Cili është kuptimi i ajetit Kur’anor “S’ka detyrim në fe”?
“S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Bakara, 2/256)
Vërtet në fe nuk ka detyrim. Allahu nuk ia jep atë askujt me detyrim. Përvetësimi i fesë mund të bëhet vetëm me dëshirën e individit vetë. Nuk ka ligj detyrues për fenë. Dhe jo vetëm për të. Në islam nuk ka detyrim të asnjë lloji, sepse në qendër të fesë nuk janë sjelljet, veprimet e detyrueshme, por sjelljet dhe veprimet e bëra me dëshirë.
Kjo do të thotë që ajo që ndalohet nuk është vetëm detyrimi në fe, por detyrimi në tërësi, në çdo lloj gjëje. Ashtu siç nuk ka detyrim në fe ndaj fesë, ashtu nuk ka detyrim as ndaj çeshtjeve të kësaj bote.
Feja nuk synon t’i detyrojë njerëzit, por t’i mbrojë nga detyrimi. Prandaj aty ku vepron vërtet feja islame, nuk mund të ekzistojë detyrimi. Nëse ndodhin detyrime, ato ndodhin në kundërshtim dhe jashtë lejueshmërisë së fesë islame.
Punët që bëhen me detyrim nuk sjellin të mirat (sevapet) që jep besimi, sepse asnjë punë e bërë pa kënaqësi dhe qëllim të mirë, nuk mund të jetë adhurim. Thënia “veprat janë sipas qëllimit”, tregon se feja kërkon që të gjitha gjërat të bëhen pa detyrim, me qëllim të mirë dhe dëshirë.
Detyrimi dhe besimi nuk mund të rrinë së bashku. Besimi me detyrim nuk është besim i vërtetë, namazi i falur me detyrim nuk është namaz i vërtetë. Po ashtu edhe agjërimi, haxhi, xhihadi… Shkurt, në gjykimin islam çdokush duhet ta bëjë detyrën e vetë me dëshirë, pa qenë i detyruar.
Feja lidhjen e parë dhe më të thellë e ka me zemrën. Ajo që nuk është në zemër nuk mund të jetë diçka e padëshiruar, prandaj veprimet në lidhje me të janë gjithnjë të udhëhequra nga dëshira dhe jo nga detyrimi.
Në Kur’an thuhet “Në qoftë se do të kishte dashur Zoti yt, do i kishte bërë të gjithë në tokë besimtarë. A mos vallë do i detyrosh ti njerëzit të besojnë?” (Yunus, 10/99)
Kështu që askush nuk duhet të detyrojë askënd që të besojë. Sepse besimi i askujt që është detyruar, nuk mund të jetë besim i vërtetë para Zotit. Besimtari i vërtetë nuk bëhet me detyrim.
Duke qenë se vlerësimi i askujt veç Allahut nuk është i vlefshëm për zemrën, askujt nuk mund t’i thuhet nëse ka besuar ose jo, qoftë ky një besim i detyruar. Nëse ai person nuk do të kishte besuar, nuk do të kishte bërë asgjë qoftë edhe i detyruar. Kjo do të thotë që në zemrën e tij mund të ketë sadopak besim.
Zemrat i njeh vetëm Allahu, askush tjetër nuk e di ç’ka në të vërtetë në zemrën e besimtarit. Prandaj askush nuk duhet detyruar të veprojë, as nuk duhet gjykuar për masën e sinqeritetit në veprimet e tij.