeve farz dhe vaxhib, falja e namazit të të vdekurit dhe sexhdja e tilavetit nuk janë mekruh. Po qe se namazi nafile i filluar në njërën nga këto dy kohë prishet për të shpëtuar nga keraheti, duhet të bëhet kaza më pas.

Gjatë perëndimit të diellit mund të falet vetëm namazi i ikindisë së asaj dite, por nuk mund të falet namazi i ikindisë i një dite tjetër i mbetur për kaza. Sepse një adhurim i cili është vaxhib brenda një kohe të rregullt, nuk mund të bëhet kaza në një kohë kerahet, sepse koha kerahet është shkak për cenueshmërinë e adhurimeve.

Një namaz çfarëdo që rastis në lindjen e diellit, prishet, sepse ka hyrë një kohë e re namazi. Nisur nga kjo, po qe se lind dielli ndërsa është duke u falur sabahu, namazi prishet. Por po qe se dielli perëndon kur është duke u falur namazi i ikindisë, namazi nuk prishet, sepse koha e namazit ka dalë, por nuk ka hyrë koha e një namazi të ri.

Kurse një namaz farz ose vaxhib që rastis mu në kohën zeval (kur dielli është mu në pikën më të lartë qiellore), prishet. Kur koha zeval të mbarojë dhe dielli të nisë të varet drejt perëndimit, me marrëveshje, koha kerahet ka dalë.

Në kohën mekruh mund të bëhet sexhde si rrjedhojë e një ajeti sexhdeje të kënduar në atë kohë. Por është më mirë që kjo sexhde të lihet për më pas kohës kerahet. Gjithashtu, namazi i një të vdekuri të përgatitur gjatë një kohe kerahet mund të falet në atë kohë, sepse është mendub që namazi i të vdekurit të falet menjëherë pa e vonuar.

Është mekruh që pasi të ketë perënduar dielli të falet namaz nafile para namazit të akshamit, sepse kështu shtyhet namazi i akshamit. Kurse nxitimi në namazin e akshamit është me vlerë.

Ditën e xhuma, fillimi i një namazi nafile pasi imami të jetë ngjitur për hutbe ose pasi muezini të ketë kënduar ikametin, është mekruh.

Është mekruh të falet namaz nafile para namazit të bajramit ose gjatë hutbes, si dhe në po në atë vend ku, pas kësaj hutbeje, falet namazi i bajramit.

Është mekruh të falet namaz nafile gjatë eklipsit të diellit, lutjes së shiut dhe hutbeve të haxhit. Këto hutbe duhen dëgjuar.

Meqë një namaz nafile i filluar në një kohë të rregullt (jomekruh) dhe i prishur, është vaxhib të bëhet kaza, është mekruh të bëhet kaza në kohët nga pas namazit të ikindisë gjer në perëndimin e diellit dhe nga lindja e fexhrit gjer në lartësimin e diellit një hosten. Megjithëkëtë, po të bëhet kaza, është i vlefshëm. Kështu janë edhe kohët e tjera kerahet. Por nuk janë kështu tri kohët e para kerahet. Bërja kaza në njërën prej tyre nuk është e vlefshme. Kazaja duhet përsëritur nga e para.

Me lartësimin e diellit 1-2 dy hostenë me shikim të lirë në kupën qiellore, koha kerahet merr fund. Tashmë mund të falen të gjitha namazet nafile dhe kaza që dëshirohen. Për ta përcaktuar këtë kohë është edhe një mënyrë tjetër e lehtë. Duhet parë dielli duke e mbështetur nofullën në gjoks. Po qe se dielli nuk shihet nga që është lartësuar, do të thotë se koha kerahet ka dalë.

Marrë nga: http://islami.al/ilmihali/%ef%bb%bfkohet-mekruh/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.