Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Besimi në Kader

Me që dihet që më parë se kur dhe si do të vdesë njeriu, cili është faji i vrasësit?

Estimated reading: 12 minutes 194 views

Ashtu si çdo gjë, edhe koha dhe mënyra e vdekjes së njeriut janë të përcaktuara qysh më parë. Me fjalë të tjera, çdo gjë që është evidente dhe efektive për gjithësinë, është evidente dhe efektive edhe për njeriun, për jetën dhe vdekjen e njeriut. Të fitosh ekzistencë në rrugë të caktuara, prapë, të vazhdosh ekzistencën brenda parimeve të caktuara e të hiqesh nga skena pas një kohe të caktuar, kjo është një e vërtetë e pashmangshme për çdo qenie. Çdo gjë lind brenda një kuadri fatal të paracaktuar të përgjithshëm e shumë të gjerë si dhe në një linjë të përcaktuar për të, zhvillohet e, pastaj, shuhet e mbaron. Kjo është një rrugë e pandryshueshme dhe një rregull e një qark i mbyllur ose një rreth vicioz që do të vazhdojë gjer në amshim.

Me anë të shkencave pozitive të zbuluara e të zhvilluara në zemër të kësaj gjithësie kolosale e cila, që nga molekulat e gjer te sistemet, funksionon me një rregullsi dhe harmoni marramendëse, me anë të parimeve permanente përkatëse të atyre shkencave si dhe të ligjësive universale tek çdo gjë vihet re fare qartë një paracaktim i tillë, një vlerësim dhe një vendim paraprak. Pa pasur një planifikim të tillë të parë, as shpjegimi i rregullit dhe harmonisë në gjithësi do të ishte i mundur dhe as, në lidhje me të, zhvillimi i cilësdo prej shkencave pozitive. Në saje të simetrisë dhe rregullsisë së funksionimit të gjithësisë është bërë e mundur që në laboratoret e fizikës të kryhen kërkime sipas parimeve të caktuara, që anatomia të lexohet e kuptohet brenda rregullave të caktuara e që të dilet drejt thellësive të kozmosit.

Nuk ekziston asnjë mundësi për të menduar cilëndo prej shkencave pozitive në një gjithësi pa harmoni, në një botë pa plan e pa program e në revistën e një natyre që funksionon pa rregull. Në të vërtetë, shkencat kanë bërë për objekt të tyre një pjesë rregullash dhe parimesh ekzistente, i kanë përshkruar ato dhe u kanë vënë emra dhe tituj të caktuar.

Me këtë pohim nuk duam të nënvleftësojmë shkencat dhe zbulimet shkencore, vetëm, duke tërhequr vemendjen mbi vendin dhe rëndësinë e tyre, duam të theksojmë se duhet të kihen parasysh specifika shumë më të rëndësishme, ndër të cilat më e rëndësishmja, rregulli dhe harmonia që kanë funksionuar dhe kanë rrahur si një zemër në gjoks të gjithësisë para shkencave dhe zbulimeve shkencore. Dhe Ai që, me anë të një caktimi të parë e me një program fatal të paracaktuar, e bën bazë për të gjitha universet këtë rregullsi dhe harmoni, është i fuqishëm e i lartë.

Sot ka, madje, sociologë që kërkojnë që këto ligje që duken efektive për të gjitha qeniet, t’i zbatojnë edhe në shoqërinë njerëzore. Edhe në se një fatalitet i tillë i kulluar, më saktë, një fatalitet violent e i pashmangshëm është një subjekt gjithmonë i kritikueshëm, nga pikëpamja e harmonisë së përgjithshme dhe pohimit të programit primar në të cilin mbështetet kjo harmoni, është mjaft kuptimplotë.

Në të vërtetë, çdo e vërtetë që i përket besimit, ekziston në vetvete, është e lartë dhe e pastër nga nevoja për t’u mbështetur prej faktorëve dhe pohimeve të jashtme. Dhe duke i bërë thirrjen “Kthehu në vendin tënd!” brezit tonë fatkeq, shikimi i të cilit është turbulluar me turli gjërash të tilla të jashtme, joesenciale e të sajuara dhe zemra i ka lëvizur prej vendit me shprehje që u përkasin atyre, jemi të mendimit se do të jetë me dobi të preknim, qoftë edhe me rrugë analogjie, karakterin kontradiktor të atyre gjërave që ia kanë prishur mendjen atij. Prandaj edhe e zgjatëm fjalën dhe bëmë vetëm deklarime të jashtme. Ndryshe, fakti që tërë gjithësia funksionon brenda një përshtatshmërie dhe proporcionaliteti të përsosur, që çdo gjë, nga atomet e gjer te galaktikat, lëviz me një rregullsi të qartë, argumenton se ekziston një caktim dhe miratim që mban lidhur, kushtëzon tërë materien, se ekziston një sundim dhe detyrim mbi tërë materien.Të gjitha botët që janë formuar, kanë përkulur zverkun para këtij sundimi absolut dhe kanë ardhur gjer në ditët e sotme duke kaluar nga një gjëndje në tjetrën të bindur ndaj vullnetit të Tij!

Veçse, edhe në se për njeriun dhe të ngjashmit me të, për qeniet me vullnet dhe liri, krijimi i parë është plotësisht në të njëjtën linjë me qeniet e pavullnetshme e të tjera, më pas, qeniet e vullnetshme, në specifikat që hyjnë nën vullnetin e tyre, ndahen krejtësisht prej qenieve të tjera. Si rrjedhojë e një diferencimi të tillë, kuptimi i “përcaktimit paraprak” (të parë ose primar) merr një karakter të ndryshëm për njeriun dhe qeniet e ngjashme me të. Prandaj edhe pyetja e bërë, në thelb lind nga që s’i është rënë në të këtij aspekti të veçantë të njeriut dhe nga që ai është konsideruar krejt si materia tjetër. Nisur nga kjo, jemi të mendimit se konceptimi i një ndryshimi të tillë mes njeriut dhe qenieve të tjera do ta zgjidhte çështjen, qoftë edhe pjesërisht. Çka mbetet, është identitet i pranimit që dija hyjnore e ka rrethuar, e ka përfshirë nën kompetencën e saj tërë materien.

Po, njeriu ka një vullnet dhe liri, një aftësi (kapacitet) prirjeje dhe zgjedhjeje. Dhe sipas këtij vullneti e kësaj lirie, këtij kapaciteti prirjeje e zgjedhjeje i atribuohen njeriut e mira dhe e keqja, akti legal dhe i dobishëm (sevap) dhe akti jolegal e i dëmshëm ose mëkatar (mëkat – gjynah). Çfarëdo peshe që të kenë vullneti dhe dëshira e njeriut përballë përfundimeve që dalin në shesh, në se ai vullnet pranohet si një kusht dhe element shkakësor nga ana e Krijuesit të Lartë, të qenët fajtor apo jofajtor sipas orientimit të tij (vullnetit) kah dobitë apo dëmet, mbështetet në prirjen që tregon gjëja e quajtur “vullnet” ndaj dobisë apo dëmit. Çfarëdo peshe që të ketë ngjarja (delikti) që del në shesh si rezultat i kësaj prirjeje dhe sado e tërthortë që të jetë, mëkati, përgjegjësia bien mbi njeriun për shkak se, me prirjen e tij, ai e ftoi atë delikt. Kurse individualiteti që e ka përcaktuar dhe miratuar qysh më parë atë mëkat dhe përgjegjësi e që e krijon brenda kohës së caktuar, është i lartë, sublim dhe s’ka të bëjë me mëkatin dhe përgjegjësinë.

Për shembull, sikur ai Individualiteti i Lartë ta lidhte një ngjarje të tillë të madhe si ndërrimi i klimës me frymëmarrjen tonë e të na thoshte: “Po qe se do të merrni frymë me një shpeshti më të madhe se kaq frymëmarrje në minutë, do ta ndërroj klimën e vendit ku ndodheni ju”, ne, me që, mbështetur në ligjshmërinë shkak-pasojë, nuk shohim ndonjë lidhje mes procesit të frymëmarrjes dhe ndërrimit të klimës, e realizojmë gjënë e ndaluar dhe Ai e ndërron klimën ashtu siç pati premtuar, fajtorë do të bëhemi ne që i dhamë shkak kësaj ngjarjeje apo delikti edhe pse realizimi i saj qëndron tepër larg mundësive tona.

Ja, pra, analogjikisht me këtë, çdo njeri, me pjekurinë mendore dhe vullnetin e pjesshëm që ka në dorë, si rrjedhojë e përfundimeve për të cilat bëhet shkaktar, konsiderohet ose fajtor dhe ndëshkohet, ose dobiprurës dhe shpërblehet.

Për pasojë, edhe ai që bëhet shkak për vdekjen e dikujt, bëhet fajtor dhe, në se nuk falet në rezidencën e lartë, ndëshkohet.

Dhe tani le të qëndrojmë pak edhe në aspektin e dytë të çështjes: dija e Krijuesit, e cila përfshin çdo gjë dhe vetia konstruktive e njeriut.

Sipas dijes së Allahut, e gjithë qenia si dhe çdo gjë përtej qenies janë të ndërthurura me shkaqet dhe pasojat ose përfundimet a rezultatet. Në këtë ndërthurje, më parë-më pas, shkak-pasojë, baba-nënë, pranverë-vjeshtë bëhen dy fytyrat e të njëjtës gjë. Dhe prapë sipas asaj dijeje, e pasmja njihet dhe sundohet, (mbi të konkludohet) si edhe e parmja, përfundimi si edhe shkaku.

Me që dihet qysh më parë se kush dhe ç’prirje do të tregojë në një drejtim të caktuar si dhe kush dhe në ç’aspekt do ta përdorë vullnetin e vet që është identitet i një kushti të thjeshtë dhe i një shkaku, përcaktimi dhe miratimi qysh më parë i përfundimeve që kanë për të dalë në shesh, nuk e lidhin dhe nuk e detyrojnë vullnetin e njeriut. E kundërta ndodh. Me që miratimi i bërë ka marrë parasysh dhe ka llogaritur prirjet e tij, do të thotë se vullneti i tij është kah pranohet dhe mbështetet. Po kështu, në se një zotëri u thotë shërbëtorëve të tij kështu: “Në se e mbani kollën, do të përfitoni dhurata të mrekullueshme, e në se kolliteni pa shkak, jo vetëm do t’i humbni dhuratat, por edhe do të ndëshkoheni”, do të thotë se e ka pranuar dhe mbështetur vullnetin e tyre. Analogjikisht, në se Krijuesi i Lartë do t’i jepte ferman njërit prej robërve të Tij: “Po qe se ti do të tregosh prirje në këtë drejtim, edhe unë do ta realizoj atë gjë për të cilën do të priresh ti. Dhe ja ku po e bëj të ditur që tani atë gjë sipas prirjes tënde!”, do të thotë se i ka dhënë rëndësi dhe vlerë vullnetit të tij.

Nisur nga kjo, ashtu siç “përcaktimi i parë” nuk e lidh vullnetin, nuk bëhet fjalë as për ndonjë shtrëngim ndaj njeriut për të kryer ndonjë çfarëdo pune në kundërshtim me pëlqimin e vet.

Veçanërisht, fati i paracaktuar (kaderi) dhe përcaktimi i parë janë vetë programet e Allahut (Xh.Xh.). Kjo do të thotë që Allahu të dijë se kush dhe në ç’drejtim do të priret e të bëjë një program me gjërat që do të krijojë. Kurse të dihet nuk kërkon domosdoshmërisht që gjërat e planit të dytë (pasojat) të bëhen kështu apo ashtu. Trajtën kështu apo ashtu të gjërave që realizohen në plan të dytë, e krijon fuqia dhe vullneti i Krijuesit sipas prirjeve të njeriut. Nisur nga kjo konsideratë, gjërat që fitojnë ekzistencë dhe dalin në shesh, nuk janë krijuar pse ashtu janë ditur. Në të kundërt, dihen me trajtat që janë krijuar, gjë që është përcaktimi i parë dhe miratimi i parë. Teologët e shprehin këtë kështu: “Dija është e kushtëzuar nga e njohura”. Domethënë, dihet ashtu si do të bëhet e jo bëhet pse ashtu dihet. Siç ndodh që projektet dhe planet tona teorike nuk lindin domosdoshmërinë e realizimit të gjërave që kemi përfytyruar ne, ashtu edhe përcaktimet e para që do t’i quajmë projektet dhe planet e Krijuesit, nuk e bëjnë të detyrueshme ekzistencën e një çfarëdo gjëje në plan të dytë.

Përgjithësisht, Allahu, me dijen e tij të gjerë që përfshin çdo gjë që ka ndodhur e do të ndodhë, i di shkaqet ashtu si edhe pasojat, pasojat ashtu si edhe shkaqet. Ai ka përcaktuar dhe miratuar se cilët do të venë si qëllim (do të bëjnë nijet) të bëjnë punë të mira dhe cilët do të ndërmarrin të bëjnë punë të këqia si dhe ç’gjëra do të nxjerrin në shesh me ato qëllime e ato punë. Dhe, kur t’i vijë koha, do t’i krijojë gjërat e miratuara sipas prirjeve dhe qëllimeve të njeriut përgjegjës.

Prandaj edhe fakti që mënyra dhe koha e vdekjes së një njeriu si dhe fakti që dikush do të bëhet shkaktar i deliktit në fjalë janë të përcaktuara që më parë, nuk e fshijnë përgjegjësinë e shkaktarit. Sepse miratimi është bërë duke llogaritur lirinë dhe vullnetin e shkaktarit. Prandaj edhe faji ose mëkati do t’i ngarkohen atij dhe ai do të ndëshkohet sipas fajit apo mëkatit të kryer.

Eshtë kusht që kjo çështje e lidhur me kaderin, fatin e paracaktuar, të studiohet përsëri e përsëri veçanërisht në bibliografinë e vet. Ajo çka dimë ne, është ta prezantojmë çështjen, brenda parimeve të shëndosha, në nivelin e njeriut të thjeshtë.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Me që dihet që më parë se kur dhe si do të vdesë njeriu, cili është faji i vrasësit?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA