Zoti e di se si do të veprojmë ne në këtë botë. Gjithashtu e di nëse do të pajtohemi apo jo me urdhrat e Tij. Atëherë, pse e sheh të nevojshme të provojë e na sjell në botë?
Po, Allahu e di si do të veprojmë, megjithatë na sjell në botë për të provuar gjer te përkryerja e aftësive dhe mundësive tona me anë të detyrimeve që na ngarkoi mbi supe. Kur na krijoi, Ai na krijoi si mineralet: minerali i bakrit, minerali i qymyrit, minerali i arit, minerali i argjendit.
Këtë Ai e bën në cilësinë e Zotit tonë që i jep ekzistencë dhe zhvillim çdo gjëje. Kjo ndodh si me sftësinë dhe mjeshtërinë estetike dhe realizuese të në artisti i cili, duke u shfaqur me veprat e artit, synon të panjohurën. Ashtu si ai, edhe Providenca Hyjnore ka disa emra-atribute dhe arte si mishërim të atyre emrave. Ja, pra, për t’ua paraqitur shikimeve të njerëzve ato lloj-lloj arte të veta, me hapjen e kësaj ekspozite në sipërfaqe të tokës, ka pasur mirësinë të urdhërojë shpalosjen e bukurive të tyre të fshehta. Me një pohim më të hapur, si mishërohen emrat në mineralin e qymyrit; si e tregon veten te hekuri, te ari, te argjendi e pastaj, me ndërhyrjen e njeriut, te ari i pastër, te argjendi i pastër; si shfaqet te hekuri i përpunuar… Dhe, për t’ia bërë të njohur shikimit tonë se si e tregon veten në shndërrimin me një hop të qymyrit(1) në diamant, shpalos lojën e varianteve të emrave të Tij në etapa dhe nivele të ndryshme duke na dhënë, kështu, mundësinë për të krijuar një gjykim tërësor e për ta njohur plotësisht Atë. Po, është Ai që bën gjithçka. Madje, duke mundësuar përfitimin e mijra e mijra fryteve te çdo gjë.
Në përfundim, me këto punë të Tij njerëzit pastrohen, kthjellohen duke u thjeshtuar e kështu kthehen në elementë parajsorë. Si të thuash, mineralet bëhen ar, diamant, argjend. Në lidhje me këtë, Profeti ynë (s.a.v.) në porosinë e tyre të nderuar kanë pasur mirësinë të urdhërojnë kështu: Njerëzit janë krejt si mineralet. I dobishmi në injorancë është i dobishëm edhe në Islam. Si të thuash, Omeri i nderuar dhe i respektuar në injorancë, është OMERI dinjitoz, serioz, i ndjeshëm, i madh dhe i vyer në Islam… Në të parën mjaft i ashpër, mjaft i prerë, që detyron ashtu siç do vetë; në të dytën, me flatrat e thjeshtësisë të varura gjer në tokë e nën këmbët e njerëzve, kurse ndaj qafirëve, femohuesve dhe të dhënëve pas mëkatit, një Omer i prerë e i vështirë!… Duke vazhduar analogjinë, ç’mineral të ishte në periudhën e injorancës, i tillë do të jetë edhe në Islam… Prandaj shprehim dëshirën që njerëzit e guximshëm, të gjallë e që u vlon gjaku, të bëhen muslimanë. Sepse i vyeri në injorancë do të bëhet i vyer edhe në Islam.
Islami e merr në dorë këtë mineral-element njerëzor, e përpunon, e dendëson dhe e sjell në gjendjen e arit të pastër. Kështu ishin shndërruar sahabet, ithtarët pasues të Profetit në ar të pastër. Pastaj filloi të bjerë vlera dhe karati: 22, 21, 20, 18, 17, 15… Në shekullin e njëzetë midis muslimanëve pati edhe të tillë që ranë në 1 karat… Po, një shekull ky që i shtoi aq shumë paratë kallpe, skorjet!…
Ta themi hapur e thjeshtë, domethënë se ne në këtë botë i kushtëzohemi një provimi. Në këtë mes, Allahu (Xh.Xh.) e di se në ç’rrugë do të pastrohemi, pra, na kushtëzon me një provë. Hasha, Zoti na ruajtë, jo që Ai të mësojë prej nesh diçka që s’di. Pra, Ai na ve në provë ne ndaj vetes tonë. Më saktë, ne provohemi mes vedi.
Po, kur të jemi përpjekur e sakrifikuar, kur t’i kemi hyrë udhës së pastrimit, kullimit e dendësimit, kur t’i jemi lidhur dëshirës për t’u bërë ar në se jemi mineral ari, pra, kur të kemi treguar një zell të tillë, do të jemi bërë shkak për të zbuluar, për të nxjerrë në shesh diçka që Allahu e di eternalisht. E kështu, duke e provuar veten në një veprimtari të tillë, do të dalim në Audiencën e Tij të Lartë me atë gjendje që kemi mundur të realizojmë për vete. Ashtu siç shprehet edhe në Kur’an: Atë ditë duart e këmbët e tyre, le të shtojmë, sytë, veshët, gjuhët, buzët e tyre do të dëshmojnë për ta!(2)
Në se edhe ti e di këtë gjë, e kupton se je në provë përballë vetes tënde. Hasha, Zoti na ruajtë, Allahu (Xh.Xh.) nuk provon për të mësuar gjendjen tënde. Krejt e kundërta, ty të tregon ty dhe ty të ve në provë me ty.
Të mirën e çdo gjëje Ai e di!
1) Karbonit
2) Perifrazim i autorit