Si dhe kur falet namazi i natës, tehexhud, evvabin, duha (paraditës) ?
Përveç namazeve sunet të pesë kohëve ka dhe namaze të tjera. Këto quhen namaze nafile. Janë namaze mustehab dhe mendub. Falja e këtyre namazeve është shumë e rëndësishme për forcimin e lidhjes me Allahun dhe dashurisë për Profetin. Gjithashtu këto namaze mbartin me vete shumë sevape. Në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar thotë: “Robi shpëton nga dënimi im kur fal farzet ndërsa kur fal sunetet më afrohet më shumë.”
“Asgjë nuk e afron [më shumë] robin me Mua se sa kryerja e asaj që unë ia kam bërë obligim atij (farze) dhe robi im vazhdon të më afrohet duke kryer vepra vullnetare (nafile) derisa Unë ta dua atë dhe kur ta dua, atëherë Unë do të bëhem veshi me të cilin ai dëgjon, syri me të cilin shikon dhe duart me të cilën kapë dhe këmbët me të cilët ecën. Kësisoj, ai dëgjon, shikon, rrok dhe ec përmes Meje”.
NAMAZI EVVABIN
Është një namaz i cili falet mes akshamit dhe jacisë. Namazi evvabin do të thotë namazi i atyre që pendohen dhe i mbështeten Allahut. Një namaz i përbërë nga gjashtë rekate ashtu siç mund të falet me një selam mund të falet dhe dy nga dy, me tre selame. Profeti (a.s) thotë: “Ai që fal gjashtë rekate pas namazit të akshamit pa folur ndërkohë fjalë të këqija, ky adhurim është i barabartë për të me dhjetë vjet adhurim.”
“Kush i falë gjashtë reqate namaz pa biseduar dicka të keqe pas namazit të akshamit, këto i bëhen sikur të ketë bërë ibadet për dymbëdhjetë vite” (Tirmidhiu-Salat, 431)
“Kush i falë gjashtë reqate namaz nafile pas namazit të akshamit, do t’i falen mëkatet po t’i kishte edhe sa shkuma e detërave.” (Hejthemi nga Taberani)
NAMAZI I DUHASË
Namazi i duhasë, ndryshe i paradites, është një namaz mustehab i cili mund të falet duke filluar 45-50min pas lindjes së diellit deri kur dielli arrin pikën më të lartë. Mund të jetë dy, katër, tetë ose dymbëdhjetë rekatësh. Më e mira është të falim tetë rekatë. Nga Profeti (a.s) transmetohet se ai person i cili fal dymbëdhjetë rekate në kohën e duhasë, lajmërohet se Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në xhenet.
“ O biri i Ademit, fal për Mua në fillim të ditës katër rekate, që të të mjaftoj Unë për fundin e saj (ditës).” (Tirmidhiu, Ahmedi)
“Faljen e namazit të duhasë e ruajnë vetëm ata që pendohen. Ai është namazi i të penduarve.” (Hakimi, Taberaniu)
Nga Enesi (radijallahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Kush e fal sabahun me xhemat,pastaj qëndron ulur duke bërë dhikër derisa të lindë dielli e pastaj fal dy rekate, ka shpërblimin e haxhit dhe të umres, të plotë, të plotë, të plotë.” Tirmidhiu
I Dërguari i Allahut (s.a.s) në lidhje me namazin e duhasë ka thënë: “Secili prej jush është i obliguar të japë sadaka për çdo nyje të vetën. Të thuash “SubhanAllah”, është sadaka, të thuash “Elhamdulilah” është sadaka, të thuash ” La ilahe il-Allah”, është sadaka, të urdhëruarit për mirë është sadaka, largimi nga e keqja është sadaka, ndërsa të gjitha këto mund të kompensohen me dy rekate namaz duha”. [Muslim, Ahmed bin Hanbel, Ebu Davud]
NAMAZI TEHEXHUD (NATËS)
“Zoti ynë, Allahu, zbret çdo natë në qiellin më të afërt të dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit e natës dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet Mua, që Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që më kërkon Mua diçka, që Unë t’ia siguroj atë atij? A ka ndonjë që kërkon faljen Time, që Unë ta fal atë?” (Buhari 1145)
Namazi tehexhud është një namaz i cili falet pasi kemi fjetur pak deri para agimit (imsakut). Është një nga namazet që Profeti (a.s) nuk e ka lënë kurrë. Profeti ynë (s.a.s) pasi falte jacinë binte të flinte pa falur vitrin, ngrihej nga mesi i natës dhe pasi falte namazin tehexhud falte dhe vitrin dhe më vonë kur hynte koha e sabahut falte sunetin e sabahut. Nata e cila kalon me tehexhud është si një projektor që ndriçon jetën tjetër. Gjithashtu, gjallërimi i shpirtrave është i lidhur me gjallërimin e netëve.
Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrisë ty në një vend të lavdishëm. (Sureja Isra-79)
“Ju këshilloj ju që të falni namazin e natës. Sepse ai është traditë e njerëzve të devotshëm para jush; Është pretekst për t’iu afruar Allahut, mbrojtës nga gjynahet, fshirës i të këqijave, dhe largues i sëmundjeve nga trupi.” (Tirmidhiu, 112)
Tregon Aisheja r.a.: “Kur Resulullahu a.s.v.s. nuk mund ta falte namazin e tehexhud per shkak te ndonje dhimbjeje ose te ndonje arsyeje tjeter, i falte dymbedhjete reqate gjate dites (deri ne dreke) (Muslim, Musafirin, 140)
“Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Daudit a.s., edhe agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Daudit a.s.: Ai flinte gjysmën e parë të natës, pastaj falej në një të tretën e saj dhe flinte përsëri në një të gjashtën e fundit; e sa për agjërimin, ai një ditë agjëronte dhe një ditë jo.” (Buhari 1131)