A është haram tregtia në kohën e namazit të xhumasë?
Allahu (xh.xh.) urdhëron:
“Ditën e xhuma, kur të thirreni për namaz (kur të këndohet ezan), lëreni shitblerjen dhe vraponi për ta përmendur Allahun!” (Xhuma, 62/9).
Duke u nisur nga ky ajet, medhhebi hanefi e ka quajtur shitblerjen në këtë kohë mekruh tahrimen (pranë haramit), kurse tri medhhebet e tjera, kanë dhënë konkluzion për haram. Vlerësimi si mekruh tahrimen i shitblerjes gjatë intervalit prej këndimit të ezanit të brendshëm gjer në përfundim të faljes së namazit të xhumasë, nuk rrjedh prej aktit tregtar në vetvete, por prej pengesës që i krijon ky akt kryerjes së namazit të xhumasë, ose prej afërsisë kohore, ose prej përputhjes kohore të tij me namazin e xhumasë.
Ndërkaq, personi që e ka për detyrim faljen e namazit të xhumasë, duke mos e respektuar urdhrin e mësipërm, bën tregti, me këtë qëndrim dhe veprim kryen një akt mekruh tahrimen ose haram, por tregtia e bërë është e vlefshme dhe fitimi i siguruar nuk është haram. Vetëm se komentuesit kanë thënë se, për shkak të kryerjes së një pune të ndaluar nga Allahu, fitimi i arritur me këtë rrugë nuk do të ketë begati, se në jetën shpirtërore të personave përkatës mund të lindin përfundime negative dhe se jeta e tyre ndjesore mund të shuhet.