Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Haxhi – Kurbani – Umreja

Çka është Guri i Zi në Qabe – Mekë? Historia e Haxherul Esvedid

Estimated reading: 5 minutes 284 views

Është një gur i lumtur. Në çdo punë të Zotit ka një urtësi. Qabeja është një ndërtesë dhe ne në namaz drejtohemi kah ajo. Por kahja jonë e vërtetë, ashtu siç thotë edhe ajeti “Ejne ma tuvel’lu fe themme vexhhullah”, është Allahu! Domethënë ne drejtohemi kah miratimi, kah pëlqimi i Allahut.

Disa vendeve Zoti u ka falur bekim e shenjtëri, si faltorja e Jerusalemit, Mesxhid-i Aksa, faltorja e Mekës, Mesxhid-i Haram, varri i Profetit, Ravda-i Tahire. Po, dheu që mban në gji të Dërguarin e Allahut, është i shenjtë e i bekuar. Sipas dëshmisë së mijëra dëshmitarëve, ata që e kanë përdorur atë dhé për qëllime mjekimi, kanë gjetur shërim. Edhe vendbanimi ku ndodhet ai varr, është i shenjtë e i bekuar.

Allahu është i zoti i mallit dhe e administron atë si të dojë. Ashtu siç e ka bërë njeriun superior mbi të gjitha gjallesat, po ashtu edhe Profetin e Dy Botëve e ka vënë para engjëjve dhe e ka bërë superior ndaj tyre. Ai bën si të dojë. Është në dorën e Tij edhe të bëjë të nderuar e të vyer, edhe të bëjë të ulët e të përbuzur. Ja, pra, Ai e ka bërë të vyer një gur, i cili është pranuar si i shenjtë e i bekuar nga të gjithë njerëzit. Ajo që na takon ne, nuk është të dimë për një vend ose send të caktuar se pasqyrë të ç’bukurie e të ç’enigme e ka bërë Zoti atë, por të tregojmë respekt ndaj vendeve e gjërave të cilat Ai i ka konsideruar si të shenjta e të bekuara.

Sipas disa rrëfimeve të përcjella gojë më gojë gjer në ditët tona, historia e gurit për të cilin po bëjmë fjalë, nis me ndërtimin e Qabes prej Hz. Ibrahimit. Ky e ka prurë këtë gur nga maja Ebu Kubejs dhe e ka përdorur fillimisht si skelë gjatë ngritjes së mureve të Qabes. Ja pra, ky gur ku ka shkelur këmba e Hz. Ibrahimit, Mikut të sinqertë të Zotit, është bërë i vyer me shenjtërinë që Ai i ka dhuruar.

Ka edhe rrëfime sipas të cilave ai ka ardhur nga xheneti. Ndoshta është një meteor ose një gur i rënë nga qielli. Ky gur është quajtur i vyer meqë ka ardhur nga një botë e lartë e posaçme për engjëjt. Por cilado që të jetë cilësia e prejardhjes, nuk ndikon mbi gjendjen e sotme të tij. Sido që të jetë, ai është për ne një gur i shenjtë. I themi gur, sepse nuk mund ta emërtojmë me ndonjë fjalë tjetër. Po të ishte gjetur një fjalë tjetër më e përshtatshme për ta shprehur cilësinë e tij, me atë do ta emërtonim. Kjo është një çështje etike dhe edukate.

Kohë pas kohe nga guri janë shkëputur copëra që janë dërguar në vendbanime të tjera nga ana e disa sunduesve. Pjesa e mbetur në trajtën dhe madhësinë e sotme, qëndron në një qoshe të Qabes dhe, në dashtë Zoti, do të qëndrojë atje gjer në kiamet.

Tek ky gur ka enigma të caktuara. Te ai qëndrojnë fshehur urtësi të holla që ne nuk i dimë. Profeti ynë bën të ditur se ai gur ditën e kiametit do të dëshmojë. Si ka për të ndodhur kjo? Sot këtë çështje mund të mos e vërtetojmë me anë të analizave shkencore. Teknika e ditëve të sotme mund të mos jetë e mjaftueshme për këtë. Mirëpo ka mrekulli të tilla të ngjashme që i kemi parë, të cilat e mbështesin mendimin tonë. Për shembull, ashtu siç është një mrekulli të folurit e njeriut, i realizuar me kombinimin e gjërave të ngurta e jo të gjalla, po ashtu është një mrekulli edhe dëshmimi i Gurit të Zi. Parimisht kështu është, por ambientimi, të mësuarit, ka bërë që gjërat të na duken të zakonshme, për pasojë, ta harrojmë këtë mrekulli tek njeriu. Ashtu siç ekziston tek njeriu aftësia e kujtesës dhe ashtu siç ruhen në kujtesën e tij mijëra informacione, ashtu është edhe krejt normale që, në sajë të krijimit të Zotit, një cilësi apo situatë e tillë të jetë e pranishme edhe te Guri i Zi. Ka mundësi që ai, si mijëra shirita videoje, të regjistrojë zërat dhe portretet e atyre që e vizitojnë dhe këto regjistrime mund të marrin vlerën e dëshmive në botën tjetër.

Por për ne nuk ka rëndësi se si qëndron puna në thelb. Edhe sikur në vend të tij të vihej një copë dërrasë të cilës t’i jepej e njëjta vlerë, edhe atë do ta respektonim në të njëjtën mënyrë. Sepse rezultatin e një pune ne e mbështesim gjithmonë tek Zoti ynë dhe atë që presim, e presim vetëm prej Mëshirës së gjerë të Tij.

Një radhë, duke e puthur Gurin e Zi, Hz. Omeri thotë: “O gur, unë e di se ti je një gur që s’mund të sjellësh as dëm, as edhe dobi. Pra, kurrë nuk do të të kisha puthur sikur të mos kisha parë të Dërguarin e Allahut duke të puthur”. Thuhet se Hz. Aliu që i ndodhej pas, i pëshpërit: “O Omer! Po t’i dije enigmat që fshihen tek ai, nuk do të flisje kështu si tani!”

Të drejtën e çdo gjëje Allahu e di!

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Çka është Guri i Zi në Qabe – Mekë? Historia e Haxherul Esvedid

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA