Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Çka është shefati ose ndërmjetësimi për falje?

Estimated reading: 4 minutes 139 views

Fjala shefat që do të thotë ndërmjetësim, në terminologjinë fetare shpreh shfaqjen e mëshirës së Allahut në një dimension tjetër përmes përdorimit prej Tij si pretekst të Profetëve, dijetarëve, dëshmorëve dhe besimtarëve sipas gradës së tyre[1] për faljen në jetën e pasme, ahiret, të mëkateve të besimtarëve mëkatarë dhe për lartësimin në gradë të besimtarëve jomëkatarë.

“Atë ditë nuk do të bëjë dobi shefaati (ndërmjetësimi) i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje i Gjithëmëshirshmi dhe që i është pranuar fjala!”[2] Ky ajet tregon se shefaati përmbendet në Kuran.

Ajetet e Kuranit të cilët lidhur me shefaatin thonë se “nga askush s’do të pranohet ndërmjetësim”[3], nuk mund të paraqiten si argumente se nuk do të ketë ndërmjetësim për falje, sepse këto ajete sillen në ato vende të Kuranit ku bëhet fjalë për fundin e mohuesve. Me këtë theksohet se mohuesit (qafir), politeistët (mushrik) dhe hipokritët (munafik) mbeten jashtë shefaatit, ndërmjetësimit për falje.[4]

Kurse në hadithet Profetike ka njoftime të hapura lidhur me shefaatin. Kështu, në një hadith, Profeti (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ka thënë se do të ndërmjetësojë për faljen e atyre personave nga bashkësia e tij që kanë bërë mëkate,[5] kurse në një hadith tjetër ka bërë të ditur se për çdo Profet ka një lutje të posaçme që i pranohet, kurse lutjen e vet ai do ta bëjë në ahiret për të ndërhyrë për falje për umetin e vet.[6] Gjithashtu, në një hadith tjetër, Profeti (sal’lallahu alejhi uesel’lem) ka thënë se, ndërsa në mahsher njerëzit do të jenë duke pritur të vuajtur e të emocionuar që të merren në pyetje, do t’i lutet Allahut që hetimi dhe llogaridhënia të mbarojnë një çast e më parë.[7]

Le të mendojmë se në një vend ku sundon një mbret i drejtë dhe i mëshirshëm, dikush ka bërë një faj. Por ky person që i është vërtetuar faji, nuk e ka bërë zakon një gjë të tillë. Ai e ka kryer fajin i shtyrë nga disa motive egoiste, prandaj është penduar. Ai druhet nga ligjet e mbretit, veten e sheh fajtor dhe ndëshkimin që do t’i jepet, të drejtë. Ja dhe mbreti i mëshirshëm e sheh fajtorin të penduar dhe të frikësuar dhe i dhimbset. Mirëpo mbreti nuk mundet ta falë fajtorin pa arsye, sepse atëherë do t’i shkelte vetë ligjet që kishte vënë, populli do të fillonte t’i nënvleftësonte ligjet dhe njerëzit nuk do të kishin frikë më prej tij. Me këto shqetësime, mbreti ia hedh fjalën një funksionari të lartë apo kryeministrit se mund ta falë fajtorin. Atëherë, kryeministri, duke ndërhyrë dhe ndërmjetësuar pranë mbretit, bëhet pretekst për faljen e fajtorit. Ndërkaq, duke ia dhënë këtë mundësi kryeministrit, mbreti ia rrit autoritetin atij para popullit. Ja, pra, të këtij lloji janë të gjitha rastet e shefaatit për të cilat flitet në Kuran dhe në hadithet Profetike. Nisur nga kjo, ajo që i bie si detyrë njeriut për të merituar një shefaat të tillë, është të jetë i vëmendshëm në kryerjen e detyrimeve të kërkuara prej tij nga Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe, duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut, t’i kërkojë ndihmë Atij!


[1] Për ata që do të ndërmjetësojnë për falje, shih Ibni Maxhe, Zuhd, 37.

[2] Taha, 20/109. Po kështu, shih Enbija, 21/28.

[3] Për shembull, shih Bakara, 2/123, 255.

[4] Shih Araf, 7/53; Gafir (Mumin), 40/18.

[5] Shih Ebu Davud, Sunet, 21; Tirmidhi, Kijamet, 11.

[6] Buhari, Davaat, 21; Muslim, Iman, 86.

[7] Buhari, Zekat, 52.

 

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/c-ceshtja-e-shefaatit-ose-ndermjetesimit-per-falje/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Çka është shefati ose ndërmjetësimi për falje?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA