Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Jeta pas vdekjes – Kijameti – Ahireti

Çka është Xheneti, Xhehenemi dhe Arafi? Shikimi i Xhemalullah

Estimated reading: 13 minutes 271 views

Xheneti

Fjala xhenet, kuptimi leksikor i të cilës është “vend/kopsht i mbuluar me drurë dhe gjelbërim”, në terminologjinë fetare emërton vendin e jetës tjetër, të pajisur me të mira e dhunti të papritura, ku besimtarët do të mbeten përjetësisht.

Xheneti dhe jeta në të janë të pafund. Pafundshmëria e jetës së xhenetit kurrsesi nuk do t’i velë dhe mërzitë njerëzit, sepse xheneti është vend i të papriturave. Ata që do ta meritojnë këtë jetë, do të zhvishen nga ndjenjat negative si urrejtja, neveria dhe mërzitja, të ngulitura në krijimin e tyre tokësor mbështetur mbi disa urtësi të caktuara.

Kurani bën të ditur se në ahiret, njeriu do të pastrohet nga këto ndjenja të vendosura në këtë botë në natyrën e tij për një sërë urtësish. Për shembull, specifika e pastrimit të zemrës nga urrejtja shprehet kështu në Kuran“Në xhenet, ndërsa nën ta do të rrjedhin lumenj, Ne do t’ua shkulim prej zemre tërë urrejtjen!”(Araf, 7/43) Kështu, ata do ta jetojnë çdo çast në lumturi dhe hare.

Krahas përshkrimeve të ajeteve të Kuranit që na e tërheq vëmendjen me shumë veçori të xhenetit,[1] edhe kjo shprehje e Profetit (sal’lallahu alejhi uesel’lem) lidhur me xhenetin është një sihariq mjaft emocionues për ata që e besojnë: “Allahu urdhëron: “Për robtë e mi të mirë, Unë kam përgatitur gjëra që nuk i kanë parë sytë, që nuk i kanë dëgjuar veshët dhe që e kapërcejnë përfytyrimin e njeriut!”[2]

Po qe se do ta shprehnim me një fjali të shkurtër, xheneti është vendi i të papriturave dhe shfaqje e mëshirës dhe favorit të pakufishëm të Allahut për robtë e vet. Nisur nga kjo, asnjë njeri nuk mundet ta fitojë të drejtën për aty me punën e vet. Pra, punët e bëra nga njeriu kurrë nuk mjaftojnë për ta fituar xhenetin. Për më tepër, adhurimet e një njeriu jo vetëm s’mjaftojnë për xhenetin që do t’i jepet atij në të ardhmen, por s’mjaftojnë as për t’iu përgjigjur një të mijtës së mirësive dhe dhuntive që ia jep Allahu në këtë botë! Me të vërtetë, në një hadith Profetik tërhiqet vëmendja mbi këtë specifikë në këtë mënyrë:

“Kur i Dërguari i Allahut tha se “asnjë punë e një njeriu nuk mund ta bëjë atë që të hyjë në xhenet”, sahabet e pyetën: “A edhe puna jote s’të fut dot ty në xhenet, o i Dërguari i Allahut?” Atëherë, i Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Po të mos ishte mëshira dhe falja gjithëpërfshirëse e Allahut, as puna ime mua!”[3]

Dhuntia e Shikimit të Allahut – Xhemalullah

Dhuntia dhe lumturia më e madhe që mund të meritojnë ata që ndodhen në xhenet, do të jetë kur Allahu t’ua tregojë veten atyre. Këtë situatë, Allahu (xh.xh.) e lajmëron personalisht vetë: “Ka fytyra që atë ditë do të vezullojnë plot dritë dhe do ta shikojnë Zotin e tyre!” (Kijame, 75/22-23) Kurse në një rivajet autentik që e mbështet domosdoshmërinë e kuptimit në këtë mënyrë të këtij ajeti, Profeti (a.s) thotë: “Pa dyshim, siç e shihni këtë hënë, do ta shihni edhe Zotin tuaj si dhe nuk do ta dëmtoni njëri-tjetrin për shkak të grumbullimit të madh aty!”[4]

Në hadithin e mësipërm bëhet e ditur se Allahu do të shihet nga besimtarët siç shihet hëna. Në fakt, kjo shprehje ka për qëllim të mënjanojë, me anë të një përgjigjeje të prerë, ndonjë dyshim mbi çështjen e shikimit të Allahut, pra, është një shprehje që thekson se Allahu do të shihet patjetër, por nuk ka kuptimin se njerëzit do ta shohin/perceptojnë Individualitetin Hyjnor të Allahut siç është. Një mendim të tillë nuk e lejon as ajeti që thotë se“shikimet nuk mund ta përfshijnë Atë, kurse Ai i përfshin shikimet”. (En’am, 6/103) Sepse krijesa kurrë nuk mund ta përfshijë Krijuesin. Në këto kushte, çdo besimtar në xhenet do ta shohë Allahun – në një mënyrë të panjohur për ne – në atë masë sa ç’e ka zhvilluar besimin dhe afrimin ndaj Allahut në këtë botë. Sipas kësaj, shikimi i Allahut nga një besimtar kushdo do të jetë i ndryshëm nga shikimi i Allahut prej Profetëve.

Xhehenemi

Fjala xhehenem që do të thotë “gropë e thellë”, në terminologjinë fetare emërton vendin e ndëshkimit në jetën e pasme, ahiret, ku mohuesit do të mbeten përgjithmonë, kurse besimtarët mëkatarë do të qëndrojnë sa për t’u ndëshkuar për mëkatet që kanë bërë.

Në Kuran, për të tërhequr vëmendjen për aspekte të ndryshme të xhehenemit, ky është përmendur me emërtime të ndryshme, si nar (zjarr), xhehim (zjarr me shtresa, një shtresë e xhehenemit), havije (vendi më i frikshëm, shtresa e shtatë e xhehenemit), sair (flakë, shtresa e dytë e xhehenemit), ledha (zjarr, shtresa e gjashtë e xhehenemit), sakar (ferr) dhe hutame (shtresa e pestë e xhehenemit). Ky ndëshkim do t’i rrethojë përjetësisht ata që e kanë mohuar Allahun me vetëdije.[5] Kurse besimtarët mëkatarë nuk do të qëndrojnë aty përjetësisht, por, pasi ta vuajnë dënimin, do të vendosen në xhenet.[6]

Në këtë mes, në mendje mund të vijë një mendim i tillë: Ndëshkimi me një vuajtje të përjetshme i mohimeve dhe kundërshtimeve të kufizuara në një jetë të kufizuar nuk mund të shpjegohet me drejtësinë dhe mëshirën e Allahut.

Është një e vërtetë e njohur se çdo qenie ose krijesë ka një vlerë të madhe të fituar në sajë të Krijuesit. Çdo gjë, si një vepër arti e pashoqe e Allahut, i shpall pa pushim me gjuhën e vet të posaçme ekzistencën, unitetin dhe emrat e bukur të Allahut. Ja, pra, njeriu i cili e ka bërë profesion mohimin, i zbret nga pozita e lartë këto qenie-nëpunës (të ngarkuar me detyrë) të Allahut dhe i rrëzon në një gradë pa detyrë e pa kuptim. Ndërsa çdo qenie ekzistente thotë me gjuhën e saj, “Allahu ekziston, është një, është Zoti i çdo gjëje, kurse ne jemi nëpunës të ngarkuar me detyrë të Tij që lëvizim e veprojmë me urdhrin, lejen dhe fuqinë e Tij, jemi letra të shkruara që shprehin kuptime të gjera e që bartin mesazhe të gjera”, mohuesi (qafiri), duke e mohuar një të vërtetë të tillë, kryen një faj të tmerrshëm.

Edhe pse një fyerje e tillë mund të ndodhë brenda një kohe të kufizuar, meqë rezultati i saj është një krim i madh, edhe dënimin dhe ndëshkimin e ka të këtyre përmasave. Për shembull, dënimi i dikujt që, duke e shkelur këmbëzën e armës vetëm dy sekonda, vret dy njerëz, nuk është një ndëshkim prej vetëm dy sekondash, por që zgjat një jetë të tërë. Kurse faji i mohuesit është një mijë herë më i tmerrshëm se krimi i vrasjes, sepse me mohimin e tij ai kryen krimin e asgjësimit të kuptimeve dhe mesazheve të përfaqësuara dhe të shpallura nga qenie të panumërta. Shkurt, meqë çdo mohim i mohuesit është mohim i një të vërtete të përjetshme, do të rezultojë privimin e tij të përjetshëm nga mëshira e Krijuesit të Lartë.

Një specifikë tjetër që duhet theksuar në lidhje me xhehenemin, është kjo: Siç mund të kuptohet lehtësisht nga tablotë konkrete të vizatuara si nga Kurani, ashtu dhe nga hadithet Profetike, ndëshkimin dhe vuajtjen e xhehenemit do ta heqë shpirti bashkë me trupin. Ndërkaq, ne nuk mund ta dimë plotësisht aspektin e brendshëm të ndëshkimit të zjarrit, sepse edhe nëse kjo botë për të cilën na flitet ne, mund të ketë ndonjë ngjasim me botën ku jetojmë, është jashtë çdo diskutimi se nuk është identike me të!

Arafi

Fjala araf, kuptimi leksikor i të cilës është majë, vend i lartë, mur, mal, emërton një vend të lartë që ndodhet mes xhenetit dhe xhehenemit. Lidhur me ata që ndodhen në araf, në Kuran thuhet kështu:

Një mur do t’i ndajë ata, ndërsa në lartësitë e tij do të ndodhen njerëz, të cilët i njohin të dyja palët sipas tipareve. Ata do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Paqja qoftë mbi ju!” Ata nuk do të kenë hyrë ende në Xhenet, ndonëse shpresojnë. E kur t’i kthejnë sytë nga banorët e zjarrit, do të thonë: “O Zoti ynë! Mos na hidh midis këtyre njerëzve të këqij!” (Araf, 7/46-47)

Në fakt, Araf do të thotë interval, vend në mes. Me kuptimin që del nga ajeti, ndodhet mes xhenetit dhe xhehenemit, por mbi cilësinë e tij nuk kemi asnjë njohuri.

Kush janë personat që ndodhen këtu? Ka shumë përgjigje që i janë dhënë kësaj pyetjeje. Por të gjitha përgjigjet kanë të bëjnë me konceptimin. Sepse edhe për arafin, edhe për ata që ndodhen në araf, ne nuk dimë ndonjë transmetim tjetër veç asaj që thuhet në Kuran. Në Kuran paraqiten tre tablo të veçanta dhe, në këtë mes, bëhet fjalë për njerëzit që ndodhen në arafat.

Në pjesën e parë, zë vend pyetja e banorëve të xhenetit për banorët e xhehenemit. “Banorët e xhenetit pyesin: “Ne e pamë se premtimi i Zotit tonë për ne ishte i vërtetë. Po ju, e patë të vërtetë premtimin e Zotit tuaj për ju?” Kësaj pyetjeje, banorët e xhehenemit i përgjigjen “Po!”.

Mu në këtë mes, një thirrës thotë: “Mallkimi i Allahut rëntë mbi mohuesit!” (Araf, 7/44)

Në tablonë e dytë e marrin fjalën banorët e arafit. Ata shohin nga banorët e xhenetit dhe u thonë: “Paqe juve!” Pastaj i hedhin vështrimet nga banorët e xhehenemit dhe thonë: “Zoti ynë, mos na vendos bashkë me grupin e mizorëve!”

Pastaj ua kujtojnë parësisë që njohin nga banorët e xhehenemit, fjalët që kanë thënë në këtë botë dhe ua përplasin syve faktin se atyre s’u kanë sjellë dobi as pasuria, as fëmijët. Duket sikur kjo skenë ndërron dhe dëgjohen këto fjalë të banorëve të arafit për banorët e xhenetit: “Hyni në xhenet se për ju nuk ka më frikë dhe ju s’keni për t’u dëshpëruar!” (Araf, 7/49)

Kurse në tablonë e tretë, banorët e xhehenemit u luten banorëve të xhenetit t’u japin edhe atyre nga të mirat që u janë dhënë: “Lëshonani edhe ne nga uji ose të mirat që ju ka dhënë Allahu!” Kurse banorët e xhenetit u japin këtë përgjigje: “Allahu ua ka bërë haram (ua ka ndaluar) këto mohuesve!” (Araf, 7/50)

Kjo do të thotë se banorët e arafit, nga njëra anë janë në marrëdhënie me banorët e xhenetit, nga ana tjetër, me banorët e xhehenemit. Që të dy palët i njohin e i dinë nga afër.

Në këtë mes, disa nga sahabet kanë thënë se araf janë ballkonet e siratit, kurse banorët e arafit janë njerëz me mirësi dhe mëkate në nivel të barabartë. Kurse disa sahabe të tjerë kanë thënë se banorët e arafit janë Profetët, shehidët, dijetarët dhe njerëzit me shpirt të lartë pothuaj të engjëllorizuar. Ata vështrojnë që larg, shohin çdo gjë që ndodh në të dyja largësitë dhe marrin pjesë në replikat si më lart. Mirëpo transmetimet me konsiderata të tilla nuk janë pranuar nga analistët.

Në burimet hebreje, banorët e arafit konsiderohen njerëz me po aq mirësi sa mëkate. Disa thonë se këta janë engjëj me trajtë njeriu. Po qe se pranohet kjo e fundit, shprehja e ajetit, “ata kanë shpresë të hyjnë në xhenet”, u adresohet njerëzve të caktuar për në xhenet të cilët, megjithëse e dinë se janë caktuar për në xhenet, ndodhen në një çast kur ende s’kanë hyrë në xhenet.

Sipas disa të tjerëve, këta njerëz që shohin xhenetin dhe mbushen me shpresë, shohin xhehenemin dhe rrëqethen nga frika, janë persona që, për t’u bërë plotësisht të gatshëm për të hyrë në xhenet, duhet të shijojnë për një farë kohe një shqetësim dhe dëshirim të tillë.

Ndërsa disa mëkatarëve u bëhen dëmshpërblim shqetësimet që kanë hequr në këtë botë, disa të tjerëve u bëhet dëmshpërblim mundimi i varrit që i pastron ata nga mëkatet. Kurse ata që s’pastrohen me këto dy mënyra, në jetën e pasme do të kalojnë nëpër një proces të tillë pastrimi.

Një grup prej këtyre do të vazhdojnë të jetojnë në araf me shpresën e xhenetit dhe frikën e xhehenemit. Kjo formë jetese do të jetë për ta dëmshpërblim dhe pastrim nga mëkatet. Pastaj, me mëshirën dhe bujarinë e Allahut, do të hyjnë në xhenet.

Allahu (xh.xh.) e di të vërtetën dhe aspektin e brendshëm të çdo gjëje dhe vetëm Allahu e di se ç’është arafi dhe kush janë banorët e arafit![7]


[1] Shih Al-i Imran, 3/133; Kehf, 18/21; Jasin, 36/56; Saffat, 37/47; Insan, 76/13; Muhamed, 47/15; Vakia, 56/28-29; Nebe, 78/32; Mutaffifin, 83/25.

[2] Buhari, Tefsir, 32; Muslim, Xhenet, 1.

[3] Buhari, Rikak, 18; Muslim, Munafikun, 71-76.

[4] Buhari, Mevakif, 16; Muslim, Iman, 81.

[5] Shih Nisa, 4/169, 4/196; Ahzab, 33/65.

[6] Shih Buhari, Rikak, 51; Tirmidhi, Birr, 61.

[7] Fethullah Gylen, Lëkundjet që solli shekulli, vëll. 4, f. 123-125.

 

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/d-xheneti-xhehenemi-dhe-arafi/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Çka është Xheneti, Xhehenemi dhe Arafi? Shikimi i Xhemalullah

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA