Cilat janëargumentet mbi faktin se Kur’ani është fjala e Allahut?
1. Një analizë e thjeshtë do të mjaftonte për të nxjerrë në shesh se, nga ana e gjuhës dhe e shprehjes, Kur’ani nuk i përngjet asnjë libri. Veçanërisht, edhe nga stili, kuptimi dhe përmbajtja, Kur’ani është i pashembullt e i pashoq. Në këto kushte, ose Kur’ani zë një vend nën të gjithë librat e shkruar gjer tani – gjë që as djalli nuk e pretendon dot – ose zë një vend mbi çdo libër tjetër. Atëherë, Kur’ani nuk është fjalë njeriu!
2. Në Kur’an, duke iu drejtuar personalisht, Profetit i thuhet kështu: “Para kësaj ti as mund të lexoje ndonjë shkrim, as dhe mund të shkruaje me dorën tënde, ndryshe, ata që mendojnë keq, do të dyshonin!” (Ankebut, 29:48) Pa dyshim, ashtu si dje, edhe sot, është po ai Person i pashkrim e i pakëndim që u ka bërë e u bën sfidë të gjithave ç’janë shkruar e thënë, dijetarëve dhe letrarëve më të mëdhenj, në të njëjtën kohë, gjithë njerëzimit! Sot, kur pranohet se shkencat, në një këndvështrim, kanë arritur majat, ai u thotë fizikanëve, kimistëve, astronomëve, mjekëve, sociologëve, poetëve e shkrimtarëve, të gjithë njerëzve të shkencës e të letërsisë, kështu: “Bëhuni bashkë e sillni jo shumë, por vetëm një pjesë sa një sure e Kur’anit!” A nuk është edhe kaq, madje, një argument i mjaftueshëm se Kur’ani është fjalë jo e atij Personit të pamësuar, por e Allahut?
3. Gjithashtu në Kur’an thuhet: “Po qe se dyshoni në atë që i zbritëm robit tonë, ejani, silleni një sure të ngjashme me të dhe thirrni edhe dëshmitarë të tjerë tuaj veç Allahut nëse jeni të drejtë në atë që pretendoni!” (Bakara, 2:23) “A po thonë se e ka sajuar Muhammedi? Nëse e keni me të vërtetë, thirrni në ndihmë të gjithë që mund të thirrni dhe sillni një sure të ngjashme me suret e tij!” (Junus, 10:38)
Në fjalën e cilit njeri s’ka mangësi, gabim dhe kundërshti? Kurse Kur’ani, me ajetin në vijim, vë gishtin mbi këtë të vërtetë dhe se në të nuk gjendet as kundërshtia më e vogël: “A nuk mendojnë mbi Kur’anin se, po të kishte ardhur nga dikush tjetër veç Allahut, do të gjenin në të shumë kundërshti?” (Nisa, 4:82) Ndërkaq, gjërave që parashtrojnë disa njerëz që s’e njohin veten se kush janë, të cilët përpiqen, gjoja, të gjejnë në fjalën e Allahut kundërshti, mangësi e gabime, pandeh se edhe ata vetë nuk u besojnë!
4. Ndryshimi mes mënyrës së shprehjes së Kur’anit dhe mënyrës së shprehjes së Profetit dallohet mjaft lehtë. Eshtë krejt e pamundur që një njeri ta arrijë nivelin e lartë të shprehjes dhe ligjërimit të Kur’anit. Si për anët e tjera të Kur’anit, edhe për shpjegimin e kësaj ane të tij janë shkruar vëllime të tëra veprash; bie fjala, vetëm për një elhamdulil’lah janë shkruar shumë e shumë faqe. Vendi i çdo fjale të zgjedhur dhe i çdo shkronje, numri i tyre, harmonia e tingujve dhe e melodisë së brendshme, lidhjet dhe marrëdhëniet e çdo fjale me fjalët e tjera dhe të gjithë tekstin në tërësi duke formuar një të tërë matematike, etj., janë ndër veçoritë e posaçme të tekstit të Kur’anit.
5. Në periudhën kur zbriti Kur’ani, poezia kishte marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm. Njerëzit e përdornin të folurit poetik pothuajse edhe në bisedat e zakonshme dhe grindjet. Çdo vit organizoheshin konkurse poetike dhe poezia fituese shkruhej mbi një copë me shkronja të arta dhe varej në muret e Qabes për të qëndruar aty gjer në konkursin e vitit të ardhshëm. Me fjalët e poetëve, të cilët konsideroheshin si heronj kombëtarë, fiset hynin në luftë ose bënin paqe. Meqë Muhammedi ish rritur mes tyre, të gjithë mekasit e dinin fort mirë se ai s’ishte marrë kurrë as me poezi, as me prozë poetike, as me ligjëratë prozaike. Ndërkaq, shprehjet enigmatike dhe mrekullore të Kur’anit nuk u ngjanin as shprehjeve të tij, as të të tjerëve, ato nuk hynin as në fushën e poezisë dhe as të prozës së zakonshme dhe asaj poetike, por, me origjinalitetin e tyre të posaçëm i mrekullonin dhe i magjepsnin të gjithë! Prandaj, parësia e politeistëve të cilët kërkonin t’i largonin njerëzit nga Kur’ani, përpiqeshin t’i kundërviheshin, sipas tyre, me këto fjalë: “Po të themi se është poezi, s’është, po të themi se është prozë poetike, s’është, po të themi se është fjalë orakulli, s’është; as si vepër e një të çmenduri s’ngjan; po u themi njerëzve se është magji, prandaj t’i mbyllin veshët se, ndryshe, i zë magjia!” Por, ndërsa mblidheshin, diskutonin e vendosnin së bashku kështu, kur vinte nata, nuk rrinin dot pa shkuar fshehurazi nga njëri-tjetri për të dëgjuar Kur’an! Njerëz që e donin të vërtetën, si poetët e njohur Hansa dhe Lebid, pasi u bënë muslimanë, e lanë poezinë dhe, kur u kërkohej të bënin poezi, shkruanin një sure nga Kur’ani dhe ua dërgonin kërkuesve duke ua theksuar këto fjalë: “Pas këndimit të Kur’anit, unë kam turp të shkruaj poezi!”
6. Megjithëse në atë kohë poezia qe zhvilluar shumë dhe pati arritur një nivel të caktuar, gjuha arabe nuk kishte një fjalor bashkëkohor ku të përmbaheshin kuptimet metafizike, konceptet dhe shprehjet shkencore,fetare dhe filozofike. Kjo gjuhë që në atë kohë shërbente vetëm për shprehur ndjenjat dhe mendimet e beduinit të shkretëtirës, jetën e tij të ngushtë, me Kur’anin fitoi menjëherë një vlerë dhe pasuri të tillë dhe u ngrit në një nivel aq të lartë saqë të mund të shprehte të gjitha temat dhe çështjet shkencore, ekonomike, juridike, shoqërore, politike, administrative dhe metafizike. Në historinë e gjuhësisë është e pamundur të haset një ndodhi e tillë. Një transformim i tillë filologjik dhe një zhvillim i tillë i madh gjuhësor që do të përfshinte të gjitha kohët dhe vendet nuk mund të pritet jo më nga një person pa shkrim e pa këndim, por as dhe nga qindra gjuhëtarë e filologë. Arritja që realizoi gjuha arabe nuk ishte një zhvillim gradual, por revolucionar në kuptimin e një hopi të menjëhershëm me të cilin ajo u ngjit në një nivel të lartë dhe të përsosur, me të cilin u ngjit menjëherë nga fusha e logjikës primitive (naive) në nivelin që të mund të bartte mendimin dhe shprehjen e një kulture dhe qytetërimi të ri. Ja, pra, është e qartë si dielli se një zhvillim i tillë nuk mund të jetë vepër e një njeriu!
7. A është shkruar, gjer më sot, vallë, një libër i cili t’i përshtatet njeriut të çdo shtrese, moshe e niveli, qoftë ai me shkollë fillore, universitar, mendimtar, njeri i thjeshtë, fizikan, kimist apo çoban, dhe nga i cili të kuptojë e përfitojë kushdo? Kur’ani është libri i vetëm që shfaqet në çdo vend gjer në fshatrat dhe skajet më të vetmuara me komunikacionin më të vështirë, që shpërndan dritë si diell, të cilin e lexojnë duke përfituar prej tij dhe te i cili gjejnë parime e zgjidhje për rrugën dhe profesionin, shërim për hallet dhe shkëlqim për idetë e tyre poeti, muzikani, oratori, sociologu, ekonomisti, juristi, administratori, politikani, edukatori, nxënësi, anëtari i rrugës së zikrit, meditimit dhe tarikatit.
8. Ndoshta nuk ka libër tjetër veç Kur’anit që mund të lexohet disa herë pa u mërzitur, kurse Kur’ani lexohet me herë të tëra, plotësohet vazhdimisht, këndohet në namaze dhe me pretekste të ndryshme pa shkaktuar kurrë ngopje, lodhje dhe mërzitje. Sa e sa vepra të zgjedhura, shkrime ideore dhe poezi e humbin origjinalitetin dhe vlerën, sa e sa vepra aktuale durojnë a s’durojnë vetëm disa vite, madje disa muaj. Ato e humbin edhe vlefshmërinë, edhe vlerën aktuale dhe hidhen e grisen si një gazetë. Kurse Kur’ani jo vetëm që nuk zbehet e vjetërohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi e vlefshmëri, por çdo ditë që kalon, shpirtrave, ndërgjegjeve, mendjeve dhe zemrave u fryn frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të një niveli më të përparuar dhe e ruan rininë e freskinë duke u bërë çdo ditë më i ri e më i freskët!
9. Edhe me aspektin që e trajton njeriun me të gjitha anët e tij materialo-shpirtërore, që hap diskutime mbi çdo fushë dhe faqe të jetës, që sjell parime zgjidhëse për të gjitha problemet shoqërore, ekonomike, juridike, politike e administrative dhe që vendos parime që përmbajnë, pranë lumturisë së kësaj bote, edhe lumturinë e botës tjetër, pranë kënaqjes së mendjes, edhe kënaqjen e shpirtit, është krejt e qartë se Kur’ani nuk mund të jetë fjalë njeriu. Sigurisht, është e pamundur që një njeri të jetë specialist dhe prijës në çdo fushë. Parashtrimi i parimeve që do të zgjidhnin vështirësitë e njeriut të çdo shekulli, nën të gjitha kushtet dhe të çdo niveli nuk mund të përfshihet kurrë brenda mundësive dhe kapaciteteve të një njeriu. Parimet e dala nga mendja e asnjë njeriu nuk mund t’u japin kënaqësi e lumturi kontinenteve për shekuj të tërë. Sistemet njerëzore që nuk mbështeten në librin hyjnor e që nuk i referohen revelacionit hyjnor, nuk mund të qëndrojnë në këmbë as pesëdhjetë vjet pa u ndryshuar e revizionuar. Rregullat, sistemet, idetë, mendimet dhe ideologjitë si produkte njerëzore, vjetërohen, mbeten të pamjaftueshme, shfaqin ndikime anësore dhe rinohen, madje tregojnë nevojë ndryshimi e ndërrimi. Kurse është e pamundur të gjenden të meta dhe aksidente të tilla në asnjë temë të Kur’anit, në asnjë rregull dhe parim dhe në asnjë çështje të tij. A nuk janë argumente të qarta të faktit që Kur’ani është fjalë e Krijuesit të urtë e mëshirues, rregullat dhe parimet themelore e të pavdekshme, sipas të cilave “kapitali ndalohet të kthehet në një forcë që qarkullon vetëm në duar të të pasurve” (Hashr, 57:9), “njeriu do të marrë si shpërblim vetëm atë për të cilën ka punuar dhe është përpjekur” (Nexhm, 53:39), “detyrat dhe përgjegjësitë duhet t’u jepen vetëm atyre që janë kompetentë dhe e meritojnë dhe se duhet gjykuar me drejtësi” (Nisa, 4:58), “vrasja e një njeriu është si vrasja e gjithë njerëzimit” (Maide, 5:32), veçanërisht ndalimi i kamatës, bixhozit, pijeve alkoolike, të gjitha llojeve të prostitucionit, gënjeshtrës, shpifjes, luksit dhe mbishpenzimit që konsiderohen vrasës për individin, familjen dhe shoqërinë, adhurimet si namazi, agjërimi, haxhi, zeqati, etj., të urdhëruara që njeriu të fitojë cilësi njerëzore dhe që, në jetën individuale dhe shoqërore të jetojë parajsën duke qenë ende në këtë botë, orientimi i rregullave morale më të mira e më të bukura, i mendjeve dhe zemrave drejt parajsës dhe botës së amshuar për të vendosur në çdo zemër frikën ndaj Allahut e, në anën tjetër, për të nxitur dashurinë ndaj Tij, kriteret, rregullat dhe parimet ideale të vendosura për lumturinë e individit dhe shoqërisë?
Vepër e kujt të jenë njeriu dhe gjithësia, edhe Kur’ani fjalë e tij është. Sepse Kur’ani e korrigjon njeriun me njeriun dhe e interpreton librin e gjithësisë. Kur’ani, e lexon, nga njëra anë, njeriun me të gjitha dobësitë dhe virtytet dhe, nga ana tjetër, edhe gjithësinë me të gjitha të fshehtat dhe imtësitë, kështu që është e pamundur që Kur’ani të jetë fjalë e një personi që s’e administron dhe që s’vepron mbi tërë gjithësinë!
10. Në veprën e vet, njeriu nuk mund të tregojë për veten e vet duke folur për të gjitha anët e veta, nuk mund t’i hedhë në shkrim idealet dhe mendimet, karakterin dhe moralin e vet në tërë lakuriqësinë e tyre pa mbajtur fshehur asgjë. Edhe sikur ta mendojmë për një çast se mund ta bëjë këtë, në këtë rast nuk do ta kishte të lehtë të mos ndryshonte në ide, moral e sjellje. Mirëpo, le të shohim Kur’anin, le të shohim edhe jetën, moralin dhe karakterin e Profetit si dhe mendimin e tij mbi kauzën që përfaqësonte. Dhe nuk do të vëmë re vetëm se kjo dyshe përputhet identikisht me njëri-tjetrin, se të vërtetat kur’anore kristalizohen në personalitetin e tij të zgjedhur dhe jetën e tij shembullore, por edhe se gjatë 23 vjetëve me radhë, në fjalët, sjelljet, karakterin, moralin dhe idealet e tij nuk pati ndodhur edhe ndryshimi më i vogël, se çdo shprehje e Kur’anit pati gjetur me të gjithë kuptimin e fjalës reflektim dhe zbatim në jetën e tij, dhe se ç’pati thënë ai ditën e parë, po atë pati thënë edhe ditën e fundit! Po qe se, ta supozojmë, duke i kërkuar falje për këtë supozim, se ai do të ishte dikush që do ta kishte sajuar Kur’anin nga mendja e vet, kurrë nuk do të kish shfaqur dot aftësinë dhe kapacitetin që, në jetën e tij aktive të kaluar me luftëra e përpjekje, të mund ta përsëriste fjalën e fillimit edhe në ditën e fundit, të mund ta rregullonte çdo fjalë e veprim sipas atyre që kishte shkruar dhe të mbetej gjer në fund po ai, pa bërë asnjë ndryshim! Në është kështu, Hz. Muhammedi (sav) është një profet që vepron nën mbështetjen dhe edukimin e Allahut, është kryeprofeti. Dhe Kur’ani është një libër hyjnor i zbuluar (reveluar) atij nga Allahu!
11. Një autor cilido, në veprën e vet, përgjithësisht mbetet në ndikimin e kushteve dhe të mjedisit ku jeton si dhe të ngjarjeve të jetuara pa mundur të dalë jashtë një kuadri kohor të ngushtë. Edhe nëse del, kjo ndodh duke nxjerrë nga duart një vepër ose utopike, ose antiutopike, ose fantastiko-shkencore. Kurse kur shohim nga Kur’ani, vëmë re se ai përdor shprehje kategorike mbi fillimin dhe fundin e gjithësisë, mbi krijimin e njeriut dhe jetën e tij të ardhshme dhe, duam apo s’duam, mbetemi të detyruar të themi se “kjo s’mund të jetë fjalë njeriu”!
12. Një autor jep më shumë vepra në fushën e vet. Veçanërisht sot kur specialitetet janë shtuar dhe ngushtuar tejet, secili është njeriu i fushës së vet tejet të ngushtë. Kurse Kur’ani parashtron parime në sociologji, ekonomi, drejtësi juridike, psikologji, politikë, ushtri, mjekësi, fizikë, biologji, shkurt në çdo fushë, flet për të vërtetat themelore të asaj fushe dhe diskuton për të shkuarën e për të ardhmen. Cila mendje e pranon se një libër të tillë e ka shkruar një person pa shkrim e këndim e pa asnjërën prej mundësive të sotme teknike e shkencore?
Kur’ani vetë i drejtohet Profetit, duke deklaruar se ai s’dinte shkrim e këndim, me këto fjalë: “Para kësaj, ti as ke lexuar ndonjë libër, as ke shkruar me dorën tënde. Po të qe kështu, të këqinjtë do të ndjenin dyshim!” (Ankebut, 29:48) Gjithashtu: “Ti (më parë) s’dije ç’është libri, ç’është besimi!” (Shura: 42:52) Edhe politeistët që e njihnin për së afërmi Profetin i cili ishte rritur mes tyre, qoftë edhe një herë të vetme nuk pretenduan se ai dinte shkrim e këndim dhe se, duke u mbështetur në këtë, e kishte sajuar Kur’anin!
13. Cili autor mund të pretendojë se veprës së tij nuk do t’i bëhet asnjë kritikë, se të vërtetat që përmban vepra e tij do t’u rezistojnë shekujve pa u vjetëruar aspak dhe se mbi to, pas veprës së tij, nuk do të shkruhet më asnjë vepër në asnjë fushë? Edhe po të jetë ky autor filozof, shkencëtar, shkrimtar apo një gjeni, përfundimi nuk ndryshon. Çdo vepër e dalë nga pena e njeriut nuk shpëton dot, siç nuk kanë shpëtuar dot as Dhjata dhe Ungjilli me format dhe aspektet e tyre të korrigjuara, nga veprimi gërryes e kohës, për pasojë, nga humbja e vlerave. Eshtë vetëm Kur’ani që, pavarësisht nga çdo lloj përpjekje kundër tij, pavarësisht nga shpifjet, nga përpjekjet për të gjetur në të gabime e kundërshti, pavarësisht nga preokupimi me përsëritjet, shprehjet dhe shkrimin e tij dhe pavarësisht nga fyerjet e herëpasherëshme ndaj të vërtetave që përmban, është tek hyn ndër mendje e zemra çdo ditë e më i freskët, çdo ditë e më i thellë e çdo ditë e më i kuptueshëm dhe e është tek e vazhdon zotërimin e tij absolut. Eshtë vetëm e vetëm i zoti i gjithësisë, Allahu, që e ka ndezur atë dritë që ndriçon çdo ditë e më shumë në gjithësi, dhe sigurisht që askush s’do të ketë fuqi për ta shuar atë!
14. Jeni një esnaf, një mësues, një tregtar, një oficer. A mund të shkruani një libër, të flisni, të nxirrni ligj apo vendim në emër të themeluesve të esnafëve, në emër të të gjithë mësuesve e pedagogëve të të gjitha fushave e niveleve, në emër të industrialistit apo të importuesit dhe eksportuesit më të madh, në emër të presidentit, kryeministrit apo shefit të shtabit të përgjithshëm? Le ta pranojmë se thatë “po”. Në këto kushte, a është e mundur që të gjitha shprehjet tuaja të jenë të vetë personit që pretendoni se e përfaqësoni? Pra, a mund të bëni që shprehjet e përdorura prej jush të jenë nga çdo aspekt të tij, që urdhrat, ndalimet, premtimet, të tij? A mund ta bëni këtë gjë? Sidomos, a mund ta bëni këtë gjë i njohur nga gjithë mjedisi juaj si njeri që s’ka gënjyer kurrë? Ajo ç’ka mund të bëni ju kur ta keni në dorë një libër të tillë, t’u thoni masave: “Ky është një libër që më është dërguar nga ai Person për t’jua mësuar dhe vënë në jetë juve”!
Dhe tani shihni deklaratat e nderuara të Profetit dhe shprehjet e Kur’anit: A mund të mendohet që shprehjet që i kanë hije vetëm Individualitetit që mban në dorë administrimin e gjithësisë, t’i shprehë dhe thotë, t’i sajojë një njeri, qoftë ai edhe profet?
15. Askush me mend në kokë nuk mund të përdorë në emër të Allahut shprehjet që kanë të bëjnë me krijimin, me dhënien e jetës dhe të vdekjes, akte, këto, që i përkasin Pozitës Hyjnore, nuk mund të flasë kurrë mbi krijimin e qiejve, tokës, yjeve, maleve, pemëve, kafshëve dhe njerëzve, si dhe mbi jetëne cila ende qëndron si një enigmë më vete para shkencëtarëve. Edhe nëse flet, nuk mund të mbledhë asnjë përkrahës dhe fjalët kurrë nuk mund t’i kenë jetë të gjatë. Gjendja e profetëve të rremë dhe e shkencëtarëve që prodhojnë teori pas teorie është një shembull krejt e qartë i kësaj.
16. Disa forma të drejtimit në vetë të dytë tregojnë se Allahu i është drejtuar disa herë Profetit për ta njoftuar për diçka. Forma “thuaj” përsëritet në Kur’an 332 herë. As prijësi më i madh me përmasa botërore nuk mund të përdorë në komunikim dhe orientim këto forma komunikimi me karakter dekretues që janë të posaçme vetëm për Allahun.
Në këto lloj drejtime në vetën e dytë të Kur’anit ka shpesh mësim, këshillë dhe ngushëllim, ka përgjigje për pyetjet e ardhura nga jashtë, ka formim të rregullave juridike dhe zgjidhje të vështirësive që sjell jeta, ka, për politeistët dhe ndjekësit e librit, diku ftesë e, diku, hedhje poshtë të pretendimeve të tyre dhe mbyllje goje, ka parashtrime mbi natyrën, ndjenjat dhe aftësitë e njeriut dhe analizë të strukturës së shpirtit të tij, ka aludime për botëra të panjohura, paralajmërime për botën e përjetshme, pengim ndaj moralit të keq dhe nxitje ndaj moralit të mirë, ka çështje lidhur me botën femërore, nxitje për adhurim dhe frikësim me ndëshkim, ka deklarata, aludime dhe simbole mbi të ardhmen dhe aludime për të vërteta shkencore. Cili njeri mund të ketë guximin të flasë në emër të Allahut duke i mbledhur këto çështje e të ngjashme nën urdhrin “thuaj”?
17. Cili autor e kërcënon veten në veprën e vet qoftë edhe në emër të dikujt tjetër ose me gojën e dikujt tjetër? Për më tepër, ndërsa pretendon se flet në emër të Allahut, a mund të bëjë ndonjë deklaratë që do t’i sillte dëm pretendimit të vet? Gjithashtu, a fut në librin e vet shprehje akuzuese ndaj vetes? Kurse në Kur’an thuhet: “Po qe se (Muhammedi) do të shtonte fjalë kundër Nesh, do ta mbërthenim me forcë e do t’ia këpusnim damarin e qafës!”(Hakka: 69:44-46). Në Kur’an, Profetit i tërhiqet vërejtja për mospjesëmarrësit e fushatës së Tebukut: “Pse u dhe leje atyre?” Në Kur’an tregohet për martesën me Zejnepin, etj. Pra, në Kur’an ka deklarata dhe shprehje që është e pamundur që njeriu t’i fusë në librin që e ka shkruar vetë. Kjo do të thotë se Kur’ani kurrë s’mund të jetë fjalë e Profetit; ai është absolutisht fjalë e Allahut!
18. A mund të ndodhë që një autor, në veprën e vet ku bën për objekt çështje të së shkuarës e të së ardhmes, ku flet për fillimin dhe mbarimin, ku vë rregulla dhe parime të përgjithshme mbi çdo fushë të jetës, ku vë gishtin mbi zbulime shkencore e teknike të qindra viteve më vonë, ku shprehet dhe deklaron në një mënyrë që, në fakt, duket e pamundur për një njeri, a mund të ndodhë, pra, që ky autor të thotë për vete, “ti s’ke lexuar e s’ke shkruar”, gjë që do ta vinte në kontradiktë me vetveten dhe do ta bënte ta merrnin nëpër gojë të tjerët? Do të flisni me shprehje shumë të prera mbi disa ngjarje të së kaluarës para një shoqërie që ka njohuri historike dhe para një të ardhmeje kur do të bëhen kërkime zbuluese dhe pastaj do të thoni: “Unë po i tregoj këto, por as mora pjesë në ato ngjarje, as lexova gjë mbi to!” A është e mundur një gjë e tillë? Mirëpo në Kur’an tregohet edhe se Profeti s’ka ditur shkrim e këndim, për pasojë, gjer atëherë as ka lexuar, as ka shkruar ndonjë libër (Ankebut, 29:48), edhe se as ka marrë pjesë në ato ngjarje, as ka ditur gjë mbi to gjer atëherë (Al-i Imran, 3:44; Hud, 11:49; Kasas, 28:44). Nëse një njeri që s’ka ditur të shkruajë e të lexojë, që s’ka prekur libër me dorë, që, natyrisht, s’ka marrë pjesë në ngjarjet e së shkuarës, që s’ka dëgjuar dhe mësuar gjë nga të tjerët, nëse një njeri i tillë, pra, jep të dhëna shumë të prera në çdo fushë, a nuk tregon kjo se ai person është i dërguari dhe përfaqësuesi i Allahut, njohësit të së fshehtës?
19. Asnjë autor nuk mund të thotë me një gjuhë të prerë në veprën e vet se vepra e tij do të ruhet dhe se të vërtetat mbi të cilat bën fjalë, do të vijë një ditë që të përhapen në të gjitha horizontet. Edhe duke qenë në vazhdim të një jete në shtretër të rehatshëm, me makina dhe me të gjitha mundësitë, a mund të themi se do të mbetemi të paprekshëm dhe të mbrojtur nga të gjitha rreziqet dhe do ta plotësojmë detyrën tonë? Sigurisht që jo, sepse ashtu siç nuk mund të japim garanci për jetën tonë, ashtu dhe s’mund të garantojmë se vepra jonë do të ketë jetë pak a shumë të gjatë. Shumë shkrime e artikuj, libra, këngë dalin, për një çast, “në krye të listës”, bëhen rend dite, pastaj shuhen e harrohen sepse në vend të tyre dalin të tjera, të reja të cilat, edhe ato, pastaj, zbehen, shuhen e shkojnë për t’ua lënë vendin të tjerave dhe kjo kështu vazhdon gjithmonë. Mirëpo në Kur’an thuhet: “Allahu do të të mbrojë ty nga njerëzit!” (Maide, 5:67) Dhe: “Kur’anin Ne e zbritëm dhe Ne jemi garant për të!” (Hixhr, 15:9) Me këto fjalë shpallet se edhe Profeti, edhe Kur’ani janë të mbrojtur dhe garantuar nga çdo lloj rreziku, dëmtimi, atentati dhe nga çdo sulm dhe kurth materialo-shpirtëror. Kjo mbrojtje dhe garanci është vërtetuar gjer më sot dhe do të vazhdojë të vërtetohet gjer në kiamet!
20. Një autor që në veprën e vet bën përshkrim natyre, na njeh kryesisht me mjedisin që njeh e që e ka shëtitur, me format natyrore, klimën, formën e tokës dhe mbulesën bimore të tij. Kurse në Kur’an, më shumë se përshkrimi i jetës së shkretëtirës, shohim të flitet për lumenj që rrjedhin me vrull, për pamje të gjelbëruara, për re të ngarkuara me shi që i japin jetë tokës, për kopshte e vreshta, për male e detra. Bie fjala, në ajetin e 40 të sures Nur bëhen përshkrime dhe metaforizime me të vërtetë interesante, si errësirat e thella të detit, ardhja e njëpasnjëshme e dallgëve, mbulimi nga sipër i dallgëve prej reve dhe mosdukja e dorës brenda gjithë këtyre errësirave, gjë që s’ka lidhje as me gjeografinë arabe të asaj kohe, as me literaturën detare të periudhës. Pastaj, Profeti i cili qe lindur e rritur në shkretëtirë dhe pati udhëtuar vetëm një a dy herë për në Siri duke kaluar përmes shkretëtirës, as pati parë pamjet dhe mbulesat bimore për të cilat bën fjalë Kur’ani, as pati bërë udhëtim detar. Në këto kushte, si mund të kenë buruar përshkrime dhe metafora të tilla nga përfytyrimi dhe gjenialiteti i një njeriu të rritur në shkretëtirë?
Në ajetin e 125-të të sures En’am, gjendja e mohuesit përngjasohet me gjendjen e njeriut që i ndrydhet zemra duke u ngjitur lart drejt qiellit. Përshkrimi i njeriut me gojë hapur që mezi mbushet me frymë, bëhet me mjete të caktuara gramatikore (fonetike) të arabishtes që krijojnë të njëjtat vështirësi artikulimi e shqiptimi. Kur erdhi koha, zhvillimet shkencore treguan se, me ngjitjen në lartësi, oksigjeni rrallohet, shtypja atmosferike bie dhe njeriut i vështirësohet frymëmarrja dhe se, ngjitja e mëtejshme pa mjete oksigjeni pas një caku të caktuar, bëhet e pamundur. Kjo e vërtetë kuptohet në ngjitjet me balona në qiell ose në ngjitjet alpinistike në male të larta. Në kohën e Profetit, për mjete dhe mundësi ose përvoja të tilla as që mund të bëhej fjalë sepse, veç të tjerash, gjeografia e Gadishullit Arabik s’kishte male të larta. Kështu që, shprehje, përshkrime, metaforizime e përngjasime të tilla mund t’i përkasin vetëm Allahut që di çdo gjë!
21. Autori e shkruan veprën më shumë në çastet e ndjeshmërisë dhe përqëndrimit më të madh dhe pa i anashkaluar ngjarjet që i kanë shkaktuar dëshpërim apo gëzim. Veprat letrare më të bukura janë shkruar në kohët kur zemrat janë mbushur me ndjenjat më të holla e më të mprehta dhe kur janë zhvilluar ngjarjet kur i kanë hapur rrugë kësaj gjendjeje ndjesore. Shumica e veprave letrare flasin për të dashurit dhe miqtë ose për bijtë. Vuajtjet e hequra në qelira, kujtimet e kurbetit apo emigracionit, përvojat e jetës profesionale dhe çastet e hidhura e të ëmbla të saj janë temat e zgjedhura të tyre. Nuk është aq e lehtë të veçohesh nga ngjarjet që ushtrojnë ndikime të thella në zemra e shpirtra.
Tani shqyrtojeni jetën e Profetit të mbushur plot me vuajtje, ankthe, luftëra e përpjekje, shqetësime e dëshpërime, mbani parasysh se si e përgatiti atë bashkësinë e tij të zgjedhur ndërsa bënte një luftë të rëndë ndaj faktorëve të jashtëm dhe shihni, a do të mund të gjeni në Kur’an ajete lidhur me vuajtjet e tij, me kohët e kokëçarjeve e fatkeqësive, madje, me jetën dhe vdekjen e fëmijëve të vet? A janë hapur në to diskutime mbi Hatixhenë e cila pati ndarë me të hidhërimet e ditëve më të vështira dhe qe bërë mbështetësja e tij më e madhe, mbi vitin e quajtur “viti i zymtë” për shkak të vdekjes së saj e të mbështetësit tjetër të madh të tij, Ebu Talib? A janë hapur në to diskutime mbi bojkotimin trevjeçar të ushtruar mbi hashimitët nën diellin përvëlues, mbi vrasjen e të ungjit Hamza dhe mbi politeistët kriminelë që e patën përdhunuar kufomën e tij? Sigurisht që jo! Sepse ky libër s’është i tiji. Ai është vetëm një ndërmjetës që e ka përcjellë Kur’anin te njerëzit ashtu siç i ka ardhur!
22. Duke e shkruar veprën e tij, autori gjithsesi mendon përfitimet që do të ketë prej saj: pasuri, post, popullaritet ose kumtim dhe lartësim i idealit të vet ose shërbim ndaj gjërave të shenjta ose mendimeve negative të veta. Ndërkaq, a mund të themi se, “duke e shkruar veprën e vet”, Profeti bartte qëllimin për t’u pasuruar? Kur të hidhni një vështrim mbi jetën e tij 23-vjeçare, do të vëreni se ai kurrë nuk preku në dheun dhe pluhurin e kësaj bote, se e la faljen në mes për të shkuar në shtëpi për të shpërndarë katër-pesë monedha, se pati kohë kur pati mbetur pa ngrënë tri ditë me radhë, se, kur i patën kërkuar gratë që të bënin një jetë disi më të mirë pas përmirësimit të përgjithshëm të jetës së muslimanëve, ai i pati vënë para alternativës për të zgjedhur ose atë vetë, ose botën materiale dhe se, ndërsa në luftën e Hunejnit, pasi gratë kishin zgjedhur atë vetë, ai shtiu në dorë në emër të shtetit si plaçkë lufte 8 mijë okë argjend dhe me qindra deve e mijra dhen, personalisht nuk ishte në gjendje të merrte prapë mburojën që e pati lënë peng për të blerë ushqime për shtëpi! Pas gjithë këtyre, a mund të thoni se qëllimi i tij ka qenë pozita, posti, fama dhe popullariteti? Në asnjë mënyrë! Ishte ende fillimi i detyrës profetike në Mekë kur atij iu propozuan kryesia e Mekës, pasuri që s’i kishte kush dhe vajza më e bukur e Mekës me kusht që të hiqte dorë nga kumtesa profetike, kurse ai i pati hedhur poshtë të gjitha propozimet duke thënë: “Edhe sikur të m’i vënë diellin mbi pëllmbën e djathtë dhe hënën mbi të majtën, unë s’heq dorë nga çështja ime!” Pastaj, njeriu që vrapon pas popullaritetit, a s’bën fjalë fare në veprën e vet për vete? Kurse, po ta vëmë re me kujdes, do të dallojmë se në Kur’an, ndërsa emrat e profetëve të tjerë përmenden rreth 500 herë, emri Muhammed përmendet vetëm në katër vende (Al-i Imran, 3:144; Ahzab, 33:40; Muhammed, 47:2; Feth, 48:29) dhe para atij personalitetit të madh përkulemi me nderim të thellë duke thënë edhe një herë tjetër: “Eshhedu enneke Resulullah”, “Dëshmoj se ai është i dërguari i Allahut!”
23. Fusha e shkencës teologjike që merret me shkaqet e zbritjes (revelacionit, zbulimit) së Kur’anit, trajton shkaqet dhe kushtet e zbritjes së çdo ajeti me radhë. Në Kur’an, në gjer pesëmbëdhjetë vende, Profetit i thuhet “të pyesin ty për …” dhe i jepen përgjigje që fillojnë me urdhrin “thuaj”. Eshtë krejt e qartë se është Allahu që u jep përgjigje pyetjeve për çështje të tilla si haramet dhe hallalet e ndryshme, ndarja e plaçkës së luftës, hëna e re, kiameti, Dhulkarnejni, forma e dhurimit, shpirti, etj., që një njeri e ka krejt të pamundur t’u japë përggjigje të specializuara veç e veç. Sepse dhënia e përgjigjes më të përshtatshme për çdo pyetje dhe dërgimi i një ajeti të lidhur me një ngjarje, i cili të përmbajë zgjidhjen më të mundshme e të përshtatshme, kurrë nuk mund të jetë brenda mundësive të një njeriu. Ndërkaq, ndodhte edhe që në rastin e pyetjeve të tilla, Profeti heshtte sepse priste ajetin që do të zbriste si përgjigje. Kështu pati ndodhur, për shembull, kur e patën pyetur për shpirtin.
24. A mund të ndodhë që një njeri, një autor të trondisë e të vërë në dyshim besimin e krijuar ndaj tij duke thënë “gabim” për një gjë që e ka quajtur më parë të drejtë ose, duke ndryshuar, kohë pas kohe, pikëpamje, të bëjë rregullime të sjelljeve të veta, sidomos nëse ky ka dalë me pretendimin se po i ofron gjithë botës një mesazh? Kurse Muhammedi i dërguar si “mëshirë” jo vetëm për mekasit apo medinasit, jo vetëm për popullsinë e Gadishullit Arabik apo për njerëzimin e kësaj bote, por për tërë botërat, herë pas here, me tërheqjen e butë të vëmendjes që i bënte Kur’ani, i ndryshonte veprimet që kishte planifikuar ose kishte për qëllim të bënte dhe i orientonte sjelljet e veta sipas Kur’anit.
Profeti ishte dërguar për orientimin e njerëzve në rrugën e drejtë. Kështu që ishte mjaft normale që ai të dëshironte orientimin edhe të të ungjit Ebu Talib, i cili ishte edhe i ungji, edhe personi që e kishte mbajtur nën kujdesin dhe mbrojtjen e vet për 40 vjet me radhë. Vetëm se thelbësore ishte që këtë gjë ta dëshironte Allahu! Ja, pra, i Dërguari i Allahut i thoshte me këmbëngulje të ungjit në prag të vdekjes që të thoshte la ilahe il’lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut se do të ndërhynte për të për falje në jetën tjetër, kurse Ebu Talibi nuk pranonte. Dhe ajeti që bënte analizën e kësaj çështjeje, duke iu drejtuar Profetit, theksonte “Ti nuk mund ta vësh në rrugë të drejtë atë që do. Vetëm Allahu e vë në rrugë të drejtë atë që do!” (Kasas, 56).
Shihni shembuj të tjerë. Profeti do të qëndronte për t’ia falur namazin e të vdekurit kreut të hipokritëve, Ibni Thelulit, meqë e njihte për musliman, por e la sepse e paralajmëroi Allahu. (Tevbe, 9:84) Profeti i thoshte “bir” libertit të vet, Zejd, por Allahu, me anë të një ajeti, e hoqi birësimin. (Ahzab, 33:4) Megjithëse nuk e kishte shkuar kurrë nëpërmend, me urdhër të Allahut u martua me Zejnepin, gruan e ndarë nga liberti i vet Zejd. (Ahzab, 33:37). Mendohej që robërit e Bedrit të faleshin e të lëshoheshin. Pas paralajmërimit të Allahut, ata u lanë të lirë kundrejt shpërblimit. Të gjitha këto dhe urdhra apo ndalime të ngjashme tregojnë se ai kurrë nuk vepronte në kokë të vet, se ai ishte një përfaqësues që vetëm zbatonte urdhrat e Allahut. Edhe sjelljet nuk i ndryshonte sipas vetes, por pas paralajmërimit ose tërheqjes së vëmendjes së Allahut dhe “asnjë herë nuk fliste sipas dëshirës, por vetëm sipas vahjit, zbulesës hyjnore!” (Nexhm, 53:4)
25. Asnjë njeri s’dëshiron ta njollosë nderin e vet dhe të përfolet në këtë drejtim. Sidomos nëse ky njeri është një monument nderi dhe virtyti i njohur gjatë gjithë jetës si emin, i besueshëm! Ndërsa e vërteta qëndron kështu, bëhemi dëshmitarë të ngjarjes së shpifjes ndaj nderit të bashkëshortes së tij të shquar, Aishesë, për shkak të së cilës ai vuajti për një muaj me radhë së bashku me të, me të atin e saj dhe mikun e tij më të madh, Ebu Bekrin dhe të gjithë muslimanët gjersa doli e vërteta në shesh. Po qe se do ta kishte shkruar Kur’anin vetë, a do të priste një muaj me radhë për të shpallur pafajësinë e saj, për të mbrojtur nderin e vet dhe për të shpallur se mbi nderin e vet nuk ka asnjë njollë? Veç kësaj, a ka njeri që dëshiron t’i popullarizojë disa gjëra që kanë të bëjnë me shtëpinë dhe familjen e vet? Kurse Kur’ani përmban vërejtje e urdhra lidhur me gratë e tij, si “rrini në shtëpi dhe mos u hapni siç hapeshin gratë e kohës së injorancës” (Ahzab, 33:33) dhe “mos bisedoni me fjalë tërheqëse (përkëdhelëse)” (Ahzab, 33:32). A s’mjafton vetëm kjo, madje, për të vërtetuar se Kur’ani është fjalë hyjnore?