Kur duhet marrë gusul (gusëll, gusl)?
Kur personi është i papastër (xhunub)
Me të qenit i papastër ose ndryshe xhunub nënkuptohet gjendja e cila vjen pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale apo pas ejakulimit të spermës. Nga organi i njeriut rrjedhin tre lloje lëngjesh: medhi, vedi dhe meni.
Medhi: është një lëng i hollë, pa ngjyrë dhe rrëshqitës i cili del si rrjedhojë e kënaqësisë që ndjen njeriu nga të luajturit me organin, nga ëndrrat apo imagjinata seksuale. Ndoshta dhe nuk ndihet kur rrjedh. Mund të ndodhë tek burrat dhe tek gratë.
Vedi: është një lëng i trashë, me ngjyrë të ngjashme me spermën që rrjedh për arsye të të ftohtit apo ngritjes së peshave të rënda dhe zakonisht rrjedh pjesë-pjesë pas urinimit.
Meni: sperma, rrjedh pas përjetimit epshor dhe del menjëherë, ka një ngjyrë dhe erë specifike të tijën.
Gusuli duhet marrë vetëm në rastin e derdhjes së menit, ejakulimit të spermës. Rrjedhja e medhit dhe vedit prish vetëm abdesin. Në këto raste pastrohet organi dhe pjesa ku ka rrjedhur dhe merret përsëri abdes.
Edhe nëse nuk ndodh derdhje e spermës në fund të marrëdhënieve seksuale, gruaja dhe burri quhen të papastër (xhunub). Edhe në rast se sperma rrjedh kur personi është i fjetur, i papërgjegjshëm apo kur nuk është i ndërgjegjshëm nuk ndryshon asgjë. Rrjedhja e spermës me epsh e bën personin të papastër. Nëse sperma rrjedh si pasojë e të ftohtit apo ngritjes së peshave të rënda atëherë, nuk kemi të bëjmë me papastërti.
Nëse një person zgjohet dhe vëren në rroba gjurmë sperme por nuk e mban mend derdhjen, ai person duhet të marrë gusul. Ndërsa personi i cili e mban mend ardhjen e orgazmës por nuk ka shenja sperme, nuk ka nevojë të marrë gusul.