Cka duhet të ketë kujdes imami dhe xhemati gjatë namazit?

Ndërkaq, personi që kryen detyrën e imamit, duhet të ruhet nga sjelljet dhe veprimet që shkaktojnë papëlqim ose urrejtje te xhemati. Nuk është me vend që imami t’i zgjasë këndimin ose tesbihet aq sa ta mërzisë dhe neverisë xhematin, gjë që është mekruh. Përfitimi shpirtëror (sevabi) i faljes së namazit me xhemat është i madh. Nuk është me vend që imami të bëhet shkak për t’i privuar të tjerët nga ky përfitim. Por kur xhemati vetë e pëlqen dhe është dakord me zgjatjen, s’kemi të bëjmë me kerahet. Nga ana tjetër, edhe nxitimi i imamit aq sa të mos i japë mundësi xhematit t’i plotësojë tesbihet e rukusë dhe sexhdeve si dhe teshehudin sipas sunetit, është mekruh. Edhe zgjatja nga imami e rukusë me mendimin që ta arrijë xhemati, është mekruh.

Është vaxhib që imami të këndojë ajetet dhe suret që i vijnë më të lehta. Ai s’duhet t’i këndojë ajetet që ende nuk i ka mësuar mirë përmendësh, nuk duhet të lërë shteg që xhemati t’i shkojë në ndihmë për t’ia kujtuar pjesët e harruara. Ndërkaq, në kushtet e harresës ose gabimit, duhet vepruar kështu: Po qe se imami ka kënduar një masë të konsideruar sunet ose aq sa për t’u bërë namazi xhaiz, duhet të shkojë menjëherë në ruku pa pritur që xhemati t’ia korrigjojë pjesën ku gaboi. Po qe se nuk ka kënduar një masë të mjaftueshme, duhet të kalojë në një ajet tjetër.

Vendi ku ndodhet imami dhe ku do të bëhet lidhja pas imamit, duhet të jetë i njëjtë. Po qe se mes imamit dhe personit a personave që lidhen pas tij ndodhet një mur i lartë që e pengon shikimin e imamit dhe dëgjimin e zërit të tij, lidhja pas tij në këto kushte është e pavlefshme. Gjithashtu, po qe se mes imamit dhe personit që lidhet pas tij ose mes personit që lidhet pas imamit dhe një radhe më parë ka distancë, shihet: po qe se namazi falet jashtë faltores dhe distanca është më e vogël se vendi që zë një radhë personash të radhitur për namaz, lidhja pas imamit bëhet e vlefshme; po qe se distanca është më e madhe se kaq, lidhja pas imamit mbetet e pavlefshme. Por në kushtet e faljes së namazit brenda faltores, sado e madhe të jetë distanca, nuk përbën pengesë për vlefshmërinë e lidhjes pas imamit. Megjithëkëtë, sipas disa dijetarëve, në faltoret me mjedis shumë të gjerë, si xhamia Aksa, nuk është e lejueshme lidhja pas imamit duke qëndruar në një pikë të largët të faltores pa lidhje mes radhëve. Gjithashtu, në xhami ose në një mjedis të hapur, po qe se mes imamit dhe personit që lidhet pas tij kalon një rrjedhë ujore e gjerë sa të lejojë vozitjen e një varke nëpër të, ose mes radhëve ndodhet një distancë e lirë sa për të kaluar ndonjë autoveturë, këto rrethana bëhen pengesë për lidhjen pas imamit.

Ecja me vrap për të arritur xhematin është mekruh, është në kundërshtim me respektin ndaj namazit dhe xhematit. Nga sjellje të tilla duhet ruajtur dhe shmangur gjithmonë. Nuk është kusht që xhemati të përbëhet prej shumë vetash. Vlera e xhematit arrihet edhe me një person. Është e mjaftueshme që personi që lidhet pas imamit, të jetë një femër ose një fëmijë i parritur. Prandaj, namazi i falur në shtëpi me xhemat është shumë herë më i vlefshëm se namazi i falur individualisht. Vlera e namazeve të falura në faltore (që shërbejnë si xhami) ose xhami është më e shumtë.

Po qe se xhemati përbëhet vetëm nga një person, ky qëndron në të djathtë të imamit, kurse po qe se përbëhet nga dy a më shumë persona, këta qëndrojnë pas imamit. Qëndrimi i xhematit para imamit nuk është e lejueshme. Në këtë specifikë, merren për bazë jo vendi i sexhdes, por vendi i këmbëve. Mjafton që thembrat e këmbëve të xhematit të ndodhen pas thembrave të këmbëve të imamit.

Personi që lidhet pas imamit duhet të bëjë nijet për t’u lidhur pas imamit dhe namazi që falin imami me të duhet të jenë i njëjti. Prandaj, po qe se personi lidhet pas imamit pa e bërë nijet këtë, ose po qe se ky person kërkon të falë namazin e drekës, kurse imami drejton faljen e namazit të ikindisë, lidhja pas imamit nuk lejohet.

Po qe se zëri i imamit është i pamjaftueshëm, tekbiri i fillimit dhe tekbiret e ndërmjetme përsëriten me zë të lartë nga një person mes xhematit; kur ngrihet nga rukuja, thuhet me zë të lartë “Rabbena ue lekel hamd” dhe, gjithashtu, selami jepet me zë të lartë. Ky është një njoftim. Ndërkaq, tekbiret duhet të thuhen përkatësisht si tekbir fillimi dhe tekbire të ndërmjetme, jo vetëm për njoftim. Po qe se me tekbirin e parë nuk bëhet nijet për fillimin e namazit, thënësi i tekbirit nuk konsiderohet se e ka filluar namazin. Po qe se edhe tekbiret e tjerë nuk bëhen si tekbire të ndërmjetëm, kjo pasohet nga privimi prej sevapeve të tyre. Po qe se zëri i imamit është i mjaftueshëm, për rrjedhojë nuk ka nevojë për ndërmjetësim të dikujt tjetër i cili njofton thëniet e imamit, në këto kushte, njoftimi është mekruh. Këtë duhet ta kenë parasysh muezinët dhe ata që bëjnë punën e muezinit.

Është sunet që imami, duke i dhënë fund namazit, ta thotë selamin e parë me zë më të lartë se ç’ka për ta thënë selamin e dytë. Sepse thënia me zë të lartë është një njoftim dhe tërheqje vëmendjeje për xhematin. Dhe nevoja për këtë njoftim dhe tërheqje vëmendjeje ndjehet më shumë në selamin e parë.

Kur imami jep selam, edhe personi që e ka mbaruar teshehudin jep selam. Ai nuk e vonon dhënien e selamit me qëllim për t’i mbaruar salavatet dhe lutjen. Edhe dhënia selam pa e mbaruar teshehudin është xhaiz.

Duke dhënë selam pas përfundimit të namazit, imami, me fjalën “alejkum” e ka fjalën për engjëjt shkrues dhe tërë xhematin. Secili nga pjesëtarët e xhematit, duke dhënë selam në anë të djathtë, e ka fjalën për engjëjt e atij krahu, për të gjithë xhematin, si dhe për imamin nëse imami ndodhet në atë anë ku ndodhet personi ose në një drejtim me të. Edhe duke dhënë selam në anë të majtë, personi e ka fjalën për engjëjt e atij krahu, për tërë xhematin, si dhe për imamin nëse imami ndodhet në atë anë ose në një drejtim me të. Kurse ata që falen individualisht, me këtë selam e kanë fjalën vetëm për engjëjt shkrues.

Pas selamit, xhemati qëndron në vend gjersa të thuhet “Allahumme entes selamu ue minkes selam, tebarekte ja dhel xhelali uel ikram”. Pastaj ngrihen nga vendi dhe e plotësojnë sunetin ose lutjen në një vend tjetër të përshtatshëm. Prishja e radhëve pas farzit është mustehab. Duke vepruar kështu, ata që vijnë më pas, e kuptojnë se namazi ka mbaruar.

Pasi imami të japë selam, po qe se namazi ka përfunduar, imami është i lirë. Ai mund të kthehet djathtas ose majtas sipas dëshirës. Kështu, ulet duke e pasur kiblen në anë të majtë ose të djathtë. Po të dëshirojë, mund të ngrihet dhe largohet në punë të vet. Po qe se përballë nuk ka njerëz që falen, kthehet nga xhemati si të dojë. Ai nuk mund të kthehet me fytyrë nga personi apo personat që falen, sepse ndenjja me fytyrë përballë fytyrës së atij që fal namaz, është mekruh. Por po të kenë mbetur sunete për t’u falur, imami qëndron në vend gjersa të thuhet “Allahumme entes selamu ue minkes selam”, pastaj ngrihet dhe, duke u spostuar djathtas ose majtas, para ose pas, zë një vend për ta falur sunetin përkatës. Po qe se nuk ka ndonjë punë tjetër për të bërë, mund të shkojë në shtëpi e ta falë sunetin atje. Sepse falja e sunetit në shtëpi është më me vlerë. Por po qe se tek xhemati ekziston ndonjë pandehmë jo e mirë për imamin, imami duhet t’i falë sunetet në xhami.

Sa për ata që falen individualisht, këta mund të qëndrojnë në vendin ku e falën namazin farz dhe aty mund t’i falin namazet sunet. Megjithëkëtë, është më mirë që namazet nafile t’i falin duke u tërhequr në një pikë tjetër.

Po qe se imami i lë pa kryer lutjen e kunutit, tekbiret e bajramit, ndenjjen e parë, sexhden e tilavetit dhe sexhden sehv, edhe xhemati i lë pa kryer. Po qe se imami bën një sexhde tepër ose bën më shumë tekbiret të bajramit sesa numri i përcjellë nga sahabet, ose në namazin e të vdekurit bën më shumë se katër tekbire, ose, gabimisht, ngrihet për në rekatin e pestë, xhemati nuk e ndjek. Po qe se imami ngrihet për në rekatin e pestë, shihet: po qe se imami ka bërë ndenjje pas rekatit të katërt, xhemati pret ndenjur; po qe se imami prapësohet menjëherë dhe, pa e kompensuar teshehudin, jep selam, edhe xhemati jep selam bashkë me të; por po qe se imami bie në sexhde për rekatin e pestë për të cilin u ngrit, xhemati jep selam me iniciativën e vet dhe del nga namazi; po qe se imami nuk ka bërë ndenjje pas rekatit të katërt, xhemati përsëri pret; po qe se imami menjëherë prapësohet nga kijami në ndenjje dhe jep selam, edhe xhemati jep selam bashkë me të; por po qe se imami e fillon rekatin e pestë me sexhde, namazi u prishet të gjithëve. Në këtë rast, nuk ka dobi sikur xhemati të thotë teshehudin dhe të japë selam me iniciativën e vet.

Po qe se në namazin e vitrit, imami shkon në ruku kur xhemati ende nuk e ka përfunduar lutjen e kunutit, xhemati e ndjek. Por po qe se xhemati nuk ka kënduar asgjë nga lutja e kunutit, këndon pak aq sa për të mos e humbur rukunë me imamin.

Po qe se në namazin e vitrit, imami shkon në ruku duke e harruar lutjen e kunutit, kurse xhemati nuk e ndjek dhe, atëherë, imami ngre kokën, e këndon lutjen e kunutit dhe shkon përsëri në ruku dhe xhemati e ndjek, në këto kushte, namazi i xhematit prishet.

Në namazet e falura me xhemat, i kushtohet kujdes rregullsisë së radhëve dhe plotësisë së tyre për të mos mbetur hapësirë mes radhëve. Edhe imami i kushton kujdes kësaj dhe e paralajmëron xhematin.

Është mekruh që dikush të lidhet pas imamit duke qëndruar i vetëm pas radhës së pasme. Por nuk është mekruh nëse nuk gjen vend diku tjetër mes radhëve.

Personi që e gjen imamin në ruku, po qe se druhet se duke kaluar për në radhët e para i ikën rekati, qëndron në radhën e fundit dhe aty lidhet pas imamit. Ai nuk lidhet pas imamit duke qëndruar jashtë radhëve, i vetëm diku edhe sikur t’i kalojë rekati pa falur.

Kalimi para personit që është duke u falur, është mekruh. Por nuk është mekruh nëse para personit që është duke u falur ndodhet ndonjë pengesë, si perde, pemë, shtyllë, etj. Kjo situatë keraheti ndodh në faljet në fushë ose në faltoret e mëdha kur kalohet nga vendi ku ka për të rënë në sexhde personi që është duke falur namaz. Sepse në vende të tilla të hapura ose me sipërfaqe të madhe, është e vështirë që të mos kalohet para atij që është duke falur namaz. Kurse nëpër shtëpitë ose në faltoret e vogla, kalimi para atij që është duke falur namaz është mekruh. Pengesa si muri, etj., që ndodhet para imamit, është e mjaftueshme edhe për xhematin.

Po qe se kalohet para personit që është duke falur namaz në një vend të ulët ose të lartë, shihet: po qe se mes atij që falet dhe atij që kalon ndodh një barazim niveli mes ndonjë prej gjymtyrëve të të dyve, personi që kalon, bën mëkat, përndryshe, jo. Ndërkaq, namazi nuk prishet në asnjërin rast.

Po qe se, pas shpërndarjes së xhematit, imami e kupton se e ka drejtuar faljen pa abdes, duhet që, me sa të ketë mundësi, t’ia bëjë të njohur këtë xhematit. Sipas një pikëpamjeje tjetër, njoftimi i xhematit nuk është i domosdoshëm.

Falja e namazeve me xhemat duhet ndjekur rregullisht nëse nuk ekziston ndonjë pengesë e justifikueshme për këtë. Justifikimet që do ta bënin mubah (normale) mosndjekjen e xhematit, janë sëmundjet që e bëjnë mubah tejemumin, si paraliza, pleqëria e thellë sa për të mos ecur dot, verbëria, frika nga ndonjë sulm i padrejtë, shiu dhe balta e rëndë, të ftohtit dhe errësira, kujdesi për një të sëmurë i cili nuk mund të lihet vetëm, përgatitjet për udhëtim.

Edhe personi i cili, megjithëse dëshiron të marrë pjesë rregullisht në xhemat, pengohet si rrjedhojë e një pengese të justifikueshme, e fiton të mirën përkatëse sipas nijetit që ka.

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/a-mund-te-fale-namaz-ndjekesi-i-medhhebit-hanefi-pas-imamit-ndjekes-te-medhhebit-shafi/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.