Cila është urtësia e zbritjes së Kur’anit për 23 vjet?
Po të mos zbriste Kur’ani për 23 vjet por përnjëherësh, atëherë do të thoshin: Pse Kur’ani zbriti përnjëherësh, por nuk zbriti pjesë-pjesë?…
Edhe në çeshtje të tjera si kjo, esenciale duhet të jetë bindja si dhe gjetja me vend e vlerësimit të Zotit. Përndryshe, për çdo çeshtje me vend e vlerësimit të Zotit. Përndryshe, për çdo çeshtje do të fillonin pyetjet: Pse namazi i drekës është me dhjetë rekate(*), pse namazi i xhumasë(së premtes) falet ditën e xhuma, pse zekati është sa një e dyzeta dhe jo sa një e dyzetenjëta?… e kështu fundi i pyetjeve s’do të kishte të sosur. Prandaj është e domosdoshme që të dimë se këto janë të fshehta njerëzore(1). Namazi mund të ketë disa urtësi të vetvete. Sigurisht, dalja e individit para Zotit pesë herë në ditë, do të ketë një sërë veprimesh dhe dobish. Sa për numrin e rekateve, vitri(*) është tre rekat, farzi i akshamit(*) tre rekat, i iqindisë(*) është katër rekat. Dhe keto shifra janë vendosur nga na e Allahut. Po të na thoshin neve: Jeni të detyruar me adhurim pesë herë në ditë, kurse format e adhurimit përcaktojini vetë, ne do të vinim në zbatim mendime të ndryshme për numrin e rekateve. Dhe në punët e zakonshme ditore do të vendosnim një program sipas kushteve të jetesës. Në situatën e përcaktimit të numrit, rruga e mendjes është tjetër, rruga e Revelacionit, tjetër. Në Revelacion, në llogari të morales dhe shpirtërores tënde, luan një kalem tjetër, thuret një urtësi tjetër. Lidhur me këtë, këtu hulumtohen urtësitë e namazit, jo numri i rekateve…
Edhe në zbritjen e Kur’anit të Madhnueshëm për 23 vjet, ka urtësi të tilla. Periudha kur u zbrit Kur’ani i Madhnueshëm, është veçanërisht një periudhë kur njeriu u drejtua kah lartësimi. Për këtë arsye pati ardhur Profeti më i plotësuar e më i përsosur. Po, faqes së tokës i kishte ardhur Hz. Muhammedi (s.a.v.), mbi të cilin ishte përqëndruar vëzhgimi i Allahut(2), ai, për respektin ndaj të cilit ishte krijuar gjithësia. Ajo çka i takonte të bënte bashkësia e tij, për atë ditë, ishte që të bëhej më e përparuara, më e përsosura bashkësi, që të bëhej mësuese e kombeve të qytetëruara. Ç’e do se ç’kishin fituar ata gjer atë ditë, morali i keq dhe veset e ulta, u kishin zënë rrënjë në damarë në atë mënyrë, sa që shkulja dhe hedhja e tyre një nga një, veçanërisht zëvendësimi me një moral të lartë(3) e ngulitja e tij, edukimi i zakoneve të bukura në natyrën e tyre, ishin, secila punë më vete. Po të vinte Kur’ani njëherit e t’u ngulej përpara me të gjitha urdhërat, s’do të mund ta përballonin. Në të vërtetë, një situatë e tillë do të binte në kundërshtim me gjërat të cilat njerëzimi i ndjek me maturi.
Po qe se do të merrnim shembuj nga ditët e sotme, le të mendojmë një pjesë njerëzish të mësuar pas duhanit, pijeve alkolike, ose të sëmurët pas shëtitjeve nëpër sokakë ose me vesin e ndejtjes nëpër kafene.Sikur një të tilli t’ia presësh edhe kokën, t’i thuash po shkove në kafene, do të vdesësh, ai, duke sajuar shkaqe të paqena, prapëseprapë do të shkojë. Po qe se do të mbetej një ditë në shtëpi, do të zinte një qoshe, do të bënte af-uf dhe, sapo të gjente rast, do të merrte udhën e kafenesë. Sepse do të kishte ndërruar atë formë jetese që i kishte braktisur një zakon të pavlerë e të panevojshëm.
Tani le të merremi me të mësuarin e duhanit. i thoni një njeriu të nikotinizuar: Lere këtë cigaren e dëmshme për trupin, sepse pija e saj është vetvrasje e ngadalshme. Sikur ke në duar një hanxhar dhe, në vend që ta ngulësh në gjoks menjëherë, e ngul ca nga ca duke plotësuar, kështu, vetëvrasjen pjesë-pjesë. Madje, edhe sikur mjeku t’i thoshte se cigarja, jo vetëm, s’ka asnjë dobi, përkunradazi, sjell këto e këto dëme, ky njeri do të lëkundej tepër për ta lënë cigaren. Lëreni këtë, nga cigarja nuk heq dorë as mjeku vetë që e di mirë se ç’është ajo…
Merrni e shqyrtoni edhe një alkolik; njeriu rri i dehur, i ka ndryshuar edhe fytyra, bota e brendëshme i është tjetërsuar aq shumë, sa edhe një hap më tej të bëjë, do t’i përngjajë qenieve poshtë vetes. E tani, po t’i thoni këtij njeriu menjëherë lere pijen!, do të ishte sikur t’i thoshnit ndërroje natyrën!
E kështu, zakonet e ngulitura në damarët e njeriut dhe nivelin e moralit shumëzojeni për mijëra e pastaj mendohuni pse Kur’ani u zbrit pjesë-pjesë…
Po, në fillim Kur’ani pret ferrat, i hedh tutje bashkë me gjëra të tjera të dëmshme, e pastron vendin, e punon me shat e pastaj e zbukuron. Me fjalë të tjera i pastron shpirtrat nga veset e këqija e, në vend të tyre, ngulit shprehi të larta dhe në një kohë që do të quhej e shkurtër, bën mijra punë. Sipas kësaj, ne e shohim shumë të nxituar zbritjen e Kur’anit të Madhnueshëm për 23 vjet. Ashtu siç pat thënë edhe ai prijësi i dritës(4): Sikur filozofët e këtij shekulli të shkonin në gadishullin Arabik(5) e të përpiqeshin, vallë në raport me atë kohë, a do të mundnin të bënin për njëqind vjet një të qindën që bëri ai Individualiteti(6) për një vit? Ja sheshi i burrave: Janë mijra fole familjare të shembura nga pijet. Shoqata e të Blertëve organizon konferenca për një vit. Po e zgjeron këtë punë duke e çuar gjer në shkollat fillore e të mesme. Vallë, sa vetë po el ënë pijën si rezultat i kësaj pune? Urdhëroni, le të bashkëpunojmë të gjitha universitetet bashkë me profesorët e tyre, të përpiqen, a do të mundin që në një vit t’i bëjnë njëzet vetë që të lejnë pijen? Po t’ia arrinit, do ta quanim këtë një sukses shumë të madh në hesap të tyre e do ta shkruanim këtë me shkronja të arta përkrah veprimtarisë së Profetit tonë (s.a.v.)… Eh, një herë kish ndodhur ajo! Miq e armiq e shohin të pamundur përsëritjen e saj të dytë në të njejtën formë!
Po, 23 vjet shkojnë shpejt; është nga ky aspekt, bëmat e Kur’anit janë mrekulli. Largësinë që kapërceu profeti ynë (s.a.v.) për 23 vjet, njerëzimi s’ka mundur ta kapërcejë në mijëra vjet e s’mundet ta kapërcejë…
Nga njera anë Kur’ani i Madhnueshëm pati vënë si synim zhdukjen e veseve të tilla të këqija, kurse në anën tjetër pati synuar detyrën e zëvendësimit dhe zbukurimit të tyre me moralin e lartë Kuranor(7), të gjitha këto duke i bërë të pranueshme pa cënuar kërkënd, pa qëlluar, pa frikësuar, pa ia thyer zemrën kujt… Mjaft çeshtje që i shtroi për zgjidhje, i pati prurë në sheshin e zbatimit duke i kaluar nëpër aq etapa dhe variante, sa që sot vetëm disa prej tyre për t’i vënë plotësisht në rend të ditës do të ndihej nevoja s’di për sa 23-vjeçarë!
Këto 23 vjet ishin një kohë legale e domosdoshme që njeriu i asaj dite mund të pranonte e përvetësonte një pjesë urdhërash e ndalimesh të cilat kërkonin një interval të caktuar kohor për të zhdukur periodikisht ca gjëra të njohura e për të zbatuar ca gjëra të tjera po të njohura. Për shembull, brenda këtij kuadri kohor, pijet alkolike ishin të ndaluara në tri-katër etapa(8), në dy etapa ishte hequr zakoni i groposjes përsëgjalli të vajzave të vogla; problemet e jetës fisnore të hallakatur ishin zgjidhur në nja dy ndërhyrje dhe, duke siguruar unitetin brenda dhe midis fiseve, popullatat ishin ngritur në lartësinë e vetëdijes sociale me anë të së cilës ishin aftësuar ato për të ngritur një shoqëri, gjë që ishte mundësuar përmes aktiviteteve tepër të vështira si hedhja tej e gjithë veseve të këqia dhe shtresimi në vend të tyre i moralit të lartë. Pikërisht për këtë arsye ishte shfaqur nevoja për një etapë kohore më të gjatë.
Posaçërisht në jetën tonë të sotme vihet rë një fenomen i tillë: ta zemë se këtë vit kushtet qenë të atilla që, për pasojë, kërkohet një regullim dhe një ekuilibër shoqëror i caktuar. Duke llogaritur, kështu, ndryshimin e kushteve të vitit pasues, elasticiteti i planit trajtohet sipas tyre. Më tej, sipas kushteve të viteve të mëpasme, ravijëzohen ndryshimet te hollësirat; ndërkaq, duke kërkuar përshtatje ndaj rrjedhës së kohës dhe natyrës së sendeve, përpiqemi të sigurojmë vazhdimësine e gjërave që bëjmë. Po kështu, edhe në epokën e lumturisë muslimanët rriteshin tëpkë si një pemë, u adoptoheshin ngadalë-ngadalë kushteve të reja dhe zhvilloheshin si natyrë. Çdo ditë bëheshin hyrje në radhët e muslimanëve, njerëzit i ngroheshin çdo ditë e më shumë fesë së re, çdo ditë fitoheshin mendje dhe vetëdije krejt të reja që praktikoheshin e aftësoheshin e, ndërkaq, individët ktheheshin në qenie shoqërore. Vërtet këto bëheshin ngadalë-ngadalë, por veprimet dhe ngjarjet ndiqnin njëra-tjetrën në harmoni. Ja, pra, etapat e ndryshme brenda kësaj ecurie bëheshin një pasqyrë që reflekton në mikroplan gjithë specifikat dimensionale kohore të së vërtetës së Islamit që do të vazhdojë gjer në përjetësi.
Po të kërkohej të bëhej kjo jo për 23 vjet, por menjëherë, në një dimension, ajo shoqëri beduinësh(9) nuk do ta përballonte dot e do të vdiste. Këtë situatë mund ta përngjasojmë si më poshtë. Po qe se një njeri vihet nën veprimin e diellit për një kohë, në lëkurën e tij shfaqen ndryshime. Edhe po të çohet në vende të ftohta, kësaj radhe do të shfaqen një sërë ndryshimesh të vogla, por kategorikisht nuk mund të ndodhë menjëherë një ndryshim serioz në nivelin 20 mutacion. Po të ndodhë, ashtu si e gjalla vdes në këto lloj ndryshimesh fizike seriale, ashtu ndodh edhe me shoqërinë. Kjo tëpkë si me një njeri i cili, i ndodhur nën shtypjen 1 atmosferë, do të vdiste po të ngjitej menjëherë në lartësinë 20 mijë këmbë(10). Edhe avionët, duke u ngjitur në atë lartësi , ju parapërgatisin ju me maskë oksigjeni e të tjera.
Kështu siç shkakton vdekje ngjitja e menjëhershmë në lartësinë 20 mijë këmbë, po ashtu edhe kuptimi i jetës, kuptimi i familjes, kuptimi i individit në një shoqëri të ndodhur në nivelin zero, po të përballej me zbritjen e Kur’anit brënda një dite me urdhërin Ja rregulli, zbatojeni! Jetojini pa asnjë të metë gjithë urdhrat e këtij libri!, asnjë njeri i asaj shoqërije nuk do ta pranonte këtë gjë, sepse kjo do të thoshte ngjitje e menjëhershme e asaj shoqërije nga niveli zero në 20 mijë këmbë, gjë të cilën ajo nuk do të mund ta përballonte. Po qe kështu, sjellja nga Kur’ani i Madhnueshëm i rregullave të tij për 23 vjet, frymëzimi i tyre ngadalë-ngadalë e pjesë-pjesë, përbën domosdoshmërinë e respektimit të specifikës së krijimit të njeriut dhe formën më të përshtatshme të rregullimit ndaj natyrës njerëzore(11).
Sipas asaj që njeriun nuk mundemi ta veçojmë nga gjithësia, jemi të detyruar ta trajtojmë atë sipas ecurisë së evenimenteve brenda gjithësisë dhe, gjithashtu, jemi të detyryar të pranojmë se nuk do të mundemi ta observojmë(12) atë jashtë kuadrit të zhvillimeve që ndodhin në gjithësi.
Ashtu siç në gjithësi zhvillimi ka karakter gradual, suksesiv, edhe ligjet veprojnë në po atë kahje, po ashtu do të ndodhte edhe me evolucionin dhe progresin njerëzor. Edhe Kur’ani i Madhnueshëm, si zemreku, fundamenti dhe manifesti i parimeve të atij progresi, ka zbritur në 23 vjet duke u mbështetur mbi këtë kompleks konceptual fundamental.
Urtësia e Allahut këtë interval e ka caktuar 23 vjet… Mund të ishte edhe 24.25. Jeta e shenjtë e Sovranit të Proetëve(s.a.v.) paska qenë caktuar 63 vjet. Pas 23 vjetëve të profetësisë do t’i jepej fund jetës së tij po ashtu edhe Revelacioni, 24 vjet. Edhe atë do ta paranonim në kuadër të të njëjtës urtësi…
Vetëm Allahu e di të vërtetën!
1) Në origjinal: ubudiyet sirri, të fshehta që i përkasin qenies sënjeriut si rob i Zotit
2) Në origjinal: matmah-i nazar (osm.) epiqendra e vëzhgimit
3) Në origjinal: ahlak-i alije.
4) Në origjinal: nur myrshid: aludohet për Said Nursiun.
5) Në origjinal: Xheziretul Arab.
6) Profeti Muhammed (s.a.v.)
7) Në origjinal: ahlak-i alijej-i Kur’anije (osm.)
8) Këtu është fjala etapa me të cilën është përkthyer deve e origjinalit, ka kuptimin jo më tepër të një intervali kohor të caktuar, se sa të një programi të tërë.
9) Beduinë: nomadë.
10) Këmbë. (ang. Foot), njësi mase e barabartë me 12 inç ose me 30.48 cm.
11) Në origjinal: tabiat-i beshere(osm.)
12) 12) Në origjinal: mutaala: (osm.) vëzhgim, hulumtim, shqyrtim.