Cilat jane llojet e haxhit?
A.Llojet e haxhit sipas konkluzionit
Nga ana e konkluzioneve fetare, haxhi ndahet në tre lloje, farz, vaxhib dhe nafile.
Farz është haxhi i detyruar një herë në jetë për çdo mysliman që i plotëson kushtet e tij. Vaxhib është kryerja e haxhit të premtuar edhe pse nuk e ka farz kryerjen e tij. Edhe kazaja e haxhit të filluar por të prishur është vaxhib. Haxhi i bërë për dëshirën e Allahut jashtë farzit dhe vaxhibit është haxhi nafile. Haxhet të cilat kryhen përveç haxhit farz konsiderohen si haxhe nafile.
B.Llojet e haxhit sipas përbërjes
Sipas përbërjes haxhi ndahet në tre lloje: haxhi ifrad, haxhi temettu dhe haxhi kiran.
Haxhi ifrad
Haxhi i bërë pa umre. Është haxhi i cili bëhet brenda muajve të haxhit, me nijetin vetëm për haxh para të cilit nuk bëhet umre. Personat të cilët bëjnë haxhin ifrad pas mbarimit të haxhit mund të bëjnë umre sa të duan. Ata që kryejnë haxhin ifrad nuk e kanë vaxhib të therin kurban.
Haxhi temettu
Në kohën e haxhit, në fillim bëhet nijet për umre, hyhet në ihram dhe bëhet umreja. Pastaj po në atë kohë personi bën nijetin për haxh dhe hyn në ihram dhe kryen dhe haxhin.
Ata që duan të bëjnë haxhin temettu në fillim bëjnë nijetin dhe hyjnë nën ihram vetëm për umre. Pasi kryen umren, qethet, del nga ihrami dhe një ditë para ditës së arefes hyn përsëri në ihram me nijetin për haxh dhe zbaton rregullat përkatëse të haxhit.
Personat që bëjnë haxhin temettu e kanë vaxhib therjen e ‘kurbanit të falenderimit’.
Haxhi kiran
Është kryerja e umres dhe e haxhit bashkë nën një qëllim dhe nën një ihram në kohën e haxhit.
Personat që bëjnë haxhin kiran hyjnë nën ihram në kufijtë e mikatit dhe bëjnë nijetin për haxh dhe umre bashkë. Kur vijnë në Mekë në fillim bëjnë umren dhe me të njëjtin ihram kryejnë haxhin në kohën e tij. Pasi kryejnë haxhin dalin nga ihrami.
Ashtu si tek haxhi temettu, edhe personat që kryejnë haxhin kiran e kanë vaxhib therjen e kurbanit.
Kushtet e haxhit Temettu dhe Kiran
Vendasit, personat të cilët jetojnë brenda kufijve të mikatit, në zonat Harem dhe Hil, nuk e kanë të lejuar të kryejnë haxhin Temettu dhe Kiran. Këta mund të bëjnë vetëm haxhin ifrad.
Umreja dhe haxhi duhet të bëhen në muajt e haxhit të të njëjtit vit. Nëse umreja kryhet pa hyrë muajt e haxhit atëherë haxhi nuk quhet temettu apo kiran por është haxh ifrad.
Pas kryerjes së umres në muajt e haxhit nuk duhet të ketë ‘sahih ilmam’. Sahih ilmam do të thotë kthimi në shtëpi pas umres ose dalja jashtë kufijve të mikatit.
Këta tre lloje haxhi mund t’i radhisim kështu:
Haxhi kiran, temettu, ifrad.
Obligimi i haxhit realizohet nëse kryhet ndonjëri prej tyre.