A mund t’i ndalojnë punëdhënësit punëtorët për të falur namazin e xhumasë?
Në të drejtën islame, punëtorët ndahen në dy kategori: punëtorë me pagë bazë dhe punëtorë me porosi. Punëtorët e kategorisë së parë janë ata që kanë një punë të përhershme, me një orar dhe pagë të caktuar në një vend pune të caktuar, të cilët mund të jenë edhe punëtorë, edhe personel administrativ, kurse punëtorët e kategorisë së dytë, janë mjeshtrat e profesioneve të ndryshme që punojnë privatisht në bazë të porosive që u vijnë nga klientët.
Sipas kësaj ndarjeje, problemi nuk qëndron tek të dytët të cilët punojnë privatisht dhe e përdorin kohën si të duan vetë, por për kategorinë e parë të punonjësve, të cilët, gjatë orarit të punës sipas kontratës së punës, nuk kanë të drejtë të largohen nga vendi i punës pa lejen e punëdhënësit. Ndërkaq, sipas të drejtës islame, meqë namazi farz është “e drejtë e Allahut”, asnjë punëdhënës nuk ka të drejtë ta pengojë punonjësin e vet për t’i falur namazet farze që rastisin brenda orarit të punës. Këtu nuk futen namazet nafile të çfarëdo lloji që të jenë.
Ndërkaq, duhet mbajtur parasysh se po flasim për të drejtën juridike-fetare islame e cila është në fuqi vetëm në shtetet islame. Zbatimi i disa prerogativave të kësaj të drejte të cilat kanë të bëjnë kryesisht me detyrimet besimore-fetare të individit, duke mos qenë detyrim në vendet ku është në fuqi e drejta civile laike, rregullohet me marrëveshje.
https://islami.al/namazi-i-xhumase