Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Pse Kurani filloi me “Lexo”? Vlera e dijes dhe mesimit ne Islam

Estimated reading: 9 minutes 110 views

Urdhri hyjnor ikra, pra lexo![1], drejtuar qenies më të nderuar, është një dhënie detyre dhe një ftesë për njeriun, me qëllimin që ai të bëhet mëtues i përsosmërisë së pafundme dhe përgjegjës për arritjen e saj.

Kjo Gjithësi që do të vëzhgohet, që do t’i kuptohet përmbajtja dhe domethënia, dhe duke iu kuptuar, do të na japë mundësi ta njohim madhështinë e fuqisë dhe rregullit që ka përdorur Krijuesi, bukurinë dhe shkëlqimin e Tij, është një shfaqje dhe reflektim i Leuhi Mahfudhit![2]

Me përjashtim të njeriut, çdo qenie tjetër të gjallë ose jo të gjallë, Allahu e ka ngarkuar me detyrën e kalemit, kështu që, çdo qenie vazhdimisht regjistron dukuritë dhe evenimentet e ngarkuara mbi të e që shfaqen tek vetë ajo.

Çdo qenie e gjallë dhe jo e gjallë është një libër më vete. Prandaj, urdhri hyjnor është dhënë në trajtën lexo!e jo shih,vëzhgo! Sepse libri vetëm lexohet! Gjithsesi, kjo Gjithësi vitale dhe e mbushur plot me qenie, secila prej sosh një libër më vete, është një bibliotekë hyjnore. Ndërsa të gjitha qeniet, veç njeriut, kanë si përgjegjësi të shkruajnë, njeriu është nderuar, veç shkrimit, me privilegjin e leximit!

Dituria përbëhet nga njohja e marrëdhënieve të ndërsjella mes rregullsisë dhe harmonisë së shfaqur në natyrë dhe gjërave që shfaqen në forma të ndryshme, si dhe nga klasifikimi dhe sistematizimi i tyre. Rregullsia dhe harmonia në Gjithësi, ndjeshmëria dhe ekuilibri esencial në të, kurrsesi nuk mund t’u lihen rastësive. Për rrjedhojë, një rregullsi dhe harmoni e tillë ka strukturuesin dhe ekzekutuesin e saj, një strukturues dhe ekzekutues më evident se çdo qenie tjetër.

Çdo rregull, para se të parashtrohet, në fillim përfytyrohet dhe projektohet krejt ashtu siç përfytyrohet e projektohet një plan ndërtese në kokën e arkitektit, para se të hidhet në letër duke u vizatuar. Është tjetër gjë se si arrin ta bëjë këtë struktura dhe mendimi opak dhe i turbulluar i njeriut! Nëse kjo rregullsi në përmasa universale është Leuhi Mahfudh, rregullsia e restriktuar, e kufizuar në përmasa konkrete, është Kurani dhe pasqyra e Leuhi Mahfudhit.

Kështu, pra, njeriu do ta lexojë këtë, e duke lexuar, do të përpiqet të kuptojë, ndonjëherë do të kuptojë gabim, do të gabojë, do të fitojë përvoja të reja; mineralit të diturisë që e kaloi nëpër sitën mirë-keq, do t’i përftojë bindje dhe besueshmëri, saktësi dhe siguri. Tjetër gjë është të shohësh, tjetër të vëresh; tjetër gjë është të kuptosh, tjetër ta përvetësosh me vetëdije dhe zemër atë që e kuptove dhe, pas gjithë kësaj, është krejt tjetër ta praktikosh, ta vësh në zbatim dhe t’ua dorëzosh të tjerëve!

Sigurisht, të gjitha këto tjetër që kanë të bëjnë me njohjen, janë në veprim të vazhdueshëm, sepse në Gjithësi ka shumë ligje që kanë të bëjnë me procesin e njohjes, të cilat Ligjvënësi i vë në veprim brenda një harmonie të jashtëzakonshme. Disa prej këtyre janë këto:

1. Kalimi nga njësia drejt shumësisë.

2. Prania, e ngjashmërive, dallimeve dhe kundërshtive brenda shumësisë.

Lexo  Përse Allahu e pa të nevojshme ta krijonte gjithësinë dhe përse s’e krijoi më parë atë?

3. Prania e një ekuilibri dhe harmonie efektive mes kundërshtive.

4. Stafeta.

5. Mësimi, harrimi dhe mësimi nga e para.

6. Zelli dhe përpjekja.

7. Analiza dhe sinteza.

8. Frymëzimi, shfaqja dhe zhvillimi.

Njeriu është i varur nga të gjitha këto ligje. Prandaj ndodh që ka shumë njerëz dhe mes njerëzve ka të ngjashëm, të ndryshëm dhe të kundërt. Po kështu, ndodh që mes njerëzve të ketë të tillë me ide, mendime, pikëpamje, bindje, besime, sjellje dhe veprime të ngjashme, të ndryshme a të kundërta. Ndërkaq, të gjitha këto ndryshime dhe kundërshti të natyrshme, të rrjedhura nga krijimi, nuk ekzistojnë në mënyrë të pakuptimtë dhe pasive, por brenda një ekuilibri të gjallë dhe aktiv.

Gjithashtu, prandaj ndodh që një ecuri me synim vetëm besimin e humb dijen, diturinë, si dhe, nga ana tjetër, një ecuri me synim vetëm dijen, diturinë, e nënvleftëson dhe sakaq e humb besimin.

Gjithashtu, prandaj ndodh që të ndërkëmbehen parimi dhe situata e bashkëjetesës së dijes me injorancën, e pohimit me mohimin, e virtytit me poshtërsinë, e padrejtësisë dhe dhunës me drejtësinë, me parimin dhe situatën e nxitimit të padurim, pasionit dhe marrëzisë së një prishje-ndreqjeje dhe shembje-ngritjeje zemërake bazuar në bindjen se njeriu mund të bëjë gjithçka në antitezë me një ritëm jetese dhe mënyre sjelljeje të bazuar në nënshtrimin përtac e pasiv ndaj fatit.

Gjithashtu, prandaj ndodh që të mund të harrohen edhe mësimet e Krijesës së Pashoqe, Krenarisë së Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), por që patjetër do të kujtohen sërishmi e do të mësohen. Po kështu, në përfundim të një fragmentimi, analize, shumëllojshmërie e shumimi, ndodh një ritrajtim e një sintezë dhe, gjithsesi, një frymëzim dhe krijim.

Të gjitha këto kanë ndodhur, ndodhin dhe kanë për të ndodhur pa pushim. Profetit Musa i qenë dhënë dijet shoqërore dhe Dhjetë Porositë që do ta bënin të mundur vazhdimësinë e shëndoshë të jetës shoqërore. Profetit Isa i qenë dhënë butësia, dhembshuria, dashuria dhe mirëkuptimi në marrëdhëniet njerëzore, durimi dhe toleranca. Kurse Profetit Muhamed (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), krahas këtyre, i ishin dhënë dituri, vullnet, ekuilibër, aftësi sintetizuese dhe shprehjeje koncize e të patëmetë.

Prandaj, të jesh mysliman, nga një këndvështrim, është më e vështirë, kërkon më shumë përgjegjësi , por edhe po aq delikatesë dhe lartësi, sepse krahas respektimit të parimeve shoqërore, kërkohen dashuria dhe mirëkuptimi, dhembshuria dhe butësia, krahas durimit dhe tolerancës, kërkohen dijenia, vullneti, urtësia, ekuilibri dhe aftësia sintetizuese e sendërtuese.

Si rrjedhojë, të gjithë zbuluesit dhe kontributi i tyre duhen vlerësuar dhe përgëzuar për arritjet që zbulimet e tyre në fushat e shkencave të tilla, si fizika, kimia, astronomia e biologjia, si edhe progresi i arritur sajë tyre, i bëjnë kuptimit dhe njohjes së gjerë të disa parimeve të projektuara në Visarin e Ruajtur, të shënuara në Kuran dhe të shfaqura vende-vende dhe njëra pas tjetrës në Gjithësi. Ndërkaq, duhet ruajtur njerëzimi që, në vend të suksesit dhe përfitimit nga një shërbim i tillë, të bjerë në humbjen dhe perversitetin e mohimit të Krijuesit dhe Rregulluesit, e kundërshtimit të frymëzimit dhe orientimit hyjnor, e hyjnizimit të njeriut dhe absolutizimit të vullnetit të tij.

Po qe se dukurive fizike, kimike dhe biologjike nuk u jepen orientime të reja në përputhje me vëzhgimet dhe eksperimentet e bëra në laboratorët e fizikës dhe kimisë dhe me ligjet e mësuara deri më tash, ekziston mundësia që, për shkak të guximit dhe subjektivizmit që i dedikohet suksesit të krijimit, një guxim dhe subjektivizëm që bëhet gjithnjë e më i padurueshëm, gjithnjë e më i nxituar, gjithnjë e më i paturpshëm e më i papërgjegjshëm, të çon në humbjen e gjithçkaje, përfshirë vetë njeriun dhe shoqërinë. Nuk duhet të harrojmë se as njeriu nuk është kafshë laboratori, as shoqëria njerëzore, laborator!

Shpëtimi i shkencave ekzistuese nga stanjacioni dhe ngrirja, nga thatësia dhe absurditeti, së pari, do të ndihmonte në njohjen ashtu siç duhet të çështjeve që përbëjnë parime për shkencat, së dyti, do të bënte që të vëzhgoheshin, me anë të një vëzhgimi të brendshëm, çështjet që i përkasin vullnetit dhe mendjes së njeriut, ndjenjave dhe parandjenjave të tij. Dhe, atëherë, një subjekt i ndriçuar që funksionon, do të bëhet një gjuhë krejt e qartë dhe elokuente dhe njeriu do ta lexojë fjalë për fjalë gjithësinë që i është vënë përpara, krejt si një libër. Fundja, është e pamundur ta shohësh gjithësinë të ndryshme nga një libër! Sidomos nëse krijesa e parë e urdhrit krijues të jetë kalem[3] dhe urdhri i parë i Kuranit të jetë lexo!

Por ç’e do që kjo çështje nuk është aq e lehtë sa ç’pandehet! Edhe sikur të bëhet fjalë vetëm për një ndijim a për një shikim të saktë në raport me saktësinë e shqisave të jashtme e të brendshme ndaj akteve dhe dukurive, defekti në njërën prej këtyre shqisave do t’ua reduktojë në një masë të madhe ndikimin edhe të tjerave.

Prandaj në Kuranin Fisnik, verbëria, shurdhëria dhe memecëria përmenden së bashku[4]. Sepse, ashtu siç urdhrat e krijimit lexohen me sy, ekrani enigmatik, ku urdhrat e zbritur do të gjejnë fillimisht reflektim, është veshi. Kurse gjuha është interpreti i këtij vëzhgimi dhe dëgjimi!

Për rrjedhojë, ai që nuk e sheh dot botën e tij brendshme dhe atë të jashtme, nuk do ta dëgjojë dot as atë që i vjen në vesh; edhe sikur ta dëgjojë, nuk do ta kuptojë. Po kështu, zemra e pandjeshme ndaj urdhrave hyjnorë që përplasen në vesh, nuk do ta shpëtojë dot veten nga preokupimi absurd me Ligjet e Krijimit.

Kjo do të thotë se lexo! është shprehje e një integrimi në të tërën, e një vëzhgimi dhe vlerësimi, e një shikimi dhe pranë tij, e një parandjenje dhe, pastaj, shprehje e përdorimit të gjuhës si interprete e kësaj njohje. Dhe sa kuptimplotë është fakti që lexo!, për ne, është urdhri i parë!


[1]Sureja Alak, 1.

[2] Visari i Ruajtur, ku është shënuar gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në Ditën e Kiametit

[3] Hakim, Mustedrek 2/492.

[4] Shih: Sureja Bakara, 18,171.

 

اَللّٰهُ أَعْلَم

Allahu e di më së miri

Marre nga:http://islami.al/cila-mund-te-jete-arsyeja-qe-shpallja-e-pare-e-kuranit-nis-me-urdhrin-lexo/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Pse Kurani filloi me “Lexo”? Vlera e dijes dhe mesimit ne Islam

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA