Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Namazi – abdesti

Përse duhet të falim namazet me xhemat? Arsyet e rëndësia sipas Haditheve

Estimated reading: 7 minutes 494 views

Feja islame i ka dhënë rëndësi të madhe bashkimit dhe unitetit

Nxitja e faljes së namazit në mënyrë të përbashkët pesë herë në ditë, konsiderimi i domosdoshëm i faljes kolektivisht të namazit të xhumasë një herë në javë dhe të namazeve të bajrameve dy herë në vit kanë kuptimin edhe të një preteksti që myslimanët të takohen dhe të bisedojnë hallet me njëri-tjetrin, si dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

Në ajetin që thotë,

“Dhe kur ti të jesh mes tyre e të drejtosh namazin për ta, me ty të qëndrojnë në namaz një pjesë e tyre duke marrë edhe armët pranë” (en-Nisa, 4/102)

Allahu i Lartë flet për namazin me xhemat edhe në çaste të rrezikshme lufte, madje. Nxitja e faljes namaz me xhemat në çaste të rrezikshme e bën të qartë se respektimi i xhematit në kohët normale është më përparësor e i rëndësishëm.

Namazi me xhemat 27 gradë më i virtytshëm

Profeti ka bërë të ditur se namazi i falur me xhemat është njëzet e pesë a njëzet e shtatë gradë më i virtytshëm se namazi i falur individualisht.[1] Edhe Profeti a.s. vetë, gjatë gjithë jetës i ka prirë xhematit në namaz, kurse kur është sëmurur, ka marrë pjesë në xhemat duke u falur pas Ebu Bekrit r.a.. Për shkak të kuptimit të ndihmës reciproke dhe solidaritetit që përmban, namazi me xhemat është shndërruar në një shenjë dalluese dhe simbol të Islamit dhe ka vazhduar kështu si një praktikë e pamënjanueshme qysh nga epoka e lumtur gjer në ditët tona dhe do të vazhdojë e duhet të vazhdojë kështu gjer në kiamet.

Xhemati më i vlefshëm pas namazit të xhumasë është xhemati i namazit të sabahut, pastaj xhemati i namazit të jacisë, pastaj i ikindisë. Siç rrëfen Ebu Hurejre, Profeti ka thënë kështu: “Po ta dinin njerëzit sevapin e safit (radhës) së parë, për të qëndruar në radhën e parë nuk do të gjenin dot zgjidhje tjetër veç hedhjes së shortit. Po ta dinin mirësinë e faljes së namazit në kohën e parë, do të bënin garë. Po ta dinin virtytin e namazit të jacisë dhe namazit të sabahut, do të vinin qoftë edhe këmbadoras për t’i falur këto namaze me xhemat!”[2] Kurse në një hadith tjetër ka thënë: “Kush e fal namazin e jacisë me xhemat, merr sevabin e faljes së namazit gjer në mesnatë dhe po e fali edhe namazin e sabahut me xhemat, merr sevape sikur ta kishte kaluar tërë natën duke falur namaz!”[3]

Më e virtytshmja e radhëve është radha e parë. Kjo virtytshmëri qëndron në gradën e afërsisë ndaj imamit. Ndërkaq, personat që qëndrojnë më pranë imamit duhet të jenë persona kompetentë për detyrën e imamit, në mënyrë që, nëse imamit i prishet abdesi, të mund të kalojnë njërin prej tyre në vend të tij.

Konkluzioni mbi faljen e namazit me xhemat

Sado që vlera e xhematit mund të realizohet edhe me një njeri dhe që namaz me xhemat mund të falet edhe me njerëzit e shtëpisë, kjo nuk është e njëvlefshme me shkuarjen në xhami dhe pjesëmarrjen në një xhemat më të madh. Meqë falja e namazeve farz me xhemat në xhami apo faltore është një shenjë dalluese dhe simbol i fesë islame, braktisja dhe ndërprerja e kësaj kurrë nuk mund të shihet e lejueshme.

Ka shumë hadithe që tregojnë për rëndësinë e xhematit. Në njërin prej tyre, Profeti thotë: “Po qe se tre vetë ndodhen bashkë në një fshat ose në fushë dhe nuk falin namaz me xhemat, shejtani bëhet zotërues mbi ta. Prandaj mos u ndaj prej xhematit sepse delen që ndahet nga tufa e ha ujku!” (Ebu Davud, Salat, 47) Kurse në një hadith tjetër, duke u shprehur si më poshtë, pohon se braktisja kolektive e namazit është një veprim i gabuar që e bën të domosdoshëm sanksionin më të rëndë: “Betohem në Allahun që ka në dorë frymën time se kam menduar që të urdhëroj të mblidhet dru për të ndezur zjarr, pastaj, pasi të urdhëroj të thirret ezan për namaz dhe të caktoj dikë për imam, të shkoj t’ua djeg shtëpitë atyre që s’vijnë për në namazin me xhemat!” (Buhari, Ezan, 29, 34; Muslim, Mesaxhid, 251-254).

Duke u nisur nga ajetet përkatëse dhe hadithe të ngjashme mbi rëndësinë e faljes së namazit me xhemat, hanbelitë kanë thënë se falja e namazit me xhemat është, për meshkujt, farz ajn, kurse shafitë, farz kifaje.

Kurse sipas hanefive dhe malikive, falja me xhemat e namazeve farz me përjashtim të namazit të xhumasë, është sunet muekked për meshkujt që kanë mundësi fizike. Ndërkaq, femrat, të sëmurët, pleqtë e rënduar dhe të gjymtuarit nuk është e nevojshme të shkojnë në xhami për të falur namaz me xhemat.

Sipas hanefive dhe shafive, xhemati në numrin më të vogël është xhemati i përbërë nga imami dhe personi i lidhur pas tij. Madje, ky person mund të jetë edhe një grua ose një fëmijë, sepse Profeti ka kryer detyrën e imamit për ibn Abasin fëmijë në namazin tehexhud dhe, në një hadith të tij, ka thënë se “dy vetë ose më shumë janë xhemat”.[4]

Kushtet e detyrës së imamit

Është kusht që imami të jetë i pjekur seksualisht, të ketë zhvillim mendor normal dhe pjekuri mendore të një niveli të caktuar si dhe, natyrisht, të jetë mysliman. Sipas dijetarëve hanefi, nuk falet namaz pas një personi që ka bindje heretike, për shembull, që mohon shefaati, vuajtjet e varrit dhe engjëjt shkrues. Është mekruh tahrimen dalja imam e personit mëkatar (i cili kryen mëkate haptazi) dhe i personit që është pseudonovator (që pretendon të fusë në fé gjëra të paqena dhe në kundërshtim me fenë). Sepse mëkatari nuk ka respekt për punët e fesë. Sipas imam Muhamedit dhe imam Malikut, lidhja në namaz pas personave të tillë është e palejueshme.

Është kusht që personi që do të bëhet imam, të jetë mashkull. Femra nuk mund të bëhet imam për meshkujt. Por ndërmjet femrash, njëra prej tyre mund të bëhet imam dhe të drejtojë faljen e namazit për të tjerat. Ndërkaq, duhet thënë se nuk është parë me sy të mirë që femrat të falen pas një imami femër. Megjithëkëtë, po qe se femrat do të falin si xhemat më vete, ajo që ka për të bërë detyrën e imamit qëndron në radhën e parë mes tyre, nuk del para tyre; dalja para e imamit femër është mekruh. Gjithashtu, po qe se në namazin e një të vdekuri ndodhen vetëm femra, njëra prej tyre mund të bëhet imam dhe të drejtojë namazin e të vdekurit.

Për të bërë detyrën e imamit, është kusht që personi të dijë të këndojë Kuran përmendësh të paktën aq sa namazi të bëhet i vlefshëm, të mos ketë të meta trupore dhe të mos e ketë humbur njërin prej kushteve të vlefshmërisë së namazit. Personi me të meta trupore nuk mund t’i bëhet imam personit pa të meta trupore; personi që nuk ka plotësuar kushtet e pastrimit material-fizik (nexhaset) dhe të mbulimit të pjesëve intime (setri avret) nuk mund t’i bëhet imam personit që i ka plotësuar këto kushte.


[1] Buhari, Ezan, 30; Muslim, Mesaxhid, 42.

[2] Buhari, Ezan, 9, 32; Muslim, Salat, 129.

[3] Buhari, Ezan, 34; Muslim, Mesaxhid, 260.

[4] Ibni Maxhe, Ikamet, 44; Nesai, Imamet, 43.

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/%ef%bb%bfrendesia-e-faljes-se-namazit-me-xhemat/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Përse duhet të falim namazet me xhemat? Arsyet e rëndësia sipas Haditheve

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA