Cilat janë argumentet për ekzistencën e Allahut?
Disa Argumente Thelbesore mbi Ekzistencen e Allahut
Dy vërtetues parapëlqehen ndaj mijëra kundërshtuesve dhe mohuesve. Po qe se dy vetë kanë rënë në marrëveshje mbi të njëjtën të vërtetë, mohimi i asaj të vërtete nga mijëra vetë me anë të vështrimeve të veta nga dritaret e tyre të ngushta, nuk ka asnjë vlerë.
Po qe se nga një mijë dyert e një pallati, 999 janë të hapura e njëra, e mbyllur, askush nuk mund të pretendojë se në atë pallat nuk mund të hyhet. Ja, pra, se ç’bën mohuesi: duke u treguar shikimeve vetëm atë derë, kërkon ta përqëndrojë vëmendjen vetëm te ajo. Në të vërtetë, edhe ajo derë është e mbyllur vetëm për botën shpirtërore të atyre që, si ai, u kanë zënë sytë perde. Për besimtarin nuk ka derë të mbyllur, mjafton që të mos i mbyllë sytë! Fundja, 999 dyer janë të hapura për të gjithë, madje me të dyja kanatet!
Ja, pra, ajo derë dhe disa prej atyre argumenteve.
1. Argumenti i mundësisë.
Gjithësia është nga lloji i qenieve të mundshme. Pra, ekzistenca dhe mosekzistenca e saj janë në raport të barabartë ndaj njëra-tjetrës: gjithësia mund të ekzistojë po aq sa mund të mos ekzistojë ose, e kundërta, mund të mos ekzistojë po aq sa mund të ekzistojë. Ndërkaq, çdo qenieje e mundshme varet nga një shkak jashtë saj, pra, që të ekzistojë, duhet të jetë një shkak i jashtëm që mundëson së pari ekzistencën e saj, pastaj edhe format dhe cilësitë e ekzistencës së saj. E thënë ndryshe, duhet të jetë një shkak i jashtëm që të zgjedhë ekzistencën e qenies së mundshme ndaj mosekzistencës së saj. Dhe ky shkak është Allahu, Zoti i gjithësisë.
2. Argumenti i akcidencës.
Gjithësia është në ndryshim të vazhdueshëm e të pandërprerë. Çdo gjë që ndryshon, është e pasqenë, akcidenciale. Nga ky aspekt, materia nuk mund të jetë e paraqenë. Dukuri si rrëshqitja e vazhdueshme e materies, sipas ligjeve të termodinamikës, drejt mosqenies, zgjerimi i pandërprerë i gjithësisë dhe ecja e shpejtë e diellit drejt konsumimit tregojnë se ekzistenca e ka një fillim. Çdo qenie akcidenciale, pra, e qenë ose e krijuar pas, e ka një krijues; nuk mund të ketë efekt pa motiv, rezultat pa shkak dhe art pa artist. Ndërkaq, shkaqet nuk mund të zgjaten në kahje të kundërt në formë zinxhiri të pafund. Atëherë themi se kjo gjithësi materiale që është në ndryshim të pandërprerë, që s’është e paraqenë por e krijuar pas, domethënë akcidenciale, e pasqenë, për pasojë, nevojtare për një shkak të parë, e ka një krijues i cili është Allahu, Zoti i gjithësisë.
3. Argumenti i jetës.
Jeta, një mister transparent! Po, jeta është aq e çuditshme sa të mos mund të shpjegohet me shkaqe të jashtme dhe transparente për sa i përket argumentimit të Fuqisë Krijuese. Jeta e tregon dhe e shpall Krijuesin e vet drejtpërsëdrejti. Jeta është një dukuri e magjishme që i magjeps shkencëtarët me përbërjen e saj misterioze, kurse njerëzit e thjeshtë, me transparencën e saj! Dhe, me gjuhën e gjendjes cilësore të saj, jeta duket sikur thotë: “Mua më ka krijuar Allahu, Zoti i gjithësisë!”
4. Argumenti i rregullsisë.
Ashtu si çdo objekt përbën një tërësi pjesësh harmonike, ashtu dhe gjithësia është një tërësi pjesësh harmonike. Dhe ky është një argument i pagabueshëm që tregon se në gjithësi ka rregull dhe harmoni dhe argumenton ekzistencën e një Rregulluesi dhe Harmonizuesi që është Allahu, Zoti i gjithësisë.
5. Argumenti i artit.
Nga atomi te njeriu, nga qeliza te galaktikat, në tërë gjithësinë bie në sy një art i hollë dhe marramendës. Sigurisht, në tërë gjithësinë, çdo vepër (objekt)
ka një vlerë shumë të madhe artistike,
është shumë e çmuar,
bëhet shumë lehtë dhe brenda një kohe shumë të shkurtër,
bëhet në një numër të madh,
është e ndërlikuar dhe e shumëllojshme,
është e vazhdueshme.
Mirëpo, në punët e bëra në dukje në një kohë të shkurtër, në një numër të madh, lehtë dhe të komplikuara, nuk duhet të ketë vlerë artistike. Vetëm se, nëse bërësi është Allahu, Zoti i gjithësisë, çdo gjë ndryshon dhe të kundërtat bëhen bashkë!
6. Argumenti i kuptimshmërisë dhe qëllimit final.
Në çdo objekt bie në sy një qëllim final, një synim, një dobi, të posaçme këto për atë objekt, si dhe fakti që në atë objekt ndiqet një rezultat; në të njëjtën kohë, qoftë edhe në një molekulë, madje, nuk vërehet kotësi, mungesë qëllimi dhe kuptimi si dhe ndonjë situatë që do të konsiderohej shpenzim ose shpërdorim material apo energjitik. Mirëpo as në botën lëndore, as në botët bimore e shtazore, si dhe as në materien dhe dukuritë nuk ka vetëdije dhe përceptim e njohje që në ekzistencën e tyre të ketë kuptimshmëri dhe të ndiqet një varg i tillë qëllimesh. Atëherë, po t’ia atribuojmë këtë funksionim të vetëdijshëm në gjithësi, këtë kuptimshmëri dhe këtë varg qëllimesh finale Allahut, Zotit të gjithësisë, themi se mund të kemi zënë një rrugë të arsyeshme!
7. Argumenti i dhembshurisë, mëshirës dhe ushqyerjes.
Nevojat e të gjitha krijesave, veçanërisht të njeriut, janë të pafundme, kurse mundësia për të zgjedhur, e barabartë me zero. Ndërsa është kështu, nevojat e të gjithë nevojtarëve plotësohen nga një vend i pashpresuar dhe në një mënyrë të pashpresuar, në sasinë dhe cilësinë e kërkuar. Dërgimi i ndihmës e vërteton hapur faktin se ndihma e dërguar i përgjigjet plotësisht nevojës dhe, kështu, është një dorë dhembshurie ndaj çdo krijese më e afërt se vetvetja, që u përgjigjet nevojave. Kjo dhembshuri, mëshirë dhe ushqyerje sistematike që vepron në tërë gjithësinë dhe që ka për të vepruar gjer në pafundësi, tregojnë për një Individualitet të Shenjtë me atribute që i japin mundësi për t’i kryer të gjitha këto punë, si dhe të pastër prej atributeve që shprehin mangësi dhe relativitet, dhe e vërtetojnë Atë.
8. Argumenti i ndihmës reciproke.
Nga më të largëtit nga njëri-tjetri gjer te më të afërtit, të gjitha krijesat vrapojnë në ndihmë të njëra-tjetrës. Në një ndihmë të tillë, dy qenie të gjinive dhe llojeve të ndryshme që s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, bëhen pothuajse si pjesë të një të tëre duke e plotësuar njëra-tjetrën. Mendoni se si bakteriet, krimbat dhe dheu bashkohen me të njëjtin qëllim në ndihmë të bimëve, gjë që përsëritet pa pushim. Kjo veprimtari e këtyre qenieve pa mendje dhe vetëdije që e lë pa mend mendjen dhe të mahnitur vetëdijen, na shpalosin para syve të vërtetën se në planin e pasëm të saj është veprimtaria plot urtësi e një Individualiteti që është Qenie e Domosdoshme. E shprehur ndryshe, me gjuhën e kësaj ndihme reciproke, tërë gjithësia thotë “Allah”!
9. Argumenti i pastërtisë.
Pastrimi dhe pastërtia që vërehen nga njeriu në qiell e gjer në thellësitë e kozmosit, si një argument më vete, na tregojnë për një Individualitet të quajtur i Shenjtë[1].
Bakteriet, insektet, milingonat dhe sa e sa kafshë grabitqare që e pastrojnë tokën, era, shiu dhe bora, ajzberget dhe peshqit në dete, atmosfera dhe vrimat e zeza në kozmos, oksigjeni që na e pastron gjakun dhe frymëzimet shpirtërore që na e shpëtojnë shpirtin prej shqetësimeve, na informojnë paprerë mbi emrin i Shenjtë, i Pastër dhe, pas këtij emri na tregojnë Individualitetin e Shenjtë!
10. Argumenti i fytyrave.
Ndërsa çështjen, në fakt, mund ta përgjithësojmë në të gjitha krijesat, për ta ngushtuar dhe konkretizuar më mirë, le ta trajtojmë atë duke u përqëndruar vetëm te njeriu dhe vetëm te fytyra e tij që është karakteristika më e qartë dalluese që e bën të veçantë çdo individ njerëzor nga tjetri.
Fytyra e një njeriu, kushdoqoftë ai, gjer në hollësitë më të vogla, nuk i përngjet absolutisht askujt prej miliarda njerëzve para tij. Ky rregull vlen edhe për njerëzit që kanë për të ardhur në botë pas tij. Të vizatosh në një sipërfaqe krejt të vogël miliarda portrete të njëjta në një aspekt, por të ndryshme nga njëri-tjetri në një aspekt tjetër dhe pastaj ta veçosh njërin ndër miliarda portrete të mundshme për t’i ngjarë njëri-tjetrit dhe çdo gjë ta vësh në një rrugë dhe formë ndër rrugë dhe forma pafundësisht të ndryshme, e gjitha kjo është, sigurisht, një shpallje e Zotit që e njeh gjer në imtësi çdo qenie që e krijon dhe që zotëron dijen dhe mundësinë për t’i dhënë asaj qenieje formën që dëshiron, një shpallje aq e fuqishme sa ta dëgjojnë edhe shurdhët! Po, krijimi i organeve të një fytyre, të ndryshme nga organet e fytyrave të tjera dhe pajisja e çdo syri me një veçori dalluese absolutisht nga të gjithë sytë e tjerë, i tregon dhe ia bën të njohur çdo njeriu me ndërgjegje, qoftë ai edhe pa dritë në sy, Individualitetin që i krijon të gjitha këto dhe i pajis me urtësi të pafundme!
11. Argumenti i shtytjes hyjnore. [2]
Sapo del nga veza, biba mundet të notojë. Milingonat që dalin nga fshikëza, fillojnë menjëherë të rrëmojnë korridor. Bleta mund t’i thurë brenda një kohe shumë të shkurtër hojet që janë një mrekulli arti, po kështu, merimanga mund ta thurë rrjetën e saj aq të hollë. Nga të gjitha këto kuptojmë se këto dhe të tjera kafshë të ngjashme i kryejnë këto veprime me anë të informacioneve që u jepen në një botë tjetër dhe të aftësive të bashkëlindura. Mirëpo nuk ndodh aspak kështu me njeriun, i cili është i detyruar ta mësojë gjithçka në këtë botë, megjithëse është krijesa më e përsosur për sa u përket aftësive dhe mundësive! Kjo do të thotë se krijesat e tjera nuk i kanë ato aftësi dhe mundësi nga vetja, por ua ka dhuruar Individualiteti që e bën çdo gjë me kuptim dhe urtësi!
Të vegjlit e ngjalave që i lëshojnë vezët disa kilometra larg dhe kthehen, sapo dalin nga veza, vihen në rrugë dhe e gjejnë nënën sikur ta kishin vënë aty me duart e veta! Me ç’mund të shpjegohet kjo veçse me shtytjen hyjnore? Po qe se kjo mrekulli që e shohim te kafshët shpjegohet vetëm e vetëm si një e dhënë e Allahut, Zotit të gjithësisë, atëherë ky shpjegim mund të shihet si racional dhe logjik, ndryshe, çdo interpretim tjetër mbetet thjesht një përçartje!
12. Argumenti i shpirtit dhe ndërgjegjes.
Edhe cilësia e shpirtit tonë që nuk ia njohim natyrën, por për ekzistencën e të cilit askush nuk ka dyshim, dhe e veprimit të funksioneve të tij mbi kurmin tonë, është një ndër argumentet që njoftojnë për Zotin. Elementi që e përfaqëson në botën tonë Botën e Urdhrit[3], është shpirti dhe shpirti ka ardhur në këtë botë vetëm për zhvillim dhe përsosje[4]. Meqë ndikimi i urtësisë së kësaj mbi përfundimin është jashtë temës sonë, po mjaftohemi këtu vetëm duke e prekur pikën që e argumenton ajo. Fakti që shpirti që, si natyrë, nuk ka të bëjë aspak me botën tonë materiale, dërgohet këtu nga një botë e posaçme për të dhe që vihet në një proces maturimi sipas një programi të caktuar, është, pa dyshim, një prej argumenteve më të rëndësishëm që njoftojnë për Zotin.
Nga ana tjetër, parandjenjat te njeriu dhe kthimet te Zoti pa pasur asnjë shkak të jashtëm, orientimet kah Ai dhe përsëritja në miliona herë e këtyre dukurive janë një argument i hapur i faktit që ndërgjegjja e cila ndodhet te njeriu në mënyrë të bashkëlindur dhe është njëri prej preteksteve më të rëndësishëm për gjetjen e Zotit, është e dhënë gjer në adhurim pas Krijuesit të vet dhe është e lidhur me Të me të gjithë qenien e vet. Fundja, a s’është ndërgjegjja njëri prej dëshmitarëve të pagabueshëm të marrëveshjes mes Zotit dhe shpirtit të njeriut?[5] Ja, pra, me shtytjen e domosdoshmërisë dhe detyrimit të respektimit të kësaj dëshmitarie, ndërgjegjja thotë: “Allah”!
13. Argumenti i krijimit dhe historisë.
Ekzistenca tek çdo njeri e një ndjenje dashurie ndaj të mirës dhe të bukurës si dhe, në të kundërt, e një ndjenje urrejtjeje ndaj të keqes dhe të shëmtuarës, është një realitet aq i hapur e i qartë, sa askujt nuk do t’i shkonte mendja për të kundërtën. Kjo do të thotë se, me ndërtimin e tyre siguron prirjen nga moraliteti dhe e mira dhe largimin me neveri dhe urrejtje nga imoraliteti dhe e keqja, këto ndjenja argumentojnë se i zoti i sistemit që e urdhëron njeriun për të vepruar mirë e bukur dhe e pengon nga sjelljet e këqija e të shëmtuara, është po ai Individualitet që ia ka dhënë njeriut këto ndjenja. Dhe, pa asnjë dyshim, ky Individualitet është Allahu, Zoti i gjithësisë!
Historia e feve është dëshmitare se njerëzimi nuk e ka kaluar asnjë prej periudhave të tij pa besim. Në çdo periudhë, njeriu ka pasur një besim qoftë edhe të shtrembër apo bestyt, qoftë edhe qesharak, dhe ka ndjekur një sistem moralo-shpirtëror të caktuar. Në mënyrë të veçantë, besimi është një nevojë sepse ekziston në krijim. Individualiteti që e ka shtresuar këtë nevojë në krijimin e njeriut dhe Individualiteti që na urdhëron ne të besojmë, është i njëjti Individualitet. Ai është Allahu, Zoti i gjithësisë!
14. Argumenti i ndjenjave.
Njeriu është pajisur me mijëra ndjenja. Çdo ndjenjë bart një natyrë mesazhi nga një botë jashtëlëndore. Ndërkaq, te çdo njeri është një ndjenjë që ia bën të njohur atij Zotin drejtpërdrejt. Kjo është ndjenja e pavdekshmërisë. Për shkak të kësaj ndjenje njeriu përpiqet pa pra për pavdekësinë dhe amshueshmërinë. Asgjë e fundme, e konsumueshme dhe e vdekshme nuk mundet ta kënaqë atë vërtetësisht. Dhe kjo ndjenjë nuk është e mundur t’i jetë lënë njeriut nën ndikimin e ndonjë gjëje të fundme. Asnjë prej shkaqeve që janë të fundmë nuk mund ta ofrojë këtë pasion për pavdekshmërinë. Mirëpo ekzistenca e kësaj ndjenje është një fakt, një realitet, pra është e pamundur të mohohet. Atëherë themi se këtë ndjenjë na e ka dhënë neve ai që na ka krijuar, Zoti. Dhe është Ai që ka për të na e dhënë edhe jetën e pafundme!
15. Argumenti i marrëveshjes.
Po qe se dhjetë gënjeshtarë të njohur na vijnë njëri pas tjetrit e na thonë se na është djegur shtëpia, themi “ka mundësi” edhe pse i njohim ata dhe e dimë se qoftë edhe një herë s’kanë thënë të vërtetën! Ndodh kështu sepse në mes është një marrëveshje, qoftë edhe mes disa gënjeshtarësh! Mirëpo marrëveshja (se Zoti ekziston) për të cilën po bëjmë fjalë këtu, është marrëveshje mes mijëra profetësh, qindramijëra shenjtorësh dhe miliona njerëzish. Pika kryesore e marrëveshjes së arritur nga këta njerëz që kanë jetuar në kohë dhe vende të ndryshme, është e vërteta “Allahu ekziston”. Kur i jepet rëndësi edhe marrëveshjes së dhjetë gënjeshtarëve mbi një gënjeshtër, ç’njeri mund të jetë ai njeri që nuk i beson marrëveshjes së miliona profetëve dhe njerëzve të shquar që s’është dëgjuar të gënjejnë kurrë? Dhe si mund të quhet i mençur një njeri i tillë?
16. Argumenti i Kur’anit.
Të gjitha argumentet që vërtetojnë se Kur’ani është fjalë e Allahut, janë, në të njëjtën kohë, edhe prova të ekzistencës së Allahut, Zotit të gjithësisë. Janë qindra argumente mbi Kur’anin si fjalë e Zotit që janë të parashtruara me imtësi në burimet bibliografike e teorike të Islamit lidhur me çështjen përkatëse. Ne po mjaftohemi duke ua lënë atyre aspektin vërtetues të çështjes. Të gjitha këto argumente, me gjuhën e tyre të posaçme, thonë: “Allahu ekziston”!
17. Argumenti i profetësisë.
Edhe të gjitha argumentet që vërtetojnë profetësinë e profetëve, veçanërisht të profetit Muhammed (s.a.s), duhet t’u shtohen provave që flasin për Zotin. Sepse qëllimi final i ekzistencës së profetëve është shpallja e unitetit të Zotit, e emërtuar në Islam, tevhid, besimi monoteist mbi Allahun, Zotin e vetëm të gjithësisë. Prandaj, të gjitha argumentet e çdo profeti që vërtetojnë profetësinë e tij, janë, në të njëjtën kohë, në tërësi, argumente të ekzistencës së Zotit. Ndërkaq, ne s’do të qëndrojmë mbi ta një për një sepse kjo është jashtë tematikës sonë, por do të themi vetëm kaq, që, të gjitha argumentet që pohojnë se një profet është i vërtetë, pohojnë me të njëjtën forcë, madje më me forcë se Allahu ekziston dhe është një!
[1] Në origjinal: Kuddus, i pastër, i shenjtë, shenjtërisht i pastër; një nga emrat e Allahut.
[2] Në origjinal: sevk-i ilahi.
[3] Në origjinal: alem-i emr, bota e ekzistencës së pakushtëzuar, bota hyjnore.
[4] Në origjinal, përkatësisht: terakki, përparim, zhvillim; tekamul, evolucion, përsosje.
[5] Në origjinal: Bezm-i Elest, marrëveshja, para krijimit të njeriut, mes Zotit dhe shpirtrave (të njerëzve) ku Zoti i pyeti shpirtrat: “A s’jam unë Zoti juaj?” Dhe shpirtrat iu përgjigjën: “Po, Ti je Zoti ynë!”