Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Besimi në Melaike

Cilet janë detyrat e engjëjve – melaikeve ?

Estimated reading: 6 minutes 265 views

Detyrat që u janë dhënë engjëjve nga ana e Krijuesit të Lartë:

  1. Të deklarojnë se Allahu s’ka të bëjë me asnjë konsideratë të mangët e të gabuar, ta lavdërojnë dhe falenderojnë Atë ditë e natë dhe ta lartësojnë në një mënyrë të përshtatshme për Të!48
  2. T’u komunikojnë njerëzve të zgjedhur nga Allahu si profetë, fjalën hyjnore.49
  3. T’i lartësojnë profetët me salat dhe selam (falje e përshëndetje) dhe të luten për të gjithë njerëzit në botë.50
  4. T’u bëhen mbështetje me një forcë moralo-shpirtërore profetëve dhe besimtarëve, t’i qetësojnë ata në çaste shqetësimi dhe dëshpërimi, ndërsa t’i fusin mohuesit në shqetësim.51
  5. Si ndjekës të njerëzve të cilët i ruajnë, në një kuptim, t’u shërbejnë njerëzve.52
  6. Të shënojnë aktet e njerëzve.53
  7. Të shërbejnë si mjet për veprimtarinë hyjnore që zhvillohet lidhur me gjithësinë.54
  8. Të kryejnë detyra lidhur me krijimin dhe vdekjen e njeriut.55
  9. Të kryejnë detyra si funksionarë të ekzekutimit të ndëshkimeve hyjnore.56

Numri dhe llojet e engjëjve

Numrin e engjëjve e di vetëm Allahu. Në Kur’an dhe në hadithet profetike nuk ka ndonjë informacion të qartë mbi numrin e engjëjve. Ndërkaq, duke u nisur nga deklaratat, si “ushtritë e qiejve e të tokës janë të Allahut”57, mund të themi se numri i engjëjve është i madh në mënyrë të pallogaritshme.

Disa engjëj ne i njohim sipas emrave dhe veprimtarive të tyre. Kurse disa të tjerë, vetëm sipas llojit të detyrës me të cilën janë ngarkuar dhe me anë të titullit të dhënë të gjithëve së bashku. Për engjëjt nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë kompetencë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ata janë vetëm në pozitën e vëzhguesve dhe duartrokitësve të veprimtarisë hyjnore. Një mendim i kundërt nuk përputhet me parimin e tevhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë. Nisur nga kjo, sipas detyrave themelore, engjëjt mund t’i shqyrtojmë në këto grupe:

Katër engjëjt e mëdhenj

Xhebraili

Është emri i përveçëm i engjëllit të vahjit (revelacionit hyjnor, zbulesës hyjnore). Përmendet në tri vende të Kur’anit si Xhibril.58 Veç kësaj, në ajete, Xhebraili përmendet edhe me emra, si “ruh”, “ruhena”, “resulun kerim”, “resulu rabbik”, “ruhul emin”, “ruhul kudus”.59 Kurse në një hadith, veç këtyre, emërtohet edhe si “en-Namus”.60

Mikaili

Si njëri prej katër engjëjve të mëdhenj, është caktuar nga ana e Allahut si ndërmjetës për administrimin e ngjarjeve në gjithësi dhe të furnizimit të krijesave me ushqimin jetësor (rizk). Në Kur’an i përmendet emri vetëm në një ajet.61

Israfili

Emri i këtij engjëlli nuk përmendet hapur në Kur’an. Në ajete vetëm njoftohet se do t’i fryhet bririt (sur).62 I përmendet emri në hadithe si njëri nga emrat e katër engjëjve të mëdhenj.63

Azraili

Detyra e tij është të marrë në dorëzim shpirtrat e atyre që u ka ardhur çasti i fundit. Në Kur’an është përmendur si “engjëlli i vdekjes”.64

Engjëjt kiramen katibin (engjëjt shkrues)

Është emërtimi i dy engjëjve që ndodhen në të djathtë e në të majtë të njeriut. Engjëlli në të djathtë ka për detyrë të shënojë aktet dhe sjelljet e mira, kurse engjëlli në të majtë ka për detyrë të shënojë  aktet dhe sjelljet e këqija. Këta engjëj që emërtohen edhe engjëj të kujtesës, do të dëshmojnë edhe për punët gjatë llogaridhënies ditën e kiametit.65

Engjëjt mukarrebun (engjëjt e afërm, konfidentë)

Këta engjëj të përmendur edhe si il’lijjun dhe kerubijjun, të ngarkuar me detyrën e kujtimit dhe madhërimit të Allahut, ndodhen pranë Tij dhe në një pozitë të nderuar në lartësinë e Tij.66

Engjëjt hamele-i arsh (hamallët e arshit)

Eshtë emri i engjëjve që bartin arshin (rezidencën hyjnore). Në Kur’an flitet kështu për ta: “Ata (engjëjt) që e bartin arshin dhe që ndodhen rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me lavdërim dhe falenderim, shfaqin besimin ndaj Tij!”67

Munker dhe Nekir

Janë dy engjëj të ngarkuar me detyrën e hetimit pas vdekjes, në varr. Munker dhe Nekir që do të thonë “i panjohur, i padalluar, i papëlqyer”, i kanë marrë këta emra për shkak se i shkojnë njeriut në varr në një mënyrë krejt të padallueshme. Këta dy engjëj e pyesin të vdekurin në varr, “kush është Zoti yt?”, “kush është profeti yt?”, “kush është libri yt?”, dhe pastaj e trajtojnë njeriun sipas përgjigjeve që marrin prej tij.68

Në hadithet profetike tërhiqet vëmendja edhe për engjëjt që i frymëzojnë njeriut në zemër të drejtën dhe të vërtetën,69 për engjëjt që thonë “amin”70 në fund të Fatihasë së bashku me njerëzit që falin namaz, për engjëjt që ndodhen çdo ditë bashkë me njerëzit në namazet e agimit dhe pasditës (ikindisë),71 për engjëjt që zbresin mbi tokë gjatë këndimit të Kur’anit,72 për engjëjt që vizitojnë kuvendet e diturisë dhe dhikrit73 dhe luten për mëshirë për besimtarët.74

48 Shih. Bakara, 2/30; A’raf, 7/206; Nahl, 16/50; Enbija, 21/19, 27; Shura, 42/5; Tahrim, 66/6. 49 Shih. Nisa, 4/163; Haxh, 22/75; Shuara, 26/193-194. 50 Shih. Shura, 42/5; Mumin, 40/7-9; Nexhm, 53/26. Kurse në një hadith bëhet fjalë edhe për shefaatin e engjëjve (për ndërhyrjen e engjëjve për falje). Shih. Buhari, Tevhid, 24. 51 Shih. Bakara, 2/87; Al-i Imran, 3/124-125; Maide, 5/110; Enfal, 8/12; Nahl, 16/28; Fussilet, 41/130-132; Muxhadele, 58/22. 52 Shih. Ra’d, 13/11. 53 Shih. Ra’d, 13/11; Kaf, 50/17-18; Infitar, 82/10-12; Tarik, 86/4. 54 Shih. Naziat, 79/5. 55 Shih. Buhari, Bed’u’l-Halk, 6; En’am, 6/39; Sexhde, 32/11. 56 Shih. Bakara, 2/210; Enfal, 8/50; Furkan, 25/21-26; Muhamed, 47/27; Hixhr, 15/7-8. 57 Shih. Fetih, 48/4-7. Po kështu, shih. Tevbe, 9/26; Ahzab, 33/9. 58 Shih. Bakara, 2/97, 98; Tahrim, 66/4. 59 Shih. Mearixh, 70/4; Nebe, 78/38; Kadr, 97/4; Merjem, 19/7; Tekvir, 81/19; Merjem, 19/19; Shura, 26/193; Bakara, 2/87, 253; Maide, 5/110; Nahl, 16/102. 60 Shih. Buhari, Bed’u’l-Vahj. 61 Shih. Bakara, 2/98. 62 Shih. En’am, 6/73; Kehf, 18/99; Taha, 20/122; Jasin, 36/51. 63 Shih. Buhari, Rikak, 43. 64 Shih. Sexhde, 32/11. 65 Shih. Kaf, 50/17-18; Infitar, 82/10-12; Dhuhruf, 43/80. 66 Shih. nisa, 4/11, 72. 67 Mu’min, 40/7; po kështu, shih. Hakka, 69/17. 68 Shih. Tirmidhi, Xhenaiz, 70; Musned, 3/126. 69 Tirmidhi, Tefsir, 3. 70 Buhari, Ezan, 11; Muslim, Salat, 18. 71 Buhari, Mevakit, 16; Muslim, Mesaxhid, 37. 72 Buhari, Fedailu’l-Kur’an, 15; Muslim, Musafirin, 36. 73 Buhari, Daavat, 66; Muslim, Dhikr, 8. 74 Tirmidhi, Ilm, 19.

 

Allahu e di më së miri.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cilet janë detyrat e engjëjve – melaikeve ?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA