Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Besimi – Mosbesimi

Cila është arsyeja e përhapjes kaq të gjerë të politeizmit?

Estimated reading: 7 minutes 213 views

Pyetje: Cila është arsyeja e përhapjes kaq të gjerë të politeizmit, përderisa që nga koha e Ademit (alejhis’selam), që ishte njëherazi njeriu dhe profeti i parë mbi tokë, është përhapur besimi i një Zoti të vetëm?

Përgjigje: Ne nuk kemi asnjë të dhënë të shëndoshë rreth kohës kur ka ardhur Ademi (alejhis’selam), i cili është paraardhësi i parë i mbarë njerëzimit. As në Kuranin Fisnik, as në burimet e besueshme të Buhariut dhe të Muslimit nuk gjejmë asnjë reference kohore. Edhe pse ndonjëri nga sahabët mund të ketë transmetuar ndonjë të dhënë të transmetuar prej burimesh hebreje, ato janë të gjitha të dobëta për nga shkalla e besueshmërisë. Ademi (alejhis’selam) ishte njëherazi njeriu dhe profeti i parë mbi Tokë. Sepse, nëse njeriu i parë nuk do të ishte edhe profet, atëherë ai nuk do të dinte se si të vepronte, duke mos pasur lidhje me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Prandaj, profetësia ka nisur që me njeriun e parë. Ademi (alejhis’selam) ka edukuar fillimisht fëmijët, mandej nipërit e tij e me radhë, duke u predikuar atyre rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës.

Fatkeqësisht, pas njëfarë kohe mes bijve të Ademit filloi të shfaqej politeizmi dhe besimi në toteme të ndryshme. Për shembull, edhe pse Mesihu (alejhis’selam) fliste pa ndërprerë rreth një njëjësie të vërtetë dhe u drejtohej bashkëbiseduesve përherë me fjalët: “Në asnjë mënyrë të mos i bëni shokë Allahut në krijim!”, me kalimin e kohës kishat filluan të stoliseshin me statujat e Mesihut dhe të Merjemit të nderuar. Edhe në kohën e injorancës, ende pa zbritur profetësia e profetit Muhamed (pqmT), popullsia e Mekës besonte në fenë e Ibrahimit (alejhis’selam). Ka gjasa, që më pas – nëse do ta shohim këtë çështje ashtu siç e transmeton ibni Abasi[1] – ata kishin filluar t’i dilnin zot disa idhujve si Uzza si rrjedhojë e afrimitetit me Zotin. Ka shumë mundësi që Uzza të kishte qenë një mik i Zotit, i cili zemrën e vet ia kishte dedikuar veçse Atij. E me kalimin e kohës Allahu u harrua dhe ai që mbeti në mendjet e njerëzve ishte vetëm Uzza. Po e tillë është situata edhe me gjendjen në të cilën ka përfunduar një pjesë e mirë të botës së krishterë.

Çdo popull ka një mitologji të vetën. Për shembull, në mitologjinë greke, Afërdita njihet si një hyjni e joshjes, ndërsa Zeusi shihet si hyjnia e të gjitha hyjnive. Ndoshta këta emra mund të kenë pasur ndofarë vërtetësie përpara se të përfundonin në qerthullin e mitologjisë. Ka gjasa që Zeusi të ketë qenë një njeri shumë i fortë, i njohur për fuqinë dhe lidhjen e fortë të tij me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Mirëpo, më vonë, me hyrjen e tij nëpër legjenda, ai ka zënë të shndërrohet në heroin e dhunës dhe sadizmit, i cili mund të ndëshkojë dhe të torturojë çdokënd që nuk i bindet, apo që i vë në zinxhirë të gjithë ata që nuk i binden, ndërsa Afërdia si një amazonë që i bën djemtë e rinj të lënë mendjen pas saj. Ndoshta, para se të hynte në mitologji, ajo do të ketë qenë ndonjë grua simbol me emrin Afërdita, e cila përfaqësonte hijeshinë e pashoqe dhe me përshpirtmërinë e saj shembullin e një gruaje të denjë. Dhe nisur nga bukuria e saj e patëmetë, pastaj ajo ka filluar të ketë edhe variante në kultura të tjera, si Venus, Dhuhre apo Ylker. Ndërkohë që ajo përfaqësonte bukurinë, si për nga bukuria fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore, njësoj si Rabiatu’l Adeuije. Prandaj edhe njerëzit ndienë simpati të madhe për ta në emër të Zotit. Me kalimin e kohës Zoti u harrua dhe Afërdita u shndërrua kësisoj në një hyjneshë, sipas fjalës që përdoret. Zeusi, Herkuli dhe Gilgameshi, të cilët kanë qenë njohur për forcën e tyre legjendare, duke u nisur nga cilësitë e tyre kanë marrë trajtën e mbrame që kanë edhe sot e kësaj dite.

Në fakt nuk ka nevojë për të shkuar deri tek ata; gjëra të kësaj natyre kanë ndodhur edhe në botën tonë të mendimit. Ka pasur sa e sa miq të Allahut, për të cilët myslimanët mund të përdorin edhe cilësimin si mbretër të botës së shpirtit dhe me ato që ata kanë bërë janë bërë të pranueshëm nga sa e sa njerëz përgjatë historisë. Mirëpo, me kalimin e kohës, disa injorantë kanë harruar Allahun (xhel’le shanuhu) dhe kanë filluar t’i shohin atributet e këtyre njerëzve sikur ta kishin burimin tek vetë ata. Unë kam parë vetë me sytë e mi sa e sa njerëz që kanë shkuar pranë tyrbeve për të therur kurbanë apo për t’u përulur në sexhde përballë trupave të njerëzve të mbajtur në to. Dhe nuk ka asnjë ndryshim mes kurbaneve të bëra në Mekën e kohës së injorancës dhe atyre të therura pranë këtyre tyrbeve. Kur feja e Profetit tone të Dashur (pqmT) është edhe e përjetshme dhe e siguruar prej vetë Allahut (xhel’le xhelaluhu). Edhe pse kanë kaluar plot njëmijë e katërqind vjet që nga koha e Profetit tone (pqmT), njerëzit e lidhur fort pas Zotit nuk kanë munguar asnjëherë dhe Kurani Famëlartë nuk ka njohur asnjë bjerrje apo devijim kuptimor. Dhe të pasurit e një bjerrjeje të myslimanëve drejt idhujtarisë, apo pse situata e Islamit shfaqet e tillë është treguesi më i mirë i asaj se si koha e gjatë që kalon mund të sjellë ndryshime marramendëse te njerëzit. Me pak fjalë, ashtu siç është krijuar një mitologji islame pas të Dërguarit të Allahut (pqmT), shumë fe të ndryshme me kalimin e kohës kanë përftuar gjithfarë identitetesh mitologjike, duke bërë që disa syresh të na shfaqen edhe sot e kësaj dite me trajta thuajse të përbindëshshme.

Në natyrën njerëzore gjendet një ndjenjë shumë e hollë robërimi karshi Krijuesit, Atij që e ka edukuar dhe e mban nën kontroll gjithësinë! Dhe njerëzit që nuk e plotësojnë këtë ndjenjë karshi Zotit të tyre nga nevoja priren kah idhuj nga më të ndryshmit për ta plotësuar atë. Kështu ka ndodhur gjithmonë përgjatë gjithë historisë së njeriut në tokë. Allahu (xhel’le xhelaluhu) na ruajtë prej rënies në gjithfarë moçalesh ndërkohë që ne kërkojmë të lidhemi sa më fort pas fesë së Tij!


[1] Buhari, tefsir 71/1.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cila është arsyeja e përhapjes kaq të gjerë të politeizmit?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA