A mund të njihet Zoti, a mund të përkufizohet?
Mbi Zotin, ne nuk mund të dimë asgjë tjetër veç atyre ç’na kanë mësuar. Mendja nuk mund të thotë asgjë në këtë fushë. Ajo çfarë mund të bëjë, është të pranojë udhëzimin e revelacionit dhe të zbulesës hyjnore. Këtë mund ta sjellim në një formë të kuptueshme me një shembull të tillë, si më poshtë:
Jemi disa vetë që po rrimë e po bisedojmë nën të njëjtën çati. Pas një grimëkohe dëgjojmë se troket dera e jashtme. Po, me të vërtetë po troket! Disa prej nesh, duke mos u mjaftuar me kaq, fillojmë të shfaqin opinione mbi personin që po troket, pa e parë, pa e ditur se kush është: Ai që po troket, është i tillë, i atillë… Kësaj i themi imagjinatë a përfytyrim. Kurse disa të tjerë nuk thonë asgjë, se nuk e kanë një aftësi të tillë. Po mendjes, ç’i takon të bëjë në një rast të tillë? Me trokitjen e derës, mendja duhet të vërtetojë se pas derës është dikush, ndërkaq, çështjen se kush është ai, duhet t’ia lërë vetë atij i cili kërkon të na tregojë se kush është duke i rënë derës si dhe me mënyrën se si i bie. Në këtë rast ndodh procesi që e quajmë të vrarët e mendjes, gjykim.
Në çështjen tonë, këtë shembull mund ta zbatojmë kështu: Ne përpiqemi ta njohim Zotin duke e vrarë mendjen, duke gjykuar shkallë-shkallë, nga veprat në emrat e Tij, nga emrat në atributet, nga atributet në shfaqjet e individualitetit të Tij. E thënë ndryshe, e shëtisim gjithësinë duke kaluar nga shfaqja e Tij, në veprat, në shfaqjen me anë të emrave dhe afrohemi te horizonti i shfaqjes së atributeve; nga e panjohura lartësohemi te bota e shenjave specifike paralajmëruese të Tij dhe, me shtimin e kënaqësisë së soditjes, vërtitemi të mahnitur duke parë shfaqjen e individualitetit të Tij. Pastaj, herë na zgjerohet frymëmarrja dhe na pushton hareja me anë të frymërave të bukurisë dhe dhembshurisë së Tij, herë drithërohemi e rrëqethemi mes frikës dhe impresionit.
Shihet qartë se, ne, brenda dimensioneve tona të dijes dhe të informacionit, nuk mund të themi asgjë për Individualitetin Krijues. Njohjen e Tij ia lemë, brenda gjuhës dhe simbolikës së Tij specifike, ndërgjegjes, e cila është pika ku bashkohen gjithësia e të panjohurave dhe gjithësia jonë e dëshmisë. Allahu njihet me anë të emrave, konceptohet me anë të atributeve dhe ekziston me anë të individualitetit të Tij. Sipas shprehjes së Hz. Ebu Bekrit, “pamundësia për ta rrokur Atë, është vetë perceptimi i Tij.” Ose Ai njihet brenda dimensioneve të pohimit që i dedikohet përkufizuesit më të madh, i cili thotë: “Nuk të njohëm dot ashtu siç je në të vërtetë, o i Ditur!”[1]
Në përkufizimet që mbart Kurani mbi aktet dhe veprimtarinë e Tij, e njohim si një Zot absolut, lartësohemi shpirtërisht me sa mundemi që ta njohim me anë të atributeve të përsosmërisë dhe ia shohim përsosmërinë (qenien pa kurrfarë të mete a mangësie) në bukurinë (burimi i bukurive të pafundme) e Tij.
Atëherë, duke e rinovuar edhe njëherë betimin tonë, mund të themi kështu: O Krijues Absolut! Është jashtë çdo diskutimi që nuk mundëm të Të njohim me të vërtetë dhe ashtu siç duhet! Por, duke pranuar se je për ne më afër se damari i qafës që na rreh, [2] duke pranuar, brenda kësaj afërsie që i përket botës normative, madhështinë Tënde të konstatuar në njohjen e qiejve si shfletosja e fletëve të një libri dhe harmoninë poetike të ekzekutuar në diapazonin mes syrit të një mize dhe poetikës diellore si një rrugë të ndritshme për shpirtin tonë, ta njohim individualitetin me anë të veprave të Tua në mijëra e qindramijëra etapa, bëhemi njësh me shfaqjet e Tua dhe shkrihemi në sigurinë që na jep neve!
اَللّٰهُ أَعْلَم
Allahu di më së miri
Marre nga:http://islami.al/a-mund-te-njihet-zoti-a-mund-te-perkufizohet/